Albert R. HABAZAJ/Xhebro Gjika – një rapsod i spikatur i krijimtarisë popullore

1545
Sigal

 Xhebro Gjika nga Tërbaçi i Labërisë së Brendshme të Vlorës, klasifikohet ndër ata persona të veçantë, të cilëve, s’ka nevojë t’u përmendësh as ditëlindje, as ditëvdekje, sepse është emri i tyre, gjurma e tyre, lënë brezave, që i bën të pavdekshëm. Si shumë tërbaçiotë të tjerë, edhe Xhebro Gjika, mori pjesë dhe u plagos në Epopenë Legjendare të 20 – ës. Në nderim të  93 vjetorit të Luftës së Vlorës, Tërbaçi ka kujtuar e kujton Selman Hysenin, Selam Habazin, Selman Alikon, Islam Harizin, Beqir Selimin, Xhebro Gjikën, Laze Malon, Halim Xhelon, Murat Tërbaçin, Arshi Xhelilin, Sinan Mullahun, Muço Delon, Gani Iliaz Habazaj, shehitët Qamil Mezini, Sali Gjika etj. Në Luftën Antifashiste Nacional – Çlirimtare Xhebro Gjika mori pjesë me armë në dorë, si tërë blloku tërbaçiot, u plagos rëndë e u internua në kampet e Zemunit në Jugosllavi….Historia e Tërbaçit nuk është vetëm histori e luftërave dhe e krismave të mëdha. Ajo, po aq, është edhe histori e penës, e poezisë dhe e folklorit të madh. Rapsodi popullor, atdhetari me emër, Xhebro Gjika s’i përket vetëm Tërbaçit, Labërisë dhe Vlorës; ai është figurë e përmasave kombëtare në fushën e krijimtarisë popullore. Këngët e tij janë kënduar e këndohen me ëndje në trevën tonë; ato janë botuar në almanakët folklorikë “Buçet kënga labe” qysh në vitet ’70 të shek. kaluar; më 1979 shtëpia botuese “Naim Frashëri” Tiranë, nën redaktimin serioz të Pandeli Koçit, i botoi një pjesë të krijimtarisë së tij në vëllimin poetik “Zemra më këndon”. Edhe broshura e thjeshtë e Hamit Gjikës është një shenjë respekti për emrin e xha Xhebros. Bukur portretin e tij e ka gdhendur studiuesi i njohur, Prof. Bardhosh Gaçe, në punimin shkencor “Rapsodi Xhebro Gjika”, botuar më 1997 po nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”: Xha Xhebrua, siç e thërriste me dashuri populli -shkruan studiuesi – është një ndër ata këngëtarë të talentuar e zemërzjarrtë që kënduan e luftuan me pushkë për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Si këngëtar krah për krah rapsodëve  më të shquar ai ka zënë vend të merituar në historinë e folkloristikës shqiptare”. E veçantë është vepra e tij për lirinë e Atdheut, lufta ndaj bishës naziste dhe qëndrimi i paepur në kampet e Beogradit, janë legjendë e pashoqe për brezat. Xhebro Gjika për ne është liria dhe kënga. “ Këto këng’ kush i ka shkruar/- thotë diku – Xhebro Gjika  nga Tërbaçi/ Çuditem si kam shpëtuar/ m’u si nga thonjt’ e lugatit” … Kënga e këtij artisti të madh është si furtunë në pllajat e Labërisë. Ai, me emrin e tij, i ka zbardhur faqen Tërbaçit. Bashkë me xha Maton e Selim Hasanin, xha Xhebrua është krijuesi folklorik më me popullaritet. Ja ç’vlerësim bën rapsodi Feti Brahimi për bardin tonë: “Xhebro Gjika  e xha Selimi,/ si një yll përkrah një ylli, /si Stogoi e si Çipini ”. Kush i thotë vetes rapsod popullor, apo çdo poet i Labërisë duhet t’i ketë në tavolinën e tij të punës këngët e xha Xhebros. Këngët e tij janë si Kurani dhe Bibla e poezisë labe. Gurra popullore e Tërbaçit ëshët e pashtershme, e kristaltë, me ujë bore e borë Çike. Po ashtu, Puçe Velikua, Sinan Mullahu, Sinan Abazi, Arshi Xhelili, Hamdi Hodo e Sinan Gjondeda na kanë  një thesar të  çmuar për pasqyrimin e shpirtit të madh të popullit në vargjet e tyre. Dragoi i këngës së Madhe të Tërbaçit, Kujtim Mici i vlerëson pararendësit si bujqit që hodhën farë/ dhe korrën pranverë…Kënga e Xhebro Gjikës është një himn për njeriun që lufton me jetën, sepse vetëm aty gjen kuptimin ekzistenca e tij. Vargjet e tij të rapsodisë “Tërbaçi”, botuar së pari në Almanakun Folklorik” Buçet kënga labe”, Vlorë, nëntor 1972, fq .47 – 50, unë do t’i quaja kodin moral të çdo tërbaçioti, të çdo labi, të çdo shqiptari, si dhe një mesazh për brezat:“Çoku ngjante më të rrallë / gabonte ndonjë njeri/ e keshëm zakon të vendit/ s’e jepnim në qeveri, besa – besë, burri-burrit/ ia bënim gjyqin aty…” Kush poet nuk do ta kishte zili lirikën e tij dashurore: “Kur më shkon si kaçandone/ tinë të plakesh harrone!…”. Dhe kritikë e studiues do të ndiheshin të pafuqishëm për një kritikë letrare të këtyre margaritarëve të xha Xhebros, i cili është një gurrë ku pijnë poetët, burim që nuk shteron se ka lirikën humorin, jetën dhe veprën e tij shembullore. I thotë bukur Pelivan Bajrami i njohur, në këngën e tij poetike: “Gurra labe – Xhebro Gjika/ ujë bore, ujë nga Çika /s’ngopemi të pijmë përdita!” Xhebro Gjika është shpallur “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Ai s’di gjë, e s’na dëgjon, se ka ikur, ka ca punë…Ai s’ka patur nevojë për dekorata e dafina lavdie, sepse derdhi gjak për Shqipëri e këndoi për Liri. Labëria ka nevojë për emrin e tij, se i bën nder. Shqipëria i jep nder atij dhe gojëbiblilëve si ai dhe, ata shpirtgurgullues si ujëvarat alpine të pranverës shqiptare, i bëjnë dritë e nder me vargjet e tyre – thesar shpirtëror i kombit të vendit të shqipeve, siç na quajnë studiuesit e huaj. Besoj se i bëhet një shërbim i çmuar edhe kulturës kombëtare, sepse vlerësohet një bard i veçantë, një rapsod i formatit të madh si një nga  zërat më përfaqësues, më të plotë, më të fuqishëm të brezit të tij. Xhebro Gjika është Kurorë dafine në mbarë folklorin e Labërisë. Jeta e xha Xhebros është një punë heroike, ndërkohë që ai klasifikohet personalitet i kulturës popullore. Trashëgimia që zotërojmë  nga Xhebro Gjika, pa llogaritur humbjet e rrudhjet, është e begatë edhe falë energjive krijuese të tij.  Xhebro Gjika është shprehja më e spikatur e intelektit, humorit, tabanit popullor të Tërbaçit, duke u bërë një simbol, një sintezë e kësaj treve; është pasqyra më e mirë, më e bukur, e vitryteve më reale të tërbaçiotëve. Figura e Xhebro Gjikës gjendet në çdo fis, në çdo familje tërbaçiote. Historia e Xhebro Gjikës është pjesë, grimcëz e historisë së Tërbaçit, sepse asgjë nuk lind në vend bosh dhe, Tërbaçi përfshin një komunitet, që ka lënë gjurmë, si pjesë e së tërës labe e shqiptare; përfshin një bashkësi sociale me personalitete, me data, me ngjarje të mëdha, krahas të tjerëve. Duhet të kuptojmë që një popull pa figura të shquara, me një të kaluar anonime, s’ka si të ketë përmasë të së nesërmes. Në konstelacionin e yjeve i ndritshëm është pavdekësuar Xhebro Gjika. Vazhdimësia e virtyteve dhe e vlerave të xha Xhebros shprehet shumë qartë te pasardhësit e tij.

           *)  sekretar i Shoqatës “Labëria” për Vlorën dhe kryetar i Shoqatës “Tërbaçi”