Albert HABAZAJ*/ Kontributi i Lumit të Vlorës në mbështetje të Ismail Qemalit

716
Sigal

*Studiues

Lumi i Vlorës është një krahinë e dëgjuar, pjesë e Labërisë së Brendshme dhe e krahinës së madhe etnografike shqiptare të Labërisë në tërësi, me kontribute të vlerësueshme në historinë dhe kulturën kombëtare. “Pavarësia mbart sakrificat e shumë brezave, duke u kthyer në një vepër popullore në themelet e së cilës, kishte vënë gurë e gjithë Shqipëria” . Në nderim të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe të adhurimit të gjithmonshëm ndaj Ismail Qemal Vlorës, Isa Boletin Kosovës, Luigj Gurakuq Shkodrës dhe Rasih Dino Çamërisë, katër simboleve shqiptare të shtetformimit  të “vendit të shqipeve”, siç e quajnë Shqipërinë studiuesit e huaj, mendoj të trajtoj më konkretisht kontributin e parisë dhe të banorëve të Lumit të Vlorës, në mbështetje të idealit të lartë kombëtar, që mishëronte Plaku i urtë i Vlorës.  Meqë trajtesa rrok një temë vertikalisht të ngushtë, po bëjmë të njohur për opinionin publik, nëpërmjet gazetës “Dielli” disa të dhëna burimore dhe të verifikueshme: Këtë vjeshtë të artë dhe të zjarrtë, që përkon me 101- vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kam rastisur vetë në një takim të madh nderimi që u bë në fshatin Gumenicë të Labërisë së Brendshme, sipër në majë, në krahë të djathë të Lumit të Vlorës, mbi Kotë, kur shkon për në Kuç. Aty u vendos një pllakë nderimi në kujtim të 85 vjetorit të vizitave kombëtare, që Ismail Qemali bëri me banorët e Lumit të Vlorës, të njohur me kohë për besnikërinë e tyre ndaj çështjes kombëtare, sidomos në kohën e Zenel Gjolekës e Kuçe, Tafil Buzit, Rrapo Hekalit e Çelo Picarit, me Cane Miftar Smokthinën, Lulo Abaz Mehmetin e Tërbaçit e trimat e kryengritjeve popullore, bijtë e shpatës shqiptare për ruajtjen e tërësisë tokësore. Ismail Bej Qemal Vlora ka qëndruar, ka kuvenduar dhe ka bujtur me burrat e Gumenicës e trevave përreth më 25 tetor 1908 në shtëpinë e Muharrem Tartarit, në fisin Begaj, që u bë pritës bujar e fisnik i Shenjtit të Shqipeve.

Në Vranisht

Në shtator 1908, pas triumfit të xhonturqve dhe pasi kishte bërë një odise të gjatë udhëtimesh në Europë, Ismail bej Qemal Vlora, përfaqësuesi më i spikatur i kohës  i lëvizjes për pavarësi mbërrin, kuvendon dhe bujt në Vranisht. Ai bëri takime me vranishtjotët në shtëpitë e Pasho Ramadanit dhe Veli Dukës, duke shpalosur idetë e tij vizionare dhe atdhetare. Vite më parë kam bërë një vjershë- këngë dhe e kam kënduar, kur me një grup veprimtarësh shoqërorë e intelektualë shkuam atje ku kishte qenë dhe Urata e Kombit. Ndër të tjera këndova me miqtë dhe këto vargje: “Ku ësht’ kombëtare buka?/ Në Vranisht te Veli Duka!…”. Ndër të tjera, ata kënduan këngën e improvizuar aty për aty nga këngëtori dhe atdhetari vranishtjot Çelo Jonuzi, që  jehoi vargmaleve të Vetëtimës dhe të Këndrevicës  e u përhap luginës së Mesaplikut: “’Smahil Qemali me halle,/ që vajte krale më krale,/ hall’ e Shqipëris’ e qave,/ po s’të bënë kabull fare./ Burra të dalim në male,/ “turkun – ë ” ta zhdukim fare!” . Ismail Qemali, në rrugëkalimin drejt Pilurit të Himarës (Labëria e Jashtëme), për t’u hedhur në Korfuz, bëri një ndalesë të shkurtër në Babëzot, te motra e Pasho Ramadanit, Velide Ramadania, gruaja e Rrapo Labës, ku Shenjti Perspektiv i Flamurit qëndroi për t’u shplodhur  e për t’u freskuar me një gotë dhallë, në hijen e goricës, që rron dhe sot e kësaj dite, hijerëndë e fisnike 300 vjeçare. Në luftërat për pavarësi, “çeta patriotike e Vranishtit ka qenë e vetmja në Lumin e Vlorës, si repart i organizuar dhe me objektiva të qarta atdhetare”  me komandant kapedanin Sali Murati nga Vranishti, me nënkomandantë Selam Habazin nga Tërbaçi e  Azem Sulon nga Vranishti, me trima të tjerë, si Sulo Murat Shkurtaj, Mehmet Jaup Beqaj, Tare Selman Xhaferi, që ishte dhe këngëtar e krijues popullor, ymer Bego Malën, Mehmet Ali Majkon, Merçan Selam Avdiu, Meçe Jaup Beqaj, Hamzo Selam Shakaj, Demir Zoto Metaj etj., si dhe me luftëtarë e patriotë nga fshatra të tjerë, si Tahir Miftari nga Kanina, Hito Dalan Jaho e Qerim  Salati nga Tërbaçi, Aredin Kanani e Meto Caca nga Smokthina, Goxho Aliu nga Brataj, Tasim Kallarati, Nurçe Velça etj.. Një nga rojet e flamurit ishte Dalan Hyso”  nga Vranishti.

Bolena

Historiani Ruzhdi Bajrami shkruan: “Sipas dokumenteve të kohës, mësohet se I. Qemalin dërgata ushtarake vlonjate, në krye të së cilës ish dhe Toto Bolena [Hosi, shën. im, A.H], e priti te Ura e Mifolit dhe prej andej e shoqëroi atë, deri sa mbërrit në Vlorë, më 25 Nëntor, në qytetin e tij të zemrës, ku do të ngrinte për herë të parë Flamurin Kombëtar pas pesë shekujsh të robërisë osmane. Dita e shpalljes së pavarësisë qe akti final e më madhor në historinë e kombit pas ngritjes së flamurit në Krujë nga Skënderbeu ”. Sipas historianit Bajrami, në këtë ditë të madhe festive morën pjesë edhe burrat e familjeve më në zë të Bolenës, të cilët ishin në dijeni të zhvillimeve politike që po ndodhnin për kohën nga bijtë e saj patriotë, Toto Hosi, Isuf Bushi, Arif Dushani etj. Sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmive e pohimeve të shumë veteranëve bolenas e krahinorë, del se në ditën e shpalljes së pavarësisë, më 28 Nëntorin e Dytë të Dymbëdhjetës, morën pjesë më shumë se 20 burra bolenas, si Toto e Kafas Hosi, Arif  Dushani, Tare Shero, Hysen Micoli, Jaçe Balili, Dule Deliu, Mato Robi, Aliko Shaipi, Manxhar Sulçe, Myrdar Barjami, Habip Lilo, Zenel Dalani, Çuman Veshi, Jaho Abedini, Veledin Vrazho, Jupe Sinani, Pasho Razipi, Xhevit Veshi, Bush Bushi etj. Më të vjetërit thonë, se I. Qemali, pas takimit të Mesaplikut, u gdhi te patrioti i dëgjuar e bujar Zançe Xhelo e në Meçorrapajt e fisëm. Në vijim ka shkuar në Bolenë e është gdhirë te Manxhar Sulçja.

Tërbaçi

Kontributi i tërbaçiotëve buronte  nga gurra kombëtarisht dinjitoze me emrat e dalluar deri në rang të historisë kombëtare si Lulo Abazi, Miro Tërbaçi, Shako Xhaka me trima, që mëkuan Murat Tërbaçin, Laze Malon, Halim Xhelon, Selam Habazin e Selman Hysen Gjondedën me trima gjykimi e veprimi, që iu bënë krahë Burrit të Parë të shtetit Shqiptar, Ismail Bej Qemal Vlorës, të rrallit nga bijtë e nënës shqiptare, të cilit i vjen pas historia. Në qeverinë e Vlorës, tërbaçiotët shikonin shpëtimtaren dhe realizuesen e aspiratave të tyre, prandaj ata mbështetën dhe e mbrojtën atë me të gjitha forcat dhe u vunë plotësisht në shërbim të saj [në funksion të çështjes kombëtare, shën. im, A.H]. Lidhjet miqësore të burrave të Tërbaçit me familjen e Ismail Qemalit kishin ekzistuar qysh më parë, kur babait të Ismail Qemalit – Mahmud Bej Vlorës, qëndronin trimat Lulo Abazi, Shako Xhakaj e Rroko Hasani. Këto lidhje tani u shndërruan në lidhje idealesh. Qeveria e Vlorës, më 25 dhjetor 1912, emëroi Halim Xhelon nëpunës të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ndërsa Abas Koçi Gjondedaj, Xhezo Balo Barjamaj, Myslim Islam Kozhupaj dhe Toto Veliko Goxhaj shoqërues të Kryetarit të Qeverisë” . Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më  1912, qeveria e Ismail Qemalit i kushtoi një kujdes të veçantë arsimimit të popullit me gjuhën amtare. Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në thirrjen drejtuar mësuesve theksonte: “çështja e arsimit ka një rëndësi kryesore për rilindjen e kombit shqiptar…” Sipas Murat Miftarit, në shtator – tetor 1908: “Na thirri Alem Mehmeti në konakët e tij në Tragjas, ku gjetëm Ibrahim Avdullaun, Hamza Isain, Zaçe Xhelon e Ymer Radhimën, (nga Tërbaçi kanë qenë Murat Tërbaçi, Laze Malo e Xhezo Balo). Këtu u bisedua  për dy çështje të mëdha: E para qe për mbështetjen e Ismail Qemalit si deputet në parlamentin xhonturk. Pas takimit të Tragjasit, erdhi në Tërbaç Eqrem bej Vlora me suitën e tij në shtëpi të Kapo Miftarit, i cili kërkoi votat për babain e tij, Syrja bej Vlora, por ne i qëndruam Ismail Qemalit dhe bisedës që kishim bërë dhe fjalës që kishim dhënë më përpara  në Tragjas. Çështja e dytë ishte që “Shoqëria e Përhapjes së Shkollave Shqipe”, që ishte formuar pas fitores së “Xhonëve” (1908), të merrte një emër të ri: Klubi “Labëria” i Vlorës, ku nga Tërbaçi morën pjesë pesë vetë. Në Kuvend të Mesaplikut, në emër të popullit të Tërbaçit foli Murat Miftar Habazaj Tërbaçi – shënimi im, A. H.), pas Memo Metes, Zaçe Xhelos e Pasho Ramadanit. Edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë e qeverisë së Ismail Qemalit, ne, mesaplikasit bashkëpunuam shumë me Ibrahim Abdullahun, Aristidh Rucin, Ahmet Xhafën, Ali Asllanin, Qazim Kokoshin, Alem Mehmetin dhe Ymer Çelon.

Mesapliku

Në fushën e Mesaplikut, në mes vendi, te rrepet historikë, Ismail Qemali ka shkuar dy herë. Herën e parë ishte 64 vjeç dhe daton fillimnëntori i vitit 1908.  Ndërsa herën e dytë Ismail Beu erdhi në Lumin e Vlorës, përsëri në atë mes vendi, që i thonë Mesaplik, më 18 korrik 1913, ku ishte 69 vjeç. Rrugëkalimi i tij: Peshkëpi – Kropisht- Mavrovë – Rrepet e Ckollonahisë (Gjorm) – rrëzë Fushës së Brate – ura e Brate – vazhdim i kodrave – afër urës së Bogdanit e me finale Mesaplikun, ruhen në kujtesën kolektive të banorëve të Lumit të Vlorës, si të bekuara nga vetë Perëndia. Në vendin që edhe sot e kësaj dite quhet “ Rrepet e Smail Beut, Plaku i Flamurit shoqërohej nga Mehemt Pashë Dëralla Tetovari, Ministër i Luftës, si dhe patriotët Hamza Isai, Xhelal Skrapari dhe Memo Mete. Në kuvend bëri thirrje për ngritjen e gatishmërisë së popullit të Lumit të Vlorës për luftë në rastin e okupimit grek,ndërkohë që shumë luftëtarë labë të këtyre fshatrave kishin rezistuar heroikisht dhe kishin shkruar akte trimërore për mbrojtjen e Janinës shqiptare. Sipas kujtimeve të kohës, I. Qemali u gdhi një natë te patrioti Zançe Xhelo, i cili e kishte shtëpinë në anë të fushës së Mesaplikut” .

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Drejtor i Bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali” Kryetar i Shoqatës “Tërbaçi”dhe Sekretar i Shoqatës “Labëria”