Albert Habazaj: Hysni Kapo, heroi i Labërisë

104
Heronjve, kur vdesin, u fillon pavdekësia

Shpirti poetik popullor për Hysni Kapon

Në kujtim të 102 vjetorit të lindjes

Në madhështinë e vet, Hysni Kapo ngrihet i lartë si Çika labe me borë të bardhë mbi krye. Ai është figurë e pastër, që s’pranoi e s’pranon fare baltë mbi supe, se nuk i shkon. Ai është personalitet që gëzon vetëm respekt e fjalë të mira nga të gjithë shqiptarët e nderuar, të çdo krahine apo ngjyrimi politik, përveç ndonjë zuzari zullumqar, që s’ka më shtyllë vertebrale të dinjitetit vetjak. Figura e Hysni Kapos është disa planesh. Si tribun popullor dhe luftëtar me armë në dorë, ai dha kontribute për lirinë e Atdheut, Besniku ynë fluturon në krahët e nderimit respektuar të këngës. Dhe në ditë me diell. Dhe në net me stuhi. Në ndërgjegjen historike të Shqipërisë, figura dhe personaliteti i tij janë gdhendur si me daltë mjeshtri, ku në pah përherë del urtësia, trimëria dhe zemërgjerësia shembullore që e karakterizonte. Shqiponja e Labërisë, gojëmjaltë e zemërzjarr shfaqet nëpër luftëra e beteja kundër nazifashizmit si një flamur i gjallë i betejave ngadhënjimtare për liri dhe përherë mes bashkëluftëtarëve e njerëzve të popullit dhe në ballë të tyre. Epika historike popullore e jep figurën e Hysni Kapos si njeri të guximshëm mes istikameve të luftës për liri, të lavdishmes Luftë çlirimtare, kapitull ky tepër i rëndësishëm jo vetëm në jetën e Hysni Kapos, por edhe të Vlorës dhe për historinë e Shqipërisë. Hysni Kapo u bë flakadan i atij zjarri të madh antifashist, që u ndez në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, sikurse sivëllai i tij mallakastriot Mehmet Shehu në ato vite të stuhishme të Luftës së Dytë Botërore (LDB), pjesë heroike e së cilës qe dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) e partizanëve dhe popullit shqiptar e drejtuar nga Enver Hoxha, Spiro Moisiu në ballë të Shtabit të Përgjithshëm dhe asaj Lufte të Madhe Fitimtare. Edhe Hysni Kapo ka rolin e tij të padiskutueshëm në këtë ngjarje historike jetike për Shqipërinë, prandaj emri i tij është i shkruar në histori, është i kënduar në këngë, është i nderuar në Kujtesën e Popullit Shqiptar, sepse udhëhoqi beteja dhe u plagos në luftë, mori plumb në front (ku, edhe mund të ishte vrarë kundër pushtuesit të huaj). Prandaj edhe kënga popullore e përcjell fuqishëm betejën e Patosit e të Selenicës, Gjormit e Drashovicës, Malit të Bardhë e Llogorasë, Përmetit e Macukullit, Dibrës e Kukësit…Me figura të fuqishme artistike, shpirti popullor e gdhend bukur portretin e tij si një legjendë kreshnike të re. Po ndalem një çast vetëm në një këngë të dëgjuar e të kënduar në të gjitha trevat shqiptare, secila sipas mënyrës së vet, sipas variantit të praktikuesve të saj. Përcillet me lahutë e me çifteli, me fyell e klarinetë, me iso labe e me përplasjen e këmbës në tokë në vallen burrërore për të theksuar edhe më tepër emocionalisht e artistikisht domethënien e krejt vargut, të asaj kënge të madhe me 13 vargje lakonike- sintezë e luftimeve heroike, që zhvilluan forcat tona partizane, të rregullta e të organizuara me formacione luftarake atë shtator 1943 në Drashovicë kundër forcave të pushtimit, frontit ushtarak nazist. Lufta e parë frontale mbarëpopullore në Portën lavdi mbuluar të Labërisë së Lumit të Vlorës është dafina e historisë Çlirimtare të Shqipërisë nga pushtuesit: “Moj Mavrov’ e Drashovicë!”- gjëmon kënga që nga Harku i Triumfit te Porta e Labërisë- “bobo, ç’hoqe atë ditë, partizanët me nazistë, bomb’ më bomb’ e thik’ më thikë, Hysni Kapua sypetrit përmbi tela ç’u vërvit, ç’u plagos e ç’u godit, armikut në gjuh’ ç’i flit:- Dorëzohu, mor jezit, s’ke par’ djemt’ e Shqipërisë, opinga gome llastik, me jelek e pa këmishë i marrin plumbat në sisë!”. Hysni Kapo u ushqye me idetë e zjarrta, të mprehta e të ndritura të Halim Xhelos, që e pati idhull, sepse Halimi qe Abdyl Frashëri i Epopesë famëmadhe të Njëzetës, mendimtar i guximshëm dhe veprimtar revolucionar i përmasave kombëtare. Në gjurmët e bashkëfshatarit të tij pararendës, të atij “Robespjeri të pakorruptueshëm” shqiptar eci Hysniu udhëve të lirisë. Njerëz të thjeshtë, poetë popullorë, rapsodë e poetë të kultivuar japin dhembjen e syrit e të shpirtit për këtë personalitet të historisë shqiptare, për vlerat që ai mbart: “Mali i Çikës kokë uli, ndaloi rrjedhjen Shushica dhe hodhën vellon e zisë/ Çipini dhe Bogonica”… Në variantet e mëvonshme, dy vargjet e para u pasuan me përmasa më të gjera gjeoshpirtërore: “… dhe hodhën vellon e zisë nga Valbona tek Bistrica”. Është në traditën e elegjisë sonë popullore pjesëmarrja e elementëve gjoefizikë në pikëllimin njerëzor, ardhja dhe ulja e natyrës në dhembje, pjesëmarrja e gurëve dhe drurëve, e maleve dhe detit, e barit dhe zogjve, e lumit dhe luleve. Atëherë elegjia bëhet më solide, e fortë dhe e qëndrueshme edhe në shëndetin figurativ dhe rrit kështu peshën e saj specifike, siç ka ndodhur me këto vargje brilante të Dragoit të Këngës Labe, të paharruarit Kujtim Mici. Shpërthen në vaj vigani Lefter Çipa, por nuk bie në dëshpërim me elegjinë: “Shqipëri, pse të qan siri?!”, “se vetë Izniu bezdisej nga pesimistët”, na thotë i madhi Lefter Pilurioti. E derdh talentin e tij, klas prej metaforash burimore, i paharruari Hamdi Pulo i Tragjasit, për monumentin e historisë “qerpiklodhurin pagjumë”, që qe “zjarr rrufeje në furtunë”. Dhe qielli i derdhi lotët që pati për Hysni Kapon. Janë dh jetra e qindra të tjera që u krijuan e u kënduan në krahina të ndryshme të vendit, që vërtet e bëjnë Hysni Kapon të fluturojë në krahët e këngës si legjendë e re epike. Çuditërisht, edhe pse u ndaluan këto këngë, në kohën e sotme ende të paqartë, prekur nga infeksione e viruse antivlerash njerëzore, morale, kombëtare dhe artistike, ato këngë dhe të tjera të reja që lindin, këndohen përsëri, sepse Hysni Kapo lartohet në Panteonin e Lavdisë. Hysni Kapo Habazaj (05.03. 1915 – 23.09. 1979) është Pinjolli më i shquar i fisit të lashtë patriotik të Habazajve të Labërisë. Hero i Populit, Hero i Punës Socialiste. Një nga figurat më popullore të krahinës së Labërisë dhe më gjerë gjatë shekullit të XX, sidomos për kontributin e tij në drejtimin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare fillimisht në qarkun e Vlorës deri në shkallë kombëtare. Kishte pseudonimin “Besniku” dhe u bë sinonim i Brigadës së Pestë Sulmuese, Heroinë e Popullit. Në luftën termopiliane të Drashovisës mori plagë nga plumbat e pushtuesve, e cila qe vulë trimërie. Njeri politik me emër të respektuar, që dallohej për gjykim të matur, mbajtjen e unitetit dhe ruajtjen e ekuilibrave midis palëve jo vetëm në Labëri. Pati këngë në gjallje,ka dhe sot e kësaj dite. Populli e ka quajtur Shqiponja e Labërisë. Koha ecën dhe do të pastrohet nga inatet e vogla dhe emocionet negative të pamotivuara. Gjykoj se shoqëria shqiptare do t’i rinjohë vlerat e plota dhe të vërteta të Besniku të saj dhe do ta kuptojë që Hysni Kapo e meriton të jetë Nder i Kombit. Kënga ashtu e ka.