Albana Melyshi Lifschin/ Lindja e shtypit të lirë Amerikan

585
Sigal

Historia e luftës për shtypin e lirë amerikan është e lidhur me emrin e gazetarit Xhon Pitër Zenger (John Peter Zenger) nga Nju Jorku. Në dhjetëvjeçarin 30-40 të shek. të18, Nju Jorkun e qeveriste guvernatori Uilliam Kozbi (William Cosby), një njeri i korruptuar dhe hakmarrës. Xhon Zenger, djalë i ri në moshë atë kohë, filloi të botonte gazetën e tij të përjavshme ku shkruante për padrejtësitë që bëheshin nga ana e administratës mbi kurriz të popullsisë së qytetit. Guvernatori, siç mund të merret me mend, u egërsua shumë nga guximi i gazetarit. Ai urdhëroi arrestimin e tij. Kjo ndodhi në 1734. Guvernatori Kosbi e akuzonte gazetarin për mungesë besnikërie ndaj qeverisë dhe se kishte botuar akuza false kundër vetë guvernatorit. Xhon Pitër Zenger u burgos. Në ditët e para në burg atë e izoluan e s’e lanë të fliste me askënd. Gazeta e tij “New York Weekly Journal” nuk doli. Më pas iu lejua të komunikonte vetëm me të shoqen nëpërmjet një “dritareje” fare të vockël në derën e burgut. Në këto takime ai filloi ta mësonte të shoqen se si të shtypte gazetën e ç’të shkruante në të. Gazeta doli sërish dhe në artikullin kryesor u bëhej e ditur njerëzve se botuesi i gazetës qe arrestuar si edhe akuzat që i bëheshin. Miqtë e tij kur e morën vesh këtë lajm u shqetësuan dhe zunë të mendonin si ta ndihmonin, por të gjitha rrugët ishin të mbyllura. Të gjithë avokatëve që morën përsipër çështjen e tij iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit në shtetin e Nju Jorkut. Muajt kalonin njëri pas tjetrit pas derës së burgut. Për t’u marrë me çështjen Zenger u ngarkua një avokat që ishte mik me guvernatorin. Kjo do të thoshte që Pitër Zengeri ishte i humbur. Nuk dukej më asnjë shpresë për shpëtimin e tij. Megjithatë për çudinë e të gjithëve, gazeta e tij “New York Weekly Journal” vazhdonte të dilte nga botimi çdo javë, duke vazhduar të fliste kundër guvernatorit e bëmave të tij çnjerëzore. Ditën e gjyqit përpara ndërtesës së gjykatës ishte mbledhur një masë e madhe njerëzish, e cila sa vinte e rritej. Njerëzit e kuptonin se nëse gjyqi do ta shpallte fajtor gazetarin, askush s’do guxonte më të hapte gojën kundër padrejtësive të qeverisë. Gjyqtari dhe trupi gjykues zunë vendet. Pitër Zenger u soll në sallë për t’u gjykuar. Njerëzit brenda rrinin me zemër të ngrirë. Dhe atë moment të pashpresë, për habinë e të gjithëve në sallë hyri një burrë flokëbardhë, i cili u ndal në ballë të sallës. Ishte Endrju Hamilton (Andrew Hamilton) avokati më i shquar i Amerikës, në atë kohë, që kishte ardhur nga Filadelfia për të mbrojtur gazetarin. Ai ishte mik i Benxhamin Frenklinit dhe Uilliam Penit. Hamiltoni vërtetoi se të gjitha ato që kishte shkruar Pitër Zengeri për guvernatorin, ishin të vërteta. Ai deklaroi se të botosh të vërtetën nuk është “krim” dhe iu drejtua jurisë me këto fjalë: “Çështja para gjykatës dhe juve zotërinj të jurisë nuk është një çështje e vogël dhe private, nuk është as çështja e një botuesi të varfër dhe as vetëm e Nju Jorkut. Jo. Pasojat e gjykimit të saj do të ndikojnë tek çdo njeri i lirë që jeton nën qeverisjen britanike, në Amerikë. Është një çështje shumë e rëndësishme, është çështja e Lirisë”. Ai theksoi se vendimi do të vuloste një herë e përgjithmonë lirinë e fjalës ose shtypjen e saj. Gazetari Pitër Zenger doli i pafajshëm dhe u lirua nga burgu. Guvernatori Kosbi fare pak kohë pas gjyqit vdiq nga një atak në zemër. Petër Zenger vazhdoi të botonte gazetën e tij duke mbrojtur të vërtetën deri në fund të jetës se tij. Sot, nëse ju bie rasti të dëgjoni shprehjen “Ai është avokat Filadelfie” do të thotë që është avokat i zoti, shprehje që ka mbetur në kujtim të avokatit të madh, Endrju Hamiltonit