Albana M.Lifschin/ Simbol i lirisë dhe mundësive të hapura

586
Sigal

 Ellis Island, ishulli i emigrantëve

Turistët nga vende të ndryshme të Europës kur vijnë në Nju Jork, tek vizitojnë Statujën e Lirisë është e pamundur të mos qëndrojnë disa orë edhe në ishullin Ellis (Ellis Island). Dhe jo vetëm të huajt, por edhe amerikanët të ardhur nga shtete ndryshme të Amerikës. Sipas statistikave katër në dhjetë amerikanë vijnë të kërkojnë këtu emrat e gjyshërve apo stërgjyshërve të tyre.

Bashkë me Statujën e Lirisë, ishulli Ellis mbetet simboli i Lirisë dhe mundësive të hapura për të porsaardhurit në Amerikë.
Ellis Island i hapi dyert e tij për emigrantët në vitin 1812 duke e kaluar emigracionin nga kontrolli i shtetit të NY, në atë federal. Kjo u bë për dy arsye: për të qetësuar zërat e qytetarëve amerikanë kundër një hyrje të pakontrolluar të emigrantëve si edhe për të ndalur korrupsionin e zyrtarëve, veçanërisht të Nju Jorkut, ku hynte shumica e emigrantëve. Është vlerësuar që në 100 vjet, që nga 1812, nga Evropa erdhën 55 milion emigrantë, shumica e të cilëve u vendosën në Amerikën veriore.
Emigrantët erdhën në Amerikë për arsye të ndryshme, për t’i shpëtuar luftërave, urisë, persekutimit fetar, politik e duke shpresuar për një jetë më të lirë për veten dhe fëmijët e tyre. Të ardhurit e parë ishin kryesisht nga Evropa veriore dhe perëndimore, Anglia, Irlanda, Gjermania e Skandinavia. Udha drejt lirisë nuk qe e lehtë për ta, madje qe e dhimbshme. Shumë u bënë viktima të grabitjes gjatë udhëtimit të gjatë dhe vdekjes nga uria. Edhe pasi mbërrinin në Ellis Island përballonin sjelljen e pagdhendur e aspak miqësore të nëpunësve të emigracionit të cilët silleshin veçanërisht keq me të varfrit pa asnjë dysh në xhep që shikoheshin si qytetarë të klasit të tretë. Nga radhët e gjata të emigrantëve që prisnin orë të tëra në këmbë, mjekët dallonin ata më të dobëtit, të sëmurët që s’përballonin dot lodhjen e u binte të fikët. Mjekët ishin instruktuar që të sëmurët me sëmundje ngjitëse, apo të verbrit, që mendohej se mund të bëheshin barrë e shoqërisë, të ekskludoheshin. Në vitin 1907, reth 13064 emigrantë u kthyen pas në vendet e tyre. Situata të dhimbshme krijoheshin edhe për shkak të keqkuptimeve nga përkthimet. Ndodhte që për shkak të përkthimit të keq bëheshin gabime edhe në trajtimin e tyre mjekësor.
Nëpunësit e emigracionit u shtrembëronin apo amerikanizonin emrat të ardhurve nga Evropa meqenëse s’ishin në gjendje t’i shqiptonin ato drejt, kështu emri Vladimir nga Rusia regjistrohej Walter, apo emrat e emigrantëve regjistroheshin si mbiemra.
Amerika ndoqi politikën e dyerve të hapura për emigrantët nga e gjithë bota deri në vitin 1920 kur vuri kufizimet e para.
Lufta e parë botërore shndërroi miliona njerëz në refugjatë dhe shumica e tyre vështruan me shpresë nga SHBA. Kësaj herë emigrantët iu nënshtruan një kontrolli më rigoroz se ata që kishin mbërritur këtu 10 vjet më parë. Mbresat e tyre të para për Amerikën nuk qenë të kënaqshme. Sidney Bass, emigrant i shkolluar, ardhur nga Anglia, raportonte kështu lidhur me gjendjen në Ellis Island:
“Kur arrin këtu, gjëja e parë që të bën të mendosh se ç’duhet të presësh janë të thirrurat e portierëve që i vënë njerëzit në rresht: Hajt, lëvizni, ngjituni lart bagëti.”
Greta Wagner, një grua e ardhur nga Gjermania në 1923, tregonte sa e rëndë qe situata për një grua, pa gjuhë, pa të holla e pa mbështetje.
“Ne ishim thjesht numra. Mbi 5000 emigrantë arrinin çdo ditë në ishullin Ellis nga Rusia, Rumania, Polonia, Franca.. Unë s’dija asnjë fjalë anglisht. Më mbajtën dy javë aty, duke pritur që dikush të dilte të firmoste për mua ndryshe do më kthenin pas.”
Institucionet fetare u erdhën në ndihmë të mërguarve duke evituar deportimin e tyre. Greta Wagner i shpëtoi deportimit me ndihmën e Kishës katolike e cila garantoi se gruaja nuk do t’i bëhej barrë shtetit. Kisha i siguroi Gretës një dhomë e ushqim derisa ajo të gjente një punë.
Në këtë kohë ishullin e mbërritjes së emigrantëve e vizitoi ambasadori anglez në SHBA, i cili shprehu keqardhjen e tij për ankthin të cilin përjetonin emigrantët evropianë, ankth që zgjaste edhe me javë, në pritje të përgjigjes për pranim apo deportim nga Amerika. Duke komentuar këtë gjendje ai sugjeronte shpejtimin e procesit të emigracionit e dhënien e përgjigjeve brenda 24 orëve për të reduktuar këtë ankth torturues. Vërejtjet e tij tërhoqën vëmendjen e autoriteteve të Nju Jorkut të cilët menduan të përmirësonin kushtet e qëndrimit të emigrantëve në ishullin Ellis, duke kërkuar për këtë të holla nga Kongresi Amerikan. Së paku të vendoseshin shtretër për emigrantët ku të mund të flinin normalisht.
Në ligjin e vitit 1924, qeveria zvogëloi kuotën e hyrjes se emigrantëve dhe gjithashtu u kërkua që emigrantët të merrnin me parë vizë nga ambasadat amerikane në vendet e tyre. Ligji i ri parashikonte një numër të caktuar vizash për çdo muaj. Kjo shkaktoi një ethe të madhe për marrjen e vizës amerikane. Nga dita që u hap deri në vitin 1924, ishulli Ellis priti 71 për qind të të gjithë emigrantëve që hynin në Amerikë. Pas vitit 1924 emigracioni i ardhur përmes Ellis Island në Amerikë nuk i kaloi kurrë 190.000 vetë çdo vit.
Gjatë periudhës së Depresionit të Madh, me shumë njerëz ikën nga Amerika se sa erdhën. Në vitin 1934 në kohën e Presidentit Frenklin Ruzevelt në portin mbërritjes se emigrantëve u bënë ndryshime të dukshme. Emigrantët në ishullin Ellis Island nuk prisnin më shumë se dy-tre ditë për procesin e përgatitjes se dokumentacionit të tyre. Godinat në ishullin Ellis u shtuan dhe u përmirësuan. Për ngritjen e tyre u akorduan mbi 1.1 milion dollarë. Numri i të deportuarëve u zvogëlua.
Në vitin 1940, me tensionin botëror në rritje, kongresi amerikan u shqetësua se emigrantët e ardhur nga Evropa mund të paraqisnin rrezik për sigurinë në vend. Si rezultat Shërbimi i Emigracionit kaloi nga Departamenti i punës në atë të Drejtësisë i cili u bë përgjegjës për ishullin e mbërritjes së emigrantëve, Ellis Island.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky ishull u përdor më shumë për të ndaluar armiqtë e Amerikës, gjermanë, italianë, japonezë, hungarezë e bullgarë dhe ata mbaheshin aty deri gjashtë muaj për verifikim dokumentesh.
Në vitin 50, sipas një ligji të ri, u kërkua deportimi i çdo anëtari të organizatave komuniste. Njerëzit e ndaluar nën këtë ligj deportoheshin nga ishulli Ellis.
Disa vite më pas u poq mendimi që ishulli Ellis tashmë e kishte kryer qëllimin e tij dhe duhej mbyllur si stacion emigrantësh. Ky opinion fitoi dhe në 12 nëntor 1954, gazeta “New York Times” lajmëronte se portit të emigrantëve në Nju Jork i kishte ardhur fundi. Emigranti i fundit që shkeli në ishull qe një norvegjez.
Piku i trafikut të emigrantëve përmes ishullit Ellis arriti në 1907 kur priti 1.200,000 emigrantë.
Në 1965 presidenti Lindon Xhonson e deklaroi Ellis Island monument nacional dhe e quajti pjesë të Statujës të Lirisë.