Aksidenti, deputeti, prokuroria, ekspertiza dhe familja

677
Miltiadh M. MUÇI Jurist – Ekspert kriminalist 

Si gjithmonë, shumë shpejt mediet njoftuan për aksidentin automobilistik të orëve të para të mëngjesit të 12 gushtit 2017, që ndodhi në afërsi të mbikalimit të autostradës Tiranë – Vorë, ku gjeti vdekjen e menjëhershme viktima 53 vjeçare Sait Sorra, i goditur nga autovetura që i përkiste deputetit Aqif Rakipi që largohet nga vendi i ngjarjes dhe pas dhjetë minuta u paraqit në Rajonin e Policisë Nr.2, Tiranë. Sipas njoftimeve të para dhe komenteve të ditëve në vazhdim qëndroi versioni se, viktima udhëtonte në drejtimin e rrugës Vorë-Tiranë dhe sa kishte zbritur nga një furgon pasagjerësh, bashkë me disa persona të tjerë, kalon para tij për në krahun tjetër të rrugës, kur papritur goditet nga autovetura e parë që parakaloi furgonin, ndërsa drejtuesi i saj largohet nga vendi e ngjarjes për t’u paraqitur në rajonin e policisë, të “informonte mbi ngjarjen e ndodhur”, kur duhej të kishte ndaluar dhe detyrimisht të mos lëvizte mjetin nga vendi i ngjarjes, në këtë mënyrë edhe viktimës mund t’i jepej ndihma e shpejtë prej tij apo personave të tjerë të pranishëm, sikundër është e përcaktuar në Kodin Rrugor për raste të tillë. 

Këtë normë ligjore duhet dhe me siguri e dinë fare mirë të gjithë drejtuesit e mjeteve. Në rastet kur pas aksidentit janë larguar për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, civile apo administrative kanë bërë kundërvajtje penale që dënohet me gjobë ose burgim gjer në një vit, sikurse thuhet në nenin 273 të Kodit Penal, për largimin nga vendi i aksidentit. Ndryshe nga sa është e përcaktuar në këtë dispozitë, si një ligjbërës për të cilin votohet në parlament, ai largohet të informoi organin e policisë edhe pse ka mënyra e mjete komunikimi më të shpejta se paraqitja para këtij organi. Për më tepër dispozita të veçanta të Kodit Rrugor e detyrojnë atë të mos largohet vetë dhe aq më tepër me mjetin që ka kryer aksidentin, por nëse i ka mundësitë edhe me persona ta ruajë vendin e ngjarjes, qoftë duke e kufizuar me mjete rrethanore. 

Thuhet se nga veprimet e para të prokurorisë, e cila ka shkuar me vonesë në vendin e ngjarjes, për shkak të mos gatishmërisë së prokurorit të radhës dhe mendimit verbal të grupit të ekspertëve të sigurisë rrugore, sepse aktin e ekspertimit të shkruar nuk besoj ta kenë formuluar në një periudhë kohe shumë të kufizuar, ajo vendosi të mos marrë asnjë masë sigurie ndaj deputetit Aqif Rakipi, në kushtet e flagrancës, për pasojën e aksidentit me vdekjen e një personi. Dhe me të drejtë, për sa ai nuk është larguar nga vendi i ngjarjes në kushtet e nenit 273 të Kodit Penal, sikurse e pretendon Partia Demokratike, cilësohet largimi nga vendi i aksidentit i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar “për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative”, ndërsa deputeti ka shkuar me njëherë në organin e policisë për të informuar mbi ngjarjen dhe vetë autorësinë e pasojave të saj. Por ajo e ka nisur çështjen penale dhe e heton të mbështetur në paragrafin e parë të nenin 290 të Kodit Penal, deri sa të vërtetojë fajësinë apo pafajësinë e deputetit. 

Thuhet gjithashtu se organi i prokurorisë për një mendim më të gjerë dhe të kualifikuar, ndryshe nga rastet e tjerë të ndodhur, ka kërkuar e krijuar një grup të ekspertëve të sigurisë rrugore e thënë ndryshe të ngjarjeve automobilistike dhe objektivisht ka vepruar mirë, por sa objektiv do të jenë vetë “ekspertët” kur nga praktika e veprimtarisë të një pjese të prokurorëve ka rezultuar se, kërkojnë konkluzionin e ekspertimit sikurse ata janë të interesuar, ndërsa sikur është shkruar para pak kohësh në medien e përditshme, organet e drejtësi- së i thërrasin edhe pse nuk janë të certifikuar nga ministria e fushës ku e ushtrojnë veprimtarinë jo ligjore. 

Më 26 maj 2017, gazeta “Dita” shkruan, se emisioni Fiks Fare ka denoncuar “se, si në prokurori dhe në gjykatë merren ekspertë për aksidentet automobilistike, ndërkohë që licencat e tyre janë pezulluar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, që në vitin 2008”, por deri më sot ata kanë vijuar të paraqiten me licencat e vjetra dhe askush nuk e ka ngritur zërin për këtë urdhër, edhe pse ndonjëherë këto ekspertiza mund të jenë të dyshimta. Do të mjaftonte ajo çka po ndodh tek ne, kur një grup nismëtarësh ekspertë të fushave më të kërkuara nga organet e drejtësisë, midis tyre edhe autori i shkrimit, kanë kërkuar e paraqitur komisionit të ligjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, draftin e “Ekspertimit të Pavarur Ligjor”, pikërisht në kuadrin e reformës në drejtësi, ndërsa institucionet shtetërore indiferente nuk janë aspak të interesuar për miratimin e tij. 

Por me ndryshimet dhe plotësimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale, midis të tjerave se i dëmtuari apo të afërmit e viktimës kanë të drejtën legjitime të mbrojtjes nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të saj sikurse është avokati, mundet dhe duhet të kërkojnë ekspert të fushës së sigurisë apo të kriminalistikës që në këtë rast edhe pa pagesë, tregoj gatishmërinë për të marrë pjesë në kërkesat e pretendimet e drejta të familjarëve të viktimës Sait Sorra, sigurisht në bashkëpunim me avokatin që ajo do të përzgjedhë.  
Për sa në këtë aksident kemi të bëjmë me pasojë vdekjen e kryefamiljarit dhe fatkeqësinë e një familje pa mbështetje ekonomike, kur autori i pasojave të ndodhura thuhet se është një ligjbërës, hetimi i çështjes jo vetëm se duhet të jetë sa më i thellë e objektiv, por dhe transparent ku organi i prokurorisë hera-herës me prova duhet të informoi opinionin publik, në veçanti familjen e viktimës, nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor e bashkëpunëtorëve të tij. Këtë e kërkon vendosja e drejtësisë të vërtetë në vendin tonë, e cila nuk ekziston. 
Sigal