Akademiku Artan Fuga: Matja e fluksit turistik kërkon teknicitet dhe jo propagandë

668
Sigal

Lidhur me matjen e fluksit turistik duhet të adoptohen instrumente matës, njësi matëse, si edhe parametra çelës matjeje që të jenë shkencorë dhe jo sipas estradës të dikurshme, ku disa kamione duheshin pjestuar me disa batalione dhe dilte një numur jo i plotë!!! Në radhë të parë, duhet ndarë mirë koncepti statistikor i turistit unik dhe turistit përsëritës. Ai unik vjen një herë përgjatë verës, kurse turisti përsëritës vjen disa herë (pra më shumë se një herë) për atë periudhë kohe. Madje mund të matet, nëse gjatë viteteve të fundit (ta zemë në dhjetë vitet e fundit) një turist ka ardhur vetëm një herë apo është kthyer disa herë. Dallimi midis turistit unik dhe turistit frekuent është thelbësor në matjen, vlerësimin dhe raportimin e fluksit turistik. Përndryshe nëpunësi i ngarkuar me këtë çështje gabon dhe mashtron qeverinë, opinionin publik dhe operatorët që veprojnë në fushën e turizmit. Pastaj duhet segmentuar fluksi turistik që çdo parketues, i cili punon me metoda bashkëkohore e di se është një procedurë që nuk mund të anashkalohet. Pra duhet parë, sa turistë janë të lindur në Shqipëri, sa janë nga trojet, sa janë të huaj në kuptimin absolut të fjalës. Pastaj, edhe me kritere sociodemografike që lidhen me moshat, seksin etj. Nuk është ndonjë procedurë e vështirë për t’u bërë, por kërkon integrimin e bazave të të dhënave statistikore të policisë të kufirit me parametrat statistikorë që u duhen shërbimeve të turizmit, sigurisht, duke ruajtur të drejtat e qytetarëve për privatësinë e të dhënave individuale. Sigurisht kjo kërkon edhe një marrëdhënie shumë profesionale midis asaj që quhet front-office dhe back – office në trajtimin e bazave të të dhënave, sepse përndryshe radhët e turistëve që hyjnë në kufi do të bëheshin shumë të gjata. Por, ta marrtë e mira ta marrë! Kanë nevojë ta dinë operatorët turistikë sesa turistë të moshave të reja hyjnë, e sa të brezit të tretë, sa burra e sa gra, sa fëmijë e sa prindër, sa persona të vetmuar, dhe sa familjarë, sa vijnë me grupe dhe sa vijnë individualisht etj. Pra, ne hyjmë në problematikat, jo vetëm të matjes sasiore të trafikut, por edhe në analizën e cilësisë të vizitës turistike. Erdhi turisti po sa ditë ndenji? Ka shumë rëndësi kjo. A është rikthyer përsëri apo erdhi njëherë dhe iku nga sytë këmbët si Nastradini në Qafë Shtamë ku u betua se nuk do të kthehej më kurrë, ngaqë vendasit ia punuan shumë keq. Vizitoi vetëm bregun e detit apo ishte një vizitë shumëpërmasore duke frekentuar edhe vendet turistike etj? Sigurisht kjo nuk bëhet nga të dhënat e kufirit. Kjo kërkon baza të dhënash që vijnë edhe nga anketat sociologjike. Por, ne sociologjinë e kemi ideologjike, jo matematikore e sasiore, kuantitiviste. Çfarë do t’i kushtonte vendit, nëse një ekip prej njëqind sociologësh, të drejtuar mirë do të ndiqnin pas këmba këmbës fluksin turistik në vend për të krijuar bazën e të dhënave që duhen? Asgjë ose pothuajse një thërrime financim. Por, shumë vullnet administrativ. Edhe më shumë talent intelektual. Të dhënat duhet të jenë të kryqëzuara, sepse operatorët, si të gjithë shitësit modernë sot, në bazat e tyre të të dhënave duhet të kenë formularë të plotësuar në dhjetë minuta nga ferkuentuesit e hoteleve që kudo nuk janë mësuar me të tilla procedura. Mbi të gjitha, duhet matur shkalla e plotësimit të pritshmërive për çdo turist në vend. Edhe për këtë ka kritere statistikore që nuk ka nevojë t’i shpikim. Po ashtu edhe matja e ROI për çdo turist të ardhur as nuk duket gjëkundi. Me një fjalë çfarë fitimi ka mesatarisht ose individualisht çdo operator turistik për kokë turisti të ardhur në Shqipëri? Sepse duhet matur mirë:

  • Sa turistë blejnë ushqime në njësitë tregtare dhe gatuajnë vetë dhe sa ushqehen në restorante.
  • Sa vijnë e rrinë në shtëpitë e prindërve dhe sa shkojnë në hotele.
  • Sa marrin dhoma me qira e sa frekuentojnë hotelet.

Përndryshe statistika vlen vetëm për propagandë dhe mbi numrin e marrë nga policia kufitare fshihet, pikërisht, pazotësia, dembelizmi, moskokëçarja e nëpunësve të dikasterit që merren me turizmin. Pa aplikimin e potencialit të teknologjive të informacionit, pa kryqëzimin e metodave sociologjike për mbledhjen e informacionit, pa krahasimin disavjeçar të bazave të dhënave si edhe pa u futur në logjikën e big datave, as mos shpresojmë që matja e fluksit turistik do të bëhet ndryshe sesa është si në kohën e koncert në vitin 1936.