Akademik Muzafer KORKUTI/ Bylisi, Amantia dhe Foinike janë qytete ilire

768
Sigal

Ditët e fundit në disa gazeta janë botuar shkrime që komentojnë debatin e bërë me anë të fletërrufeve 46 vjet më pare midis arkeologëve të Sektorit të Arkeologjisë të Institutit të Historisë e Gjuhësisë me prof. Eqrem Çabejn duke i interpretuar ato si sulme dashakeqëse e denigruese të nxitura nga qëndrimet politike ekstremiste ndaj intelektualëve të arsimuar në perëndim. Mendoj se për të gjykuar sa më drejt rreth atyre ngjarjeve duhet të veçojmë përmbajtjen shkencore të kritikave dhe të rrethanave kur u zhvillua debati i vitit 1967.

Në aspektin shkencor duhet të kemi parasysh se në fund të shek.XIX dhe gjysmës së parë të shek.XX studimet në fusha të gjuhësisë indoevropiane shënuan një hop cilësor dhe çuan në zgjidhjen e disa problemeve që kishin të bënin me origjinën dhe lashtësinë e popullatave të Ballkanit e të Evropës, kurse në gjysmën e dytë të shek.XX gërmimet e studimet arkeologjike në fushën e pre e protohistorisë Ballkanike, e veçanërisht në atë ilire, duke u nisur nga një lëndë arkeologjike e re dhe e pasur të zbuluar në Ballkanin Perëndimor, arritën në përfundime të reja që ndryshuan tezat e mëparshme për origjinën e lashtësisë së ilirëve. Për këto mjafton  t’u referohemi botimit të akteve të dy nga veprimtaritë shkencore më të rëndësishme për ilirët, Simpoziumit Ndërkombëtar të Sarajevës me temë “Oteritorijalnom i hronoloskom rezranicenje Ilira u proistorijko doba” (Territori dhe kufijtë kronologjikë të Ilirisë në periudhën protohistorike) Sarajevo 1964, dhe akteve të Kuvendit të Parë të Studimeve Ilire, në Tiranë 1972, të organizuar nga Instituti i Historisë Gjuhësisë – Sektori i Arkeologjisë, me pjesëmarrjen e shumë studiuesve të huaj (Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, Tiranë 1974, vëll. I, II, botuar në shqip e frëngjisht). Vlerësimin më domethënës për arritjen e arkeologjisë shqiptare në këtë Kuvend, i bëri arkeologu dhe presidenti i Akademisë së Sarajevës prof. A. Benac kur pohoi se, Arkeologjia shqiptare hyri nga porta e madhe në arkeologjinë europiane.

Këto arritje të nivelit evropian ishin në bazë të debatit midis  pikëpamjeve të arkeologëve të Sektorit të Arkeologjisë dhe disa pohimeve të Prof. E.Çabejt të pasqyruar në studimin “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, Tiranë 1960. Debatet kishin të bënin vetëm me çështje të karakterit arkeologjik, si cilësimi që autori, vazhdonte t’i konsideronte si koloni greke qytetet ilire të Amanties, Bylisit dhe Foinikes. Ky ishte një debat shkencor që  vazhdon edhe sot të bëhet në bazë të të dhënave të gjuhësisë, të arkeologjisë a të bashkërendimit të rezultateve të dy a më shumë fushave.

Për shumë çështje që ju ngrini në shkrimin tuaj lidhur me rolin dhe kontributin e Akademisë së Shkencave, si edhe qëndrimet e mia për reformën në Akademi, për të cilat jam shprehur publikisht (Gazeta Shqiptare 7 korrik 2013, Gazeta Sot 4 shtator 2013, Revista Klan 4 tetor 2013 etj.) ndaj nuk e quaj të nevojshme të përsëris ato, por më lejoni zoti Shllaku, me qenë se ju pasi shtjelloni gjatë e gjerë çështjen e fletë-rrufeve ndaj Prof. E.Çabejt, sillni edhe kujtimet tuaja më lejoni dhe mua të bëj të njëjtën gjë. Ju shkruani: “Mbaj mend që njëherë kur dola në oborr të fakultetit mbas  mbarimit të leksionit, shoh  babën tim, që po bisedonte shumë përzemërsisht me Prof. Çabejn në mes të oborrit. Dy burra të gjatë, me kapela republikë, me çanta dhe me pardesy të mbyllët, figura të pastra qytetare në kuptimin borgjez të fjalës, po kuvendonin shumë lirshëm në gjermanisht”.

Përfitoj nga shembulli i këtyre kujtimeve, shumë të natyrshme e të ndjera, që për herë të parë edhe unë të shpreh ndjenjat dhe mbresat e papërsëritshme, kur në vitin 1986 postieri më solli një tub kartoni të ambalazhuar bukur dhe me kureshtje të jashtëzakonshme prisja të shihja se çfarë kishte brenda. Aty ishte diploma, e shkruar në latinisht Institutum, Archaeologicum Germanicum Inter homines eximios et de litteris monumentisque aetatis antiquae optime meritos quos cuiusque populi optimos praetantissimosque sibi adscivit MuzaferKorkuti…, me anën e së cilës Instituti Arkeologjik Gjerman më njoftonte se isha pranuar Anëtar Korrespondent. Dhe këtë nder e vlerësim të Institutit Arkeologjik Gjerman e përligja me botimin e plotë të monografisë sime në gjermanisht me titull Neolithikum und Cholkolithikum in Albanien”, Mainz 1995, faqe 281, tab. 72, dhe fig. 121, botuar nga Akademia e Shkencave e Heidelbergut.

Kjo do t’i mjaftonte z. Shllaku për biografinë time shkencore, por, me sa duket, ai nuk e ka hallin as atje as te “mbrojtja e figurës së Prof. Çabejt, i cili s’ka nevojë për një gjë të tillë, se me veprën e tij i ka siguruar vetes një vend të palëkundshëm në panteonin e shkencës dhe të kulturës shqiptare. Z.Shllaku i djeg mbrojtja institucionale që unë i kam, bërë një arritjeje madhore të shkencës dhe kulturës shqiptare, shqipes letrare të njësuar, vepër e disa brezave, ku, midis të tjerëve, ka dhënë kontributin e tij të shquar edhe profesor Çabej. Për zhvlerësimin e kësaj arritjeje zotin Shllaku nuk mund ta ndihmojnë as sulmet as insinuatat e pamoralshme ndaj meje, a kujtdo qoftë që nuk mendon si ai.