Mbi kërkesat e studentëve për të mos paguar hyrjen në provime e mbartura sa frengu pulën dhe ca yckla të tjera!
-
Shteti të distancohet nga taksa që vilet për një shërbim pa kosto
Një rast për t’a përdorur për reformën e kuadrit financiar të arsimit universitar publik dhe më gjerë!
Paraprakisht dëshmoj se tarifa për provimet e mbartura nuk ka asnjë kuptim të ekzistojë meqë asaj nuk i korrespondon asnjë kosto shtesë nga ana e universiteteve. Pedagogu paguhet njësoj atë ditë pune si me si pa studentë në provime. Si mund të vihet një tarifë pagese për një shërbim që nuk ka asnjë kosto shtesë ?
Edhe në Mesjetë taksat viheshin por ndërkohë ishin pagesa indirekte për një shërbim shtesë që kishte koston e vet për ofruesin e tij !
Historianët e Mesjetës mund ta konfirmojnë këtë !
Nëse ajo tarifë është vendosur që t’i motivojë studentët që të mos mbesin në provime është përsëri problematike. Studenti mund të pretendojë që ne pedagogët mbesim studentët për vjeshtë sepse duam të shtojmë të ardhurat e universiteteve tona. Mund të dali ndonjë administrator madje të japi urdhër : Mbesni sa më shumë sepse kemi nevojë për të ardhura, përndryshe nuk ka rroga !
Eshtë një shtrat korruptiv!
Studenti që ka shumë provime të mbartura duhet skualifikuar jo të paguaj. Duke paguar ai e jep provimin sa herë të dojë !!! Ku vajti pastaj seleksionimi i vlerave të personit kur ato u blikan me lekë ? Shtrenjtë ose lirë ???
-
Studentët kanë gjithmonë të drejtë
Unë kam pasur edhe e kam një moto të palëvizshme si profesor universiteti:
Studentët kanë gjithmonë të drejtë!
Pikë.
Edhe kur studentët nuk kanë të drejtë, ata kanë të drejtë! Pikë.
Se një hall të madh e kanë ata!
Hanë keq,
vishen keq,
kulturohen keq!
Punësohen keq!
-
Kush i ka “qethur” pronat e Universitetit të Tiranës?
Por këtu nuk dëshiroj t’u hyj halleve të mëdha studentore sepse ato mund të mbushin hone, që nga cilësia e studimeve dhe deri te propozimet butaforike të bashkisë të Tiranës që i thërret në punë vullnetare ndërkohë që u ka uzurpuar terrenet sportive për t’i bërë parkingje duke i nxjerrë ato nga destinacioni!
Ktheni terrenet e universitetit të Tiranës o pushtetarë e bashkiakë të Tiranës! Lërini lodrat mes jush!
Po, studentët paguajnë për studimet universitare sa frengu i punës!
Harwardi nuk është gjë me çmimet që ka !
-
Ka profile studimesh që u marrin kot lekët dhe jetën studentëve
Por zgjidhja e vërtetë sipas meje nuk gjendet fare te ministria !
Ministria, sipas meje, sot, duhet të heqi dorë nga caktimi ose zyrtarizimi me akte nënligjore dhe me vendime jashtë tregut të tarifave të rregjistrimeve dhe studimeve, nëse ato nuk hiqen fare nga ligja për një arsim falas, madje të heqi dorë edhe nga aprovimi formal i kuotave të pranimeve. Të vendosësh tavane do të thotë t’i ftosh universitet të kapin ato tavane, pra të shkojnë në kuota maksimale!
Ka fakultete në universitetet publike që u marrin lekët studentëve dhe në shkëmbim u japin një diplomë që nuk ka asnjë vlerë në treg!
Pra i diplomojnë për profesione të paqëna, ose të shuara!
Do të ishte sikur dikush të hapte një kurs për kuaj për karro që realizojnë shërbimin taksi Kamëz – Yzberisht! Ndërkohë që askush nuk e do këtë shërbim.
Ka plot profile studimesh që janë kështu!
-
Decentralizim i tarifave dhe rregjistrimeve: Atëhere të shohim në ka ndonjë trim menaxher universiteti të ngrejë tarifat padrejtësisht!
Tarifat e studimit ose duhet të hiqen fare ose duhet të decentralizohen, pra konform ligjit, të përcaktohen nga vetë universitetet, dhe as të mos ndërhyjë administrata e shtetit në këtë pikë !
Kjo është zgjidhja!
Nuk ka rrezik ngritjeje të tyre sipas variantit të ndyrë liberalo-hajdut!
Sepse çdo ngritje do t’i shkatërronte vetë Universitetet që do të donin të bënin rrjepësin e studentëve !
Tarifa jo të kthyera në urdhëra administrativë nga shteti!
Aty, ne profesorët, do të shohim sesa na vlen lëkura!
Le t’i ngremë tarifat në qiell po na e mbajti dhe dhe do të shohim sesi do të na braktisin studentët! Do të mbesim si peshq pa ujë!
Le të mbajmë tarifa të larta pa cilësi mësimdhënieje dhe do të shohim si do t’i kemi auditoret bosh!
Do të mësojmë muret!
Le të mos përkojnë tarifat që paguajnë studentët me cilësinë e mësimdhënies dhe me realizimin e pritshmërive për punësim të studentëve dhe do të shohim si do të ngelim pa rroga, pa punë, pa studentë.
Lypsarë rrugëve!
-
Masat që duhen marrë dhe 100 propozime që kam për një model të ri universiteti publik