Akademik Anastas Angjeli/ Zbutja e varfërisë globale në fokus të ccmimit Nobel në ekonomi-2019 u jepet shkenctarëve amerikanë

963
Sigal

Zbutja e varfërisë globale në fokus të çmimit Nobel në ekonomi-2019

(Çmimi Nobel në Ekonomi 2019 – Abhijit Banerjee, Esther Dufloka, Michael Kremer )

Akademik, Prof Anastas Angjeli

Ditën e hënë, 14 tetor, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave shpalli dhënien e Çmimit Nobel në Ekonomi. Nobeli në Ekonomi pasoi dhënien e çmimit prestigjioz në fushat e tjera, të mjekësisë, fizikës, kimisë, dhe çmimit Nobel për Paqen.

Nobeli në Ekonomi konsiderohet si një prej vlerësimeve më të mëdha që mund t’i bëhet një studiuesi për kontributin e tij në këtë shkencë. Ashtu siç ndodh edhe me Çmimet Nobel në fushat e tjera edhe ai i ekonomisë paraprihet nga parashikime të shumta, por edhe pasohet nga debate dhe diskutime të shumta. Për këtë vit, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi që çmimi Nobel në Ekonomi t’u jepet Profesorëve         Abhijit Banerjee dhe Esther Duflo të Massachusetts Institute of Technology, si dhe Michael Kremer të Harvard University. Titulli këtë vit u akordua duke vlerësuar kontributin e tyre për “për qasjen e tyre eksperimentale ndaj zbutjes së varfërisë”.

Abhijit Banerjee, lindi në vitin 1961 në Mumbai, Indi. Përfundoi studimet e Doktaratës në vitin 1988 në Universitetin e Harvardit dhe aktualisht është Profesor i Ekonomisë në Massachusetts Institute of Technology, SHBA. Esther Dufloka ka lindur në Paris në vitin 1972 dhe është doktoruar në vitin 1999 në Massachusetts Institute of Technology. Eshtë Profesoreshë e Ekonomisë së Zhvillimit dhe e Reduktimit të Varfërisë në të njëjtin Universitet. Ajo është femra e dytë që merr çmimin Nobel ne ekonomi,pas ekonomistes Elinor Ostrom, e cila fitoi çmimin Nobel në vitin 2009 për një analizë, se si popullsia në komunitetet lokale ndan burimet natyrore në mënyrë të barabartë dhe siguron qëndrueshmërinë pa ndërhyrje nga rregullat e qeverisë qendrore. Michael Kremer lindi në vitin 1964 në SHBA. Përfundoi studimet e Doktoratës në vitin. Ph.D. 1992 në Universitetin e Harvardit ku është Profesor i Shoqërive në Zhvillim.

Dhënia e çmimit Nobel në ekonomi është një eveniment i një rëndësie të veçantë jo vetëm sepse ky çmim diskutohet gjerësisht nga studiuesit e kësaj shkence si dhe edhe nga institucionet politikbërëse por ç’është më e rëndësishmja, sepse arsyet për të cilat akordohet ky çmim tregojnë trendet e studimit të ekonomisë, drejtimet që duhet të marrin studimet në të ardhmen, por edhe nevojat që ka ekonomia botërore si dhe vetë shoqëria njerëzore. Një rikujtimi i arsyeve të akordimit të çmimit Nobel gjatë viteve të kaluara tregon shumë.

Vjet Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi që çmimi Nobel në Ekonomi t’u jepet Profesorëve William D. Nordhaus dhe Paul. M. Romer duke vlerësuar kontributin e tyre për “integrimin e ndryshimeve klimaterike dhe inovacionit teknologjik në analizën makroekonomike”. Nuk është e rastësishme që Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi të fokusohet te disa komponentë aq të rëndësishëm siç janë inovacioni teknologjik dhe ndryshimet klimaterike. Te këto fusha, të cilat janë aq të ndërvarura më njëra tjetrën në periudhën në të cilën jetojmë. Periudhë e cila karakterizohet nga veçori që përpara 10 vitesh mendoheshin shumë të largëta për t’u marrë në konsideratë. Inovacioni teknologjik, zhvillimi i qëndrueshëm dhe çështjet që lidhen me ndryshimet klimaterike lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve anë e mbanë botës së sotme, botë e cila gjendet në një fazë kritike të procesit të globalizimit. Por lidhen gjithashtu edhe me gjeneratat e reja dhe me të ardhmen që fëmijët tanë do të kenë.

Në vitin 2017 çmimi iu akordua Profesor Richar Thaler për kontributin e tij në fushën e ekonomisë biheivoriste. Thaler konsiderohet si një nga studiuesit me kontributin më të madh në zhvillimin e ekonomisë bihejvoriste, si në planin teorik ashtu edhe në atë empirik. Fokusi i kërkimeve të tij mbi ndikimin e faktorëve psikologjikë në vendimet që lidhen me çështjet ekonomike ka dhënë rezultate mbresëlënëse duke kontribuar jo vetëm me koncepte analitike por edhe me rezultate empirike për të kuptuar dhe për të parashikuar më mirë sjelljen njerëzore. Studimet e tij jo vetëm që kanë ndihmuar studiuesit e tjerë duke i pajisur me një aparat konceptual të rëndësishëm dhe me rezultate konkrete por i ka frymëzuar ata të zhvillojnë fushën e kërkimeve mbi ekonominë bihejvoriste duke e e kthyer në një nga fushat më të rëndësishme të studimit në ekonominë bashkëkohore.

Ne vitin 2016 çmimi iu akordua Profesorëve Oliver Hart dhe Berngt Holmstrom për kontributin e tyre për teorinë e kontratave. Me punën e tyre kërkimore shkencore Holmstrom dhe Hart kanë përcaktuar parimet që ndihmojnë kompanitë dhe firmat e biznesit të përpilojnë kontrata të tilla në mënyrë që të sigurohen se drejtuesit nuk sakrifikojnë stabilitetin afatgjatë të firmës për përfitimet e bonuseve të tyre që lidhen me performancën afatshkurtër. Mos harrojmë që ishte pikërisht marrja e një risku shumë të madh nga drejtues të ndryshëm të bankave me qëllim përfitimin e bonuseve të fundvitit një nga shkaqet që solli krizën financiare te 2008-ës.

Shohim që arsyet e akordimit të çmimit Nobel janë të lidhura ngushtë me nevojat që dalin si pasojë e problematikave me të cilat përballet ekonomia në nivel global por edhe në atë rajonal. Ekonomia si shkencë duhet të japë përgjigje për çështjet teorike por në të njëjtën kohë të ofrojë dhe zgjidhje konkrete për këto probleme.

Siç shpjegohet edhe në tekstin që shoqëron dhënien e Çmimit Nobel për këtë vit, kërkimet shkencore të të tre të laureuarve të sivjetshëm, kanë kontribuar në analizimin e problematikës së varfërisë në nivel global duke shtjelluar çështjen në një aspekt më konkret dhe më të detajuar. Duke ngritur pyetje më precize në nivel grupi apo në nivel individual. Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve më konkrete kanë përdorur eksperimente në terren duke i dhënë një dinamike mbresëlënëse fushës së kërkimit të ekonomisë së zhvillimit dhe në të njëjtën kohë duke dhënë zgjidhje konkrete për problemin e varfërisë në rajone të ndryshme të botës. Ja si deklaroi menjëherë pas akordimit të këtij çmimi në telefon nga SHBA Dulfo: “Esenca e kërkimit tonë ishte të siguroheshim se lufta kundër varfërisë është e bazuar në fakte shkencore. Studimet e tyre në terren kanë qenë të lidhura me çështje të tilla si arsimi, shëndetësia, kreditë e vogla apo implementimi i teknologjive të reja. Falë studimeve të tre laureatëve të sivjetshëm kemi një këndvështrim më të qartë për problemet thelbësore në sistemin arsimor të shumë vendeve të varfra. Gjithashtu edhe për shërbimin shëndetësor dhe ofrimin e tij në këto vende si dhe për rëndësinë që ka mbështetja e ekonomisë nëpërmjet kredive të vogla.

Akordimi i Çmimit Nobel në Ekonomi për vitin 2019 tregon se problemi i varfërisë dhe i shpërndarjes së saj, masat që duhen marrë për ta luftuar atë, politikat që duhen përdorur në mënyrë që diferencat në të ardhura ndërmjet individëve, vendeve dhe rajoneve të vijnë duke u ulur, janë çështja që duhet të vazhdojnë të shqetësojnë jo vetëm komunitetin akademik por edhe instancat politik-bërëse dhe vendimmarrëse. Varfëria dhe e gjithë problematike që lidhet me të nuk mund të jetë vetëm objekt teorik studimi. Nuk mund të jetë thjesht një çështje statistikore. Pas numrave qëndrojnë njerëz, qëndrojnë histori dhe drama njerëzore.

Çmimi Nobeli i sivjetshëm në ekonomi tregon edhe një herë se shkenca duhet të jetë e angazhuar, duhet dhe ekziston, sepse jep zgjidhje konkrete për çështje konkrete. Në luftën kundër varfërisë shkenca e ekonomisë duhet të vazhdojë të japë kontributin e saj të pamohueshëm.