Ahmet Shqarri/ Mbresa, përtej Atlantikut

647
-Pjesa e dytë-
Ende jemi duke vazhduar jetën amerikane, por tani duke iu gëzuar më shumë mbesës sonë të sapolindur, Mabel. Edhe pse në një fare mënyre jemi me pushime, ime shoqe, Engjëllushe Shqarri, ndërkohë nuk e lë punën, duke përkthyer një libër tjetër të shkrimtarit të shquar Selman Rushdie, pasi mbaroi së shqipëruari një roman të Somerset Maugham-it “Tehu i Briskut”, që pritet të dalë së shpejti, me të njëjtën këmbëngulje dhe seriozitet siç ka bërë edhe me shumë autorë të tjerë të njohur. Ndërkohë unë vazhdoj të shqetësohem për sportin. Pas Evropianit të futbollit, jehona e të cilit është fashitur krejtësisht, tashmë interneti mbetet burim informacionesh të tjera, sidomos nga Shqipëria. Përjashtimi i “Skënderbeut” dhe eliminimi i Kukësit ia ka lënë vendin tashmë suksesit të Partizanit në kupat e Evropës, por ajo që ka pushtuar në këto çast vëmendjen e gjithë botës janë Lojërat Olimpike të Rio de Zhanieros që do të nisin në javën e parë të muajit gusht. Për Rio 2016 këtu prej atletëve amerikanë po luftohet shumë për të marrë pjesë atje. Garat kualifikuese kanë qenë vërtet të ashpra dhe pa kompromis. Prej gjithkund njihet fakti se kampionë dhe rekordmenë bote detyrohen t’ua lënë vendin për në Lojërat Olimpike atyre atletëve që për momentin arrijnë rezultate më të mira në garat kombëtare eliminatore që zhvillohen në këtë rast. Është ky rivalitet dhe kjo ndershmëri garash që e ka bërë Amerikën superfuqi edhe në sport. Krejt ndryshe nga ajo që ndodh në Shqipëri, ku sportistët tanë deri tani në historinë e Lojërave Olimpike nuk kanë mundur të fitojnë as edhe një medalje. Sepse politika tek ne, kaq ambicioze dhe e egër për të ruajtur dhe forcuar pushtetin e vet, përkundrazi, për sportin nuk tregon asnjë interes. Hipokrizia dhe mashtrimi i saj arrin kufijtë ekstremë të paturpësisë, siç ka ndodhur në rastet e ndonjë fitoreje të rrallë nëpër aktivitete ndërkombëtare kur ajo kërkon ta bëjë të vetën atë nëpërmjet pritjeve të posaçme, dekorimeve, dhe shfaqjeve pompoze që u bën sportistëve në fjalë?! Nëpërmjet drejtuesve militantë partiake, sporti shqiptar më shumë ka vegjetuar gjatë këtyre viteve të tranzicionit, duke mbetur si jetim, pa asnjë përkrahje e përkujdesje. Edhe kualifikimi i kombëtares sonë të futbollit në finalet e Evropian e më shumë u pompua si një mrekulli dhe heroizëm, paçka se atje regjistruam vetëm një fitore nëpërmjet një gol i që në fund të fundit na solli edhe eliminimin në grup, duke harruar se shtete të vegjël si ne, që gjithashtu ishin pjesëmarrës për herë të parë në këtë finale, shkuan tepër larg me golat e shumtë dhe rezultatet pozitive që arritën. Të ngjitesh nëpër maja realisht dhe konkretisht është tjetër gjë, ndërsa të luash e të shfrytëzosh ndjenjat dhe nacionalizmin folklorik të turmave, duke i barazuar ato me një krenari të shtirë kombëtare, e gjitha kjo ngjan më tepër me një mashtrim që vështirë se ofron ndonjë premisë pozitive për të ardhmen. 
Xxx 
Pavarësisht ngjarjeve të shumta që bota po përjeton këto ditë, Amerika nuk është indiferente, përkundrazi, ajo kërkon të vihet në rolin e një superfuqie demokratike që me shembullin e saj të orientojë vendet e tjera, prandaj dhe çdo gjë këtu të duket se zhvillohet mes rregullave e një disipline që rrallë e sheh edhe nëpër vende të tjera të përparuara. Në çdo vend që të shkosh, duket se elektronika është bërë zot i gjithçkaje. Që nga aeroportet ku pasaportën e udhëtimit nuk ta merr kontrollori, por duhet vetë ta skanosh, nëpër dyqane e lokale, zyra, administrata, supermarkete e kudo e për çdo gjë, përdoren kasat elektronike, apo pagesat në internet për gjithçka, ku në vend të duarve duhet futur në punë mendja. Një automatizim i tillë, sidomos për ata që vinë nga një vend si yni, ku të mbetet dora në xhep gjithë ditën, duke nxjerrë e futur lekë, të shkakton një farë hutimi dhe pështjellimi, edhe kur nuk e ke për herë të parë një udhëtim jashtë shtetit. Që nga hipja nëpër autobusë e trena, biletat për to priten në mënyrë elektronike, duke mos t’u ngatërruar nëpër këmbë, apo përplasur para ose mbrapa kontrollori, si ç ndodh tek ne! Ndërkohë të bën përshtypje që mallrat e ndryshme, prodhimet e çdo lloji që të duhen për t’u veshur, apo për përdorime të tjera të përditshme, që të gjitha mbajnë marka të huaja, sidomos nga vendet aziatike. Të merr malli të shohësh nëpër gjithë atë milioneri prodhimesh të shumëllojshme një produkt “Made in USA”, por kudo sheh “Made in China”, “Made in Srilanka”, “Made in Indonesia”, “Made in Philipines”, “Made in Vietnam”, etj, etj, dhe tepër rrallë ndonjë “Made in USA”. Kam menduar shpesh se në këtë xhungël mallrash mund të gjeje edhe ndonjë prodhim Made in Albania duke qenë se tek ne janë hapur aq shumë fasone, por jo. Me sa duket, Amerika është ende e mbyllur për produktet shqiptare. Me këtë që shihet këtu, edhe atë pak punë që bëhet me duar,duket se do ta zënë në të ardhmen robotët që janë në gjendje të sillen si njerëz por jo nga ata të vërtetët, por të përbërë nga fibra, tela e lloj-lloj sajesa të tjera, natyrisht tepër të komplikuar e të një teknologjie ende të paimagjinueshme për një vend si yni ku vazhdojnë ende të na priten dritat e uji i pijshëm dhe ku ende vazhdojmë t’i hedhim plehrat në rrugë. Po flas për këto gjëra jo se nuk i kisha parë e prekur më parë këtu, por këtë herë, për shkak të një qëndrimi më të gjatë, këto mbresa elektronike mu bënë më konkrete, pse jo, edhe më turbulluese, për një mendje si kjo e jona “Made in Albania”. Ndoshta shumë prej amerikanëve, me sa duket prandaj edhe e përkrahin Donald Trumpi në fushatën e tij për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse ai kërkon t’ua heqë hegjemoninë e prodhimit vendeve të tilla si Kina, duke mbajtur superfuqi të parë pikërisht Amerikën, që sipas tij ka lëshuar e po lëshon shumë gjëra, sidomos në drejtim të mbajtjes së ekuilibrave nëpër botë. Pa u futur pastaj në detajet e politikës që ai parashikon dhe planifikon të programojë për të ardhmen, ku vëmendje i kushton luftës kundër terrorizmit, pavarësisht nga kundërshtimi që mund të haset për mënyrën se si Trump përpiqet ta realizojë atë. 
xxx
Ndërsa në fushën elektronike jemi vite larg njëri tjetrit, edhe në drejtime të tjera, ndryshimi është tepër i dukshëm. Për shembull, në politikë, vota amerikanë u jep fund mëdyshjeve parazgjedhore dhe 
dallgët fashiten duke e çuar anijen në drejtimin e duhur dhe jo si tek ne që gërricemi e duam të hamë kokat e njeri tjetrit për çdo ditë, në vend të harmonisë dhe mirëkuptimit me njeri tjetrin. Qetësia tek ne është e rreme, ndërkohë që stuhitë janë të gatshme të shpërthejnë edhe në një gotë uji. Historia lot trazira në këtë çerek shekulli demokraci, tek ne ende quhet tranzicion, ndërsa politika vazhdon të ruajë emërtimin e gjenezës kësaj si kurvë. Ngjarje të shumta skandaloze që na kanë shoqëruar në mbi dy dekada nëpër qeverisje të ndryshme, ku herë sundon një parti e herë tjetra, flasin qartë për mosmarrëveshjet që karakterizojnë kombin tonë. Pa u hallakatur shumë në vorbullën e turbullt të ngjarjeve të shumta skandaloze, vetëm procesi i stërzgjatur i kohëve të fundit i Reformës në Drejtë si ka qenë një makth më vete. Njëra parti i binte gozhdës, e tjetra patkoit. Edhe pse nën kujdesin e ndërkombëtarëve (BE dhe SHBA), partitë tona, të korruptuara fund e krye, nuk duan t’ia dinë për interesat kombëtare, por veç për pushtetin e tyre, që siç është parë e po shihet, është tepër abuziv. 
Xxx 
Ditët e pushimit për ne këtu po mbarojnë, por mbresat vazhdojnë të shtohen e të bëhen më emocionuese për shkak të shumë gjërave që edhe pse mund t’i shohësh kudo nëpër vendet e tjera, këtu seç kanë një natyrë dhe aromë tjetër?! Madje edhe në një qytet relativisht të vogël si Grand Rapids, të cilin na i bëri ta njohim më mirë krushka jonë amerikane Sheryl, që si vendase na orientoi nëpër objekte të tilla si Kopshti Botanik, që ishte një qytet më vete për nga madhësia, larmia e jashtëzakonshme e bimëve dhe pemëve, kur “Kopshti Japonez” ishte jashtëzakonisht tërheqës. Po kështu Kopshti Zoologjik, Muzeu dhe Biblioteka e pasur e tij që mbanin emrin e ish-Presidentit Gerald Ford… 
Sigal