Ahmet DEMAJ*/Vlora e dha mesazhin historik për mbarë kombin, 1 milion shqiptarë festuan së bashku

596
Sigal

Ato ditë qarkullonte (dhe vazhdon), me një tingëllim aktual një poezi e shkurtër, postulat e poetit dhe gazetarit të njohur Agim Jazaj, të hedhur dhe në librin e tij: “Bij të Vlorës” botuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, dhe me fat kush e ka lexuar:

“Ismail Qemali,

Me Isa Boletinë,

Dy sytë e një balli,

Shpallën Pavarësinë….”

 Vlorës i thanë, Perëndeshë e Pavarësisë, i thanë Mekë e Shqipërisë, i thanë kryeqyteti ynë, i dhanë nder dhe lavdi, i vunë kurorën më të bukur të 100 vjetorit. Prandaj të gjithë udhëtimet përfunduan në Vlorë. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Ishte ndjerë shumë më herët, ndaj të zotët e shtëpisë, vlonjatet dhe në mënyrë të veçantë labët e kishin filluar përgatitjen e krye festës së 100 viteve që shkuan, 1 vit më parë.

Si pjesë e pa ndarë e marrjes së përgjegjësive, shoqata A. K- Labëria, dega Vlorë qysh në janar 2012 planifikoi vendosjen e kurorës pranë varrit të Ismail Qemalit dhe bëri publike, nëpërmjet një deklarate për shtyp, kërkesat dhe veprimtaritë përkujtimore, tradicionale, studimore, stimuluese, vlerësuese në çdo fshat deri dhe në Tiranë. Ndaj në krye të këtyre veprimtarive u bë deklarata drejtuar institucioneve, filluar nga presidenti i republikës së kohës, i cili e shpalli Vlorën Nderi i Kombit, dhe deri tek kreu i Bashkisë Vlorë z. Shpëtim Gjika, që më 28 Nëntor 2012 mori falënderimet e merituara për qëndresë, drejtim, organizim të gjithë kësaj ceremonie festive.

Shoqata Labëria dega Vlorë në këtë eveniment historik që vazhdoi 365 ditë vendosi 2 piketa të forta. E para për ta ç’vendosur aktivitetin nga qendra në bazë, atje në fshatrat e zonave të thella, qysh më parë se 100 vjet filluan të përgatisnin çerdhet e para, krijuan shtratin e ngrohtë për të ardhur me mund e sakrifica në vitin 1912. Bënë rrugë të mundimshme, por u rezultoi me sukses dhe me fitore, kur panë flamurin e tyre, të valëvitej krenar në Vlorën e Flamurit!

Veprimtaritë e zhvilluara në Kuç e Bolenë, Tërbaç e Vranisht, Kaninë e Ramicë, Velçë e Brataj, Himarë e Armen, Shkozë, Kotë, Tragjas, Kallarat, Mazhar, Gumenicë duke veçuar si kulmime aktivitetet e ngritjes së dy memorialëve në Qafë të Llogorasë, organizuar nga shoqata A. K. Dukat dhe Bashkia Orikum, për qëndresën e popullit të asaj zone, ndaj arndantëve grek.

Dhe aktiviteti e dytë në luginën e Mesaplikut për veprimtarinë “Besëlidhjes së Labëve” në vitin 1847 dhe vizitës së patriotit Ismail Qemali në vitin 1908 si dhe në vitin 1913, organizuar nga Unioni i Shoqatave të kësaj Lugine, Shoqata Labëria dhe Shoqata “Ismail Qemali”. Në gjithë këto aktivitete shpumë tek labët në bazë mesazhet e të qenit bashkë, e ruajtjes së vlerave patriotike, të ruajtjes të atyre traditave për të cilat Labëria respektohet kombëtarisht për luftën e saj, besën e dhënë, për penën e mprehtë, barutin e thatë, respektin ndaj lirisë, për këngën labe, për lapidarët, për të gjithë ato që të tjerët e kanë quajtur Monument të Historisë së Kombit Shqiptar.

Po çfarë morëm prej tyre?

Morën falënderimet e gjithë fshatrave, e të gjithë shoqatave, të gjithë brezave, që në përpjekjet tona morëm përgjegjësinë për të ruajtur historinë, tribunët e saj, e për ta pasuruar atë me vulën e të gjithë atyre që u bënë protagonist në këtë 100 vjetor. Morëm mesazhin për të punuar pa u lodhur dhe se me mbështetjen e tyre mund të bënim realitet deklaratën e dhënë në janar. Fjalët e tyre ishin: Punoni, qëndroni, kërkoni, mbështetuni, qani hallet, entuziazmohuni, ngjallni frymë festive, sepse të gjitha rrugët të çojnë në Vlorë. Morëm emocionet e të moshuarave që nga artistët e njohur, Liza Laska në Vlorë, Dhimitër Varfi në Himarë, të pasardhësve të atyre që i nderuam pas vdekjes si nipërit e Mato Hasanit në Brataj, Refat Barjamit dhe Kamber Alikos në Bolenë e deri tek të rejat siç ishte rasti i Shqiponja Karafilit (Ponit) në Shkozë.

Thonë se labët janë të sertë dhe konservator. Jo. 

Aktiviteti me temë: Labëria Nderon Gratë ishte një kulmim tjetër për të cilin opinioni i tërë Vlorës tha: BRAVO! Ndaj prej tyre dhe grave të Labërisë, kemi gjetur mbështetjen e shumë aktiviteteve të tjera. Te mbështetja në bazë, ne gjetëm forcën dhe u bëmë shumicë, tek bashkëpunimi me teatrin Petro Marko, bibliotekën Shevqet Musaraj, me televizionet lokale dhe qendrore dhe mjaftë intelektualë të qytetit dhe të fshatit, ne rritëm autoritetin e shoqatës Labëria, deri në ato nivele që në konferencën kombëtare në Tiranë e gjithë Labëria u cilësua si organizimi më i mirë dhe për tu marrë shembull. Kur bëhen pjesë e aktiviteteve të kësaj shoqate personalitetet si: Pëllumb Xhufi, Daut Gumeni, Sabit Brokaj, Bujar Leskaj, Rahmi Memushi, Agim Mero, Mumtaz Dhrami, Myslym Pashaj, Moikom Zeqo e duke renditur radhë mbi 30 profesor, apo dhe 200 doktor shkencash të cilët rezultojnë bashkëpunues të shoqatës tonë, ndjehesh krenar për punën që kryen dhe ne jemi pjesë e saj. Aq e vërtetë kjo që thamë sepse qe një aktivitet tjetër i shoqatës Labëria që me propozimin e disa shoqatave bëri të mundur bashkimin e mjaftë intelektualëve, përfaqësues të Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Lushnjes, Beratit lanë mbresa që nga vendosja e kurorës në emrin e tyre nga Drejtoresha Zana Konini, të cilës shoqata Labëria pati nderin ta shpallte “Mirënjohje të Labërisë” për kontributin e saj në zbutjen e varfërisë në zonat rurale. Nuk mundesh që në një shkrim të përmbledhësh mbi 20 aktivitete të zhvilluara në harkun e 11 muajve, por takimi i kryesisë së shoqatës më 22 nëntor 2012, ku përveç tyre morën pjesë nën kryetarët Sejmen Gjokoli, dhe Lavdie Nano si dhe kryetarët e degëve të shoqatës Labëria, Sarandë z. Ariz Mema, të Tepelenës, Fier z. Pasho Zhupa, si dhe shumë kryetar të shoqatave të fshatrave Vlorë ishte fundi i takimeve të punës. Ku të gjithë u angazhuan për të qenë “hyzmetçi të datës 28 Nëntor 2012. Secili në formën e vet deklaroi për realizimet dhe mori detyrat për të qenë mbështetës të festimeve si në festë.

-Lanë mbrapa zhurmën, do vijnë apo nuk vijnë qeveritarët?! Ardhja e tyre pas feste thotë: “Gabuam”. “Duam të korrigjohemi”. Me bukë me vete apo të pranueshëm si në dasmë, secili ta zgjidhte vet”. Në të gjitha veprimtaritë tona lamë mënjanë politikën, ndaj u bënë pjesë edhe të djathtët dhe të majtët si dy krahët e një trupi. Kur Labëria shikonte kryetarin e Bashkisë, z. Shpëtim Gjika, bashkë me prefektin z. Eduard Velçani apo dhe me z. Anesti Dhimojanin si kryetar i Qarkut, u kapërcyen urat e ndarjes dhe u dha mesazhi që s’mund dhe s’meriton Vlora e Pavarësisë në këtë 100 vjetor të festojë e përçarë. Kjo beri që verdiktit të popullit të Vlorës dhe atij shqiptar t’i nënshtroheshin edhe politikanët qendror. Ne nuk merremi me protokolle, ne merremi me atë që do zemra e këtij populli dhe më shumë se gjithçka ky popull do të jetë i bashkuar. Kot merren me referendume, këtë e vulosi në Vlorën e Flamurit dhe të Pavarësisë, 28 Nëntori i vitit 2012. U pa tek mbi 1 milion njerëz që festuan, u pa tek qindra lodra kosovare në Sheshin Vlorë- Skelë, u pa tek qeleshja veriore dhe qylafi jugor, që aparatet fotografike bënë shkrepjet e pa fundme. U pa tek ato këngë e valle të kënduara në sheshe e salla, të interpretuara nga të gjitha trevat, sikur të ishin një dhe e vërteta është që Një Jemi. Jemi shqiptar. Të vërtetë tjetër s’ka!

E thotë flamuri me shkabën dykrenore. E thanë më shumë miqtë që erdhën në Vlorë, dhe të gjithë zgjodhën mënyrën e tyre për të demonstruar, se për këtë festë kanë të gjithë detyrime. Kështu u shprehën kur shoqata K. A Labëria Vlorë vendosi një kurorë tek Heroi Avni Rustemi.

Atmosferën festive e krijuan grupet e ardhura nga Struga, Kosova, Zvicra. I ftuar apo i dëshiruar Vlora e ka në krye dhe ai Vlorën e ka në zemër, e ka kryefjalën e vet. Ndaj jo vetëm më 27, 28 nëntor festoi me vlonjatet, por dhe më 29 nëntor. Ai diti të ishte i vlonjat kur tha përpara varrezave të dëshmorëve.

– “Nuk mund të ikja nga Vlora e vulave të historisë, Vlora e Festave të mëdha, nga Vlora e Pavarësisë, pa u përkulur dhe pa vendosur një kurorë me lule tek këta dëshmorë që të shtrenjtën gjë që ka njeriu Jetën e dhanë për Atdheun e tyre, që e deshën dhe bënë të lirë”-u shpreh Profesor Rexhep Qose, qytetar nderi i Vlorës dhe president nderi i Shoqatës Labëria.

Gjatë këtyre ditëve post feste kemi marrë mesazhe urime dhe telefonata, foto e libra të shumta, njohje të reja mbështetje të gjera dhe të gjitha kanë një sekret: Tek puna e secilit anëtarë të shoqatës Labëria e deri tek drejtuesit e forumit të kësaj Shoqate, si kryetari prof. Ago Nezha, e sekretarit Xhemil Çeli që gjithnjë na kanë mbështetur në realizimin e veprimtarive tona, ndaj gjejmë rastin t’i falënderojmë. Kam lexuar dikur: Kancelari gjerman Helmut Kohl blinte me çmimin më të lartë karikaturat që bëheshin kundër tij dhe ndaj tyre reflektonte për zgjidhje më të mira të detyrimeve të tij! Ne po mbledhim të gjitha vërejtjet, sugjerimet, pse jo dhe gabimet që kemi bërë gjatë rrugës, që në shekullin e ri të Pavarësisë të kemi arritje që aspiron populli.

Vlora e dha mesazhin edhe në 100 vjetorin e Pavarësisë kombëtare, për mbar kombin shqiptarë…

                               *Kryetar i Shoqatës Labëria-Dega Vlorë