Ahmet DEMAJ/ Uria financiare…

511
Sigal

Një specialist që merret me studimin e fizibilitetit në zonat rurale m’u drejtua se: mund t’i jepja shpjegime për këto 4 pyetje: (pa marrë kompetencat e kompetentit)

1-A ka shoqata ekonomike në vendin tonë?

2-A mund të kreditohen ato?

3-Ç’mundësi ka kreditimi në fshat?

4-Shkaqet dhe problemet e kredive të këqija?

Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve duhet të njohësh terrenin dhe të kesh pak elementë njohës të institucioneve financiare. Duke pasur privilegjin të kem njohur sadopak, të kem shkelur pothuajse gjithë komunat në katër qarqet e jugut të vendit, si dhe për gati 20 vjet të jem bashkëpunëtor i një institucioni të mikrofinancave në Shqipëri e kuptoj shqetësimin e përligjur të specialistit të fushës dhe po bëj publike përgjigjen, e cila nuk mund të jetë vetëm përgjigje për një person, por edhe për një pjesë të shoqërisë tonë.

Opinioni i vjelë në gjithë zonat rurale që kërkojnë zhvillim është: S’kemi mjete financiare. S’kemi garanci tregu. Domethënë: Ka uri për para! Ka etje tregu.

Këtu mund të nisim dhe përgjigjen e pyetjeve të shtruara, jo vetëm nga ai:

Ka shoqata me drejtim zhvillimi ekonomik si ajo e vaditjes, bletërritësve, grumbullim- përpunim qumësht, grumbullim i bimëve medicinale, ajo e ruajtjes së pyjeve, të agrumeve, të cilat ende nuk guxojnë të thonë fjalën Kooperativë, sepse paragjykimi i emërtimit për 40 e ca vjet është bërë “gogoli” i tyre. Por do të stonojnë në kryerjen e misionit të tyre, për arsye të mungesës së mjeteve financiare, të garancive të shitjes së prodhimeve, të mungesës së besueshmërisë, te menaxherët dhe deri te përzgjedhja e atyre që me 100 marifete kërkojnë të dalin në krye! Pra, ka, po janë të dështuar dhe rrezikojnë të përcjellin më shumë mosbesueshmëri, se sa perspektivë, siç janë në Gjermani, Francë, Holandë, Itali të cilat edhe unë i kam parë me sy dhe i kam prekur realisht, nëpërmjet trajnimeve të bëra atje. Pse dështojnë ? Pse duhet nxitur? Pse duhet mbështetur? Është shpjeguar në programin e qeverisë, por idetë nuk po vihen në jetë!

Lexova me vëmendje projektin e Ministrisë së Bujqësisë për subvencionimet. Por në qoftë se ne i japim individit këtë subvencion, jo të nxitim këto shoqëri, vazhdojmë me copëzim, e jo me fuqizim të ekonomisë.

Do të mendoja se vlera dhe subvencioni i qeverisë të mbështetej te Prodhimi i Dorëzuar, e jo te fillimi i tyre. Po që të ndodhë kjo, duhet të sigurohet prodhimi, në agjenci sigurimi dhe të projektojmë gjetjen e tregut. Kur të kemi zgjidhur të gjithë këtë rrugë nga “pika e nisjes” dhe deri në “pikën fundore” gjetjen e tregut, si në botë me kontrata reciproke, nuk do të kemi prodhime pa treg: qepë të hedhura në lumë, mollë e bostan në ushqim për derrat, ose qumësht të derdhur në përrua, sepse nuk është menduar për treguan dhe kurrsesi për të siguruar tregun. Ky prodhim pa treg, është prodhim kuturu dhe i rezultuar si deri më tani nga Sistemi Kuturu!

Kur nga ana tjetër dëgjomë se 25 mijë litra vaj kancerogjen, dhjetëra ton mish antilope, etj, xhevahire që bëjnë prezente mediat!

Kemi nostalgji kur kujtojmë e të themi: ”Keci i Karaburunit”, “Qengji i Beunit”, “Mjalti i Kurveleshit”, “Vera e Nartës”, “Fasulja e Velçës”, ”Ulliri i Kaninës”, “Rakia e Skraparit”, “Fiku i Beratit”, “Qershia e Përmetit”, apo “Djathi i Gjirokastrës”. Gjithë ky prodhim i shumëllojtë dhe tradicional, nëse do të ishin të organizuar në bashkësi, kooperativa, prodhimi do të ishte shtuar, tregu do të ishte i garantuar dhe konsumatori i trajtuar. Gjithashtu tregut të brendshëm do t’i hapej porta dhe për tregun e huaj. Do të kishim edhe ndryshimin e raportit, Import- Eksport nga 7 me 1, në të paktën në raportin e barabartë 50% me 50%.

Këto raporte nuk po ndodhin ende në vendin tonë, për arsyen e monopoleve që janë krijuar dhe qeveritë për arsye të mbushjes së xhepave të qeveritarëve. Monopolistët me pushtet, gjatë 20 e ca viteve nuk e duan kurrsesi këtë organizim të brendshëm ekonomik.

Në qoftë se publicistika dhe mediatika profesioniste, studimet, politikat dhe politikanët e pushtetarët që u dhimbset populli i tyre do të shpjegonin, inicionin, drejtonin, madje dhe të investonin për të kryer këto modele, situata do të niste ndryshimin e gjatë munguar, në favor të këtyre kooperativave dhe fermerëve të prodhimit, nuk do të ishim kaq të varfëruar.

Jo vetëm kaq, por mjaft OJQ për romët, gratë, analfabetët, etj, etj emërtime marrin nga OKB, BE dhe KE miliona dollarë. Po të investoheshin edhe te këto shoqata ekonomike, do të kishim ndryshime në atë që i quajmë zbutje të varfërisë! Organizimi mbi bazën e vullnetit të lirë, të aftësive prodhuese do të sillte dhe çlirim të qytetit nga pa punësia, do të ringjallet dëshira e 50 % të popullsisë për të punuar tokën e lënë djerrë, se jeton pronë e saj, do të garantonim prodhim vendi me shijen shqiptare, po dhe me etiketën kombëtare, shqiptare.

Por duhen Para!

E dyta. A duhen kredituar këto shoqata?

 Themi po, për këto arsye:

-Ka besueshmëri kolektive?

-Ka hipoteka të përbashkëta, tokë, kullota?

-Ka mundësi për proceduara e përfitime në mekanikë, transport, etj?

-Ka lehtësim në operacione me institucione të tjera?

-Siguron tregun e etiketuar, dhe standardizim- prodhimi?

-Siguron zënien me punë të forcave të lira, me kosto të ulët?

-Mban të populluar zona me resurse ekonomike?

-Mundëson marketing kolektiv?

-Vjel në maksimum resurset natyrore, që flenë?

-Sjellin pozitivitet në kërkesë-treg-ofertë?

Pse janë të trembura institucionet të japin kredi?

Pa u menduar shumë dhe duke mos hyrë në pjesë të specialistëve, ndofta do të mund të gaboj, por konstatoj që me interesat e larta që operojnë, duke mbushur xhepat e tyre, u pëlqen varfëria e këtyre masave të gjera, për të komanduar ato dhe mbi këto?!

Operacionet që duhet të bëhen në bujqësi, sektori më i rëndësishëm i ekonomisë, në kontroll dhe ligjshmëri të këtyre institucioneve, duhet t’u sigurojë këtyre shoqërive subvencione. Të zhduket koncepti, apo realiteti që bankat janë “gazoil” dhe klientët neglizhentë! Po të bëhen partner të njëri-tjetrit, për zhvillim të njëri-tjetrit, sepse duhet kuptuar: Nuk mund të zhvillohen pa njëri-tjetrin dhe nuk do të kishim shifrën 24 % të kredive të këqija dhe aq më keq kur dëgjon si i biri i Mbretit Leka i II-të, nuk shlyen 500 mijë Euro-kredi.

Shembuj të tillë, apo interpretimi se gjoja kreditë e këqija do të falen, janë keqtrajtim i opinionit publik që është konsumator i lajmit.

Asnjëherë s’ka falje. Jam i bindur që ka rigrafikim e transferim, llogari tjetër, etj. Kjo bindje më vjen edhe nga një fakt disi i largët. Në vitin 1939 një fshatar merr një kredi për të blerë një plug bujqësor, për të lëruar me qe. Edhe pse u bë luftë më 1945, fshatarit ju vol kredia e marrë në bankë.

Ne sot nuk jemi në luftë. Kreditë duhet të vilen, sepse janë kursimet e palës tjetër. Kemi një qeveri, një Ministri Financash, një Bankë Shqiptare, shumë zyra përmbarimi, që duhet të ndryshojnë dhe marrin në dorë, jo të falin kreditë e këqija, por të riorganizojnë punën, për të kthyer partneritetin midis institucioneve financiare dhe klientëve dhe këtë situatë më mirë se zbatimi i ligjshmërisë se zgjidh asgjë tjetër. Së fundi kreditë e këqija kanë burim te rekrutimi i punonjësve që u jepet mundësia të punojnë me klientët që janë problematik. Aq sa ekonomist, ata duhet të jenë sociologë, psikologë, juristë që t’u lehtësojnë shërimin e kësaj plage, jo të thellojnë atë.

Kryetar i shoqatës Labëria, Vlorë