Ago NEZHA/ Ruajuni nga dy sëmundje të pashërueshme

792
Sigal

Një plak i moçëm i mençur më pat thënë: “Dëgjo or bir, të gjitha sëmundjet shërohen, u gjendet ilaçi, përveç dy sëmundjeve, që janë të pashërueshme”. Menjëherë më vajti mendja te kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Por u gabova. Plaku e kish fjalën për sëmundje shoqërore dhe jo patologjike. Ai e pa që unë s’po orientohesha në diagnozën e vërtetë dhe ndërhyri duke më shpjeguar. Sëmundjet e pashërueshme janë, sëmundja e parasë dhe e karriges. “Sëmundja e parasë, vazhdoi plaku me filozofinë e tij popullore, të bën të harrosh nënën, babanë, motrën, vëllanë dhe gjithë farefisin. Ndërsa sëmundja e karriges të bën të vrasësh nënën, babanë, mikun, shokun e këdo që të del përpara të ta rrëzojë karrigen.

Në vitet e demokracisë po përjetojmë drama që në traditën shqiptare nuk kanë ekzistuar. Shumë fenomene si, grabitja dhe shitja e vajzave, fëmijëve, prostitucioni, korrupsioni e krime monstruoze, ku djali i vjedh paratë babait e plot padrejtësi shoqërore tregojnë për mungesë dinjiteti dhe shfaqjen e imoralitetit të një shoqërie në tranzicion. Janë të panumërt njerëzit që bien pre e mjerimit apo lakmisë për t’u pasuruar. Nëse flitet për karrierë politike apo shtetërore, nuk mjafton të jesh i mençur, por duhet të kesh miq të vihesh në shërbim të tyre, të krijosh lidhje korruptive, të japësh prova se je jo vetëm servil e shërbëtor, por që për njëshin bëhesh edhe theror. Merita dhe mençuria nuk kanë asnjë vlerë në rast se nuk përfshihesh në afera të ndërsjella me njerëz që dinë të përfitojnë në kurriz të  tjerëve duke shfrytëzuar të gjitha rastet që ju dalin para me çdo çmim. Nuk mund të bësh karrierë nwse nuk je i korruptuar dhe i degjeneruar. Raste të rralla mund të provosh se ka dhe njerëz që bëjnë karrierë apo fitojnë para në rrugë të ndershme. Kjo tablo është e përkohshme.

Ka njerëz që mund të provojnë se në rrethana të volitshme meritojnë nderimin e shoqërisë duke ndjekur aspirata filantropike. Por njerëz të tillë, që merren me punë studimore,  shkencore apo krijuese mbeten të varfër, të përbuzur, të pavlerësuar duke u përçmuar si të pazotë. Në këto vite, ku klasa politike ka prishur ekuilibrat e moralit shoqëror, vesi është shndërruar në virtyt dhe anasjelltas virtyti në ves. Ka njerëz që virtyti nuk u ka hije dhe nuk u shkon për shtat sa vesi. Sigurisht që masa e vlerësimit të virtytit në sistemin monist ndryshon nga ajo në demokraci. Edhe virtyti përmban një kufi që dallon nga vesi. Shohim me keqardhje se në demokraci siç thotë Helveci: “Ka shumë predikues të virtytit, por pak martirë të tij”. E dënueshme për shoqërinë është kur virtyti i le vendin vesit dhe ky i fundit shitet për virtyt.

Në biseda me shumë miq e shokë intelektualë shikon se i ka pushtuar pesimizmi, i ka mbuluar deziluzioni, duke u shprehur në mënyrë kategorike se, ky vend nuk bëhet, duhet ikur sa më parë nëpër rrugët e botës. Për më tepër kjo psikologji ka pushtuar edhe brezin e ri, shpresën e vendit. Por është dobësi, të dorëzosh armët dhe të pranosh dështimin. Unë bëj pjesë në kampin e optimistëve se, Shqipëria do bëhet nëpërmjet luftës që bën shoqëria midis vesit dhe virtytit sepse siç thotë filozofi Didro: “Mosbesimi është ves i budallait, besimi dobësi e të mençurit”. Por shumë njerëz me vese i shohim në majat e politikës, të shtetit, të pasurisë. “Njeriu është i pasur o i varfër jo nga kamja, por nga përmbajtja shpirtërore” thotë Biçer. Në praglindjen e pluralizmit vërejmë se pasuria shkoi në duart e njerëzve mediokër që ndërtuan firmat piramidale si shofer, kamerier dhe kapter. Ky diell i pasurisë dhe kamjes nuk duket se ja zë rrezen mali i politikës shqiptare. Ecën rrugëve të atdheut dhe mahnitesh nga vilat përrallore që kanë për pronarë politikanë, shtetarë, prokurorë, gjykatës, avokatë e tregtarë. Ka biznese të ndershme e të pista. Të ndershmit pengohen, të pistët ndihmohen. Këtë padrejtësi duhet ta korrigjojë shteti. Ka ndërmarrë një iniciativë pasionante kryeministri i vendit, por pengesat janë të harmonizuara se cenojnë interesa të njerëzve që e rrethojnë nga të dy krahët e tij në të majtë dhe të djathtë. Populli uron që të korrë fitore ndaj çdo furtune që kërkon ta pengojë për t’u ngjitur në majën e drejtësisë. Por bashkë me shpresën kemi edhe dëshpërimin, se kemi provuar në këto 23 vjet shumë zhgënjime të modës së katharsis, që nisin me vrull e zhurmë e përfundojnë pa lavdi. Nuk është shenjë nihilizmi, por as iluzion e shpresë e shfrenuar. Duke kujtuar thënien e Volterit se: “Jeta është tepër e shkurtër, nuk ja vlen barra qiranë të kalojmë duke u zvarritur nën këmbët e horrave të përçmueshëm”, njerëzit humbasin besimin dhe bien në pesimizëm romantikë. Por të ardhmen do ta ndërtojmë duke bërë një vlerësim të drejtë të shoqërisë i asaj çka jemi në vetvete, duke e krahasuar me atë çka jemi në opinionin e të tjerëve.

Shqipëria ka njerëz të ndershëm e të mirë, të përkushtuar për të sakrifikuar nga vetja në dobi të vendit.. Këta individë janë perla në gjirin e shoqërisë që ndriçojnë si diamante. Lufta e motiveve që ndodh në ndërgjegjen e njerëzve nxjerr në pah cektësinë dhe kotësinë e mendimeve, ideve të kufizuara, ndjenjave meskine, mungesës së gjykimeve, fajësinë e gabimeve nga njëra anë dhe ndershmërinë, përkushtimin, sakrificën dhe luftën e paepur për t’i hapur rrugë mirëqenies, zhvillimit dhe përparimit të kombit nga ana tjetër.

Njeriu i pajisur me ideale dhe një forcë të madhe shpirtërore ka aftësinë dhe guximin që të arrij synimet e veta qofshin ato idealiste apo realiste. Ata njerëz që priren kryesisht ndaj interesave të vogla të mirëqenies private, të pushtuar nga zjarri, i egër i pasioneve, herët apo vonë janë të destinuar të dështojnë. Në rastin e parë njeriu i pajisur me dhunti shpirtërore bën një jetë të pasur në mendime dhe në veprime dhe është i mbushur me dinjitet dhe fisnikëri.

Njeriu i privilegjuar, përveç jetës personale jeton edhe jetën intelektuale duke menduar vetëm për vete për mirëqenien e vetë, pa marrë parasysh varfërinë e njerëzve që e rrethojnë. Të jetosh vetëm për vete, te një popull si yni ku varfëria, papunësia, zbrazëtia janë ulur në sofër, është shpërdorim. Edhe duke bërë jetë të thjeshtë njeriu mund të mendojë e krijojë gjëra të mëdha.

Për politikanë, apo shtetarë intelektualë, që u janë besuar  fatet e zhvillimit të shoqërisë duhet pasur kujdes e ndjerë përgjegjësi që qendra e tyre e gravitetit të mos bjerë brenda vetes së tyre. Ata që zotërojnë cilësi dhe aftësi të larta personale duhet të mos i konsiderojnë pronë të tyre, por t’i vënë ato në shërbim të shoqërisë sipas kritereve demokratike. Egoizmi, ligësia, meskiniteti të mos marrin karakter kombëtar në shkallë shoqërore.

Politikanët tanë qofshin parlamentar apo pushtetar, duhet të lenë pas ambiciet, grindjet e pamotivuara, egoizmin e shfrenuar, banalitetet dhe turpësitë e fjalorit të tyre vulgar dhe me ndjenjën e përgjegjësisë për të rritur mirëqenien e popullit duhet të bashkojnë dijet, energjitë dhe vullnetin e përbashkët si një pasuri kombëtare dhe përgjegjshmëri shoqërore e motivuar. Me këtë klasë politike që trashëgojmë deri më sot, na vjen turp që të themi se jemi Shqiptar. Dhëntë zoti ndryshojnë që të shpresojmë se një ditë do bëhet Shqipëria, edhe pse populli e ka humbur besimin