Agim Jazaj: Zgjebja, bariu, tufa, dhe stalla…

1137
Bariu i alarmuar… 
Një bari i moçëm nga anët tona, është vënë në “alarm” këto kohë për “zgjeben” e rënë në tufën e bagëtive të tij. Mirëpo bariu- i hedh sytë përtej vathës, tufëzës së vet, në “Tufën e Madhe” Shqipëri, ku ka pllakosur kjo sëmundje e rëndë, ngjitëse, vdekjeprurëse…
Virusin e zgjebes e ndjejnë dhe e vuajnë të gjithë, e cila ka rënë- rëndë mbi; bariun, tufën, stallën dhe kullotën… Njerëzit janë vënë në alarm, për diagnostikimin- dozën antizgjebe. Kanë hapur edhe vaskat për bajëzimin e tufës…Kanë siguruar preparatin dhe mjetet e punës… Me matrapik, lopata e kazma, fshesa e furça për të pastruar e dezinfektuar stallën, për t’i hequr edhe suvanë…Me pompa për të spërkatur kullotat… Me letër smerile, furçë metalike: për të kruajtur trupin, deri dhe trurin e bariut të prekur rëndë nga kjo sëmundje…Madje kanë hedhur idenë si domosdoshmëri: Me avionë nga lartë për të dezinfektuar edhe kullotat, nga poshtë, bashkë me to edhe kanabisin…

Tenderi; thonë se është hapur dhe janë në garë disa firma prestigjioze euro-amerikane, pa u përjashtuar edhe firma brenda vendit, si të pa zgjebosura, por dhe nga ato të cilat e kanë sjellë këtë virus… 

Analiza fare e thjeshtë çon në përfundimin e saktë edhe bariun e tufëzës: “Në stallën, tufën dhe me bariun e zgjebosur, a mund të mbetet e pa zgjebosur edhe ndonjë kokë bagëtie, “steril” e sapo zbritur nga mali? Mirëpo debatet dhe analizat “për zgjeben e rëndë”, rënë përgjatë këtij mbi çerek shekulli, kanë ashpërsuar gjuhën dhe njerëzit… 
02
Abuzimi me pusht-pushtetin; shëmtimi i racës…
I pari që duhet të dallonte dhe të parandalonte zgjeben e tufës, do të ishte vet bariu, i cili duhet të kishte dalluar e klithur me oi-oi, sapo të shfaqej sëmundja…. 

Të ndodhur përballë kësaj gjëme, të gjithë shqiptarët i madh e i vogël, duhet të ngrihen më këmbë, të heqin nga fytyra, trupi i tyre këtë sëmundje, turp, zhyl që ka mbuluar fytyrën, trupin e gjithë shoqërisë shqiptare edhe mbi ata që nuk gjejnë rehat as në varr, por dhe ndaj atyre që do të vijnë pas, duke marrë arratinë nëpër rrugët e botës: 
Arratisur syrgjynosur nëpër botë, të zgjebosur… 
Ky është turpi dhe krimi i pa fund edhe përpara syve të botës, por dhe mëkati më i madh që ka mbuluar këtë vend, ka shëmtuar keqas racën shqiptare, sa të vjen turp, i gjendur si “kau i balë” në sytë e botës, kur prezantohesh në pikat e kalimit si shqiptarë, me gati 4 milion popull, të mbetur nëpër rrugët e botës… 

HASËM VËLLAI ME VËLLANË,
NË GJAK BABAI ME BINANË….
Edhe pas 26 viteve, 1/3 e shqiptarëve largohen nga vendi, marrin arratinë. Nuk largohen për një jetë më të mirë si arsyeton kryeministri, por arratisen sepse këtu nuk kanë asnjë mundësi për punë, për të jetuar- thotë edhe bariu i thjeshtë i tufës së zgjebosur, as dhe vend varri! Tentojë të kundërshtojë këtë të vërtetë. Por, edhe një Rilindës i lindur dhe i rilindur më bënë të ngre duart lart: “Eja të dalim qoftë nëpër rrugët e Vlorë-Skelës dhe do të shohim nëpër lokale këmbë përmbi këmbë vetëm të rinj dhe të reja që rrëkëllejnë kafe dhe tymosin duhan, nëmos kanabis! Pinë me ndonjë dyshkë që ua marrin prindërve nga pensionet e deri dhe nën kërcënim e dhunim nga binatë e tyre… 
Dhuna e krimi edhe në familje janë bërë shok, është po virusi i zgjebes, i shtrirë deri në këtë qelizë! 
U premtua nga “Rilindja, për 300 mijë vende pune. “ka vende pune, po nuk ka specialist”; e tëra kjo ka rezultuar si: Demagogji demode!

03
Kush e futi “zgjeben”, kriminalizimin?
“Shqipëria, atdheu ynë i dashur ka nevojë për drejtësi dhe kjo drejtësi fillon me mbrojtjen e Kushtetutës, shtetin e së drejtës dhe interesat e ligjshme të shtetasve”- theksonte në analizën e tij ditë më parë me profesionalizëm drejtori i gazetës “Telegraf”, i nderuari Ëngjëll Musai.

Pyetja e thjeshtë të çon edhe në analizën e thjeshtë: Kush e bëri Kriminilalizimin e futi deri dhe në Tempull, në Parlamentin shqiptar? Drejtësia apo politika? 

Kush e kanabizoi Shqipërinë, POLITIKA-SHTETI APO DRJETËSIA?
Është ndalur e pakta, apo është thelluar borxhi Publik? 
Janë mbajtur premtimet, apo janë shtuar mashtrimet për 300 mijë vendet e punës? 

Kush i ka shitur pasuritë kombëtare mbi e nënë tokë, të minierave, pasuritë e naftës që nga Kuçova, Rafinerinë e Naftës në Ballsh, pasuritë e Naftës në Gorisht, shteti apo drejtësia? Kush e ka lënë shkretë Hidrocentralin e Kalivaçit? Kush e dha viston për ngritjen e pallatit te “Tre Racat”, përballë kinoteatrit “Petro Marko” në Vlorë, i cili u hodh për tokë dje me eksploziv? Kush duhet të paguaj haraç, dëmin, Drejtësia apo Shteti, si pusht-pushtet i dytë- abuzues? 

U denoncuan, u mënjanuan nga tufa e zgjebosur apo u graduan shkaktarët e këtij krim- abuzimi, pyeste dje edhe një qytetar i serisë, i revoltuar, dje përpara “Petor Markos”?! Kush i fut njerëzit në konflikt dhe i drejton për te “Goja e Ujkut”, për të kërkuar drejtësi, nga Padrejtësia? 

Administrata shtetërore me dhunuesit dhe përdhunuesit e përzgjedhur nga politika e rrënin- rrëmbimit! 

Qytetarët ruajnë librezat punës, me firma dhe vula të pa falsifikuar, por SHTETI- DHUNUES, i detyron këta të shkojë edhe në Gjykatë, sepse po shteti nuk ka derdhur Kontributet, nuk janë hedhur në SISTEM. Qytetari ka vetëm këtë të drejtë ligjore, logjike dhe kushtetuese: Të mbajë në xhep LIBREZËN E PUNËS! Nuk mban përgjegjësi për mos hedhjen, apo fshirjen nga sistemi i kontributeve nga administrata e jashtë sistemit. Ky është “SHTETI” që po kërkojnë me pishë shqiptarët

Një bilanc drithërues shënojnë statistikat e tranzicionit-stanjacionit shqiptar… 
Edhe “BARIU” i politikës harron shkakun e mbi 9000 viktimave të vrarë, kryesisht për problemet e pronësisë. Po kush është shkaku edhe për këtë krim mizor? Pa dyshim edhe drejtësia ka pjesën e vet, por pjesën më të madhe, “të LUANIT” e ka politika, shteti me ligjet që ka bërë, zhbërë edhe moralitetin njerëzor, ka dhunuar e deformuar normat më elementare të qytetërimit, ka futur në konflikt shqiptarët, nuk ka ofruar zgjidhje, po i ka drejtuar ata në “GOJËN E UJKUT”, te(PA) Drejtësisë, për të zgjidhur, mos zgjidhur pikërisht nuskat, mëkatet që u ka bërë politika, shteti ndaj shtetasve të tyre, me leks, pleks e kokleps ligje dhe maliqe, me vendosjet, zhvendosjet e mbivendosjet e pronave, duke u dhënë një pronë mbi 3 e katër pronarëve. 

A mund të zgjidh këtë lëmsh-mëkat drejtësia? Pra, sipas “SHTETARËVE-MËKATARËVE”: Faj nuk ka ai që e bënë NUSKËN, por faji drejtohet tek ai që nuk e zgjidh NUSKËN. Fajtor nuk është SHKAKTARI!…

Për të larguar fajin nga vetja shkaktarët e SKALIONIT TË PARË, SHTETARËT, e ngrënë gishtin te shkaktarët e SKALIONIT TË DYTË, të cilët zgjidhen dhe përzgjidhen, po nga këta, që i akuzojnë si shkaktarë, kur janë të tretët në radhë- i klasifikon edhe bariu i thjeshtë, si pushtet. 

“A mund të bëjë dekriminializimin; KUSH BËN KRIMINALIZIMIN”?!- shtronte arsyetimin dje edhe një Rilindës i Votës së Arsyes, teksa debatonte me një Rilindës të Votës Qorre!
04
Në grykërrjedhje, apo në grykëderdhje?…
“Kur të na fërshëllejnë plumbat turinjve, do kujtoheni”- paralajmëroi shumë më herët- deputetit Ben Blushi. 
Zëra apelues dhe paralajmërues edhe nga brenda STALLËS, atje në TEMPULLIN e përdhosur…
VETTNG, i trumbetuar edhe si “KORRIGJIM”, NËN ZË, “VARKË SHPËTIMI”, ligji i dekriminalizmit, ka impaktet e veta, por edhe koston gjithashtu.
Por, mjeshtrit e politikës me këtë “korrigjim”, pra Vetingun, duan të dalin PAQE pa u LAGUR nga zullumet. 
Edhe një i analist i thjeshtë, pa gradat e tilla e bënë analizën e thjeshtë, shkoqur krahasimin: “Edhe i penduari që ka bërë një faj, i cili përfiton statusin e të penduarit, me ligjin e formuluar, nuk mund të dalë paq, veçse i zbritet një përqindje e kohës së vuajtjes”! 
Ndërsa mëkatarët e politikës shqiptare duan të dalin paq, qoftë dhe me (dhe pa) “statusin e të penduarit”, madje dhe të shpërblehen, të riciklohen deri dhe të gradohen abuzuesit, me grada zyrtari! 
Por, edhe më i thjeshti e vijon analizën e thjeshtë: “Përgjatë këtyre viteve si politikë nuk janë ricikluar asnjëherë kryetarët e shtetit, për gati 26 vjet dhe asnjë drejtues institucioni. Ndërsa pushtetin legjislativ, ekzekutiv e kemi bërë normë, duke e ricikluar, për dështimet e shënuara! 
Edhe në Amerikë rrallë janë ricikluar, pushteti në 2, mandatime, presidentët…
Përderisa vendi ynë, ka partner më të afërt, të cilit i referohemi shpesh; Italisë fqinje, qytetaria evropiane e së cilës i ndryshon, pra qarkullon elitat qeveritare edhe brenda 6 muajve, llogaria jonë bëhet fare shkoqur: “Ne, na bie t’i qarkullojmë këto “elita”, të ndotura edhe brenda 6 javësh”! 
Njerëz të thjeshtë, në biseda, qoftë dhe në rrugët e Vlorës këto ditë, shtrojnë arsyen dhe pyesin për imapktin dhe ligjin e shumëtrumbetuar, VETING, si “Hazineja- Shpëtimtare- Shqiptare”: 
“Ku duhet dezinfektuar burimi:
Në Grykërrjedhje, Apo në Grykëderdhje”?! 
05
Drejtësia e padrejtësisë…
Askush nuk i heq presje se; në vend duhet reformuar, madje penalizuar drejtësia. 
Asnjë nuk e vë në mëdyshje se drejtësia jonë është padrejtësi, e kompromentuar, e korruptuar, dhe e kriminalizuar! 
Por, askush nuk pajtohet se në vendin tonë përgjatë këtij mbi çerek shekulli është e zgjebosur e korruptuar, kompromentuar dhe e kriminalizuar vetëm drejtësia, si pushtet dhe e para po si pushtet! Asnjë nuk e vë në mëdyshje se duhet reformuar dhe duhet pastruar drejtësia, me themel e çati. 
Dhe nëse do të monitorohej, me referendum, me numëror të huaj, jo me numërorët partiak, të cilët deri më tani nuk numërojnë votat, por ngatërrojnë votat dhe specialist të fushës së zooteknisë, do të përcaktonin “diagnozën” se kush duhet pastruar më parë: Bariu, Stalla, Tufa, Vatha, apo Kullota?… 
Bilanci do të rezultonte se pastrimi, madje dhe dezinfektimi duhet të nis nga: Bariu, Stalla, Tufa e mandej Vathën dhe Kullotën…
Mirëpo dje, kur po përmbyllnim këtë opinion, u përhap haberi taze, nga disa qytetarë vlonjatë dhe media lokale, sa mosbesues, aq dhe bindës:
“Bariu, i tufës së zgjebosur, kishte mbledhur tufën në vathën e zgjebosur dhe kishte dalë përpara më këmbë, në derën e shtrungës, duke iu drejtuar me fjalët e tij, pa marrë xhevap prej tyre”: “Unë po largohem si bariu juaj, sepse nuk e parandalova zgjeben, po u futa zgjeben juve dhe vetes”…
Sigal