Agim Jazaj/ Taksa e mëkatit dhe taksa e urës!

321
Në vitet e para transitive, të stërzgjatura dhe në vazhdën e tyre përgjatë një çerek shekulli, shqiptarët, veçanërisht moshat e reja, u turrën nëpër botë për të kërkuar rrugët e jetës. Kishin dëgjuar nga të parët, lexuar në mediat e shkruara dhe ato pamore për botën jashtë, për drogën, korrupsionin e prostitucionin, por nuk i kishin njohur vet. Vendi ishte i “virgjër”, nuk ishte i prekur nga këto sëmundje të rënda të shekullit. Ikanakët e rinj që emigruan, të kudondodhur, u ndeshën të parët, madje u joshën lehtësisht dhe me tregun e etur të drogës, tregun e majmë të mishit të bardhë, të prostitucionit, etj. Edhe pas 1 çerek shekulli, kur janë hequr vizat, e njëjta pamje drithëruese: Ende shqiptarët nëpër rrugët e botës, për tu larguar nga vendi i tyre! Edhe një mëndje fyell e quante të pa rëndësishme se nga nisen shqiptarët. Askush nuk mund të shmanget nga përgjegjësia, veçmas shteti, dhe pse shqiptarët nisen nga Greqia, si emigrantë! Shteti është zot, i zgjedhur nga shtetasit dhe u del për zot gjithë shtetasve të tij, kudo ndodhen qoftë dhe të atyre që janë emigrantë në Greqi, dhe kudo në botë. Ky arsyetim është i paarsyeshëm dhe shumë abuziv sepse dhe pas një çerek shekulli, shqiptarët e ndodhur qoftë dhe në Greqi, e cila po kalon një krizë të rëndë, por aq më e rëndë është jeta për ata, sa nuk mund të vijnë në vatrat e tyre: Sepse këtu jetën e shohin si një “Ferr“, më të rënduar se vendi ku kanë emigruar. Ata nuk kthehen as në këto ditë të zeza në vatrat e vendit të tyre! Përballë kësaj tabloje të zymtë edhe Qebiri arsyetonte: “ Asnjë shtetar nuk mund të shmanget nga përgjegjësia, as nuk mund të mbulojë me “vello“ shkretëtirën: Tentativa është e pa arsyeshme, defiçente dhe deletanteske, një ngarkesë më me përgjegjësi, dhe për këtë pa përgjegjshmëri të shtetit… 
Ura e të marrëve, taksa e dinakëve 
Në atë kohë, shumëkush vrapoi “në kërkim të “kohës së humbur”. Përmes dy sistemeve. Ishte një lum ndarës, “Këllirmadh“, që duhej kaluar. Shumë të mençur shkonin dhe qëndronin buzë këtij lumi për të kaluar matanë, ditë e net të tëra. Ata bënin kalkulime të shumta, deri dhe llogarinë e Kokës! Po të hidheshin në dallgët rrëmbyese, a mund të dilnin matanë, në “Bregun e Parajsës”?! Rezultantja u rezultonte; të humbnin edhe kokën, nëse do të ndërmerrnin këtë inkursion. Në krahë të tyre dhe shumë të marrë, mjaftë të etur. Ndryshe nga të mençurit, kjo kategori nuk i binte fare kalemit, përllogaritjeve të rastit. Vetëm ata ëndërronin: “Bregun e Parajsës”, fare “pranë“ pa e llogaritur koston e saj! Shumica e kësaj sëre u hodhën në “Lumin Këllirë madh”. Dhe bilanci nëpër tabelat e publikuara dhe në shumicën e tabelave të pa publikuara, të marra me rezervë rezulton se: 90 përqind e “trimoshëve” që u hodhën në Lum, fatkeqësisht u mbytën, madje humbën pa nam e nishan. Ndërsa një pakicë e tyre, deri në 10 përqind, mundën të dilnin matanë! 
Ky kontingjent, pra 10 përqindëshi që shpëtuan, po dhe sakrifikuan, investuan, mundën të ngrinin edhe “Urën“ mbi Lumin- Ogurzi, për të kaluar të gjithë NE, kalimtarët! Madje, ata panë me sy, mësuan edhe nga përvoja, futën diçka në kokë dhe goxha në xhepa! 
Më pastaj në dy anët e urës instaluan edhe Arkat, për të vjelë taksën, për kalimtarët dhe për për mjetet… Pra ajo quhet me këtë gjuhë: “Taksa e urës“. Përballë tyre, këtij investimi, jemi të detyruar të paguajmë dhe po paguajmë me një Këmbë, këtë Taks, ndoshta shumë të kripur, kosto të kalimit mbi urën, për të ecur rrugës! Ata investuan, ne do të taksohemi! Por: Edhe ata duhet të paguajnë dhe po e shlyejnë: “Taksën e Mëkatit“, dhe “Taksën e Krimit“. Ata që kanë, jo ata që s’kanë mbi shpinë dhe mbi shpirtrat e Shqiptarëve! 
Pushteti i pamerituar dhe paraja e pistë 
Pushteti i tepërt dhe paraja e pistë të zënë sytë, janë zullum në jetë, të prishin terezinë, të heqin gjumin nga sytë. Politika përgjatë këtij çerek shekulli, ka hapur plagë për të mos u mbyllur, qoftë dhe me pronën, pushtimin dhe rrëmbimin e saj.
Etja, kjo pangopësi për të kapërcyer ende Lumin- dallgë rënë, Për të përfituar pa mund e djersë: Mëkati më i madh në jetë, po mban ende në bregun e tij, kontingjente të shumtë, edhe nga ata që nuk dinë as tabelën e shumëzimit, dhe as “not qeni”. Shëtisin me kabrioleta, me timon nga krahu i djathtë, dhe “bukuroshet” përpara, por dhe nga ata të kollarisurit, të veshur me pushtet që sodisin në breg edhe në ditët e sotme…
Gjithkush është në dijeni se më “të shkathëtit” e kohës i “shfrytëzuan“ këto “resurse”, vakumin ligjor në kapërcim të tranizionit shoqëror e politik të vendit. Vunë një grusht para, bën goxha “prokopi”, pushtuan terene, rrëmbyen pasuri dhe toka bregdeti. Toka i takon atij që e pushton, ishte dhe mbetet ende aksioma e tyre. Ngritën vila dhe i legalizuan mbi pronën publike dhe të të tjerëve. Një shprehje e popullit thotë: “Sa të matet i mençuri, është sosur i marri”. “Dinakëria e pushtetit, këtë kontigjent, me kufizim intelekti, me muskuj e pa arsye, i shfrytëzon, i keqpërdor dhe i sakrifikon. Nga kontingjenti i “pasunarëve të pa shkollë”, radhiten edhe pasanikët e kollarisur, dinak të politikës dhe të pushtetit, të lidhur deri dhe krushqëzuar mes njeri tjetrit. Palët rezultojnë: Ende janë në akord dhe në konflikt. Në akord për të mbrojtur interesat. Dhe në konflikt se do të humbasin interesat. Palët po mbajnë, madje do sakrifikojnë të mbajnë njëra-tjetrën edhe në pushtet; për të vjelë taksën e urës, dhe për ti shpëtuar taksës së mëkatit!