Agim JAZAJ: “Lëvizje e lirë” me kosto të shtrenjtë

629
Sigal

“Këtu e tutje do të hani me lugë floriri! Boll më me lugën e drurit!”

Shkretuan ku ishin e çfarë kishin, shkatërruan ku erdhën dhe çfarë gjetën!

Makina e kamionçina të vogla, karro dore dhe me kuaj, sheh shpesh në  lëvizje, edhe këto dy të ftohta nëpër rrugë e rrugicat në qytetin e Vlorës!

Qiraxhinj duke trokitur nëpër dyer e rrugë, kërkojnë shtëpi me qira… Prej tyre i kanë nxjerrë sepse u kanë nxirë deri dhe buzën e jetën qiradhënësit, nuk kanë shlyer as dritat e ujin, e lë më qiranë…

Kamatë nga komitët e gjobat kanë vajtur në majë! Madje ka rezultuar deri dhe të rënë në bela të rënda nga dhënia e shtëpisë me qira.

*Një i moshuar ndan rrugës, mbështetur mbi bastun vuri pëllëmbën në ballë. Mbi karron e ngarkuar me plaçka e laçka dalloi Qebirin, me dhinë e llallës për dore dhe troken e varur në qafë.

Qebir, Qebiiri!…klithi i moshuari. Të vegjlit bërtitën nga maja e  karros: “Urra”! “Urra”! E njohën dhe të vegjlit të moshuarin e atyre anëve, e përshëndetën në mënyrën e tyre! Qebiri u ul mbi plaçkat e leqendisura, i leqendisur. I moshuari duke parë e qarë skenën prekëse, mërmëriste me vete… Kalimtarët mbajtën këmbët, duke vënë veshin në këngën zë ulët:

U sosën turmat në Vlorë,

Zbritën nga të katër anët,

Shitën dhëntë, me këmborë,

Hodhën poshtë lug’ e sahanët!

Një i ri, ngjate me përfundim e përfitim të gradës Bachelor, shpejtoi me celular, futi në okular skenën për ta shpërndarë në rrjetet sociale…

 Qebiri, një meso burrë, shkuar të 60-tave, ka ardhur në Vlorë nga rrethinat e Korçës. Njihet në ambientin përreth ku banon, mes vendasve dhe të ardhurve nga të gjitha kazatë, vite më parë, nga “Lëvizja e Lirë”. Në komunikim me njerëzit ku ka punuar, ka lënë gjurmë si; njeri i mirë. I ndodhur në hall si shumë halle mëdhenj shqiptarë dhe vendas, lodhet përditë për të siguruar kotheren e bukës! Shpesh herë kthehet pa mundur të gjej një punë, sa dhe shpresë thyer! Një ditë dukej shumë i mërzitur. E po e marta e ka dhe një sahat tersi.

 Përpara 23-24 vjetësh, si shumica e shqiptarëve u ngrit, ose u’a ngritën “ujin e kokës,” nga ata që morën përgjegjësinë “për t’i qeverisur”: Për të jetuar e ndërtuar ku tu mbushej rradakja! “Këtu e tutje do të hani me Lugë Floriri! Bollë më, me lugën e Drurit”! Harruan të gjorët njerëz: Vetëm peshqit dhe zogjtë bredhin nëpër dete dhe në qiell të hapur pa viza dhe taksë doganore!

 Karvanë të gjatë nga rrethinat e qytetet e Korçës, Librazhdit, Burrelit, Tropojës, Tepelenës, Gramshit, Mallakastrës, Gjirokastrës, Përmetit,  nga katër anët e vendit, u nisën drejtë Vlorës- hambarit “misir!” Edhe mbi ura e ara mbi qytet, te ura e quajtur e Ballistëve, u ngritën themelet e bizneset mbi plehra, kanale të zeza, dhe të bardha, ngritën çadrat- shtëpitë  dhe flamujt, e tashmë dalën në protestë, përpara kamerave; jetojnë mes plehrave e tymrave. Edhe në ambientet e zhivës, ish uzina e Sodës Kaustike, kanë ngritur kalidhet, deri dhe vilat pasunarët, muskuloz. Kanë paguar edhe zarfet për legalizim dhe presin gojë hapur haberet e Lames! Lajmet vijnë taze nga burime njerëzore dhe nga brenda gubernës, zyrave se dhe plikot e paguara me mbi 20 milion të paguara me fatura dhe nën dorë, por dhe tapitë mund të përfundojnë nul, apo të mos jenë hedhur në sistem… Është në majë të gjuhës: Dhe fajtor nuk ka: ”Fajin e ka sistemi”! Jo kalemi!

 Klithnin me oi, oi, dy tre vetë të ardhur nga “Lëvizja e Lirë”! E nga nuk kanë ardhur në Vlorë nga të katër anët e vendit, kanë zaptuar e pushtuar hapësira, edhe mbi kanale e ura, nën gurë e mbi mur…

Mblodhën ato pak plaçka, lanë shtëpi e katandi, arat e kullotat djerrë, bletët, arrorët, çajin që e rrit mali, shitën bagëtitë dhe me urra të forta: “Rroftë demokracia” u sosën në qytetin e ndaluar deri më atëherë! Dikush erdhi me cangadhet përpara, lopën për litari, qenin për zinxhiri, në Vlorën e buzëdetit! Thyen copë-çikë edhe “lugën e drurit” me urra; ”Erdhi demokracia”! Tashmë:  “Do hamë me lugë floriri!”

Shkretuan ku ishin e çfarë kishin, shkatërruan ku erdhën dhe çfarë gjetën!

Shkatërruan atë që kishin ndërtuar e akumuluar për vite të tëra, vet dhe para ardhësit tanë!

Bota dhe Europa zhvillon dhe popullon çdo pëllëmbë të vendit. Vetëm politika jonë shthurëse shthuri dhe solli katastrofën, shpërfytyrimin dhe  shkatërrimin e territorit, mjedisit dhe të popullit- burimi i gjithë krizës alla: “Lëvizje e Lirë” me Kosto të Shtrenjtë. Vendi duhet të zhvillohet, të shfrytëzohet dhe prosperohet në çdo pëllëmbë të tij!

Duke zbrazur ato pjesë të banuar në shekuj, dhe duke mbipopulluar qoftë dhe qytetin e Vlorës, u prishën keq e mos më keq raportet. Nëse shënohej 65 me 35 për qind, bilanci i vendosjes së popullsisë, kjo balancë u prish nga 35 në qytete, mund të ketë shkuar pa frikë në shumëfishin: Në 80 për qind e popullsisë në zonat urbane dhe 20 për qind në zonat rurale, e gjitha e kthyer në konsumatore e jo prodhuese. Konsumatore e tregut të huaj, sepse mungoi dhe ende po mungon prodhimi i vendit! Disa të ardhur nga Korça duke dëgjuar këto dite për ringritjen e Kombinatit të sheqerit, nisën të mblidhnin plaçkat, për tu rikthyer aty ku u ka bërë koka dëng! Dhe një llogari e thjeshtë të nxjerrë në përfundimin e saktë:

A mund të përballojë gota e ujit duke i hedhur brenda bidonin 6 litrash?! Krahasimi sa real dhe drithërues. Shkatërruam ku ishin dhe prishëm ku erdhëm- thotë edhe vetë Qebiri.

Edhe pardje dolën njerëzit në rrugë, në hyrje të qytetit, duke i rënë kokës me grushte!

Pas 24 vjetëve shumë po i thërrasin mendjes: “Na premtuan e kërkuam lugën e floririt, po humbëm dhe lugën e drurit! Shumë me vonesë: “U kthyen nga Korça!”

 Ai tashmë ka mbledhur sërish plaçkat, pret makinën të kthehet aty ky lindën të parët e tij. Po dëgjon përditë nga mediat dhe drithërohet se: në Vlorë nuk ka më as vend varri! Por ai është i qetë: Atje ka varret e fisit të tij. Bëri një xhiro për 24 vjet: U ngopëm me Vlorën, shkatërruam veten, po edhe Vlorën. Të paktën për internetin nuk vihet në lloji. E kemi të sigurt në çdo fshat!

Lugën e drurit do ta bëj atje! Rron ende lugë bërësi! Për të punuar tokën: Jemi kthyer tek parmenda me… gomar!

Një zë i hershëm i prishte gjumin: Qebir kthehu!…