Agim Jazaj: Duke kërkuar prijësit e munguar…

640
Zgjedhësit shqiptarë përgjatë tranziconit të stërgjatë po kërkojnë me pishë në dorë prijësit, e munguar. Kanë shkuar shpesh përpara kutive të votimit me synimin për qeverisjen dhe ardhmërinë e tyre…Kanë votuar duke marrë më rëndësi votimi me “Zemër” në raport me votën e “Logjikës”. Prijësit e “rinj” në shoqërinë e “re“, ende nuk kanë sjellë risinë e shpresuar, por dekadencë të theksuar edhe nga vet pjesë-kupola; të akuzuar, të anatemuar pafundësisht, deri në kriminalizimin e TEMPULLIT…

Bilanci i gjithë zgjedhjeve, ndoshta në kolona të pa 
Nga AGIM JAZAJ publikuara, por të prekura realisht nga njerëzit, ka rezultuar: ”Janë bërë shumë zgjedhje dhe kanë rezultuar (as) pak zgjidhje”. 
Përpos këtij bilanci, grupe zgjedhësish me “pishë të ndezur”, “klithin” me të madhe nëpër kryqëzime rrugësh përgjatë këtij çerek shekulli: “Zgjidhni prijësit e munguar”. Për shkak të kësaj përzgjedhje, zgjedhësit duket se (s)’janë ende duke e korrigjuar “shënjestrën” e gabuar, por ende ecin nëpër rrugët e shkretëtirës, me “busullën“ e thyer, të votës qorre, duke suprimuar votën e arsyes- me votën e instinktit…
ABUZUESIT
Nga një vështrim i shpejtë konstatohet lehtë se piramida e politikës, edhe pas këtyre përpjekjeve, nuk ka mundësuar përligjjen e votës së sovranit! Palestinezët vite më parë renditeshin më lart, se ne shqiptarët në standardet e demokracisë dhe të drejtat qytetare. Edhe pas këtij fakti të dhimbshëm sa dhe të turpshëm, prijësit tanë rreken e theken, se po bëjnë çudira në shërbim të vendit, kupto duke rrëmbyer, e jo duke shërbyer për veten dhe grupimet por duke dhunuar e shëmtuar shoqërinë shqiptare…
Në një vend të vogël, gjëmat dhe bëmat janë të përmasave të mëdha, sa nuk kanë të molloisur. Shpesh në biseda të thjeshta, kuvendet e hershme, në këngët e lashta të popullit u këndohej edhe sot Prijësve të shquar shqiptar, njerëzve që u ka prushëruar shpirti, mendja, karakteri, personaliteti dhe dinjiteti i tyre mes zgjedhësve, njerëz pa qibër, të zgjedhur me dorë, nga sëra e sojlinjve, dhe jo e sojsëze të këtij kombi, të cilët nuk kishin kurrsesi këtë “hendek” mes njeri-tjetrit. Edhe sot ata “gurgullojnë” në zemrat e njerëzve dhe krojet e krahinave, të larguar, por të shënuar në memorien e njerëzve në çdo cep të hartës shqiptare. Këta udhëheqës të çdo dimensioni, kanë mundur të përligjin votën e zgjedhësve. Ata apelojnë ditën me diell, dhe fatkeqësisht në raport me kohën dhe sistemin (nuk) i marrim për referim! Rruga që të shpie tek ata, njeriu i mirë, miku i sinqertë, burri i shtetit (s)’është e lehtë, e jo hangari, po për shqiptarët e këtij mbi çerek shekulli është kthyer në hangari…

PRIJËSIT
Prijës, udhëheqës nuk është vetëm ai që ka një post të lartë në piramidën shtetërore a politike, por edhe ai në nivelet e ulëta, kryetari i një seksioni në lagje, ai i partisë në fshat, këshilltari i rrethit, i bashkisë dhe kryekomunari, kryebashkiaku, kryetari i njësisë vendore, titullari i gjykatës, ministri, deputeti e përpjetë…. Udhëheqës janë gjithë ata që dinë të udhëheqin me shpirt një grupim njerëzish, një fis, bashkësi, gjithë komunitetin e më gjerë, kombin. Prijës është ai që i shkojnë pas njerëzit, me besimin e pa tundur se ai; di t’i udhëheq, të mos ngatërrojë rrugën si udhërrëfyes dhe përgjërohen për të. Të bëhesh udhëheqës duhet kohë e mund, të “hash” shumë sup”, e jo të biesh “direkt në thela”. Asnjeri nuk lind për udhëheqës, as për krijues e artist, por bëhet i tillë: krijues, gazetar, poet, sportist, etj. A mund të binden lehtë njerëzit pas kaq vitesh në kërkim të prijsave të munguar e kërkuar me pishë, kur vet politika nga njerëzit e zgjedhur, ka ngritur plot Leqe dhe ka hapur shumë Hendeqe, jo vetëm për të gjallët, por edhe për të vdekurit? Si mund të binden të gjallët dhe të rehatohen të vdekurit, pa u ndëshkuar krimet, kriminelët, hajdutët, dhunuesit e varrezave, vrasësit me krisma dhe vrasësit më të shumtë dhe të sofistikuar pa krisma, me kolltuk-karriget, që vrasin përditë. Këta vrasës jo të paktë, të veshur me pushtetin e votës, harrojnë se nesër do të jenë edhe vet përpara këtyre qitësve, të cilët vet “po i stërvitin nëpër poligone” që heqin këmbëzën, pa iu dridhur qerpiku! E si mund të binden lehtë njerëzit, kur janë shkatërruar bunkerët e buzë detit, anës rrugëve, për t’u mbrojtur dikur nga armët e armikut të dikurshëm, imagjinar dhe të përballur përditë me “bunkerët” zyrat-institucionale, nën rrezikun e përditshëm nga “armiku real”, përballë?! Kushdo është i lutur t’më hedh poshtë këto fakte të përditshme, si të pa vërteta. (A) Do rrjedhin shumë ujëra dhe të kapërcejnë vite që të presim, të gjejmë Prijësit tanë, për t’na prirë, në rrugën e dijes dhe të prosperitetit, me shpirt dhe jo hileqare e hileqarë, të cilët kanë humbur edhe tungjatjetën vlerëmadhe të zgjedhësve. 
Udhëheqës bëhesh duke udhëhequr njerëzit drejt arritjeve e jo duke i “hedhur ata greminave”… 
Cilësitë e një Prijësi: 
KARAKTERI
Për njeriun, udhëheqësin që synon të përfaqësojë shtetin, shpalos ambicien janë primare. Ata e konsiderojnë veten njerëz në shërbim të njerëzve dhe jo të kapardisur në zyrat e shtetit. Ata janë në zyra qiraxhinj dhe jo zotër. Ata mbajnë të hapur zemrën e nuk afrojnë kurrë zemëratë, t’u përplasin për surrati portën njerëzve të thjeshtë, hallexhinjve: “prit aty “ me fodullëk, për t’i fyer sipas mënyrës së tyre primitive, kur qytetari i sfilitur kërkon të drejtën e tij. Karakteri nuk është dhunti e as dhuratë. Karakteri sjell suksesin e qëndrueshëm për individin dhe për bashkësinë. Udhëheqësi duhet t’u japë shpresë të tjerëve edhe shpresëthyerve. Të ndajnë gëzimet dhe hidhërimet me të tjerët. Të jenë pranë gëzimit dhe lëndimit të njerëzve. E rëndësishme është të mendojnë për të tjerët, të ndihen si ata, në radhët e gjata, përpara bunkerizimit të administratës shtetërore, në hipoteka e gjykatë, në darkë duke parë lotin e fëmijëve që qajnë për kafshitën e bukës, në pallat duke dëgjuar të lehurat e qenve. Të ndjejë mallkimin e njerëzve të terrorizuar e cenuar nga harbutëri-lukunia … 
Udhëheqës është ai, ajo: Që mbush gropën dhe jo ai që e thellon gropën, ai që mjekon dhe shëron plagët dhe jo ai që hap plagët. Ai, ajo të thotë të vërteta të hidhura dhe jo gënjeshtra të ëmbla. Prijës është ai, ajo që njeh gabimet dhe jo ai, ajo që s’i pranon dështimet. Atë që zyra e bën zyrtar dhe jo atë që zyra e mban rrogëtar. Ajo që pushteti e bën më njerëzor dhe jo ajo që pushteti e bënë agresor! Ai që pret shiritin e përfundimit dhe jo ai që pret shiritat e përurimit! Ata që shenjtërojnë të ligjshmen dhe shëmtojnë të pa ligjshmen. Ata që përdorin forcën e Arsyes dhe jo arsyen e forcës. Ata që vrapojnë për të fituar dhe jo ata që pengojnë për të fituar. Ata që shenjtërojnë dhe jo ata që shëmtojnë… Prijës është ai që ndihet dhe shihet si qytetar, mes qytetarëve! Ai që nuk tundet me spaletat e zyrtarit, por ai që nuk e humbet kurrë shiritin e qytetarit. Kështu të duan dhe i do njerëzit me shpirt. 
Ky është virtyti që mungon në sërën dhe serinë e prijsave të sotëm!…
DETYRIMI
Ky i veçon njerëzit e veprimit nga ëndërruesit, por dhe nga njerëzit e mashtrimit. I ndan ata që premtojnë dhe ata që realizojnë. Detyrimi nis nga zemra dhe provohet në përditshmëri, duke i çelur rrugën zbatimit. Udhëheqës i çdo niveli, drejtues i institucionit, qoftë ata të përfshirë nën “siglën” politike dhe ata jashtë “vathës” së politikës, nuk u shmangen përgjegjësive, vështirësive, duke ua hedhur “topin” të tjerëve. Ata vetmarrin kostot, nga veprimi apo mosveprimi! Detyrimi nuk e tremb udhëheqësin. E bën atë të mos kthej rrugë”. Të njoh, të pranojnë dhe korrigjojnë gabimet… 
KOMUNIKIMI
Komunikimi është “art”, arti më i vështirë dhe më i suksesshmi. Pa komunikim kushdo nuk mund të eci, nuk mund të shtrojë e as mund të zgjidh probleme. Pa komunikim cilido njeri i njohur, apo udhëheqës ecën i vetmuar në jetë. Kushdo që këmben dijet dhe mendimet me të tjerët, janë dhe të respektuar, gjejnë rrugë të pa njohur, shumë më të lehta dhe rezultojnë më të votuarit për njerëzit! Ata bëjnë analizë, dhe prognozë. Shohin të djeshmen, analizojnë të sotmen dhe parandalojnë të nesërmen. Vetëm nga ky komunikim, udhëheqësi mund të kthejë të vështirën në të thjeshtë. Komunikues është ai udhëheqës në cilindo nivel, i cili transmeton tek të tjerët ide, mendime, shikon, parashikon dhe vjel prej tyre se si duhet ecur, korrigjuar dhe përmirësuar. Njerëzit nuk të ndjekin nëse nuk binden ku shkon dhe çfarë kërkon. Të aftët dhe njerëzorët i dëgjojnë dhe i çmojnë edhe vlerat e atyre, që s’ju mbushin syrin. Aftësia është veprimi që kapërcen fjalët dhe zotimet, rrugëzgjidhja e të gjithë pengesave që paraqiten, më e logjikshmja që i bindin dhe të pa bindurit. Zgjidhja me koston më të ulët, përzgjidhet nga aftësia, gjithashtu ka dhe zërin e fortë të bindjes tek të tjerët. Njerëzit nuk binden nga përpjekjet, por ata binden nga arritjet. Ata nuk i bind angazhimi i pa mbështetur me aksionin. Gjithkush kështu kthehet në fals, i pa besueshëm. Gënjeshtra shitet vetëm një herë, shitet lire, po paguhet shtrenjtë! Dhe gënjeshtarin, qoftë dhe i rasatit tënd nuk mund të zgjidhet veç një herë! Njerëzit nuk matin sa lodhet Filani, por peshojnë sa sa ka realizuar ai. I afti parashikon, paralajmëron dhe parandalon rrezikun. I afti mat pastaj pret. Mendohet dhe guxon, të hyjë në lojë, qoftë dhe të planifikuar me humbje, të ndonjë beteje. Ai vrapon për të kaluar të tjerët, kurrë nuk e vret mendjen të pengojë dhe të mallkojë të tjerët. Prijës janë ata që shohin dhe shpalosin vlerat e vetvetes, jo duke ngritur gishtin mbi antivlerat e garuesit. Njerëzit i kanë sytë në ballë dhe ndodhen në “panelin e monitorimit”.
GUXIMI
Guximi është pjellë e suksesit! Udhëheqësi synon, guxon, por edhe sakrifikon gjithashtu. Një person kishte nisur të futej në biznes dhe trembej. Gjithë ditën vepronte, llogariste dhe mërmëriste brenda ambientit të marrë me qira. Në një bashkëbisedim të thjeshtë dikush i kishte ofruar mallra që përputheshin me natyrën e tregtarit të sapunisur. Tregtari shihte mostrat dhe nuk po bindej për asnjë. Ndërsa nuk bindej për mostrat, kërkonte mostra të tjera. Prapë duhet të mundohemi, i tha tjetri përballë. Tregtari nuk po kuptonte vështirësitë me bashkëbiseduesin. Ky i fundit i thotë me humor”: “Ju kërkoni të mësoni notin, po ke frikë të futesh në ujë”. “Noti nuk mësohet në tokë”. Fati ndjek guximtarët”. Mund të dështosh, por duhet të mësosh…
LARGPAMËSIA
Depërtimi i arsyetimit në thellësinë e problemit, për tek njerëzit, do të bëj lehtësisht të zbulueshëm atë dhe praktikisht të thjeshtë për ta realizuar misionin. Kur e kush synon që me një “Gur të vras dy zogj”, nuk do të mund të vras asnjërin! Me një gur të qëllosh dhe të vrasësh dy zogj njëherësh, do të jetë rastësi e rrallë dhe e pa synuar as nga Gjuetarë të talentuar! Njerëzit dëgjojnë dhe binden lehtë, kur zbulon përpara tyre shumanshmërinë e problemit dhe ua sjell atyre në “tabaka menynë” për të përzgjedhur secili gjellën që shijon.
PASIONI
Njeriu që synon, pa e ushqyer me pasionin, asgjë nuk realizon. Na kanë magjepsur me sjelljen e tyre dhe pasionin e shfaqur, udhëheqës të çdo niveli të shtetit dhe të pushtetit, të djeshëm dhe rrallë të sotëm. Kur të udhëheq pasioni, komunikon dhe i ofron njerëzit me pasion, me të njëjtën monedhë e pasion të shpërblejnë shumica, e cila sheh tek udhëheqësi, prijësin e munguar, të cilin e kërkojnë dhe e mbështesin me pasion. Askush nuk ka fituar nëse punën, karrierën politike e krijuese, biznesin, komunikimin me njerëzit nuk e dashuron dhe e shoqëron me pasionin e buruar nga shpirti. Pasioni ka shpalosur si udhëheqës të SHBA-ve se; 75 për qind e tyre kanë rezultuar të kenë pasur nota më të ulëta se gjysma e klasave të tyre. Dhe 50 për qind e miliarderëve dhe njerëzit e biznesit në këtë vend, renditen të mos kenë përfunduar kolegjet, por kanë rezultuar njerëzit e shënuar në përqindjet më të larta të pasionit të tyre si udhëheqës dhe njerëz të biznesit. Një shembull i tillë vërehet lehtësisht edhe në tabelat e shpalosura të biznesit vendas, ndoshta e pa thënë nga gjuha e shifrave institucionale! 

MIRËNJOHJA
Është virtyti që nuk mbin në çdo shpirt. Është lulja që nuk mbillet në çdo bahçe! Mosmirënjohja është arma më shkombëtarizuese. Njerëzit e mëdhenj startojnë nga të vegjlit dhe nga më të voglat. Të mëdhenj janë ata që i respetojnë të vegjlit! Ai nuk harron kurrsesi, kur është nisur në rrugën plot pasion, shokët e moshës me të cilët ka nisur hapin e parë të pasionit, rezervon për ta mirënjohjen e përjetshme. Kujton në lartësinë e pa menduar, ultësirën nga është nisur dhe ku do të ulet mes njerëzve të thjeshtë. Kujton me respekt e mirënjohje ata që e kapën për dore dhe i dhanë shtysë, pasionit të tij. Pa ata, që janë bërë shtysë në jetën e tij të thjeshtë, do të ishte një njeri i zakonshëm. Pra, njerëzit e zakonshëm ishin ata që e bëjnë të zakonshmin mbi të tjerët. Asnjëherë ata nuk i pushton ndjenja e parë, duke e barazuar atë me parajsën. Parajsa e vërtetë nuk është baras-paraja! Ata shpesh falin që të ndihen të lumturuar! Le të kujtojmë ish kryetarin e bashkisë së Vlorës, të pa përsëritshmin, poetin Ali Asllani. Vitet bëjnë tutje e Ali Asllani bën tëhu. Rrallë gjenden të tillë! Një shembull apelimi edhe për prijësit e munguar të shoqërisë shqiptare përgjatë këtij tmerri të pa fund! 
Sigal