Agim JAZAJ/ Administrata e rrëmbim- rrënimit, apo e shërbim shërimit?!…

778
Sigal

*Sistemi allashqiptar, pluralist (pularist) i instaluar për më shumë se 23 vjet në Shqipërizën tonë gjëmë-madhe ngriti në gjithë institucionet, korrupsionin galopant, të cilin nuk e gjen dot në as vendet më të mëdha dhe me vështirësi për t’u qeverisur, por as në një vend që kaluan “ylberin” e sistemit njëherazi! Asnjërit si hyn në hesap ky krahasim, as nuk denjon të merret për referim!

 Politikështhurja e ngriti në sistem, të cilin e quante si “Pajisjen moderne dhe lubrifikantin” që vë në lëvizje impiantin më fitim prurës për popullin, i cili po “hante padrejtësisht me lugën e drurit dhe u turr për të ngrënë me lugën e Floririt”! Kudo në institucione u gjendën njerëzit, me “pishë” për të realizuar skemat e korrupsionit, për të shkatërruar gjithçka kishim ngritur për mbi 50 vjet, të fillonin nga zeroja! Hataja më e madhe edhe në Vlorë, nisi e mbetet me pronat e korkolepsura keqas, për të mos u shkokolepsur kurrë! Litari i lënë përjashta, përgjatë këtyre viteve, nuk molloiset as në net të tëra shëndrehu! Me këtë institucion dhe më pronat të gjithë shqiptarët kanë lidhje e nuk gjejnë zgjidhje. E thënë shqeto. Kanë lidhje, po nuk gjejnë zgjidhje! Kush nuk e di, kush nuk e ka pësuar, kush nuk e vuan? Dhe vrasësit me kolltuk-karriget, të vrasin duke mbetur kufomë- vazhdojnë të “heqin këmbëzën” përditë,vrasin pa krisma, pa i’u bërë syri tërr edhe sot ditën me diell! Kur do t’i jepet fund këtij krimi- kalvari të pafund?- pyesin shqiptarët dhe vlonjatët. Përgjatë këtij kalvari tërkuzë, ka një shifër drithëruese, të shënuar në tabelat e kriminalistikës, si në asnjë vend të botës, qoftë dhe nga ata që ndryshuan sistemin dhe nuk rrënuan vendin, rezultuar nga politika allashqiptarçe e tranzicionit të pa fund, e cila nuk ndryshoi sistemin, por rrënoi vendin!

 Asnjë barbar, asnjë pushtues nuk ka shkatërruar as vendin e huaj kështu, asnjë barbar, asnjë pushtues nuk e urren vendin e huaj kështu si këtu vendin tënd. Bilnaci i dhimbshëm rëndon mbi zemra të gjallësh dhe lëndon shpirtra të vdekurish: Mbi 8000 mijë jetë njerëzish, të mara nga krimet për pronat. Pa përmendur konfliktet dhe gjyqet nga qyqen e pafundëm. Dhe turravrapi nuk përmbahet, sado që shqiptarët me votën e tyre të premtuar, të dhënë në favor të Rilindjen Shqiptare, shohin dritëzën e saj të penguar dhe janë të shpresuar…

Me qindra e mijëra familje të lidhura me pronën, (të sfilitura) nga paraardhësit, të trashëguar, të blerë gjenden të dhunuar dhe të terrorizuar, janë ndodhur dhe vazhdojnë të gjenden të kryqëzuara përpara paudhësive dhe padrejtësive të administratës, ish- regjistrues, çregjistrues, të cilët dhe vet qytetarët vlonjatë i kanë “pagëzuar”! Qytetarët numërojnë abuzimet filluar nga ZRPP, institucion më sipëror në fushën e abuzim-falsifikim të pronave. Madje, qysh nga zbritja me katapultë nga Librazhdi malor në buzëdetin e ish juristes Odeta e formuluar shkurtë në varg: O det, e o lum/ Si të gjetën/ Ku të prunë… Regjistruesit janë përzënë me tama-tame si A. Rama, e plotë të serisë, të fshirë e mbetur në memorien e vlonjatëve, emrat e abuzuesve, të njohur dhe të damkosur më vulën e turpit dhe të krimit, mbetur si re të zeza. Një prind nuk e qas as në shtëpi, e ka bërë def binanë e tij, sepse është në ndjekje për abuzime dhe falsifikime të pronave në ZRPP e Vlorës, me pronat e qytetarëve dhe zullumet e tyre, me pasuritë e vëna nga puna në administratë, makinat superluksoze, të vëna në kohë rekorde, nga spaletat e tundura në zyra, vilat në buzëdetin dhe në majë malin, të cilët merrnin nga 1 hyrje për çdo leje, shesh- besh ndërtimi, shkatërrimi, abuzimi dhe dhënie të hipotekave false, njëra mbi tjetrën, duke vënë edhe njerëzit e një gjaku në gjak me njeri-tjetrin:  Në gjak vëllai me vëllanë/ Hasëm djali me babanë/ Në thikë motra me vëllanë!… Mirëpo edhe njerëzve të etur për pasuri pa djersë duket se po u punon rradakja, nuk paguajnë dhe as kërkojnë më atë që s’u takon. Sepse paguajnë për atë që s’u takon dhe do vij ai prapa do t’ua anulojnë! Ndoshta ka nisur të funksionojë arsyeja minimale nga lartë, duke i paraprirë, (tromaksjes) edhe  C-5 nga poshtë! Falsifikimi i pronave, grabitja e dokumenteve dhe tjetërsimi i tyre, është plaga më e madhe dhe e hapur, po rrjedh dhe do të rrjedh gjatë- thonë me gojën plotë zeher edhe qytetarët vlonjatë. Ankesat e tyre të drejtuara në zyrën e deputetit të Vlorës, kryeministrit Rama, të kryeregjistruesit Ilirian Muho, ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, janë të shumta me emër e mbiemër të nëpunësve, abuzuesve. Ata ngrenë gishtin dhe thonë në ankimimet e tyre për abuzimin, dhënien urgjent, rrufe të hipotekës të ish- shkollës “Zenel Murra”, ku ish -ngritur ish- Pallatit “JON” në buzë detin, dhe brenda detit, i ndaluar ndërtimi me ligj, dhe të tjerë përfshirë në këtë korrupsion kumtuar dhe nga vet zëri i organit të akuzës: “ALUIZNI”, “Kthimi e Kompensimi i Pronave”, etj.. Korrupsioni duket sheshit dhe flitet deri në kupë të qiellit, po të korruptuar dhe të ndëshkuar s’ka! Me një llaf: Korrupsion ka, të korruptuar s’ka! Ende në zyrat e atij institucioni qëndrojnë me njëmijë e një marifete punonjës përmbi 10 -15 vite aty, të anatemuar nga qytetarët e Vlorës- shprehen të habitur. “Peshën specifike për aftësi, talent” në fushë e “regjistrim ç’regjistrim të Hipotekës së Vlorës e mbajnë të përzgjedhurit, graduarit nga “Lëvizja e lirë, të zbritur nga fshati Gjorm”-  arsyeton Agron Saliko- i njohur për humorin e tij të hollë! Ata që kanë abuzuar me tapitë e pronat , vendosje e zhvendosje, mbivendosje e nakatosje, duke e bërë si “leshtë e Arapit”, kujtojnë se i kanë marrë postet dhe ofiqet me “Tapi”-! Paguajnë ryshfete dhe kërkojnë të rrinë brenda stallës së ndotur, për të mbrojtur zullumet e bëra”. Ec e mos e beso arsyetimin e Agronit!

Produkti i tyre, është krekosja përpara ndonjë kamera për të hedhur hi syve dhe për të “ngritur moralin e zyrtarit të përdhosur keqas. Refreni reformë, nuk realizohet as përpara mikrofonëve dhe as me demagogji demode, por me punë e përkushtim, sakrificë dhe kosto, me ndjenjë njerëzore dhe qytetare, me dhembshuri ndaj bashkëqytetarëve dhe bashkëkombësve.

“Produkti që pozon” dhe ndonjë titullar pa titull në këto zyra, është produkti- Informal- informaliteti i shitur si produkt- shërbimi, është vetëm fasadë false, një mashtrim nivel ulët!

Qytetarët e Vlorës dhe të Rilindjes u shprehën me votën e tyre qysh më 23 Qershor edhe për abuzimet dhe korrupsionin e këtyre zyrave, zyrtarëve që i ndjekin pas hijet natën dhe në gjithë rrugën e jetës! Zyrtarë pa asnjë aset zyrtari, por të certifikuar si informal- abuzues ndaj pronave të qytetarëve të Vlorës. Nga kjo zyrë “ofrohet shërbim” dhe realizohet mashtrim- rrëmbim. U pritet fatura, pas verifikimeve në sistem, u quhet e drejtë dhe më pas bëhet dhe pagesa. Për çudi më pas u dërgohet qytetarëve pusulle pas pusullash, veprime abuziviste dhe adoleshente. Nga mëngët e nëpunësve të korruptuar, dalin  “aset” njeri pas tjetrit, deri dhe në zhdukjen e pronave të qytetarëve të pasura den-den babaden, të trashëguara, madje dhe duke abuzuar dhe tjetërsuar edhe vendimet e formës së prerë të gjykatave. Titullari e quan të drejtë, zëvendësi e anulon me shkresë. “Njeri hidh e tjetri Pirdh”- thoshte një buzëplasur në sallonin e kësaj zyre.

Spiro Gjini emigrant i ardhur në fillim vitin, shpresonte të gjente njeriun që shërbente, gjeti monstrën që rrëmbente! Nuk shkon dot as te shtëpia e tij, ku i ka bër koka dëng. Nuk më gjen shpirti rehat, as në varr. Paudhësitë e administratës shtetore e kanë vrarë pa krisma, duke mbetur kufomë! Kushedi sa shqipëtarë.

Hipoteka e Vlorës i ka dhënë gjithë shtëpinë e tij një njeriu të tij. Jemi të një gjaku dhe na ka futur në gjak shteti, njerëzit e shtetit. Njerëzit e babëzitur, nuk kanë shpirt, aspak gjak, asnjë pikë gjaku shqiptar. Kanë marrë para, të pashpirtët, edhe mbi shpirtëra!

U takua dhe me kreun e hipotekës, ardhur në krye të këtij institucioni nga vota e Rilindjes. Fjala e saj e “ngrohu”, po po pabesa, paftësia dhe ligësia e tmerroi. Porositi punonjësen, e cila verefikoi të regjistruar pronën e tij, e cila rezultoi pa pengesa dhe do të paisej më dokumentin që kërkonte. Për rrjedhojë nisi dhe proceduara, u bë edhe pagesa. Kuptohet për shërbim e pasi verefikuar dhe jo për rrëmbim. Pas ditësh filluan dhe odiseja, duke shkëmbyer shkresa të pabaza dhe për të përcjellë e lodhur njerëzit, “duhej lyer qerrja”. Duhej sekseri në veprim! Pagesa të ishte bërë për shkëmbim teleogramesh?

“Rezulton se pasuria nuk figuron në pronësi të z. S. Gjinit, por ka kaluar me vendim gjykate nr 365 datë 05. 06. 07 në pronësi të trashgimtarëve të M Gjinit”,- vijoi shkresa  nr. 2!…Më qafshë- thotë dhe një këndonjës  qoftë “analfabet funksiona” do të mund të lexojë shqip se: M. Gjinit vendimi nr.365 referuar i njeh 60 m2 nga prona në pronësi me certifikatë të S. Gjinit. Dhe diferenca 104 m2, po nga certifikata reale mbeten pronë e pacenueshme edhe nga ky vendim në pronësi të Spiro Gjinit! Edhe një mendje fyell e deshifron këtë Vendimin Gjyakëte, përveç abuzuesve dhe spekullantëve ordiner.

Z. Ministër i Drejtësisë, z.Kryeregjistrues: Vini dorën në zemër edhe mbi këtë padrejtësi-  apelon edhe sot i ardhur dje nga emigracini emigranti Spiro Gjini. Dërgoni një habër dhe një njeri në Vlorë: Të këndojnë këtë vendim, nr 365 dt. 05. 06. 07 në prani të mediave- te “Sheshi i Flamurit”…  

 Po këtë vendim fatkeqsisht, nga këta keqdashës nuk dinë të as “lexojnë dhe të kuptojnë”? “Vaj medet, në duar të kujtë kemi rënë”. “Kush do të verefikojë dhe do të ndëshkojë abuzimin dhe abuzesit, edhe me këtë vendim”- apelon emigranti. Viktimë e këtij abuzimi me pushtetin, votën e qytetarëve është dhe inxhinieri, e qytetari i njohur Mustafa Dedenika, i cili i ka drejtuar kërkësë zyrtare zyrës shurdhëmemece dhe kjo zyrë as denjon të komunikojë me bashkëqytetarët. Bekim Pashaj ka rrëmbyer në shtëpinë e tij dosjen e pronës së tij, gjakun dhe mundin, shtëpinë- Atdheun e tij. “Aty janë bërë hata- thotë Pashaj. Janë vjedhur e grabitur dosje e prona, mund të kesh Certifikatë Pronësie, po në atë zyrë nuk ështe dosja, është vjedhur, apo i është shitur prona jote tjetrit! Këta të shesin edhe Atdheun”…

Viktimë e këtyre vrasësve, pa krisma, nga ndërtesa e shtetit ështe edhe: Flamur Demaj, të cilit i kanë shitur shtëpinë e tij, pa dijeninë dhe firmën e tij. Por belanë e kanë bërë disa institucione legale, zinxhir. Dhe flamurin për belanë e Flamurit edhe në këtë rast e mban ZRPPV, ose më saktë e kanë emërtuar vlonjatët: Zyra e Rrjepjes e Pasurisë, Paluajtshme, Vlonjate.

Llogaria, bilanci i ç’do institucioni, individi , zyrtari bëhet përditë dhe gjithkush vihet në “peshoren” e zgjedhësit ç’do ditë. Te ai zgjedhësi sheh dhe çmon: shtetin që i shërben apo shtetin që rrëmben, shtetin që meriton apo që rrënon!

Në memorien e qytetarëve vlonjatë mbeten të pashlyeshëm edhe ish-punonjës të nderuar dhe të dëvotshëm si: ish- juristja vlonjate Jonela Halilaj. Ka mbetur i shënuar në kujtesën e vlonjatëve edhe ish- kryeregjestruesi i vendit, i ndershmi dhe i nderuarari, Gavrosh Pogaçe, etj..

A mos duhet pritur fund mandati 4- vjeçar, të marrin fund dhe fund mandatat që sjellin çdo ditë dhe vazhdojnë çdo orë të ditës, këta zullumqar dhe grabitqarë, që rreken me pozicionet sekondare, sikur ti kenë marrë me Tapi nga vet Kryeregjistruesi?! Të kthyer në: Vet Ali e vet Kadi?!

 Mijëra qytetarë vlonjatë, apo banorë të “Ujit të ftohtë” e kudo me vite të tëra treten përpara këtyre zyrave- zgjyra me shkresa  e mitabike, defterë e  ferman, qysh nga regjimi Xhon turk,  me vandak vendimesh të gjykatave, të Zogut e Enverit, nga Fatosi e Saliu, “nga breshëri te shiu…”.

Shqiptarët dhe vlonjatët aspiruan dhe votuan, administratën e shërbim- shërimit mbi administratën e rrëmbim-rrënimit!