Agim HILA / Pushteti i njëshit, shajni e frikshme

693
Sigal

Në fakt ajo s`është shajni, por një dukuri reale, një përfytyrim i prekshëm, i cili sa kohë që shkon merr përmasat figurative të     një amebe të stërmadhe, të frikshme në shpinë të zgjedhësve nga populli. Është pikërisht pushteti i njëshit, i formatizuar që nga shekujt si mënyrë sundimi dhe që, për fatin jo të mirë të demokracisë sonë të brishtë, ka nisur të shfaqet frikshëm edhe në praktikat politike të liderëve tanë në fushën e aktrimit politik për pushtet. Nisur nga konfrontimi i kahershëm acarues, veçanërisht kjo i dy liderëve të dy partive kryesore, Berisha e Rama, s`është e vështirë të kuptohet, se dy kahet e tyre ndërluftuese pa pikë takimi të përbashkët (doemos, për ato të pranueshmet) e pa frymë kompromisi  kanë një emërues aspak pozitiv: marrja dhe mbajtja e pushtetit me çdo kusht, me çdo mjet, po qe se i nevojitet qëllimit të partisë (nënkupto, të liderit të saj). I pari, me çdo kusht kërkon ta mbajë atë, ta fosilizojë deri në eshtër, ndërsa i dyti kërkon edhe ai duke vënë në përdorim të gjitha format e mjetet për ta marrë atë, qoftë edhe në tavolinë, madje edhe me forma të dhunshme (kujto janarin e vitit të shkuar). Ky është realiteti mjegullnajor i arenës politike tek ne prej disa vitesh. I hidhur fort, por real deri në frikë. Të dy palët qëndrojnë kokëfortësish në pozicionet e tyre, për ta s`ka vlerë tjetër veç pushtetit, kalcifikimi i tij në hullitë e interesave të tyre është qëllimi më akut. Njihet mirë në tërë botën moderne loja politike, ajo është si një lloj arti , por një art i veçantë, nga konkretësia e të cilit lëvrin përparimi njerëzor, zbulohen vlera të reja të sistemit demokratik. Edhe fituesi, edhe humbësi ndihen të lodhur në fund të lojës, veçanërisht gjate proceseve zgjedhore, por të kënaqur, se kane bërë një punë të paqme, të nderuar për vete e për mbarë masën njerëzore, që ata përfaqësojnë. Si ndodh tek ne? Kur mund t`i kemi pare qoftë dhe një herë të vetme Berishën e Ramën si liderë të partive kryesore konkurruese ta urojnë njeri-tjetrin në evenimente të tilla, fitore që u takojnë tërë shqiptarëve jo vetëm atyre? Asnjë herë. Sikur të ishin dy armiq shekullorë e jo aktorë në fushën e lojës politike, pa asnjë lloj ngjasimi me përçuesit e vlerave demokratike, cilësi kjo e detyruar për vendet që kanë në arenën politike. Ashtu, të pozicionuar në një mënyrë burleske në krye të partive të tyre ata të ngjasojnë më dy luftëtarë groteskë, që, duke fyer njeri-tjetrin, i qajnë hallin demokracisë në Shqipëri, gjithmonë sipas mënyrës së tyre sunduese.

Ka kohë që flitet e s`po ligjërohen në Parlament ligjet, që kërkojnë 35 e kuvendarëve, tregues ky i parevokueshëm i Bashkimit Evropian, që vendi ynë të marrë statusin për në BE. Përfundimi? Mbledhje pafund, konkretizim asgjë. Deputetët komisionarë të Partisë Socialiste qysh në mbledhjet e komisioneve e bojkotojnë çdo përpjekje. Hidhet hapi për miratimin e ligjit për gjykatat, i cili kërkon shumicën e efektivit parlamentar. Qysh në fillim, Edi Rama u dërgon këtë ultimatum deputetëve socialistë: Pa më dhënë rrethin e Fierit, s`ka miratim të ligjit për gjykatat! Këtë e përcjell fare gjakftohtësish në komisionin parlamentar të ligjeve deputeti Fatmit Xhafa, një njohës i mirë i domosdoshmërisë së këtij ligji. Më tej, si pa gjemb në këmbë, ngrihet e ikën, bojkoton çdo përpjekje të komisionit, pas tij, si ushtarët në rresht dalin edhe anëtarët e tjerë socialistë. Trimëri e madhe fort! Na është kthyer bojkoti si një triumf ngadhënjyes në betejën për pushtet. I pyesim zotërinjtë deputetë socialistë: Kujt i bindeni ju me këtë veprim? Shfryni mëritë ndaj kolegëve të krahut tjetër, duke menduar pa mbroth: Ju kemi në dorë, jo, s`bëni dot pa vullnetin tonë? Më e mbrapshtë mendësi s`ka ku të shkojë! Harrojnë këta të zgjedhur nga populli, se zgjedhësit e tyre mendojnë ndryshe, ata iu kanë dhënë votat që t`i përfaqësoni në interes të tyre, të debatoni e të zgjidhni ato kërkesa e dëshira në Kuvend e jo të zgjidhin rrugën e bojkotit, rrugë, që tregon, së pari, se nuk ke fuqi debatimi, të mungon gjakftohtësia  për të arsyetuar e diktuar drejtësisht  ato ide e veprime, që i shërbejnë përparimit.

Pa dhënë Fierin s`ka ligje për gjykatat! Një shprehje e çuditshme kjo e kryetarit të partisë më te madhe opozitare. A mund të jetë kjo thirrje një kërkesë për kompromis? Kurrsesi jo, ajo është një kërkesë pazari, një Zot e di, se sa e mbrapshtë. Në këtë shprehje të pa menduar, dielli i ngrohtë i kompromisit është larg, acari po afrohet më tepër. Dhe, e çuditshme, tërë deputetët e kësaj partie që përbëjnë gati gjysmën e Parlamentit heshtin, e dëgjojnë këtë “thagmë” të dalë nga goja e kryetarit të tyre, këtë kërkesë pazari dhe nuk ngrihet njeri, së paku t`i thotë: “Zoti kryetar, mund të ishe shprehur më ndryshe”, kurrsesi jo. Këtu fillon problemi i madh: Ku është diversiteti i mendimeve në kahen e majtë? Kaq i frikshëm është bërë pushteti i Njëshit të tyre, sa s`kanë gojë të komentojnë mbarazi shprehi të tilla të tipit feudal? Por vëreni më tej: Zoti Berisha, nga podiumi ngre zërin e thotë, dhe jo vetëm një herë: Zoti Rama dhe parlamentarët e tij nuk duan, që Shqipëria të hyjë në BE. Edhe ky një tejskajim i mbrapshtë. Zoti kryeministër, kjo shprehje e juaja është një devizë regresive, hidhësinë e së cilës e ndjeu çdo shqiptar, sapo e dëgjoi. Edi Rama dhe pasuesit e tij e duan Shqipërinë në BE, por sipas mënyrës së tyre, me pushtetin absolut të kryetarit, ashtu si edhe ju, që, me të gjitha mënyrat kërkoni të kalcifikoni pushtetin tuaj. Veçse duhet kuptuar mirë, ky nuk është ushtrim pushteti, as luftë e ndershme politike për marrjen e tij sipas parimit demokratik, por është një përpjekje açik e pushtetit të Njëshit partiak për sundim, një shajni e frikshme kjo, të cilën zgjedhësit tuaj ka kohë që po e ndiejnë jo pa shqetësim dhe në zgjedhjet e ardhshme do të dinë mirë, se në cilin subjekt politik do të ankorohen. Zotërinj të nderuar politikanë, është koha e Njëshit-prijës, e Njëshit të përparimit kombëtar e ndërkombëtar, pushteti i Njëshave absolutë ka perënduar me vakt.