Afrim Krasniqi/ OSHEE dhe standardet e dyfishta në emër të ligjit

761
Sigal

Përmes një shkrese zyrtare, OSHEE i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë kontratat personale të deputetëve me entin e energjisë. Kërkesa e tyre është bërë në emër të transparencës, ligjit, luftës ndaj informalitetit dhe slogane të tjera, dominuese në retorikën e muajve të fundit. Bazuar në të njëjtën praktikë, një numër institucionesh publike kanë vendosur një standard të ri administrativ: çdo punonjës buxhetor që ka pagesa të pakryera tek OSHEE humb vendin e punës. Për pasojë, një numër zyrtarësh kanë humbur vendet e punës, përfshirë mësues, mjekë dhe specialistë të fushave përkatëse, sidomos në rrethet e periferisë. Gjithashtu, një ministri qendrore nxori një urdhër tjetër unikal, sipas të cilit, punonjësit e varësisë do pushoheshin nga puna nëse rezulton se jo direkt ata, por anëtarët e familjes së tyre nuk kanë përmbushur pagesat e rregullta të energjisë. Në dukje, masa represive bëhet në emër të nevojës për të vendosur rregull në sistemin e pagesave dhe kthimin e normalitetit në marrëdhëniet midis entit publik dhe përgjegjësisë qytetare. Të gjitha këto zhvillime në thelb kanë të njëjtin tipar: synimi për zbatimin e ligjit përmes metodave joligjore. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein e theksoi në prezantimin e tij të parë në Tiranë, rëndësinë që zbatimi i ligjeve të bëhet në mënyrë të ligjshme. Dhe jo rastësisht. Një demokraci funksionale dallon nga një sistem autoritar pikërisht nga respekti ndaj qytetarit, mekanizmi i garancive të të drejtave dhe standardeve që aplikon për të gjithë aktorët e përfshirë. Përgjatë viteve jemi mësuar të shohim sesi disa oligarkë politikë kanë imponuar masa represive ndaj qytetarëve dhe grupeve të interesit, pa përfillur mendimin dhe të drejtat e tyre. Tani Shqipëria synon të dalë nga tranzicioni dhe meriton një sistem të ri vlerësimi dhe sjelljeje. Diçka që fatkeqësisht, duket ende pritshmëri e largët për Shqipërinë. Le të shohim rastin e fundit të deputetëve. A nuk janë deputetët qytetarë si gjithë të tjerët në raport me OSHEE? A nuk kanë nënshkruara ata kontrata me këtë ent dhe jo me kryesinë e parlamentit? A nuk duhen trajtuar ata si të gjithë të tjerët dhe a mundet që një ent i emëruar të imponojë një standard tjetër për institucionin më të rëndësishëm kushtetues dhe përfaqësues në sistemin politik shqiptar? Dhe mbi të gjitha, ku e merr kurajën një punonjës i emëruar pa konkurs dhe as merita të veçanta profesionale të imponojë ndryshimin e parimit kushtetues, sipas të cilit, pushteti legjislativ kontrollon pushtetin ekzekutiv dhe jo e anasjelltë? Vetë kërkesa është më shumë politike, sesa administrative, është jo profesionale dhe duket se nuk ka në thelb shqetësimin për zbatimin e ligjit, por ushqimin e publikut me një aspekt tjetër të propagandës pa sens dhe pa dobishmëri publike. Sepse OSHEE nuk i ka nisur të njëjtën shkresë, për shembull, Këshillit të Ministrave dhe kryeministrit (95% e tyre nuk janë më deputetë) për të kërkuar verifikimin e pagesave energjike, por e ka bërë këtë vetëm me parlamentin, ku ndodhen palë të ndryshme politike. Sepse OSHEE ka të gjithë kapacitetet dhe mjetet që brenda 5 minutash të informojë zyrtarisht dhe publikisht edhe parlamentin nëse deputetët kanë respektuar detyrimin ligjor ndaj tij. Sepse OSHEE, në kundërshtim me statusin ligjor dhe praktikën demokratike, ka dhënë përgjatë një muaji, të paktën pesë deklarata politike, thellësisht politike, kundër një ose disa partive politike kritike ndaj aktivitetit të saj. OSHEE nuk është organ politik, nuk mund të bëjë politikë, nuk përfaqëson një trupë politike dhe nuk paguhet nga taksat tona të përdoret si kamxhik politik. Nga ana tjetër, duke dashur të krijojmë një sistem të ri të mbledhjes së detyrimeve dhe të ardhurave nga produkti energjetik i OSHEE, për shkak të brishtësisë së sistemit furnizues kemi krijuar një standard të dyfishtë sjelljeje: një për OSHEE dhe një për qytetarët. Kur qytetari nuk paguan një faturë financiare ai ndëshkohet duke iu prerë lidhja elektrike dhe nëse e rilidh, arrestohet duke përfunduar në burg. Por kur OSHEE ndërpret dhe nuk furnizon me energji qytetarin që ka paguar rregullisht, dhe për pasojë, shkel kontratën me qytetarin korrekt apo për më tepër, dëmton shëndetin, pasurinë dhe aktivitetin e qytetarit të pambrojtur, askush nuk mban përgjegjësi, askush nga OSHEE nuk kërkon ndjesë dhe askush nuk përfundon as në burg. Në një demokraci funksionale përgjegjësitë janë reciproke, jo me një drejtim. Dhe ky është një prej aspekteve që përbëjnë devijim nga rregulli i demokracisë funksionale, në emër të së cilës zyrtarët militantë të OSHEE e përdorin pasurinë tonë (energjinë), për të ndëshkuar apriori këto që ata mendojnë, madje edhe kolektivisht. Shumë më disproporcionale është edhe marrëdhënia e fundit midis qytetarit dhe OSHEE, sidomos në detyrimin për transparencë dhe përgjegjësi. Për shembull, nëse vjen njoftimi se qytetari është debitor me shifër minimale në kamatë të mbetur nga vite më parë, qytetari nuk ka mundësi verifikimi, ai thjesht duhet të paguajë. Nëse fatura vjen e lartë, përsëri qytetari nuk ka zgjedhje, duhet të paguajë. Sistemi i ankesës dhe transparencës,  një detyrim ky kushtetues dhe e drejtë themelore për qytetarin, nuk funksionon. Këshilla që të jepet është, – shko në gjykatë, ku kostoja e regjistrimit të padisë është shumëfish më e lartë sesa kostoja e penalitetit arbitrar nga OSHEE. Nga një vrojtim i këtij procesi rezulton se një qytetar harxhon të paktën dy ditë pune kohë për të përmbushur detyrimin formal ndaj OSHEE, për shkak të sistemit jo transparent dhe mundësive praktike të ofruara nga vetë OSHEE për kryerjen e pagesave. Edhe në këtë rast qytetari ndëshkohet dyfish, OSHEE jo. OSHEE publikon çdo ditë aksione ndëshkimesh dhe mbledhjesh të faturave, por për shembull, ai ende nuk ka publikuar listën e debitorëve të mëdhenj, atyre që kanë miliona e miliona të papaguara prej vitesh dhe që kryesisht janë ente publike shtetërore, por edhe firmat më të mëdha private në vend, të lidhura kryesisht me politikën e ditës. Edhe në këtë rast, standardi për qytetarin e pambrojtur dhe standardi për pjesën e oligarkisë që bashkëqeveris prej vitesh, cenohet, injorohet dhe denigrohet. Asnjë zyrtar që ka shkelur ligjin duke mos paguar faturat e energjisë të entit ku ka drejtuar gjatë ushtrimit të detyrës së vet nuk është ndëshkuar, nuk është penalizuar dhe as është përballur me drejtësinë. Për qytetarin e thjeshtë, veprohet ndryshe. Asnjë “biznes” i madh debitor me lidhje politike nuk është kontrolluar dhe as penalizuar nga OSHEE, madje nuk është dhënë as indo publike mbi borxhet e tyre, gjë që nuk ndodh me qytetarin. Së fundi, por me rëndësi, OSHEE është represive dhe konservatore kur qytetari është në borxh ndaj tij, qoftë edhe me shifra minimale. Për shembull, njoh të paktën dy raste kur ai ka ndëshkuar me prerje të furnizimit me energji (në periudhë dimri) të qytetarit me borxh kamate nga 1 deri në 5 euro ndaj OSHEE. Në Fushë Krujë ai vendosi rekord historik kur arrestoi kryefamiljarët e një pallati për shkak të ri-lidhjes së energjisë, një akt i pashembullt në asnjë vend demokratik dhe problematik me parimet e sanksionuara në kushtetutën e Shqipërisë. Po vetë OSHEE si i përdor paratë tona? Ja një shembull: enti ka javë që ka shpërndarë në media një sport publicitar (përse duhet spoti kur kemi fugonin e policisë tek dera apo shefin e personelit gati për ta larguar nga puna?) në vlerë prej miliona lekësh ku flitet për nismën e saj për mbledhjen e pagesave. Miliona lekë reklamë për diçka që përbën detyrë funksionale? Në reklamë thuhet se po të paguheshin fatura do ndërtoheshin kaq e aq shkolla, kaq e aq kilometra rrugë…etj. Në fakt, edhe me lekët e reklamës së OSHEE do të mund të ndërtoheshin të tilla, por reklama e saj është përjashtim, sepse ushqen median që të mos jetë kritike ndaj saj, pra blen lirinë e informimit dhe kështu, synon të mbyllë një tribunë tjetër ku qytetari mund të flasë dhe të mbrohet. E gjithë kjo panoramë kritike nuk ka qëllim të vendosë në dilemë detyrimin e çdo shtetasi në RSH për të qenë korrekt me detyrimet e tij ligjore ndaj shtetit në taksa, pagesa dhe kontraktime, – por ka synim të dëshmojë nevojën e madhe për një sjellje demokratike dhe kushtetuese reciproke, nga shteti dhe qytetarët, nga ata që paguajnë taksa dhe ata që menaxhojnë taksat tona. Nga të gjitha shkeljet, më e rënda është ajo kur shteti dhe zyrtarët anashkalojnë me qëllim ligjin dhe cenojnë liritë politike dhe ekonomike të qytetarëve, ndaj operacioni i nevojshëm i legjitimitetit të pagesave të energjisë, nuk do duhet kurrsesi që qëllimin e mirë ligjor ta komprometojë me format e gabuara të zbatimit të tij, pra nga aplikimi i veprimeve antiligjore në emër të zbatimit të ligjit. Një mesazh që vjen nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe që sot është edhe pjesë e dokumentit vlerësues të BE për Shqipërinë.

Somario

OSHEE, në kundërshtim me statusin ligjor dhe praktikën demokratike, ka dhënë përgjatë një muaji, të paktën pesë deklarata politike, thellësisht politike, kundër një ose disa partive politike kritike ndaj aktivitetit të saj. OSHEE nuk është organ politik, nuk mund të bëjë politikë, nuk përfaqëson një trupë politike dhe nuk paguhet nga taksat tona të përdoret si kamxhik politik.Nga ana tjetër, duke dashur të krijojmë një sistem të ri të mbledhjes së detyrimeve dhe të ardhurave nga produkti energjetik i OSHEE, për shkak të brishtësisë së sistemit furnizues kemi krijuar një standard të dyfishtë sjelljeje: një për OSHEE dhe një për qytetarët