Adrian Çela: Skema për faljen e kamatvonesave

76

Adrian
Çela: Ja skema e OSHEE-së për faljen e kamatë-vonesave për pensionistët dhe
familjet në nevojë

 

Përfitojnë
126 mijë abonentë, të cilëve u bëhet “zero” kamatë-vonesa e energjisë
elektrike, nga të cilët 66 mijë e 539 përfitues janë pensionistë, në total
vlera e faljes është 155 milionë USD

 

Drejtori i Përgjithshëm
i OSHEE, zoti Adrian Çela, publikoi dje skemën e faljes së kamatëvonesave të
energjisë elektrike, numrin e përfituesve dhe efektet financiare të këtij
vendimi social-ekonomik e financiar për individët dhe familjet me të ardhura të
pakta, vendim ky që nis zbatimin konkret prej OSHEE-s. Janë 126,000 abonentë në
total ata që përfitojnë reduktim kamate deri në zerim të plotë të saj, me efekt
financiar 155 milionë USD. Kështu, 66.539 përfitues janë pensionistë. Kreu
Adrian Çela sqaroi dje me detaje skemën që do të ndiqet në reduktimin e
kamatëvonesave dhe kategoritë përfituese. Që në krye të herës, ai nënvizoi se
nga këto masa lehtësuese përfitojnë vetëm ata konsumatorë që janë treguar
korrektë me respektimin e aktmarrëveshjeve të firmosura me OSHEE. Pra,
përfitojnë vetëm ata që kanë paguar rregullisht faturën mujore dhe këstin e
shlyerjes së borxheve të prapambetura. Sipas Çelës, reduktimi i kamatëvonesave
vjen si një shpërblim që OSHEE u bën këtyre abonentëve për mbështetjen që po i
japin rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Çdo abonent
i kategorisë së parë, pra çdo njëri prej 66539 pensionistëve, invalidëve apo
atyre personave në ndihmë ekonomike do duhet të paraqitet në sportelet e OSHEE
me librezën përkatëse. Ai do paguajë shumën simbolike prej 20 lekësh dhe stafi
i OSHEE do të amendojë aktmarrëveshjen duke i bërë zerimin e plotë të vlerës së
kamatës. Abonenti, do të vazhdojë të shlyejë detyrimin që mbetet pas faljes të
kamatës. Çdo abonent i kategorisë së dytë, pra konsumator familjar që nuk bën
pjesë në skemat sociale, do paraqitet në sportelet e OSHEE gjithashtu me
librezën përkatëse. Ai do të paguajë këstin e radhës dhe do t’i ofrohet
amendimi i akt-marrëveshjes, e cila parashikon reduktimin me 80% të vlerës së
kamatëvonesës. Ky proces do të jetë i mundshëm për t’u kryer duke nisur nga
dita e djeshme deri në Qershor të vitit 2017. Kjo do të thotë, se u jepet
mundësi të përfitojnë edhe ata që nuk kanë akt-marrëveshje, ose kanë dalë nga
marrëveshja me OSHEE, për shkak të mosrespektimit të afateve. Mjafton, që
konsumatorët të jenë pagues të rregullt të kësteve për 6 muajt në vijim (deri
në qershor 2017) dhe mund të jenë përfitues të zerimit të kamatës për abonentët
me këstet mujore 1.200 lekë dhe me reduktim 80% të kamatës për abonentët
familjarë me këst 2800 lekë.