Administrata e shtetit në sytë e qytetarëve…

807
Nga Agim JAZAJ 

Ka me shumicë rrogëtarë, e me pakicë gjen sot zyrtarë.

Dy realitete që sa të mbushin me shpresë aq edhe për të vënë kujën 
Rritja e cilësisë së shërbimit nga administrata e Bashkisë ndaj qytetarëve, disiplina në punë e sidomos përsosmëria e performancës së institucionit në qendër të bashkisë Selenicë, ka bërë që vetë kryebashkiaku i Selenicës, Përparim Shametaj, të ngacmohet në ngasjen e tij, deri sa të mbyllë edhe portën e institucionit të bashkisë këto ditë, madje duke vënë edhe gërshërën në prezencën e nëpunësve të administratës, në orën e fillimit të punës…Por, nuk mjaftoi me kaq… Dita vijuese, vijoi me mbledhjen e gjithë stafit, organizuar nga zëvendës kryetari i bashksë, z. Neim Veshaj, për të vënë pikat mbi “i”, në disa “pika të nxehta”, sidomos në rritjen, përsosmërinë e marrjes së shërbimeve të qytetarëve nga bashkia si institucion. Komunikimi dhe tërheqja e vëmendjes nga zv/kryetari ishte konkrete, madje dhe prekëse për secilin punonjës, duke filluar nga orari i punës, shpalosja e tij, shfrytëzimi i orarit të punës, performanca, edukata qytetare dhe institucionale në komunikimin me qytetarët, e cila ka vend për të përmirësuar dhe për të ndryshuar imazhin e deritanishëm, madje për të prezantuar më së miri fytyrën reale të administratës, të asaj që synon, voton dhe meriton qytetari, votuesi. Edukata e punës dhe formimi i secilit nëpunës, nis qysh nga prezantimi, komunikimi, i cili duhet të komunikojë me njerëzit, me zëmër në dorë, t’i ndjejë atij dhimbjet dhe jo t’i shtojë dhimbjet, ta shoqërojë atë duke u ngritur më këmbë, me edukatë, ta presë te dera dhe ta përcjellë me edukatë, të shoqërohet me dhembshurinë e dashamirësinë njerëzore. Si duhet të komunikojë në ambientet publike. Si duhet të rrijë dhe sa duhet të rrijë në kafene, në rrugë, në autobus?!…Nëpunësi i administratës të mos pijë duhan në zyrën e tij, ku shërben, as në korridoret e institucionit, ku e ndalon ligji, por në natyrë, aty ku e lejon ligji… Të japë modelin dhe jo shëmtinë…Secili ta quajë veten, jo zot në zyrën e shtetit, por një qiraxhi…Deri edhe Kryeministri, një shërbëtor kokulur përpara popullit të tij… “Dhe, nëse nuk kemi në dorë zgjidhjen e hallit, duhet të ndjemë hallet e tyre, si tonat – thotë kryebashkiaku- Shametaj. Ai “nuk di” të tundet me spaletat e zyrtarit, (por zotëron fort shiritin e qytetarit me të cilin prezantohet) të flasë vetëm nga maja e mikrofonave, por flet me njerëzit në rrugë, në stan, në shtëpi, buzë përroit, aty ku hapet udha për njerëzit, dhe aty ku u pritet udha e të paudhëve, në çdo moment të natës a të ditës; në telefon, me smokthinjotët, drashoviciotët, armenasit, sevasteriotët si njeriu i tyre mes dhimbjes dhe në ison e këngës! Si i barabartë mes tyre dhe si njeriu i tyre, pa qibër e fodullëk! T’u tregojmë e t’u hapim udhët dhe jo t’u ngatërrojmë udhët! Sepse: Ndodh rëndom, e ndjejmë shpesh, kudo në zyra: “Ka me shumicë rrogëtarë, e me pakicë gjen sot zyrtarë. Dhe… pa poseduar shiritin e qytetarit, (nga duhet të nisë starti dhe testimi) tunden me spaletat e zyrtarit-fatkeqësisht pa pasur shiritin e qytetarit!”

Administrata, fytyra reale e shtetit…
Administrata shtetërore, në gjithë nivelet e saj, është përditë e çdo çast nën monitorimin e “kamerave vëzhguese” të qytetarisë, duke bërë ndarjen, po edhe seleksionimin: Është “majaja, apo krundet” e shoqërisë? Administrata e shtetit në gjithë botën e qytetëruar është pjesa më e emancipuar e shoqërisë, e cila frymëzon, udhëheq, duke u rrëfyer udhën dhe e ndriçon shoqërinë e sotme duke përgatitur shoqërinë e nesërme. që aspirojnë edhe shqiptarët. 

Duke hedhur një sy të shpejtë mbi administratën, në cilido nivel të saj në të vërtetë rezulton dhimbshëm edhe një realitet tjetër. …Administrata shtetërore, e përzgjedhur kujdesshëm nga përfaqësues-abuzuesit-përçmuesit, a është fytyra reale e aspiratës shqiptare? A është “lokomotiva” e vërtetë e zgjedhur nga përçuesit (apo “vagoni”) i shoqërisë shqiptare, që tërheq udhëtarët për në port-Evropë?

A është fytyra reale e shtetit, (që përfaqëson shoqërinë) ajo që meritojnë dhe votuan shqiptarët, edhe në zgjedhjet e fundit të qershorit të vitit 2015-të? Nëpunësit, zyrtarët, a rezultojnë përçues apo përçmues? Kjo, duhet e duket se është pyetja e vetme, e përmbledhur dhe mbetet shqetësim i shoqërisë së sotme shqiptare, të ndodhur përballë barrierës mbi çerek-shekullore, në rrugën e humbur rrugëve nga të paudhët, pafundësisht nëpër tunelin a pa fund të tranzicion-tërkuzës…Tek nëpunësi i thjeshtë i administratës shtetërore në bashki, institucione, zyra, e deri në ministri, qeveri – qytetari sheh surratin, shpirtin, dinjitetin, personalitetin dhe perversitetin e shtetit, të drejtuesit, votën e tij të ekranizuar, të përligjur, apo të shpërdoruar. Nëpunësi i thjeshtë, deputeti, ministri, kryeministri, diplomati, kanë lindur njerëz, bëhen zyrtarë, vdesin njerëz, dhe a mbeten njerëz?! Mësuesi në klasë dhe në rrugë, polici me kobure, shkop, bilbil e pa bilbil, zyrtari në poltron, në sportel që të hap sportelin dhe shpirtin, por dhe të përplas sportelin, të vret dhe shpirtin. Pra, duhet të seliten njerëz, qytetarë të nderuar edhe jashtë institucionit. Ai, nuk prezanton vetëm – veten, por pasqyron shtetin, shoqërinë, kulturën, aspiratën dhe shpresën e një shoqërie të tërë, në udhëkërkimin e udhëkryqit të pa fund, duke kërkuar me pishë në terrin e gjatë e të pafund – udhërrëfyesit. Nëpunësit e administratës, janë “gurët e themelit”, “muret” që lartësojnë shtetin; “çatia që mbulojnë shtetin”, ndriçojnë apo shëmtojnë shoqërinë…Sa më të “gdhendur” të jenë këta “gurë” aq më i gdhendur do të jetë edhe shteti, dhe sa më të “pa gdhendur” të jenë ata, si dhe kanë qenë e po mbeten, aq më i “pa gdhendur” do të jetë dhe do të mbetet shteti… e dhunuar shoqëria! Kamerat vëzhguese të shtetasve “filmojnë” çdo ditë dhe “shfaqin” çdo mbrëmje kronikën, nga veprimtaria e administratës së shtetit. Përsëri zgjedhësit bëjnë bilancin: “Na është përligjur, apo na është shpërdorur vota”?…Na rezulton dhimbshëm, e thënë mes klithmave-kujevënëse: Kur qytetari bashkëpunon me policinë për të mbrojtur rendin, vendin, qetësinë, pronën publike dhe atë qytetare…Dhe polici, kryepolici deri dhe ministri bashkëpunojnë me krimin, me drogaxhinjtë?!

Një grup i vogël, ia kishin marrë labçes me oi, oi dje te “Sheshi i Flamurit”:

Ku ta thajmë shaminë,
Me lot fukarai,
Ku të gjejmë drejtësinë,
Te Shejtan- Ull
Sigal