Abdurahim Ashiku/ Po të mos ishte Shukja, Dibra nuk do dukej!

625
Po, po. Po të mos ishte Shukja, Dibra nuk do të dukej, do të harrohej siç është harruar një çerek shekulli apo një gjysmë shekulli, do të mbetej larg veshit e larg syrit, e braktisur, lakuriq dhe e sakatosur, shprehje gjeografike… Iu grisën brekët Shukes dhe të gjitha partitë u dukën në një maratonë të paparë deri sot, “garën e arnimeve”, secila me ngjyrat e veta… blu, rozë, mavi… Asnjëherë në jetën e saj historike Dibrës nuk i është kushtuar kaq vëmendje dhe drejt saj të jenë derdhur me mjete tokësore e ajrore kaq njerëz partiakë me grada shkencore, biznesmenë, dhëndurë, dibranë të ikur që në vitin e tmerrshëm 1913, humoristë, piktorë, poetë, shkrimtarë, çamë të PDIU, grekë të PBDNJ… Për të mos folur pastaj për matjanë, lumjanë, shkodranë, vlonjatë, korçarë, myzeqarë me flamuj e dieta partish në ballë… 

Asnjëherë Dibra nuk ka qenë lajm i parë në gazetat e “krahëve të këputur” të politikës shqiptare dhe televizioneve kameleonë. Rama, i pari, mblodhi “grusht” të bindurit e ngjyrës rozë për të mbajtur një fjalim, ku nuk harroi “Rrugën e Arbrit”, por “harroi” Skavicën dhe Katundin e Ri, thembra e të tashmes dhe të ardhmes së Dibrës. Basha, i dyti, u djersit si asnjëherë, sa pikat e grumbulluara në mjekër nuk i retushoi dot asnjë kronikë televizive. Ai nuk tha se, pse nuk e ndërtoi partia e tij “Rrugën e Arbrit” për tetë vjet në pushtet, por tha se ai “që e nis, ai e bitis”, duke tërhequr të qeshurën e komentuesve në faqet online, që shfletonin kronikat dhe deklaronin: “Shiritin e nisjes së punimeve e ka prerë Fatos Nano”… Basha do të bënte edhe thagmën e radhës, kur do t’i bëhej “krah” Dibrës, që ajo të mos mbytej, duke harruar atë që ka thënë me bërtitje që dëgjoheshin deri në majë të Korabit, paraardhësi i tij Sali Berisha… Dibra po përjeton vëmendjen më të madhe historike, po përjeton marshimin më të madh që është bërë rrugëve të saj jo në 26 vjet, por ma herët, shumë ma herët se të lindnin rrugëtarët, Rrugës së Rinisë, rrugë e cila e mbaruar në vitin 1946 është edhe sot me të njëjtën gjerësi, me kalldrëm si plot 70 vjet të shkuara… 

Një dhëndër Dibre, ish-ministër, shkrimtar i shquar, i veçuar nga politika tash gati një dekadë, u kthye përsëri në “origjinën e vet politike” për të qepur me pe të bardhë arnën e zezë mbi “brekët e grisura” të Dibrës. Do të kisha ngelur injorant po të mos mësoja rrjedhën e jetës së një politikani tjetër shqiptar, i cili deklaron se ka lindur në Tropojë, është rritur në Shkodër dhe është martuar me një dibrane. Madje, në rrëfenjën e tij biografike shtrembëron edhe një thënie për mendjen, e cila ka lindë në Shkodër, ka pushuar në Mirditë dhe ka bërë vend në Dibër… Një karikaturist i njohur edhe kryetar i shoqatës “Dibra” do të deklaronte “votën e tij” në adresë të një dibrani të ikur si ai, duke injoruar një djalë Dibre që ka lindur, është rritur dhe i shërben Dibrës tash njëzet vjet. Taborët e së djathtës po e sulmojnë Dibrën me të gjitha forcat dhe me të gjitha autoritetet e larta… Dibrës, si njëzet vjet të shkuara në 26 majin e tmerrshëm 1996 po i bien rreth e qark figura që e rrahën me kërbaçin thurur me fije kanabisi, duke i vjedhur dhunshëm votën… Sikur këta njerëz me pozita të larta, me “portofol” në detyrat e larta shtetërore, të kishin ardhur qoftë edhe njëherë të vetme në Dibër gjatë 8 vjetëve qeverisje do të kishte një tjetër Dibër. Nuk erdhën. Dhe nuk do të vinin po qe se në tavolinën e rrobaqepësit nuk do të kishin dalë “brekët e grisura”. Dibrës, e majta dhe e djathta, bluja dhe roza, përzierë me ngjyra të tjera bimësh, i janë gjendur vetëm në kohë zgjedhjesh, thjesht për të mbuluar trupin e saj të rreckosur me mballoma, me arna të zeza mbi fytyrën e saj të bardhë… Po të mos ishte Shukja, Dibra nuk do të dukej…!
Sigal