Abdurahim Ashiku/ Po të bien gjethet dhe po të thahen degët Edi Rama!

760
Në trupin e gjallë të “ullirit” të “Rilindjes” janë ngushtuar enët komunikuese, limfa nuk qarkullon as nga gjethet në drejtim të rrënjëve e as nga rrënjët në drejtim të frutave. Në këtë rast bëhet krasitje e rëndë. Ulliri mbetet cung. Nuk thahet. Rrënjë fortë “ulliri” nxjerr sythe e filiza të rinj, lidh lule e rrit fruta….
Ta thotë këtë një i mërguar që njëzet vjet të shkuara, pas ngjarjeve të njohura që lidhen me vjedhjen më makabre e të dhunshme të votës, 26 maj 1996, iku për ti shpëtuar linçimit e likuidimit, për të mos i lënë fëmijët në gjak. Ta thotë këtë një gazetar i gazetës “Zëri i popullit” që duke mbrojtur të majtën e burgosur nga pushtimi berishjan, derdhi gjak për lirinë e shtypit dhe për partinë socialiste. Më gjakosën ditën në mes të ditës, në zyrën e gazetarit, ndërsa shkruante mbi makinën e shkrimit një lajm kulturor. Isha i pari gazetar që mu kërkua të mbyll gojën. Isha larg Tiranës, në periferi të vendit, ku politizimet dhe mënia ishin në skaje. Atëherë, e majta, nuk u ngrit të thotë një fjalë, vetëm një fjalë të vetme në Kuvend, për dhunën ndaj gazetarit dhe shtypit të lirë. Vetëm një person, një njeri me kulturë dhe dinjitet, Teodor Keko, shkroi në “Aleanca” një shkrim dinjitoz për mbrojtjen e fjalës së lirë. Atë kohë edhe atë e kishin goditur barbarisht. Më shkruante me sinqeritetin e njeriut të kulturuar se e kuptonte se çfarë do të thotë të jesh larg e i pa përkrahur. Vetëm njëherë ju kam takua. 

Nuk po hap ditarët që të ta them me saktësi datën, por besoj se nuk ka nevojë, sepse e mban mend. Pas prezantimit në Athinë të “Kurbanit”, tek ishit ulur në një kolltuk në pritje të takimit me socialistët emigrantë të Athinës, ju kërkova të më nënshkruani mbi librin e sapo blerë. Ju thashë se kam qenë për vite të gjata gazetar i “Zërit të Popullit” e tash jam mërgimtar. Në heshtje, si të vija nga një planet tjetër, më morët nga dora e zgjatur stilolapsit dhe shkarravitët emrin tuaj. Më befasove me kujtesën tënde të vogël. Nuk të vë faj sepse kur unë përgjakesha në mbrojtje të asaj partie ku ishit ngjitur, ju ishit larg, diku nën urat e Parisit, përballë një pjate me makarona që të vareshin si mjekër… Atje u skicua edhe mbyllja e gazetës më të vjetër shqiptare, “Zërit të popullit”. Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja parti në botë pa ZË mediatik, pa gazetë, pa radio, pa televizion… Nuk erdha të të mbështes me votën time më 23 qershor 2013. Të mbështeta nga larg si alternativa më e pranueshme përballë alternativës më të papranueshme. Shpresoja se “Rilindja” do të bënte diçka për vendin, do të bënte atë që nuk ishte bërë gjatë afro një çerek shekulli për emigrantët. Shpresoja se fjalët për një ministri diaspore do të përktheheshin në një dikaster të veçantë (në mos më shumë, por sa Kosova) me emrin Ministria e Diasporës e Republikës së Shqipërisë…. U zhgënjeva ashtu siç u zhgënjyen një e treta e shqiptarëve që punojnë e jetojnë larg e që e kanë mbajtur dhe e mbajnë Shqipërinë në këmbë me kontributet e tyre materiale e morale.

Shpresova që nismën e një grupi vazhdimisht në rritje mësuesish vullnetarë pa asnjë shpërblim material e moral, të pambrojtur në një vend ku gjuha shqipe ka qenë në prushin e këndellur të së keqes, të njihen zyrtarisht, të njihen me një ligj kuvendar (as më shumë e as më pak se sa ligji që ka Kosova për mësuesit në diasporë), madje u dërgova edhe një “projekt-ligj” modest, por ju as denjuat thjesht moralisht të më ktheni një përgjigje për mirë apo për keq. Harresat i quajta si “rënie gjethesh në vjeshtë” për pemët si molla, dardha, qershia… apo si “ndërrim gjethesh në verë” për agrumet, ullirin… Tash po shoh se nuk është fjala për gjethe po për degë. Ditë më parë Gjykata Kushtetuese ia hoqi “gjethe e degë” deputetit Kokëdhima me të cilin ju kishit ëndërruar që si nip në Vuno të luanit tavëll në pleqëri tek sheshi para kishës. Nuk e kuptoj (dhe nuk do ta kuptoj kurrë) se pse e mbrojtët Koçon deri në instancën më të lartë të gjykimit kur atij i kishit dhënë mbi 150 tenderë sa kohë ai ishte deputet. Përpara gjyqit e mbronit. Tash nuk thoni asnjë fjalë. Pse? Politikanët e përgjegjshëm dinë edhe të kërkojnë falje. Frroku tash kërkon “gjykim të shkurtuar” çka do të thotë se e pranon se është vrasës, e pranon se është i korruptuar. Ju pse e lejuat të ulet në karrigen e përfaqësuesit të popullit të majtë në kuvend? Nuk e dinit? Nuk e besoj unë ashtu si nuk e beson askush. Toma… I premtuat Dibrës rrugën e saj të jetës e të zhvillimit, Rrugën e Dibrës apo siç quhet ndryshe “Rruga e Arbrit”. Në tre vjet qeverisje nuk keni lëvizur asnjë gur në hapje e zgjerim të rrugës, pa bërë fjalë për tunelet në drejtim dhe shkurtim drejt Dibrës dhe më tej drejt Dibrës së Madhe, Gostivarit, Tetovës e viseve të tjera shqiptare të prerë nga hanxhari i tmerrshëm i Londrës 1913. Nuk i dhatë Dibrës jetën por po i jepni vdekjen, mbytjen së gjalli me anë të gjolit të Skavicës.

 Dibrën nuk e keni me vete në zgjedhjet e ardhshme. E keni vrarë. Dhe i vrari nuk ka si të ngrihet e të votojë. Dibra sot, 13 maj 2016, ishte në krye të gazetave të përditshme, lajm i parë në të gjitha televizionet, radiot dhe mediat elektronike. Një skandal seksual me protagonist kryetarin e bashkisë përcillej me figurë e me zë. Dibra që nderin e familjes e ka në themel të gjithçkaje u ndje kokë ulur. Nuk e kisha njohur nga afër kryetarin e bashkisë së Dibrës. Rasti e solli ta takoj në “ODA DIBRANE-2015”. E urova dhe i kërkova si një njeri me histori në jetën e partisë politike që e kishte ngjitur kaq lart, të pinim një kafe. Tri ditë që isha atje “nuk pati kohë”, madje edhe sallën e konferencave në pallatin e kulturës ma mbylli për të promovuar atje botimet e mia për Dibrën dhe mërgatën shqiptare në Greqi. Ika i zhgënjyer…. Një deputet i listës tuaj doli sot në ekranet e televizioneve dhe e cilësoi skandalin seksual politik!? Një tjetër, kërrabë e qenies tënde në karrigen e kryeministrit të bëri ty fajtor… Politika po i shfrytëzon “kunjin” dhe “petullën” për pushtet… Mund të vazhdoj edhe me të tjera, e me të tjera tregues, se “Rilindjes” po i bien një nga një gjethet në pikun e gjelbërimit të natyrës, tashti në maj, kur pemët janë mbushur me fruta. Jo vetëm gjethet, por edhe degëzat, edhe degët. Në trupin e gjallë të “ullirit” të “Rilindjes” janë ngushtuar enët komunikuese, limfa nuk qarkullon as nga gjethet në drejtim të rrënjëve e as nga rrënjët në drejtim të frutave. Në këtë rast bëhet krasitje e rëndë. Ulliri mbetet cung. Nuk thahet. Rrënjë fortë “ulliri” nxjerr sythe e filiza të rinj, lidh lule e rrit fruta…. Në natyrë dhe në shoqëri nuk ka boshllëk…
Sigal