Abdurahim Ashiku: Analistë dhe kanalistë të medias?!

615
Në qoftë se do të dish të vërtetat në një enciklopedi voluminoze, atëherë lexo atë zë që ti njeh më mirë. Është kjo një e thënë e vjetër që përbën furkën rreth së cilës lidhet bashka e leshit e tiret e mblidhet peri në bosht. Përndryshe, siç thotë populli “tjerr në furkë pa bashkë”. 
Këtë masë vura në kandar kur këto ditë u torr me “bashkë e pa bashkë” mbi “furkën” e një ngjarjeje që fluturoi nga Tirana në Athinë e nga Athina në Tiranë” sipas vargut të këngës së njohur “Telegramet shkojnë e vijnë, nga Tirana në Athinë” 
E kam fjalën për një “analizë” në “Opinion” dhe në shkrime e komente për “Të shtatë-t e Tebës”!? 
Në ekranet e vegjël satelitorë, në gazetat e printuara dhe në panele mediatike u bënë ditë që flitet kuturu, pa prezencë në tavolinë të ngjarjes, pa u ulur në studim informues për “shqiponjën” në duart e 7 ushtarëve në ushtrinë greke, ushtarë që në disa shkrime citohen “ushtarë shqiptarë”.
“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke deklaroi sot se 7 ushtarët shqiptarë që bënë shqiponjën do të dënohen me nga 60 ditë burg”.Kjo është fjalia e parë pas titullit: “Burgosja e ushtarëve që bënë shqiponjën, Blushi: Standardi racist i Greqisë. Prononcimi i deputetit dhe i kryetarit të Partisë “LIBRA” është bërë mbi bazën e statusit të tij në rrjetet sociale me shkurtime të prononcimit të tij. 
“Shtatë rekrutët” që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në prononcimet e ndryshme, këtej e andej kufirit, e që e kanë ngjitur shumë stekën e mosmarrëveshjeve midis Shqipërisë e Greqisë, nuk janë “ushtarë shqiptarë”, term që po përdoret si me ngrënë hallvë, por janë ushtarë të një njësie greke në Mesolongj apo diku tjetër në hapësirën e militarizuar greke, që kryqëzojnë duart.
“Ushtar shqiptar” është ai që ka uniformën dhe simbolet e tjerë të shtetit shqiptar, ashtu siç është ushtari i çdo shteti në Evropë dhe në botë. Gjashtë analistë, të përhershëm e “plotë dijshëm” në emisionin “Opinion” për dy orë të tëra, të enjten që shkoi debatuan për “Shqiponjën që përplasi Athinën me Tiranën”. U ndjeva ngushtë tek i shikoja si shtrembëronin fytyrat në argumentim e në mbrojtje të fjalëve të marrë nga “zëra në rrugë”.Thuajse të gjithë deklaronin se të rinjtë, bij të emigrantëve shqiptarë, bënin shërbimin ushtarak për të marrë nënshtetësi greke dhe kryerja e shërbimit “9-mujor” është kusht për të marrë pasaportë greke (nënshtetësi). E kundërta është. 
Shërbimi ushtarak në Greqi është i detyrueshëm për të gjithë nënshtetasit deri në 40 vjeç (më parë ka qenë deri në 50 vjeç), pa dallim kombësie, bindjesh fetare etj. Pjesë e ushtrisë greke nuk janë vetëm fëmijët e emigrantëve shqiptarë, por edhe fëmijët e emigrantëve nga “150 vende të botës” nënshtetas grekë. Ndonjë zë deklaronte, se shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për të gjithë ata që mbaronin shkollën e mesme në Greqi; liceun, dymbëdhjetë vjet shkollë, duke futur në këtë shportë edhe të gjithë fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Kjo është e pavërtetë, fjalë nga fjalori i rrugëve.
Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantit Ministri i Ministrisë së Emigracionit Janis Muzalas floli për 577 mijë emigrantë të pajisur me leje qëndrimi, të cilët janë nga 150 vende të botës. Ai deklaroi se numri i emigrantëve shqiptarë, që gjithashtu kanë leje qëndrimi, në fund të nëntorit 2016 ishte 401.402 vetë. Ministri në këtë prononcim foli edhe për 200.000 fëmijë të emigrantëve që ndodhen edhe ata në Greqi me familjet e tyre, duke theksuar se ky brez duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe detyrime me qytetarët grekë. Më tej ai zbuloi se rreth 9.000 fëmijë emigrantësh shqiptarë kanë përfituar nënshtetësinë greke, nga zbatimi i legjislacionit të moderuar. Do të desha që “analistët” t’i dinin këto për të mos folur në hava në emision për “një milionë emigrantë shqiptarë”, për të mos folur nga folklori i rrugëve për “ndërrim të detyruar të emrave”, për “ndërrim të detyruar të fesë”, për “ndërrim të detyruar të kombësisë”, e të tjera fjalë që qarkullojnë pa metër e kandar.
Mund të deklaroj me përvojën time më se 20 vjeçare, se asnjë zyrtar, përballë emrit tim puro arab (Abdurahim), nuk ka thënë asnjë fjalë. E ka shkruar atë në dokumente me germa greke apo latine në mënyrë të përpiktë. Sigurisht, ndër qindra mijë emigrantë shqiptarë që kanë kaluar në Greqi ka edhe shumë emigrantë që kanë ndërruar emrat për interesa të caktuara, emra që siç del tash me Vetting-un i kanë ndërruar jo pak persona të pushtetshëm, deputetë, kryetarë bashkish, biznesmenë në mbarë kontinentin evropian dhe më gjerë. Ndërrimi i emrave nuk është një fenomen “grek” por shumë më i gjerë, madje edhe shqiptar. Kur Mato Gruda i “Njeriut me top” të Dritëro Agollit e pyeti robin italian të luftës si të quajnë dhe mori përgjigjen ”Augusto” ai i tha: ”Unë do të thërras Agush”. Kinezë të ardhur në Shqipëri nuk kanë munguar që në publik të thirren e të vetëdeklarohen me emra shqiptarë. Një mik i imi, sa ishte në Greqi e kishte emrin Jorgo, kurse në ShBA e ka emrin Xhorxh…Kapja pas emrit si “detyrim grek për shqiptarët” është shprehje e naivitetit të analistit, mungesë e kulturës së tij. E njëjta gjë është edhe “ndërrimi i fesë” apo “ndërrimi i kombësisë”. Rreth kësaj të fundit, nisur nga ngjarja e të “shtatëve” disa analistë u shqetësuan, se mos pas deklarimit të “rremë” të ushtarëve se janë me kombësi greke administrata do të bëjë kërkime dhe do t’i dënojë me gjobë apo me dëbim për “deklarim të rremë”! Të jenë të sigurt, se asgjë nuk do të ndodhë. Shteti grek i ka pranuar si “grekë” jo vetëm minoritarët e vërtetë, por edhe arumunët dhe të tjerë “minoritarë nga Tropoja”, madje u ka dhënë edhe pension e ndihma sociale për të treguar, se sa e madhe është etnia greke në Shqipëri. 
Në këtë mes ka “ndihmuar” edhe shteti shqiptar nëpërmjet konsullatave tona në Athinë, Selanik e Janinë duke firmosur e vulosur dokumente të gënjeshtërta çka bëri, rreth dhjetë vite më parë, që e drejta e “vulës legalizuese” të shpërngulet nga përfaqësitë tona diplomatike në Greqi, në përfaqësitë greke në Shqipëri, duke bërë që ato 30 euro që i merrte Shqipëria t’i marrë Greqia. Analistët, që të mos bëhen qesharakë (punë e madhe thonë, përderisa marrim për çdo emision disa paga mësuesi, si honorar), siç u bënë, duhet të njohin mirë, gjerë e gjatë problemin, duhet ta zbërthejnë për publikun në detaje. Marrja e nënshtetësisë greke, e letërnjoftimit dhe pasaportës greke, është përcaktuar me ligj, ligj që kur flasin duhet ta kenë në tavolinë. Për të mund të aplikojnë dhe pas procedurave të caktuara, mund ta marrin të gjithë ata të rinj e të reja shqiptare që kanë 6 vjet radhazi studime në sistemin e arsimin grek, që kanë zhvilluar mësimet nga klasa e parë e shkollës qytetëse e deri në klasën e fundit të liceut. Atë, me shtesën e re në ligj, mund ta marrin edhe ata që kanë mbaruar sistemin e lartë universitar grek. Por atë mund ta marrin edhe të tjerë që kalojnë në sitën e disa testeve. Marrja e nënshtetësisë greke nuk do të thotë se ke marrë edhe kombësinë greke. Ti mund të jesh me nënshtetësi greke, por në të njëjtën kohë je me kombësi shqiptare. Tjetër është nënshtetësia e tjetër është kombësia. E para merret e lihet, e dyta as nuk merret e as nuk lihet, është ADN e njeriut. Analistët, pa pas në dorë ligje e rregulla të shtetit u futën në “thekër”, siç thuhet në popull, pa mundur me dalë, e gjetën veten mes pyllit pa busull. Ata, jo thjesht në këtë rast, por edhe në shumë të tjerë, e shndërrojnë veten nga “analistë” në “kanalistë”, hapin kanale pa e ditur se në ç‘ujëra të turbullta e fusin veten dhe dëgjuesit dhe ku na çojnë.
Sigal