Abdi Baleta/ Unioni Ballkano-perëndimor dhe nëpërkëmbjet e identitetit shqiptar

636
Sigal

*ish -ambasadori i Shqipërisë në OKB

Bashkimi kombëtar është çështja jetike madhore dhe parësore e shqiptarëve, sepse vetëm kështu mund të ruhet e të forcohet identiteti shqiptar. Kur u hodh parulla “Ballkani i ballkanasve”, nga mezi i shekullit XIX, mohohej identiteti kombëtar i shqiptarëve. Propaganda serbo-sllave i ka cilësuar shpesh shqiptarët e Kosovës si serbë që ndërruan fenë e gjuhën. Në Greqi edhe sot dëgjohen zëra se “nuk ekziston komb shqiptar, se shqiptarët janë helenë që kanë humbur rrugën në histori”. Kështu, shqiptarëve iu mohua e drejta të kenë shtetin e tyre të përbashkët në Ballkan dhe kërcënohet individualiteti i tyre kombëtar, kulturor e gjuhësor. Prandaj, nuk është zgjidhur ende çështja shqiptare. Prej një çerek shekulli na thuhet se “çështja shqiptare do të zgjidhet me integrimin europian. Shqiptarët do të bashkohen në Bruksel”. Tani na nxjerrin avazin tjetër, të një “Unioni Ballkano-perëndimor” që “Shqiptarët të bashkohen së pari në Beograd”. “Unioni Ballkano-perëndimor” përvijohet si amalgamë mbishtetërore ndërmjet Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, FYROM-it dhe Shqipërisë, me Kosovën, si shtojcë, si “shtet fusnotë”, nën hijen e Rezolutës 1244, pra si “rajon i veçantë”, siç e quan Ivica Daçiç. Kjo do të ishte një kthim tek gjendja e rrezikshme viteve e 1945-48, kur viset shqiptare u bënë mballoma territoriale për republikat jugosllave, ndërsa Shqipërisë i caktohej fati i republikës të shtatë të Jugosllavisë. Prandaj, duhej lëshuar alarm kombëtar, kur më 23 shtator 2013 në një gazetë të përditshme në Shqipëri u botua vëzhgimi diplomatik i Shaban Muratit: “Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptarë”, që zbulonte faktin skandaloz të përfshirjes diplomatike të Shqipërisë e të Kosovës në bisedime të fshehta për krijimin e “Unionit… “, vetëm disa muaj pasi shqiptarët kishin festuar 100-vjetorin e pavarësisë kombëtare dhe 5-vjetorin e njohjes së shtetit të Kosovës. Propozimin për këtë “Union…” e kishte paraqitur rrëmujshëm ministri i jashtëm i Malit të Zi, Luksiç, në Ohër me rastin e takimit të dështuar të samitit të Europës Juglindore, më 1 qershor 2013. Atëherë u tha se ky takim dështoi ngaqë kryetari i shtetit organizator, FYROM-it, nën trysninë e Serbisë, nuk kishte ftuar presidenten e Kosovës. Duhet besuar se ftesa nuk ishte dërguar edhe me qëllimin që Kosova të lihej jashtë rrethit të themeluesve “të barabartë” të “Unionit…”, siç u lanë shqiptarët jashtë mbledhjes së AVNOJ-it në Jajce më 1944. “Nisma Luksiç” nuk mund të jetë vepër e mendjeve diplomatike malazeze. Mali i Zi bën vetëm rolin e tellallit të Serbisë, Rusisë dhe të përkrahësve të politikës së Beogradit në Perëndim. Në “Unionin Ballkanoperëndimor” të vitit 2013 planifikohen të përfshihen territore që atëherë mbetën nën Perandorinë Bizantine. Sipas “Vijës së Teodosit” u bë edhe ndarja ndërmjet Krishterimit katolik dhe Krishterimit ortodoks pas vitit 1054. Në të dy rastet hapësirat e sotme shqiptare mbetën në anën lindore të kësaj vije. Pas “Nismës Luksiç” e vlen të rilexohet më me vëmendje libri i Aurel Plasarit “Vija e Teodosit rishfaqet. Nga do t’ia mbajnë shqiptarët?”(1996). Shqiptarëve po u thonë: nuk keni nga t’ia mbani më, do të shkoni atje ku e vendosim ne. Është paradoksale që “Vija e Teodosit” të perceptohet si kufiri perëndimor i “Unionit Ballkano-perëndimor”, kur dihet se pjesa e mirëfilltë perëndimore, Sllovenia e Kroacia janë tashmë jashtë Ballkanit, në Europë, siç janë janë dhe Rumania e Bullgaria në Lindje dhe Greqia. Thelbi i 20 pikave të tekstit të marrëveshjes mbi “Unionin…” është faktikisht krijimi i një “Serbie të Madhe”, sipas imazhit të Perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit, mitologjisë se “Serbisë qiellore” të Princ Llazarit dhe projektit të Garashaninit. Një Serbi e tillë përfytyrohet më e centralizuar se ish-Federata jugosllave, me qendër në Beograd, që do të jetë selia e pariamentrt me 60 anëtarë (pika 1). Në pikat e tjera parashikohet: politikë ekonomike e përbashkët, ruajtje e përbashkët e tregut rajonal, luftë e përbashkët kundër korrupsionit, jurisprudence e përbashkët dhe deri polici e përbashkët, njësoj si në ujditë për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Projekte të tilla nuk i shtyjnë vendet pjesëmarrëse në “Union…” drejt integrimit më të shpejtë në Europë, por i fusin në një zonë të ngushtë të mbyllur, më larg nga Europa. Prandaj, pas alarmit, që u dëgjua më 23 shtator 2013 në Tiranë, duhej të ishte ngritur në këmbë i madh dhe i vogël, që shqetësohet për identitetin e dinjitetin kombëtar shqiptar, për interesat kombëtare e shtetërore shqiptare. Këtë duhej ta bënin në radhë të parë ata që qëndrojnë në vendet nga ku drejtohen punët e shtetit dhe fatet e kombit. Por qëndrimet e (ish)pushtetarëve, të partive, të politikanëve të Shqipërisë qenë tejet zhgënjyese. Diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës ishin bërë bashkëfajtore, në diskutimet rreth “Nismës Luksiç”, në vend që ta hidhnin poshtë menjëherë me indinjatë si tentativë për pengmarrje serbomadhe të pavarësisë shqiptare. Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, nuk dha shpjegim pse diplomacia e tij e mbajti fshehur “Nismën Luksiç”, ndonëse shtypi shkroi për “tradhtinë e fundit të Sali Berishës që firmosi në fshehtësi traktatin për krijimin e Jugosllavisë së re me Shqipërinë si republikë e gjashtë” (“Sot”, 27 tetor 2013). Ish- ministri i jashtëm, Aldo Bumçi, paraqiti “justifikimin” jo serioz se diplomacia e Shqipërisë e quante nismën malazeze të panevojshme, por marr pjesë në diskutimin e saj në Ohër dhe në korrik në Mal të Zi, meqenëse Serbia ngulte këmbë që të veprohej shpejt (“Sot”, 1 tetor 2013). Edhe ministri i jashtëm i qeverisë Rama, Ditmir Bushati, nuk e sqaroi opinionin për pjesëmarrjen e tij në diskutimin e tretë në Nju Jork në muajin shtator. Mekanizmi i reagimit publik, politik e historiografik, u vu disi në lëvizje me shkrimet e botuara ndërmjet datave 23 shtator e 3 tetor 2013, që përmbanin dhe thirrje si: “shqiptarët më mirë të pranojnë vdekjen, se jetën nën Serbi”, “larg nga bashkimi me armiqtë kombëtarë”, nga “fantazma e dalë nga pusi i së kaluarës”, etj. Heshtën për turp kanalet televizive, që zhurmojnë për gjithfarë gjepurash. Reagimi propagandistik u fashit pasi kryeministri Rama deklaroi: “Nuk ka asnjë projekt të tillë, qeveria e mëparshme ka plot faje, jo për këtë”. Por edhe pas kësaj deklarate deputetë shqiptarë shkuan në takimin e parlamentarëve të Ballkanit Perëndimor. Është e pasaktë të thuhet se, “nuk ekziston ndonjë projekt” i krijimit të “Unionit…”. Ai projekt ekziston qysh nga vitit 1844. Ekzistencën e tij e provojnë deklaratat politike. Presidenti i FYROM-it, Ivanov, është shprehur: “Të futemi në BE, pastaj flasim për union”. Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç ka thënë: “Një Jugosllavi e re është një iluzion. Ne kemi patur dy eksperimente me Jugosllavinë, të parën e të dytën dhe të dyja përfunduan në gjak. Në termat e një asociacioni politik, nisma e Luksiçit nuk ka asnjë kuptim” (“Sot”, 27.9.2013). Fjalët e Mesiçit na sjellin në kujtesë thënien profetike të kryeministrit të fundit të qeverisë monarkiste të Jugosllavisë, Dr. Subashiç: “Jugosllavia e dytë është Jugosllavia e fundit” (Ilia Jukiç “The fall of second Jugosllavia). Jugosllavia e dytë ka vdekur vërtetë. Por litari i arkivolit mbetet jashtë varrit. Vetëm një dekadë pas luftërave genocidale që shpërtheu Serbia në Ballkan, “Nisma Luksiç” shpalos dinakëri e hipokrizi, kur ende zbulohen varre masive të viktimave të agresionit serb e malazez në Bosnje e në Kosovë, kur nuk janë gjetur mijëra të zhdukur, nuk janë pastruar minat e mbjella nga ushtria serbe. Mbeten vepruese të gjitha ngatërresat që rrënuan ish-Jugosllavinë. Edhe Adem Demaçi, dikur ithtar i një “unioni” shqiptaro-serbo-malazez (“Ballkania”), tani shprehet ndryshe: “Neve nuk na intereson çfarë planesh bëjnë të huajt, të tjerët… Puna e Jugosllavisë njëherë e përgjithmonë ka mbaruar dhe ne shqiptarët kemi derdhur gjak dhe më vonë kemi festuar që kemi dalë nga ajo… Nëse shtetet sllave dëshirojnë të rijetësojnë këto plane atëherë ta bëjnë të vetme, pasi që shqiptarët nuk e kanë ndërmend të futen përsëri aty”. Por një pjesë e diplomacisë së Bashkimit Europian mendon ndryshe. Sekretari për zgjerimin, çeku Fyle, e ka përshëndetur “Nismën Luksiç”. Fyle dhe sllovaku Kukan, veqilë të politikës së BE-së në Ballkan (të formuar si diplomatë në Moskë), sillen si Çartoriskij e Zahu para dy shekujsh që nxitin krijimin e “Serbisë së Madhe”, në vend që hobin për bashkime të reja mbishtetërore në Europë ta kënaqin duke rikrijuar Çekosllovakinë e tyre të para 20 viteve. “Diplomacia Eshton”, gjithashtu, po krijon pështjellime të vazhdueshme, që çojnë në skeletizimin e mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës, çka është inkurajim për politikën serbomadhe. E Brukseli e pëlqen projektin e “Unionit…”, që të shtyjë për një kohë të pacaktuar zgjerimin e BE-së në vendet e fundit ballkanike, në radhë të parë në ato me shumicë të popullsisë autoktone myslimane, Kosovën e Shqipërinë. Brukseli nuk është gati të përqendrohet tek zgjidhjet reale të çështjeve boshnjake, shqiptare, maqedonase, prandaj parapëlqen t’i lërë 4,355,000 myslimanë shqipfolës, 1,903,000 myslimanë boshnjakë sllavishtfolës (Ina Merdjanova, “Rediscovering the Umma”, 2013 f.7,108) si pakica fetare në “Unionin..” e kontrolluar nga Serbia ortodokse. BE dhe SHBA shpresojnë se kështu mund ta nxjerrin Serbinë nga ndikimi i fuqishëm i Rusisë. Serbia po tregohet e shkathët që të përfitojë nga të dyja palët, si dikur Jugosllavia e Titos. Është më e dobishme të ndjekim logjikën e zëvendëskryetarit, të Knesetit (parlamentit) izraelit: “Gjatë gjithë historisë Izraeli është sjellë në punët e tij në atë mënyrë që t’i pëlqejë, ose të paktën të mos e fyejë, partnerin dhe aleatin e vet më të ngushtë, SHBA. Për kombin tonë të brishtë e me pozita të lëkundshme mbështetja amerikane ka qenë kyçi i suksesit dhe për këtë izraelitët janë të bekuar dhe përjetësisht mirënjohës. Por historia tregon se kur ne veprojmë vetë, sipas interesave tona më të mira, rezultatet janë më të mira jo vetëm për Izraelin, por për paqen në botë në përgjithësi. (Danny Danon “Israel. The will to prevail”, 2012, f. 1-2). E di edhe unë se nuk jemi në gjendje të sillemi si Izraeli. Por, kur tentohet të na fusin në suazën e “Serbisë së Madhe”, duhet t’i themi “JO” si atij që na shkurajon me trysni, ashtu dhe atij që na thotë se mund të përfitojmë. Besoj se kështu i shërbehet më mirë ruajtjes së identitetit dhe respektimit të dinjitetit shqiptar.