A ka Kushtetutë, Parlament dhe Qeveri shteti i Kosovës?

241

Nga Spartak Topollaj

(Vijon nga numri i kaluar)

Madje Serbia, është shteti evropian me raportet më të mira me Iranin e ajatollahëve, i vënë nën sanksione të forta nga bota perëndimore demokratike, për motive tashmë të njohura. Raportet e mira, që këto vende kanë me Serbinë ortodokse të masakrave në luftërat e viteve ’90-të, në një pjesë të madhe ndaj popullsive të religjionit islamik, si boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës, justifikohen plot hipokrizi prej tyre, nga miqësia me Titon, bashkëthemeluesin dhe Liderin e parë të vendeve të paangazhuara, nën idenë e gabuar se Serbia e sotme, nga që kryeqytet të saj ka Beogradin, është vazhdim i Jugosllavisë së dikurshme. Fakt është, se sot Kosovën e Pavarur e njohin 115 shtete, 110 prej të cilëve në vitet kur në Shqipëri qeveriste PD-ja (2005-2013) me kryeministër Berishën, e Ministër të Jashtëm Bashën, diplomacia e të cilëve punoi fort me SHBA dhe vendet kryesore të BE, për vetë fuqinë, peshën dhe rolin që ato kishin dhe kanë në politikën botërore, duke i dhënë përparësinë kryesore problemit më të madh kombëtar që kemi. Në pesë vitet e qeverisjes së majtë rilindase të kryeministrit Rama, Kosovën e pavarur e njohën vetëm pesë vende, ndryshe, vetëm një shtet në vit! Një tjetër shembull i shkëlqyer i përkushtimit për çështjen kombëtare, ishte edhe ndërtimi gjatë qeverisjes së PD-së, me Berishën kryeministër dhe Bashën e Olldashin, Ministra të Transportit, i Rrugës së Kombit, kësaj kryevepre madhështore me rëndësi jetike, historike dhe ekonomike. Nisur nga qëllime të mira, Brukseli dhe Uashingtoni rekomanduan nisjen e negociatave për normalizimin dhe njohjen reciproke mes dy shteteve, Republikës së Pavarur të Kosovës dhe Serbisë, duke ia bërë të qartë që në krye të herës serbëve, se pa e pranuar Kosovën e Pavarur, sipas Rezolutës 1244 të KS së OKB, njohur ndryshe si plani Ahtisaari, duhet ta harrojnë BE-në. Por si strategjia, ashtu edhe taktikat e përfaqësuesve të delegacionit serb, gjatë gjithë këtyre viteve të negociatave pa fund, madje edhe të mërzitshme për faj të tyre, kishin dhe kanë si Yll Polar, Yllin e Kuq të Kremlinit! Për të mos thënë asgjë, edhe në se është arritur diçka deri më tani, meritën kryesore e kanë SHBA dhe Gjermania, veçanërisht Kancelaria Merkel, që ka meritën e rakordimit të plotë me amerikanët deri në mbërritjen e një Marrëveshje Përfundimtare.

Nga ana tjetër, me një djallëzi në dukje naive, politikanët serbë, mendojnë, se si fytyrfortë që janë, do t’ia hedhin politikanëve e diplomatëve të regjur euroamerikanë, me alibira, e pretekste të pakapërdishme, teksa vononin p.sh. deri në kalendat greke, linjën e interkonjeksionit (një investim i madh ky i BE-së prej 60-80 milionë euro), apo dhënien e një prefiksi të vetin të telefonisë për Kosovën etj., etj. Të sigurt se burokratët e BE do të lodhen një ditë, se Administrata e re Amerikane e Presidentit Tramp, sipas tyre, nuk e ka përparësi Ballkanin Perëndimor dhe se Rusia putiniste po ringrihet fuqishëm ushtarakisht, madje shantazhon Perëndimin me furnizimin me gaz dhe naftë, establishmenti serb, nëpërmjet delegacionit të vet të kryesuar nga Vuçiç, sa herë shkon në Bruksel, paraqet kërkesa maksimaliste të ekzagjeruara dhe bën sikur lëshon pe në disa kërkesa sekondare e terciare të përfaqësuesve të Kosovës. Kjo lojë e tyre, e vjetër sa vetë shovenizmi sllav, e modifikuar me metodat ortodokso-komuniste, për të “dhënë” diçka, nga ato që historikisht nuk kanë qenë kurrë të tyret, duhet hedhur poshtë me neveri! Mitrovica e Veriut, me pasuri të jashtëzakonshme, që llogariten deri në rreth 200 miliardë Euro, Asociacioni i Komunave serbe në Kosovë (një mini Republika Srbska brenda saj), dhe pengimi me çdo kusht, deri dhe me nxitje revoltash të armatosura të serbëve të Kosovës, për të mos lejuar shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në ushtri të rregullt, deri më tani kanë qenë litari jashtë varrit, që serbët vazhdojnë pa u tërhequr aspak t’i kërkojnë në bisedimet e Brukselit. Pjesë e skenarit mbështetës për kërkesat, kinse të drejta të tyret, janë edhe vrasjet mafioze politike të liderëve lokalë serbë në Kosovë, siç qe së fundmi edhe atentati ndaj Oliver Ivanoviçit në Mitrovicën e Veriut më 16 Janar të 2018, të cilin, idiotët e propagandës vuçiniane, pa sukses, deshën t’ua vishnin shqiptarëve! Për shtimin e dukshëm të ndikimit rus në Ballkan, tashmë jo vetëm nuk duhet heshtur, por duhet ngritur zëri në kupë të qiellit dhe dhënë alarmi. Kështu u vërtetua katërcipërisht roli i Rusisë dhe agjentëve të saj në organizimin e Grushtit të Shtetit të dështuar në Mal të Zi, përzierja përsëri e rusëve në ngjarjet e rënda në Kuvendin e Maqedonisë, ku u gjakosën deputetë, përfshi dhe kryeministrin aktual Zoran Zaev, dhe shpëtoi nga vdekja pas rrahjes barbare deputeti e kryebashkiaku shqiptar i Strugës, Zijaudin Sela. Ndërhyrje ruse ka pasur e ka edhe në Bosnje – Hercegovinë, por më intensive e më e rrezikshme ajo është bërë pas ngritjes së një baze spiunazhi rus, pranë aeroportit të Nishit, Autostradës së Korridorit 10 dhe ngjitur me ambientet e Naftna Industrija Serbije (aksionere kryesore e Gazpromit rus), maskuar pas emrit të bukur Qendra Humanitare Ruso-Serbe?!!! Qëllimi kryesor i saj është përgjimi i KFOR-it dhe bazës amerikane të Bondstill-it. BE i kërkoi Serbisë mbylljen e bazës, por ajo, jo vetëm se mbylli atë, përkundrazi, ajo po bëhet gati të lejojë edhe hapjen e një baze të dytë, kësaj here në Ecka të Vojvodinës, për të monitoruar nga afër veprimet e dy vendeve të NATO-s, Hungarisë dhe Rumanisë. Së fundi, për nga radha, por jo edhe për nga rëndësia, ështe rritja e ndikimit rus në Shqipëri, nëpërmjet shtimit të bizneseve ruse, numrit të turistëve, blerjeve të trojeve në bregdet dhe riaktivizimit të agjenturës së tyre të vjetër apo bijve të tyre, pjesë e krahut nostalgjik filosovjetik Stalinist të së majtës shqiptare, i cili duket që është ende i fortë, ashtu si dhe e ka përcaktuar kohë më pare, gjeniu i kombit, Ismail Kadare! Por ajo që ka ndodhur këto javët e fundit me Presidentin Thaçi, jo vetëm ka befasuar, por edhe ka tronditur gjithë opinionin publik të kombit. Si një rrufe në qiell të hapur, ra, deklarata e parë e tij, se në negociatat me Vuçiç-in, është hedhur edhe opsioni i ndarjes së Kosovës dhe se kjo me kushtin, gjoja të pranimit nga Serbia, të asaj që ka mbi dhjetë vite që është bërë fakt i kryer, Pavarësia e Kosovës. Reagimi ishte i tillë, kuptohet, ashtu si edhe duhej e ashtu si edhe pritej, ndaj dhe Thaçi “korrigjoi” vetveten, teksa tha; se e kanë keqkuptuar dhe se po bisedohet vetëm për korrigjim të kufijve, e jo për ndarje! As më pak e as më shumë kjo s’është gjë tjetër, veçse tradhti kombëtare, që ka lënë pa mend të madh e të vogël në trojet shqiptare e në diasporë. A ka Kushtetutë, Parlament dhe Qeveri shteti i Kosovës? Kush institucion ia jep të drejtën Thaçit, të bëjë pazare me serbët, për tregti me klering të trojeve shqiptare, të lara me gjakun e mijëra e mijëra të vrarëve. Si iu dhënka kaq lehtë Mitrovica e Isa Boletinit, Vuçiçit?! Natyrisht, kjo s’ka për të ndodhur kurrë dhe turpi e marrja do i mbulojë ata që tentuan ta bëjnë. I pari që ngriti zërin dhe doli haptas ndaj këtyre deklaratave të Thaçit, ishte doktor Berisha, por Thaçi, ky enverist i djeshëm, e “atdhetar” i thekur sot, i prekur në sedrën “patriotike”, nuk vonoi t’i përgjigjej z. Berisha, me gjuhën dhe akuzat e mikut të vjetër të tij, Fatos Klosit. Ishte po ky Hashim, që gjatë dy mandateve të doktor Berishës si kryeministër, nuk la rast pa humbur, për t’iu drejtuar me superlativa atij, për vlerat dhe punët e mëdha që bëri. Hipokrizi, që na kujton Enverin me qëndrimet e njohura dyfytyrëshe të tij ndaj Titos, Hrushovit dhe Maos. Fundja në rininë e tij, edhe Thaçi e kishte idhull “Qoftëlargun”, paçka se ai e shiti herët Kosovën, duke mos folur pothuaj kurrë për të, gjatë më shumë se 30 viteve, ndërkohë që në famëkeqen “Zëri i Popullit”, çdo ditë kishim lajme për tributë e Afrikës, indigjenët e Amerikës, maorët e Australisë, apo eskimezët e Groenlandës. Kush ia ka lënë Thaçit këto 1000 km2, që kaq “bujarisht”, do t’ia japë Vuçiçit të Serbisë?! Çfarë e mban peng Thaçin, Gjykata Speciale, apo ajo e Hagës, që ne nuk do të donim ta besonim kurrë?! Në se po, le të paraqitet burrërisht e vullnetarisht si kryeministri Haradinaj, e të pastrohet nga akuzat tip Dik Marti, apo Karla Del Ponte. Po heshtjen e Ramës, si duhet ta kuptojnë shqiptarët? Apo ai dhe Vuçiçi nuk dinë gjë, se Hashimi e paska bërë me kokën e vet!? Burime të denja për t’u besuar, shkruajnë se kjo projekt-ide është e plakut Soros, dhe nuk duket aspak e çuditshme, apo një koincidencë që vetëm pak javë më parë, mysafir nderi i Ramës në super rezidencën luksoze verore të Enverit në Vlorë, ishte Soros Junior. Mirëpo në “trekëndëshin ballkanik” të Bermudës që krijuan, Rama –Thaçi–Vuçiç, mund të mbyten të vetëm, pasi, askush nga të mëdhenjtë e Botës, nuk i përkrahu, madje u deklaruan rreptësisht kundër saj, siç u deklaruan opozitarët në Kosovë e Shqipëri, të gjithë fqinjët pa përjashtim, madje dhe vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që u shpreh se korrigjimi i kufijve, bëhet vetëm me luftë! Por le t’i kthehemi edhe njëherë Vuçiçit, këtij miku të Ramës, dje Ministër ujk i Dezinformimit me Sllobon e Shesheljin, e sot i konvertuar në qengj presidencial i serbëve. Si duhet ta ketë informuar botën ky ministër, kur ushtarët e Armatës, policët, paramilitarët e Zhelko Raznatoviç Arkanit, mercenarët rusë etj., kryen tetë masakrat e mëdha në Kosovë: E Prekazit (ku u masakruan 56 Jasharajt, me legjendën Adem Jashari në krye), e Reçakut(me 45 të masakruar, kjo e denoncuar botërisht nga ambasdadori amerikan i OSBE, William Walker), e Izbicës, e Rezallës, e Dubravës, e Krushës së Madhe (Rahovec), e Rugovës së Hasit dhe e Studimes (Vushtrri). Dhe ja pasojat e krimeve serbe në Kosovë: 11.843 të vrarë (1.392 fëmijë dhe 1.739 femra). Dëshmorë 2.261 (68 nga Shqipëria). Ende të pa gjetur 1.450. U dhunuan 20.400 femra. U shkatërruan 188.000 ndërtesa (shtëpi, shkolla, kopshte, çerdhe, qendra shëndetësore, qendra kulturore, biblioteka, xhami, kisha katolike etj) dhe u deportuan me dhunë 792.000 (mbi 500.000 në Shqipëri, ku ne dhamë një shembull të paprecedent; madje për Guiness, të mikpritjes vëllazërore) Në se llogarisim edhe masakrat e krimet e tmerrshme serbe në Kroaci, e Bosnjë-Hercegovinë, si ato të Vukovarit apo Srebrenicës, na duhet të themi se mes khmerëve të kuq në Kamboxhian e Pol Pot-it, Jeng Sarit, Khieu Samphanit etj., miq të diktatorit tonë Enver Hoxha dhe serbëve të Milosheviçit, Karaxhiçit, Mlladiçit, Sheshelit, Vuçiçit, Daçiçit, Arkanit etj., ka pak, për të mos thënë aspak ndryshim. Tani Rama, le ta quajë përsëri mik Vuçiçin dhe Thaçi, në e lëntë kush, le të tentojë të bëjë pazare të pista e antikombëtare me të, Vuçiç-i, nga ana e tij, mendon se është Stalini i 1939-1940-ës, i cili propozonte provokueshëm shkëmbim territoresh me Finlandën, pas refuzimit të së cilës, e sulmoi brutalisht atë, por aty la kockat e 132.000 ushtarëve agresorë rusë. Presidentin serb, mund ta frymëzojnë edhe deklaratat e pak ditëve më parë të Shefit partiak të djeshëm, famëkeqit Sheshelj (të cilit Haga ia ka “ndaluar” të merret me politikë), se serbët, mund të mbërrijnë me luftë deri edhe në Durrës! Nëse, ende nuk janë mbushur me mend, pas turpërimit shembullor nga luftëtarët shqiptarë dhe bombardimet e NATO-s, le ta provojnë përsëri, madje, vetë ata të parët, si trima të mëdhenj që qenkan, le të lidhen me zinxhirë si mburoja njerëzore në urën e rindërtuar në Beograd, e t’ua venë gjoksin Tomahoukëve e Kruizëve amerikanë!

(Historian, analist, ambasador dhe diplomat i karrierës)