A jemi një vend i lirë e demokratik?

638
Nga Artur AJAZI

Duke parë në retrospektivë zhvillimet politiko-sociale në Shqipëri, gjithkush mund të pyesë seriozisht se, “A jemi ne, një vend i lirë dhe demokratik?”. Kjo pasi në një vend të lirë dhe demokratik, vazhdimisht debati politik, dhe veçanërisht në prag të fushatave elektorale duhej të ishte fokusuar tek programet e partive, alternativat dhe platformat politike që ofrojnë, tek stafet e tyre që nesër të mund të pretendonin për qeverisjen e vendit. Në një demokraci të brishtë (edhe pas 27 vitesh) si kjo jona, debati politik gjithmonë po kthehet në konflikt politik mes palëve , duke sjellë para popullit votues skena dhe shije të pështira. Një gjë e tillë ndodh edhe kur bëhet fjalë për rregullin më kryesor të lojës politike, siç janë zgjedhjet. Në Shqipëri përgjatë këtyre 27 viteve, kurdo që janë bërë zgjedhje, si ato vendore, apo ato parlamentare, gjithmonë ka patur probleme, pasi nuk janë zhvilluar kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo në kuptimin që, pothuajse të gjithë kandidatëve u garantohet pjesëmarrja në garë, por në fushata u imponohet votuesve, të votojnë kundra vullnetit në qendrat e votimit. Diçka tjetër që është konstatuar është fakti se, pavarësisht garantimit dhe pjesëmarrjes së subjekteve politike në zgjedhje, fushata është karakterizuar nga përdorimi i mjeteve të paligjshme nga shumica që ka pushtetin. Paligjshmëria e mjeteve të përdorura nga pala që ka pushtetin në fushata, ka një gamë të madhe, duke nisur nga përdorimi i administratës publike, paratë e pista burimi i të cilave është i dyshimtë, blerja e votave, zgjidhja e padrejtë e mosmarrëveshjeve elektorale, premtimet për tendera dhe koncesione në këmbim të votave, apo përdorimin e personave me precedentë penalë në fushata për të mbledhur vota. Por arsyet më kryesore përse gjatë këtyre 27 viteve nuk janë zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, është edhe fakti se palët politike në Shqipëri nuk kanë pasur kurrë kundërshtime parimore, por thjesht personale, pasi palët i janë referuar rregullave dhe e kanë zbatuar ligjin, kur kanë pasur interesin e tyre. Sigurisht kjo situatë ka sjellë humbjen e besimit për procesin zgjedhor, duke bërë që pala me pushtet të përdorë mjete të paligjshme për ti sjellë asaj sërish avantazhin politik. Në situatën që po kalon vendi, kur palët janë zhytur në krizën e thellë të mosbesimit, (me akuza dhe kundërakuza) mënyra më e mire, është ndërtimi institucioneve të pavarura për të garantuar zbatimin e ligjit, pasi ligji dhe zbatimi i shtetit ligjor është garancia për zbatimin e rregullave të lojës në një vend me demokraci. Mungesa e institucioneve ligjzbatuese, ka sjellë situatën aktuale, kur palët nuk po bien në ujdi dhe nuk po garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ligji dhe garancia për zbatimin e drejtë të tij, nuk ka qenë i garantuar, dhe partitë politike në Shqipëri kanë synuar ta politizojnë çdo institucion apo drejtues institucioni. Deri sot nuk mund të gjendet asnjë rast i vetëm, kur partitë politike, të spikatin duke ju përmbajtur ligjit dhe zbatimit të tij, pavarësisht ndryshimit të pushtetit. Tek ne, problemi zgjedhjeve të lira e të pandershme mbetet një problem kronik, që është kthyer në strukturë dhe kulturë politike. Për pasojë, çdo protestë për sigurimin e mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duhet mbështetur pasi i shërben të ardhmes së demokracisë. 
Sigal