A janë të pa kritikueshëm Universitetet Shtetërore?

1123
Alqi NAQELLARI
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Universitetet e Tiranës kanë qenë dhe mbeten qendra kryesore e dijes në Shqipëri. Ato kanë një histori të lavdërueshme. Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957 dhe kishte në përbërjen e tij 6 fakultete. Në vitin 1991, nga ky universitet, në atë kohë me 11 fakultete, u shkëputën fakultetet e inxhinierive, duke krijuar Universitetin Politeknik dhe Universitetin e Tiranës. Universiteti i Tiranës përbëhet nga 6 fakultete pas largimit në janar të viti 2013 të Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore. Në këtë mënyrë historia e UT ndahet në dy periudha, e para, nga viti 1957 deri në vitin 1990 dhe nga viti 1990 e deri në ditët e sotme. Historia 60 vjeçare e këtij Universiteti nuk i përfshin të gjitha Fakultetet, në këtë kuadër nuk përfshin as Fakultetin e Ekonomisë për të cilin do flas në këtë shkrim. Deri në 90 në Fakultetin e Ekonomisë është dhënë teoria e Ekonomisë së centralizuar me bazë shkollën ruse, dhe ka pasur profesorë të nderuar, korifenj të mendimit ekonomik shqiptar si Vladimir Misja, Sabah Hilmia, Edmond Luçi, Hekuran Mara, mikun tim Aristotel Pano, Thodhori Bej, Priamo Bollano, Jani Fullani, Selfo Kukën, Veli Mullarajn, Lefter Kriqi, Kadri Zhulali etj, etj, etj. Këtu bëjmë fjalë për periudhën e dytë pas viteve ’90 kur ekonomia shqiptare u fut në shinat e ekonomisë së tregut, për pasojë ndryshoi edhe infrastruktura mbështetëse arsimore e këtij sistemi. Në këtë mënyrë UT-ja (F. I Ekonomisë) nuk ka ndonjë diferencë të madhe në vjetërsi me Universitetet e tjerë shtetërore apo private. Në këtë mënyrë nuk është argument eksperienca dhe vjetërsia e tij për ta bërë këtë universitet më cilësor se të tjerët. Akreditimi institucional i Universiteteve e ka renditur në vend të fundit Universitetin e Tiranës, ndërsa në vend të parë një universitet privat. Kjo renditje ka revoltuar stafin akademik të këtij universiteti, dhe partizanët e tij, duke bërë që thuajse për çdo ditë të ketë debate në televizione dhe artikuj në shtypin e përditshëm. Në debate ka dy palë, njëra palë që mbrohet dhe vazhdon të theksojë, se UT dhe përgjithësisht Universitetet shtetërore janë më të mirët dhe një palë tjetër që i kritikon ata duke mbrojtur universitetet private. Së fundi, debatet po bëhen më të ashpra, aq sa shpesh herë kanë dalë edhe nga fjalori normal i një qytetari të zakonshëm dhe jo më i një pedagogu apo të një përfaqësuesi të një universiteti. Universitetet private, pa asnjë lloj baze, pa asnjë lloj argumenti, por thjesht me opinione dhe muhabete klubesh po mallkohen dhe po akuzohen në mënyrën më ekstreme të mundshme, a thua se në këto Universitete nuk punojnë pedagogë të nderuar që punojnë njëkohësisht edhe në Universitetet Shtetërore, a thua se nga këto universitete dalin vetëm injorantë dhe jo personalitete të ekonomisë dhe shkencës shqiptare që e kanë nderuar Shqipërinë edhe jashtë kufijve të saj? Shikoni se sa cinik dhe i pa përgjegjshëm që tregohet një pedagog i Universitetit të Elbasanit me kolegët e tij, që janë me qindra njerëz të nderuar që kontribuojnë në edukimin shkencor të brezit të ri: “Universitetet private ishin dhe janë vendi i shkëlqyer për të marrë një diplomë, sepse aty nuk ekziston prova. Studenti në një universitet privat nuk i nënshtrohet provës, ai është një spektator që sheh gjithë paradën mediokre të shkëlqimit të universitetit të tij, i cili boton libra, bëhet qendër debatesh mes kokoroshëve shqiptarë, fton të huaj që vijnë marrin një dorë lekë në Shqipëri dhe studentët, duke qenë spektatorë, marrin pak edhe nga shkëlqimi i dritave të reklamave pa asnjë përmbajtje që bën universiteti i tyre… Ndaj, universitetet private, si çdo investim privat në Shqipëri, janë sipërmarrje që mbështeten te fitimi i shpejtë dhe i thellë dhe këtu janë në të drejtën e tyre, sepse çmimet i vendos tregu… Nga këto universitete nuk promovohen profesionistë, por djem dhe vajza që familja u ka bërë nga një dhuratë prej 10 mijë eurosh… Në Shqipëri diploma blihet dhe universitetet private shqiptare e shesin”. … Këto thotë ky pedagogu i Elbasanit që lavdëron një Universitet në Rumani që e paska ftuar si lektor dhe ofendon në mënyrë të shfrenuar universitetet shqiptare. Turp që përgojon njerëz të nderuar e të respektuar. Kanë ikur kohërat kur pronarët ndanin diploma. Në universitetet private sot kontribuojnë pedagogë që janë akademikë me tituj dhe grada shkencore, të marrë me punë dhe jo me para apo me mënyra të tjera. Në universitetet private punojnë njerëz që kanë me dhjetëra vite eksperiencë dhe jo si në disa nga Universitetet shtetërore ku merren pedagogë, studenta apo studente që sapo kanë mbaruar masterin. Në Konferencën e dhjetorit që u mbajt në Elbasan kemi dalë nga salla me revolt se pedagoget e Durrësit nuk dinin se çfarë ishin taksat, pedagogë të Universitetit tuaj ishin fodullë që u paraqitën me rreth një orë vonesë dhe që ishin nga më të dobëtit e panelit. Në universitetet shtetërore sundon nepotizmi që juve nuk ju vjen mirë tua përmendësh. Nëse del një ligj për nepotizmin një pjesë e universiteteve shtetërore do kenë problem me stafin. Pikërisht në disa prej këtyre universiteteve janë bërë monopol kualifikimet, shërbimet jashtë shtetit, marrja e gradave dhe titujve shkencorë dhe jo në universitetet private. Në këto universitete janë bërë doktorë e profesorë një farë takëmi doganierësh, taksidarësh, hipotekarësh, e shtetarësh të rangjeve të ndryshëm. Universiteti Tiranës nuk është tabu, nuk është i pa prekshëm, i pa kritikueshëm, elitë e universiteteve shqiptare. Ai është njësoj si universitetet e tjerë, me të mirat, arritjet dhe me dobësitë e veta. Është hera e parë që ky universitet kritikohet dhe vlerësohet publikisht prandaj edhe duhet të reflektojë dhe jo të hidhet në sulm për tu mbrojtur duke thënë se ne jemi më të mirët. 

Cilat janë disa nga pikat e dobëta që kanë universitetet shtetërore, sipas gjykimit tim?
1. Kualifikimi i pedagogëve në mbështetje të ekonomisë së tregut. Një pjesë e tyre e kanë mbaruar universitetin para viteve 90, në këtë mënyrë kanë dobësi në teorinë e ekonomisë së tregut. Kanë bërë kualifikime pas vitit 1990 dhe më vonë nuk kanë lexuar më, kanë mbetur me të kaluarën 
2. Nepotizmi është karakteristikë e Universiteteve shtetërore dhe jo private. Në gazetë kam lexuar para disa viteve për nepotizmin ekstrem në disa prej universiteteve shtetërore. Te privati nuk ka nepotizëm. Privati i do pedagogët me tituj dhe grada shkencore duke zbatuar me korrektësi udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, mbi pedagogët me dhe pa grada shkencore, të brendshëm dhe të jashtëm etj.
3. Mitmarrja është karakteristikë e Universiteteve shtetërore dhe jo private. Korrupsioni në universitetet shtetërore është evident, që nga pedagogët e Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Tiranës, Bujqësorit etj. janë akuzuar për mit marrje. Nuk është akuzuar ndonjë pedagog i universiteteve private. 
4. Shitja e teksteve me listë është karakteristikë e universiteteve shtetërore dhe jo private. Një tekst i Rektorit në UBT para disa viteve vetëm 100 faqe shitej 1000 lekë të reja, teksti i Rektorit në Vlorë u ble edhe nga studentët e historisë e gjeografisë që nuk kishin lidhje fare me të. Në universitetet private askush nuk të detyron ta blesh tekstin me listë, pavarësisht se kush e ka hartuar atë.
5. Dhënia mësim si pedagog i jashtëm është karakteristikë për pedagogët e universiteteve shtetërore dhe jo private. Sa vjen shtatori, thuajse të gjithë pedagogët e Tiranës, vrapojnë te privati për të punuar si të jashtëm. Nuk vrapojnë pedagogët e universiteteve private, sepse te shteti pagesa për një orë është shumë e ulët. Te privati nuk të del koha që të shkosh të japësh mësim edhe në universitet shtetëror, sepse gjithë koha thuajse është e zënë me aktivitet mësimor e shkencor.
6. Lënia e asistentëve për të bërë mësim është karakteristikë e pedagogëve të universiteteve shtetërore dhe jo private. Kur unë kam punuar tani vonë në një universitet shtetëror pedagogun kryesor për dy muaj nuk e pashë asnjëherë, por pashë vetëm asistentin e tij, bile në disa raste nuk vinte as asistenti. Kjo ndodh sepse ata janë të angazhuar njëkohësisht në disa universitete.
7. Universiteti Tiranës (FE) nuk ka ndonjë eksperiencë shumë më të madhe se Universitetet e rretheve apo ato private. (Nga Universitetet private mund të përmendim: 2005 Marin Barleti, UFO University 2004, Luarasi në 2003 etj). Në këtë mënyrë bije eksperienca “e madhe “ e pedagogëve të Tiranës.
8. Disa nga tekstet janë hartuar që në vitet 1998 dhe nuk janë rishikuar më. Të drejtën e botimit e kanë shtëpitë botuese dhe autorët herë pas here marrin ndonjë shpërblim. Qenia e tyre në qarkullim edhe pas rreth 20 vitesh përbën një problem për studentët dhe për pedagogët e rinj që punojnë me këto tekste. Këto tekste duhet të dalin nga qarkullimi dhe të futen tekste të rinj të kohës. Në këto tekste ka mangësi të theksuara njohurish, aq sa, për gjykimin tim, një pjesë e tyre duhet të jepen në shkollë të mesme dhe jo në Universitet (si teksti H E).
9. Ka tekste që nuk përputhen me statusin e ekonomisë shqiptare si një ekonomi e vogël e hapur. Studiohet teksti i MN që është për ekonomitë e mëdha e të hapura siç janë SHBA, Gjermani, Kinë, Japoni, Rusi etj, dhe jo për për ekonomitë e vogla. Këto tekste nuk i hyjnë në punë njeriu për ndonjë aplikim shkencor, por mund të përdoren vetëm për krahasime. Këto dobësi vërehen në analizat që bën Banka Qendrore, Qeveria etj.
10. Universitetet private botojnë çdo vit përkthime të teksteve më të mira të autorëve më me emër në botë, kanë marrë edhe ekskluzivitetin e mjaftë teksteve që dikur i kishin universitetet shtetërore. Universitetet shtetërore nuk kanë fonde për pasojë fond ii tyre është i kufizuar në krahasim me universitetet private. Në universitetet private qarkullojnë të gjitha tekstet e universitete shtetërore, ndërsa në universitetet shtetërore nuk qarkullon asnjë tekst i universiteteve private sepse “pedagogët” duan të shesin tekstet e tyre. Askënd nuk lejojnë të punojë me tekste të tjera.
11. Disa nga tekstet kanë mos përputhje midis teorisë dhe tekstit të ushtrimeve. Kjo ndodh në njërin prej teksteve të përmendura më sipër. Nëse do shikosh një tezë provimi në HE dhe të mundohesh ta zgjidhësh me tekstin e teorisë nuk do t’ia dalësh dot asnjëherë, sepse teksti i teorisë është shumë i kufizuar. Sot të gjitha universitetet shtetërore, me përjashtim të UT e kanë ndarë Ek 1, Ek 2 në dy semestra dhe Ek12 dhe Ek22 në dy semestra të vitit të dytë. Kjo ndarje përputhet edhe me ecurinë e lëndëve të tjera siç janë matematika dhe lëndët e financave.
12. Disa tekste janë përkthime të thjeshta që kanë me mijëra gabime ortografike dhe me dhjetëra fjali dhe paragrafë të pa kuptueshëm. Teksti i MN në një universitet shtetëror është përkthyer nga teksti i G. Mankivv. Teksti duket se është përkthyer nga studentët, sepse ka me mijëra gabime ortografike dhe me dhjetëra koncepte të përkthyera gabim. Teksti KM i Tiranës ka me mijëra gabime ortografike dhe shprehje të tëra të pakuptueshme.
13. Ka tekste studentësh që fillojnë me reklama të kompanive celulare. Teksti KM i UT.
14. Ka tekste që nuk janë përshtatur në shqip, për kompani shqiptare por kanë mbetur me kompanitë amerikane dhe emrat e Xhimit dhe të Xhonit. Këto janë me dhjetëra e nuk po përmend ndonjë.
15. Nuk ka tekste për disa nga lëndët më të rëndësishme. Nuk është normale që në shekullin e 21-të të mos ketë tekste për disa nga lëndët kryesore siç janë; Mikroekonomia e Avancuar, Modelet matematike të rritjes ekonomike, Ekonometria e Avancuar etj, etj.
16. Nga Universitetet shtetërore po largohen çdo vit e më shumë studentët. Askush nuk e ka përmendur nga pedagogët debatues këtë fakt shumë të rëndësishëm për ecurinë e Universiteteve shtetërore. Nga Universiteti i Tiranës çdo vit po largohen me qindra studentë. Vetëm këtë vit nga ky Universitet janë transferuar në UM mbi 100 studentë. Ky problem është edhe për universitetet e tjerë shtetërorë, 50% e të transferuarve janë nga UT, 20% nga U. A. Moisiu dhe 20% nga Bujqësori. Vetëm 10% janë nga universitetet e tjera private. 
Nuk por shkruaj për kurrikulat, syllabuset e programet, sepse përbëjnë një temë më vete.
Përfundimisht gjykoj, se të gjithë kanë nevojë për kritikë, kanë nevojë të reflektojnë. Kritikat të mos merren si hakmarrje, si fyerje por si shkak për reflektim. UT dhe të tjerët duhet ta falënderojnë ekipin anglez që e pati i pari kurajën ‘të vendosë pikat mbi i’ për Universitetin e Tiranës. Boll më me lavdërime të tipit: Ata janë më të mirët, ata janë elitë. Më të mirët sot janë ata që derdhin djersë, që reformohen, që reformojnë edhe veten e tyre, që përshtaten me ecurinë e shkencës bashkëkohore.
Sigal