A është normale kjo “algjebër mendore” e individualistit?!

757
Sigal

Gëzim TUSHI  

Padyshim që një nga fitoret e mëdha, edhe pse gjysmake dhe me të meta është fakti që shoqëria shqiptare përfundimisht është në dallgët e mëdha e turbullta të një “revolucioni individual”. Thelbi i të cilit është se më në fund edhe ne shqiptarët kaluam nga “koha pa kohë” e shoqërisë së madhe në “kohën e individit”. Besoj se nuk është e largët koha për të harruar ato pasoja e rreziqe që na erdhën si shoqëri nga mbivlerësimi mekanik e dogmatik për gati gjysmë shekulli të socialitetit, kolektivitetit dhe dominancës me dhunë të epërsisë së mendimit kolektiv mbi aftësitë individuale të njeriut. Kjo nuk është pak për t’u vlerësuar drejt ky “revolucion social”, për t’u parë në efektet e tij ashtu si duhet, në përputhje me imperativat e kohës e rregullave të funksionimit të shoqërisë postmoderne shqiptare. Megjithëse duke parë situatën e sotme sociale, mund të themi se kapërcyem përfundimisht nga “robërimi social” i shoqërisë që nuk pranonte të drejtën e “unit” individual të njeriut, por nga ana tjetër jemi duke e çuar me shpejtësi drejt njeriut që shfaq egoizmin ekstrem i cili tenton me agresivitet të bëhet trajtë qendrore e tipar bërthamor në jetën e individit. Por nga ana tjetër, me gjithë dëshirat supersociale që vijnë si reminishenca nga shoqëria e dikurshme me solidaritet social mekanik të imponuar apo nga çrregullimet e sotme antisociale, është e sigurt që kjo kohë e “revolucionit individual” nuk mund të bëjë më hapa pas. Por nga ana tjetër ky “revolucion social” po shoqërohet me shqetësime të mëdha urbane, qytetare, që kanë marrë trajtën e një krize të thellë të strukturës dhe funksioneve obligative të shoqërisë, e shoqëruar me probleme të forta e shqetësuese të keqkuptimit të lirisë dhe identitetit qytetar të individit. Kjo është arsyeja që në shoqërinë tonë tani ndihen dhe përballemi përditë me shumë anomali sociale e veprime eksentrike individuale, me zgjerim të numrit të njerëzve të paekuilibruar, anti-qytetarë, kriminalë, asocialë që tregojnë se në mënyrë fare evidente, se këto situata sociale që na shoqërojnë në një farë mënyre e bëjnë tipike për shoqërinë tonë, atë që është tipike për të gjithë epokën e postmodernitetit, dhe që ka të bëjë me lulëzimin e pakontrolluar të individualizmit të shfrenuar, patologjik, jashtë çdo kontrolli të levave sociale, e shoqëruar masivisht me përhapjen në zgjerim të vazhdueshëm të ndjenjës së reduktimit të gjithë dimensionit social të qytetarit në “kufijtë e ngushtë” të egoizmit personal dhe narcisizmit individual.

Ky kuptim i thjeshtëzuar i “identitetit”, që në pamje të parë duket paradoksal dhe anomali sociale e ditës, është pasojë e madhe e natyrës së shoqërisë postmoderne shqiptare. Është kjo shoqëri, janë rregullat e saj që i kanë dhënë këtë spunto ekstreme individualizmit, garës së ethshme, ambicieve ngushtësisht personale, konkurrencës së fortë të personalizuar, nevojës këmbëngulëse të njeriut për famë, lavdi, sukses, para. Sipas mendimit tim, kjo është arsyeja e zgjerimit të deformimeve, pothuaj ontologjike të kuptimit të identitetit për qytetarët e sotëm, shumëfishimit të kulturës së narcisizmit individual. Le t’i lëmë mënjanë dëshirat subjektive, utopitë sociale që na vijnë nga e kaluara, por që në kohën e sotme kanë dalë jashtë përdorimit dhe mund të gjenden vetëm në “muzetë e kohës së kaluar”. Tani jetojmë në kohë të reja të zhvillimit të vrullshëm të “revolucionit individual”, i cili i ka dhënë atij hapësira të gjëra, përtej kornizave të vjetra të kuptimit të dimensionit social të shoqërisë. Duhet të jesh i verbër ose tejet naiv, që të mos kuptosh e pranosh se thelbi i “revolucionit individual” është gjithpërfshirës, për këdo që nuk do të mbetet i margjinalizuar apo i dështuar në këtë jetë, që e ka bërë tendencën e vetërealizimit vlerën më të madhe të njeriut, i cili është gati që për qëllimet personale, nevojat utilitare dhe kërkesat materiale të sakrifikojë çdo tendencë të moralitetit social  dhe angazhimit social ndaj të tjerëve. Mundet të mos na vijë mirë, madje mund të mos jemi plotësisht dakord me këto përcaktime, por realiteti është kokëfortë dhe tregon qartë, hapur, pa mëdyshje e sentimentalizëm, se është koha e sotme postmoderne e cila ka aftësi të gjëra, për të ndikuar në përhapjen e formave më egocentrike të realizimit të suksesit të ngushtë, vetërealizimit të qëllimeve individuale, duke bërë që pikëpamjet morale të njeriut postmodern të bëhen gjithnjë e më shumë të pavarura nga arsyeja humane e sociale. Njeriu individualist, egoist dhe narcist i epokës postmoderne e ka më për udhë të besoj në karakterin subjektivist të vlerave sociale e morale, të cilat do të mbeten në trajtën e projektimeve të thjeshta subjektive e të personalizuara.

Padyshim natyra e shtyrë e individualizmit është një tregues i të vërtetës, që në kohën e sotme njeriu më shumë se ka nevojë të vlerësojë opinionet për të tjerët, i duhet të ketë kuptim të qartë për besimet dhe opinionet e tij. Duam apo jo ky faktor është kusht ekzistencial për sigurimin me çdo çmim të nivelit sa më të lartë të individualitetit dhe vetëvlerësimit të vetes. Por sigurisht duke arsyetuar kështu, nuk mund të mos themi dhe të evidentojmë nevojën e progresit individual dhe kuptimit të individualitetit në kufijtë e mundshëm të disa rregullave e normave qytetare. Zhvillimet kaotike në shoqërinë tonë, na detyrojnë të mendojmë se ky është problem që duhet vlerësuar, sepse me sa duket shoqëria jonë është duke rënë në “grackën ekstreme” dhe me sa duket në se vazhdojmë me kokëfortësi dhe pa asnjë reflektim social në këtë rrugë, ka rrezik që kjo tendencë mund t’i çojë këto situata deri në pikën, kur njeriu me individualitet të çakorduar e tejet egoist e narcizist, të braktisë e t’i konsiderojë të papranueshme të gjitha lidhjet sociale me të tjerët, të abandonojë krejtësisht gjithë spektrin human të kërkesave normale morale.  Nuk duhet menduar në mënyrë reduksioniste apo duke u solidarizuar me mendjelehtësinë sociale të përhapur kohët e fundit në shoqërinë tonë, sipas të cilës këto fenomene që po shtohen dhe agravohen janë të natyrshme dhe vijnë nga nga fakti, që është vetë shoqëria që e “detyron” njeriun ta shikojë veten dhe të vlerësojë identitetin e tij vetëm në raport me suksesin personal, paranë e fituar, famën personale, karrierën, familjen e tij të ngushtë (bërthamore). Në këto kushte është evident rreziku që nga proceset kaotike të fragmentimit social, të kemi njerëz të paaftë për të formatuar një shoqëri, e cila minimalisht duhet të ketë medoemos një qëllim të përbashkët për njerëzit qa janë anëtarë të saj. Mbi të gjitha mundësinë për të vënë në jetë qëllime me natyrë e fokus social.  Kjo do të thotë se na duhet shumë punë për të bërë të kuptueshme nevojën e lidhjes midis individit dhe rolit dhe atributeve sociale të tij. Sepse është e vërtetë që “urat sociale” të jetës në një shoqëri me publik të fragmentuar bëhen më të brishta, të pasigurta dhe për pasojë nxitet individualizmi, egoizmi, narcizmi  apo vetëpëlqimi i njeriut, që në këtë rast më shumë ecën me sytë nga vetja dhe nga qielli se sa me këmbë në tokë dhe në marrëdhënie me të tjerët. Kjo është “algjebra mendore” e njeriut të kohës së sotme, që mbivlerëson vetëm veten ngushtësisht dhe nënvleftëson nevojën e integrimit  social të jetës. Në shoqërinë shqiptare ka një rendje pa fre drejt formave ekstreme të individualizmit, deri në nivelin kur po bëhet sundues mentaliteti se për të nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë “normë sociale” rregullatorë.  Kjo është arsyeja pse shoqëria shqiptare po humbet me shpejtësi format e lidhjes e të kompaktësimit social, natyrisht aq sa i duhen shoqërisë postmoderne, duke u bërë gjithnjë e më shumë “shoqëri e segmentuar” madje e fragmentuar pa kohezion social e format e bashkëpunimit qytetar e komunitar.  Padyshim që mbetet e vërtetë e kohës që në shoqëri duhet të kërkojmë atë që është e mundur të kërkohet. Kjo do të thotë që qytetari është “aktor social” por me prioritet ka interesat vetjake. Kjo do të thotë se duhet të përpiqemi për të realizuar në shoqëri atë konstante që vendos ekuilibrat midis individualitetit dhe nevojës së kohezionit social. Mbetet e hapur beteja sociale aktuale në shoqërinë tonë për të “rindërtuar” një konstante të re midis individualitetit empirik dhe nevojes së kohezionit social. Sepse ndihet nevoja urgjente që të kemi koncept të ekuilibruar, sipas të cilit, të jetosh lirshëm individualisht nuk do të thotë që nuk duhet të respektosh “gardhet individit, duke refuzuar mundësinë e çdo marrëveshjeje e kompromisi social…