A duhet të ketë një “MINISTRI TË JETËS” pas këtyre katastrofave

Bardhyl BERBERI 

Fëmijë të llastuar, me nervat që u bëhen “kacurrel” brenda sekondës, gati për t’i çarë zemrën me thikë kujtdo që i mohon një tekë personale. Adoleshentë të dehur e të droguar, jashtë kontrollit familjar e shoqëror, jashtë sistemit ku vlerësohet jeta si e shenjtë, të shndërruar në kamikazë të vërtetë që mund t’i heqin jetën kujtdo, thjesht kot. Vend dikur socialist pa kujdes social, pa respekt për njeriun, profesionin, jetën. Që në kopësht fëmijëve ju mësonim se jemi vendi më i lumtur në botë. Njerëz që reagojnë si egërsira, tallin, dhe pak janë të prirur ta kafshojnë gjuhën e tyre përpara se të kalojnë tek gjuha e sherrit. Një klasë politike që i shërben veçse interesit mediokër të satelitëve të vet. Ka sot mijëra prindër të terrorizuar me fëmijë, për të cilët nuk dinë ç’fat mund të kenë në këtë vend ku çdo ditë ka surpriza makabër dhe ku zbukurimi me ngjyra nuk duhet të ishte veç fasadë, por vetë jeta që shpresonim se do kishim, kur zgjodhëm të jetojmë në Shqipëri. Një mësues gjimnazi në Pogradec më tha se, “djali im që e kam rritur me shkollë dhe edukuar me kujdes, më thotë se, ma shkatërrove jetën! Pse? Sepse bashkëmoshatarët janë shumë të egër dhe e kam të vështirë të jetoj në atë lukuni, të cilët kanë sjellje rrugaçësh deri në kriminalitet ekstrem” Ajri është i pastër në Pogradec, por mjedisi është i pisët. Rrugët e qytetit nuk lahen kur qytetit i është trefishuar popullata. Vapa përvëluese i ka sjellë të gjithë në Pogradec . Dhimitër Gjika ish futbollist i njohur i Elbasanit dhe ekipit kombëtar dje më ndaloi dhe më tha: “Pogradeci është vërtet një parajsë, por shikoje lëkurën time është gjithë baltë nga pluhuri i rrugëve. Kam një muaj në Pogradec dhe nuk kam parë një makinë larëse të lajë rrugët kur e ka për detyrë në kontratë t`i lajë dy herë në ditë. Bari i parkut, në pjesën dërrmuese, është i tharë. Tymi i kërnackave përbri shëtitores të helmon mushkëritë dhe të bën pis rrobat. Të ndjekin macet deri tek dera e shtëpisë nga era e kërnackave që të kanë “parfumuar” trupin me këtë aromë qebaptoreje. Dhe nuk mjafton kjo ndotje, por ka dhe një ndotje tjetër po aq të dëmshme, ajo akustike. Janë vënë në garë oborri i shtëpisë së një doganieri me një disko në rërë të nipit të Kryetarit të Bashkisë. Vetëm 10 m larg njëri tjetrit, ballë përballë, duke përplasur meloditë e këngët e tyre në kupë të qiellit që lenë tërë lagjen pa gjumë. Plazhi i mbushur me çadra private dhe të pogradecarëveë vendalinj që janë larë një jetë të të tërë para shtëpisë së tyre në liqen nuk dinë ku të shkojnë, pasi duhet të paguash çadrën dhe shezlonin . 

Me çfarë të paguajmë, zotërinj të Bashkisë, me asistencë apo me pension!

I gjithë qyteti është kthyer në një parking. Sapo parkon makinën në Pogradec të lëshohen taksidarët e Bashkisë me copa letre në dorë . Kështu 6 mijë lekë çadra dhe katër mijë lekë parking, plazhin në Pogradec duhet ta fillosh me minus 10 mijë lekë të vjetra. “Ah, më rrrofsh moj Bashki!”, thotë një elbasanlli. Për ironi të fatit Bashkia ka vënë disa tabela reklamuese: Eja një ditë në Pogradec e do të vish gjithmonë. E kjo tabelë tashmë duhet shkruar: Eja një ditë në Pogradec për të mos ardhur më kurrë. Vitin e kaluar pati raste të tilla me shumicë dhe thamë se këtë verë do të ndryshojë diçka, por asgjë nuk ndryshoi. Ndërsa politika flet për organizim, rikonceptim, numër ministrish dhe emra ministrash, ne të gjithë kemi, në fakt, një nevojë parësorë që duhet të vendoset mbi gjithçka dhe këdo, që duhet të punojë pa pushim në çdo fushë, në koshiencë dhe subkoshiencë të çdo individi, të jetë në thelb të çdo sistemi, të jetë mendimi i parë dhe i fundit i çdo dite: kemi nevojë emergjente, të fillojë funksionimi dhe shenjtërimi i asaj që duhet të fillojë punën sa më parë, ajo që quhet "MINISTRIA e JETES"!

Bilanci tragjik i aksidenteve dhe mbytjet në det apo liqen i ngjajn atij të një beteje. Zotërinj qeveritarë jeta na është cenuar, është prishur dukshëm cilësia e saj, pikërisht nga ATA që kryeministri ynë i quan shpend grabitqarë që çdo ditë fluturojnë të lirë dhe këputin “mish “…