A do të ketë ndonjëherë moral politika tek ne?

550
Tranzicioni tek ne po kalon një udhë të vështirë drejt konsolidimit të demokracisë dhe stabilitetit të institucioneve në kuptimin e plotë të fjalës. Një forcë politike kur vjen në pushtet me një thes premtimesh, por me një sistem jo-funksional të vlerave demokratike. Në këtë sistem shtetëror, vlerat demokratike nuk arritën të depërtojnë në mënyrë efikase në mekanizmat juridike. Duke krahasuar sistemin aktual në vend, sistemi i vlerave demokratike mbeti prej kohësh joefikas dhe i pakonsoliduar në thelb. Veçoritë kryesore të një sistemi janë me vlera demokratike që depërtojnë në mekanizma juridike, por realisht shteti i së drejtës rezulton të ketë plot mangësi. Shqipëria pretendon të ndërtojë një shtet të së drejtës nëpërmjet reformës në drejtësi dhe dekriminalizimit. Parametrat e institucionet janë ende të pareformuara, me reforma gjysmake në vlerat e demokracisë. Tek ne ngec sundimi i së drejtës dhe ka mangësi të vazhdueshme në reformat e gjykatave. 

Fatkeqësisht, në vend kemi një drejtesi të dirigjuar, dhe gjykata selektive. Në shumë akt-vendime të gjykatave, kemi kuptuar se kanë qenë selektive dhe me ndikime politike. Si ka mundësi që dosja e 21 janarit ngelet e pluhurosur nga një gjykatë tek tjetra? Ku është morali i një shteti të së drejtës kur qytetarët e tij të pafajshëm vriten në mes të bulevardit sikur të jenë…? Konkretisht kemi dëgjuar për gjykime skandaloze, që një kriminel apo një zyrtar i korruptuar, për shuma marramëndëse jo vetëm nuk arrestohet, por gradohet në poste më të larta! Gjykatat tek ne shpeshherë kanë qenë selektive dhe kanë sjellë vendime politike në dëm të qytetarit. Le të ndalemi tek tragjedia e Gërdecit, e cila kaloi nëpër seancat e gjyqit si fishekzjarr pa djegur askënd. Rikujtojme rastet e montuara për grabitje pronash nëpërmjet këtyre gjyqtarëve. Para pak ditësh, një ish-kryetar gjykate (që iu vu tritol në makinën e tij para 3 vitesh në garazh) dhe më pas si gjyqtar, dha dorëheqjen dhe iku me të fejuarën e re në SHBA. Kur kolegët i thanë se nuk ke ti moshë për punë në SHBA, ai iu përgjigj me qesëndi: “Në Amerikë po shkoj për qejf, të prish paratë që fitova me “djersë” tek ju. A ka moral këtu? Çuditërisht, si i paska shpëtuar ambasadës amerikane dhe ambasadorit Lu që e ka pajisur me vizë?!

 Qeveritë demokratike në këto 25 vite demokraci nuk ndërtuan dot një moral, ku opozita dhe shoqëria civile të ushtrojë veprimtari politike si opozitë. Në çdo vend demokratik, opozita cilësohet si korrektor i pushtetit, pasi opozita në të shumtën e teorive të së drejtës, nënkuptohet se është elementi thelbësor i shtetit demokratik në shoqëri. Opozita duhet të jetë korrektor i pushtetit, jo të gjuajë me vezë dhe domate dhe të bëhet qesharake. Ajo duhet të jetë konstruktive. Të miratojë ligje që do t’i duhen edhe asaj nesër kur të vijë në pushtet, jo t’i vërë shkopinj rrotave. Si rrjedhojë, institucionet e kanë humbur të qenurit të konsoliduar dhe efikasë në përmbushjen e standardeve europiane! Si pasojë e kësaj, Shqipëria mbetet vendi që nuk i ka përmbushur standardet e duhura të demokracisë për të hyrë në BE. Ajo ecën me hapin e breshkës, ndërkohë që duhet të angazhohet në bashkërenditjen e politikave me opozitën dhe shoqërinë civile për ta nxjerrë vendin nga kolapsi që e ka mbërthyer. Nëse flasim për moralin në politikë, atëherë duhet të kuptojmë integritetin e politikanit në shoqëri. Shpeshherë, në vendet me demokraci të brishtë, kemi parë moralin të përdoret si hapësirë për të treguar ambiciet dhe vullnetin e politikanëve që i bien orkestrës sipas avazit të tyre, kuturu. Sot është mjaft e vështirë të besosh në politikë dhe në moralin e saj, pasi arsyeja kolektive për të menaxhuar institucionet është kthyer në betejë për interesin vetjak të klaneve të caktuara që duan të kapin koncesione vetëm për të bërë para. Për më tepër, në shtete shpeshherë mungon forma e lartë e artit të qeverisjes. Nuk mund të presësh të rilindë e madhërishmja dhe realja në kohë, por absurdi. Politika nuk ka mundur të jetë një burim i mundshëm i parimeve morale, por një burim i shpikur nga disa individë që kryesisht janë marrë me çështjen e tyre vetjake. Morali i dyshimtë sot në politikë është një mënyrë për të thënë se njerëzit s’janë më në gjendje reale të besojnë propagandën që ata vetë nuk e njohin. Kur zvenitet morali në këto kohë të brishta, tashmë njerëzit domosdoshmërisht do të bien në një dëshpërim depresiv dhe në nihilizëm. Kjo, pasi ky aktualitet politik pa moral, që zhvillohet në rrethana të përditshme duke zbehur shpresën se një ditë ky vend do të bëhet, sidomos për të rinjtë, të cilëve iu është vrarë shpresa dhe e kanë mendjen tek lotaria amerikane dhe mërgimi nëpër Europë. Dhe natyrisht, fajin e ka politika jonë që s’ka moral!
Sigal