A do të jetë në të ardhmen Tushemishti fshat turistik?

151
Bardhyl Berberi 
Vetëm 5 km larg qytetit të Pogradecit, buzë liqenit ndodhet një nga fshatrat e vërtetë turistikë, Tushemishti, me më shumë se 1000 banorë.

Ndonëse jemi në dimër në ditët e uikendit të gjitha shtëpitë dhe hotelet janë prenotuar nga pushues të shumtë të huaj dhe vendas. Prej vitesh Tushemishti frekuentohet nga pushues austriakë, gjermanë, danezë, italianë etj. Janë bukuritë magjike të Tushemishtit, i cili qëndron mbi ujërat e liqenit dhe mbi burimet e Drinit që burojnë nga Shën Naumi që i japin Tushemishtit një status të veçantë si fshat turistik.

Vilat e bukura dykatëshe me lule erëmira, oborret e kalldrëmta dhe ujërat që përshkojnë fshatin mes përmes e që kalojnë edhe poshtë shtëpive, kopshtet me mollë dhe fruta të tjera i japin fshatit turistik një pamje të rrallë dhe, shpesh herë, të duket sikur je në përrallat e Andersenit 

Por, Tushemishti kohët e fundit ka filluar të shpërfytyrohet. Kopshtet me mollë buzë liqenit po shiten nga pronarët dhe aty po ngrihen ndërtesa shumëkatëshe duke e shfytyruar krejt fshatin. Vendalinjtë janë tepër të shqetësuar për tjetërsimin që po pëson fshati i tyre, por janë të pafuqishëm që ta ndalin këtë dukuri.

Një grua e moshuar, Viktori Llakmani që e takuam para burimeve të Tushemishtit kur e pyetëm na u përgjigj shumë e shqetësuar dhe e keqardhur për këto ndryshime. 
– Z Viktori si ju duket juve si banore e moshuar e Tushemishtit ndërtimi i këtyre pallateve shumëkatëshe?” 
– Po e shikojmë me keqardhje këtë fshat kaq të bukur që e kanë zili të gjithë si po e mbyt betoni. Rrugët e kalldrëmta janë krejt të shkatërruara nga makineritë e rënda që kalojnë nëpër fshat. 
– Çfarë ka humbur Tushemishti nga bukuria e kohëve të kaluara?
– Fshati po humbet pamjen e tij, atë bukuri të vilave dykatëshe me kopshte dhe lule të shumta, aq të dëshiruar për të huajt dhe turistët vendas.

– Si do të ndalet kjo rrëmujë betonimi?
– S’kemi fuqi ne të moshuarit që ta ndalim këtë rrëmujë, ne vetëm konstatojmë me keqardhje ! 

– A e dëmton turizmin familjar tushemishtar kjo dukuri?
– Patjetër, nuk ka shtëpi në Tushemisht që nuk lëshon dhoma me qira për turizëm familjar dhe për turistë të huaj që vijnë çdo vit dhe këto ndërtesa shumëkatëshe, jo vetëm do të prishin atë bukuri dhe intimitet që ruante prej vitesh, por do të zhdukin të veçantën e një fshati turistik. 

Por çuditë nuk mbarojnë këtu. Monumenti i Violeta Manushit, “Ollga” është rrethuar nga disa ndërtime që janë ndërtuar me leje që ua ka dhënë bashkia, duke e prishur atë intimitet të këndshëm me shtëpinë dhe burimet poshtë ku është xhiruar filmi “Zonja nga Qyteti”. Qindra vizitorë vijnë çdo ditë për të parë shtëpinë dhe monumentin e Ollgës që tani është rrethuar nga ndërtime që kanë prishur krejt atë ambient të këndshëm dhe “Teto Ollga” ndodhet e rrethuar nga mure e ndërtesa të reja që janë ndërtuar, fatkeqësisht, me lejen e Bashkisë! Ndërkohë që për ndërtesat shumëkatëshe, të cilat po ngrihen janë brenda vijës së verdhë janë vetë pronarët që kanë shitur tokat e tyre firmave të ndërtimit. E ato po ngrenë komplekse turistike, duke prishur bahçet e famshme me mollë. Molla ‘Star-kinge’ e Tushemishtit, aq e famshme që dikur shitej në tregjet me prestigjioze të Evropës. Me të drejtë vizitorët e shumtë pyesin: “A do të jetë më Tushemishti fshat turistik, midis këtij betoni dhe ndërtesave shumëkatëshe që e kanë shëmtuar atë?”