A do ta tundin këmborën të gjithë ministrat e qeverisë së re…

825
Bardhyl BERBERI

Tashmë populli është duke diskutuar emrat e qeverisë numër 2 Rama. Padyshim që aty ka senator të vjetër si Xhafa, Majko e ndonjë tjetër që kanë emër dhe kanë dhënë prova, por ka dhe të tjerë që nuk ta mbushin mendjen se do ta tundin dot këmborën që iu ka varur kryeministri. Është krijuar një ide fikse se pjesa dërrmuese e atyre që merren me politikë janë njerëz të paaftë që kanë hyrë në politikë vetëm për përfitime. Bindje kjo që ka ndikuar ta rritë bindshëm apatinë politike- mungesën e vullnetit të njeriut për të marr pjesë në proceset politike. Mungesa e qytetarit dhe intelektualëve të mirëfilltë që janë kapacitete në fushën e tyre e vërteton argumentin se skena politike të mbushet me njerëz të inkriminuar, matrapazë, trafikantë dhe vrasës dhe një ushtri të paaftësh. Kështu duke e bërë politikën një sferë të inkriminuarish të zhytur në afera e kanë zhveshur politikën nga morali, secili kërkon privilegjet personale dhe politika bie viktimë e padrejtësisë. Dhe në vend se të kemi një qeverisje që karakterizohet me moral, virtytet personale të atyre që qeverisin dhe politikë bërjen e mirëfilltë, ne ballafaqohemi me keqqeverisje, varfëri dhe politikanë të djallëzuar- banditë dhe matrapazë. Urtësia, guximi, bujaria dhe fisnikëria dhe kapaciteti intelektual i çdo politikani duhet të jenë tiparet tipare të një politikani në kuptimin e plotë të fjalës. Ne shumë pak mendojmë në cilësinë personale të atyre që duhet të na udhëheqin. Ne, zakonisht mendojmë dhe flasim për institucionet, por shumë pak për atë se kush duhet t’u prijë institucioneve a janë ata që janë në krye të ministrive apo institucioneve të tjera të shtetit të aftë për të drejtuar! Niveli jonë i kulturës politike është kyç për të na ndihmuar ne përzgjedhjen e politikanëve- drejtuesit e institucioneve ata që do të duhet të qeverisin. Si asociacion për të ilustruar idetë e mësipërme desha të sjell një shembull konkret. Para disa kohësh pata rastin me disa kolegë të mi të ndjek në Zagreb një monodramë, e cila kishte një javë që shfaqej dhe nuk gjeje biletë në sallën e madhe të teatrit shtetëror. Monodrama titullohej “Mister Singëll” me dy fjalë përmbajtja e saj; Një njeri shumë i pasur që kishte gjithçka dhe plotësonte çdo dëshirë megjithatë ishte i palumtur. Pse shikonte një ministër të financave që kishte mbaruar shkollën me atë që kishte qënë student më i dobët i fakultetit ekonomik dhe ky drejtonte financat e vendit, po kështu në krye të shëndetësisë ishte vënë ministër një veteriner në atë të arsimit një ministër që kishte mbaruar fakultetin part-time dhe kështu me radhë gjithsecili që kishte marrë karrigen e madhe të ministrit apo të institucioneve qendrore ishte “fuori gioco” jashtë çdo logjike normal. Kjo gjë e torturonte këtë njeriun më të pasur. Kjo anomali atij i vjedh gjumin dhe torturon kur sheh shumë kapacitete profesorësh dhe doktorësh me tituj që bëjnë punë të thjeshta, madje një pjesë e madhe prej tyre janë edhe papunë ose bëjnë punë të rëndomta. Dhe në mes të këtyre dilemave dhe vuajtjeve shpirtërore në monologun e tij aktori kryesor errësohet skena dhe bie në një ëndërr. Dhe i jepet atij mundësia që të kryejë emërimet. Dhe në krye të gjitha ministrive zgjedh njerëzit më të aftë të atyre fushave që mbulojnë profesorë, doktorë me tituj dhe këta marrin drejtorë të aftë dhe vendi fillon të ecë vendi në mënyrë të shkëlqyer në çdo post janë vënë më të aftët të ketë arritje në çdo fushë, por skena fillon gradualisht të ndriçohet dhe spektatori vë re që ai është duke fjetur në një kolltuk dhe e gjitha kjo ka qenë një ëndërr… Përmbajtja e kësaj monodrama kroate është shumë aktuale edhe tek ne. Sa ministra apo drejtues institucionesh qendrore janë të paaftë për të drejtuar, përfliten për korrupsion dhe lloj-lloj dallaveresh dhe aferash që qëndrojnë në ato poste vetëm se kanë një teserë partie apo besnikëri ndaj njëshit. Do të bëjmë reformë në drejtësi por duhen shkulur përveç të inkriminuarve edhe gjyqtarët dhe prokurorët e Plepave të Durrësit që jo vetëm kanë zënë vend si gjyqtarë dhe prokurorë por na kanë arritur si metastaza deri në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ka ardhur koha që të përdoret një sitë e imët për të ndarë një herë e përgjithmonë banditin e veshur me petkun e politikani, duke zgjedhur njerëzit me virtyte e personaliteteve të cilët nuk tundohen dhe ta shesin shpirtin para asnjë lloj tenderi korruptiv, sepse kjo është kyçe në përzgjedhjen e përfaqësuesve tonë. Kjo nënkupton se ne duhet të jemi më aktiv në politikë, se ajo nuk ka të bëjë me kënaqësinë personale të disa matrapazëve. Ne vendosim se kush do të na përfaqësojë; ata që bartin guximin dhe sinqeritetin me vete kur marrin mandatin ata që shpërdorojnë pushtetin. Një gjë është e pakontestueshme të zgjedhurit janë pasqyra e shoqërisë sonë. Gjithsecili pyet a do të jenë në gjendje të gjithë ministrat ta tundin këmborën që ju ka varur kryeministri. Koha do ta vërtetojë gjithçka…
Sigal