Demagogu

234

Nga Gëzim Zilja

Fjala demagog, përdoret gjërësisht për politikanë ose qeveritarë që mashtrojnë njerëzit, duke i joshur me fjalë të bukura, të zbrazëta, me premtime të rreme që kanë si qëllim të fshehin të vërtetën, për t’u marrë votat e të realizojnë pastaj qëllime të tjera. Në këtë kuptim demagogjia është zanat i politikanëve. A është i tillë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Velia, lidhur me premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale?

Duke parë gjendjen katastrofike në kryeqytet, katër vjet më parë ai deklaroi: Nëse do të më zgjidhni kryetar do të shpall moratorium për katër vjet lidhur me ndërtimet brenda Unazës së Tiranës. Kjo, sepse qyteti po shpërfytyrohej, po humbte identitetin, sipërfaqet e gjelbëruara dhe po kthehej në një fjetore gjigante të pabanueshme.

Ai erdhi me një plan madhështor për transforminimn rrënjësor të kryeqytetit. plot hapësira të gjelbra, me parqe e lulishte, ku trafiku mbytës do të zgjidhej plotësisht. Gjetja e Madhe e Erjon Velisë (sa u mburr për këtë) ishte zgjatimi i bulevardit “Zogu I” përtej stacionit të trenit deri në Paskuqan, ku do të strehoheshin fillimisht mbi 150.000 njerëz. Aty do të zgjerohej Tirana: Do të vendoseshin shumë institucione shtetërore, ambasadat e huaja, do të ndërtoheshin banesa moderne, shkolla, kopshte, kinema e teatro, (ndoshta dhe ndonjë stadium) do të mbilleshin pemë e do të krijoheshin pyje e mikropyje me pemë e shkurre madje edhe me zogj këngëtarë, me bisht të gjatë, plot pupla shumëngjyrëshe. E quajti premtim të sigurt, se një vend arab kishte tringëllitur paratë për të ndërtuar një kullë treqind e kusur metra të lartë, që do të çudiste albanezët dhe ballkanasit. Shkurt do të shikonim një Tiranë të re që nuk ishte parë as në ëndrrat më të bukura të shqiptarëve dhe ndoshta pas kësaj (ku i dihet) mund quhej “Kryeqyteti i ri Erjonvelia”. Mirëpo ç’ndodhi?! Që pa i shpallur këto plane mahnitëse kryetari i ardhshëm, një pjesë e mirë e tokave ku do të zgjerohej Tirana ishin blerë nga parellinjtë apo oligarkët. Edhe këtyre si dikur Fazlliçit & Co në Porto Romano, u kishte pëshpëritur një kanarinë te veshi, se aty do të bëhej katër vitet e ardhshme hataja me investime. Bulevardi i Ri 2 km i gjatë (nuk ka shifra sa kushtoi) u ndërtua me parametra bashkëkohorë dhe u inaugurua me madhështi. Është aty edhe tani por me pemë e shkurre të thara, stola të dalë boje, me neone moderne por pa makina, pa njerëz, pa fëmijë, të rinj e të reja që të gumëzhijnë e gëzojnë anëkend. Është një bulevard tërësisht pa jetë. Banorët thonë se një herë në javë katër kukuvajka nga një në çdo pesëqind metra ia thonë këngës mortore për Bulevardin që vdiq pa lindur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka për detyrë t’u sqarojë banorëve të kryeqytetit, pse ky plan që do të thithte miliarda lekë investime nuk u zbatua. Skifterët e ndërtimeve, pronarët e llotove e parellinj të tjerë e detyruan Erjon Velinë (edhe kjo duhet të sqarohet, por këshilltarët e opozitës hanë përshesh me lugë druri, në tasa balte prodhuar në Farkë) që plani për kullat, pallatet, teatrot, shkollat, kopshtet, godinat për institucionet etj., të zbatohej medoemos, por tashmë në zemër të Tiranës. në qendër, brenda unazës, mjafton të gjendej tokë e lirë.

Erjon Velia duke shkelur betimin (gjë e shenjtë për një shtetar të zgjedhur) iu

vërsul qytetit, duke dhënë leje majtas e djathtas me kriter e pa kriter. Nuk ka cep të Tiranës sot që nuk po ndërtohet. I vetmi arsyetim që ai ka bërë publikisht për gjëmën që po i bën Tiranës është: “turistët që vijnë në Tiranë janë shtuar e shkojnë e flejnë në Durrës dhe ato 3800 apartamentet e pashitura u shitën.”

Sipërfaqe publike të gjelbra u rrafshuan. Parku i mrekullueshëm për fëmijët “Shtatë xhuxhat” gati një hektar u zhduk brenda një nate dhe vazhdojnë punimet për një kullë gjigante. Iu sulën Teatrit Kombëtar duke menduar se “qorrat” nuk do të ndiheshin. Por u gjetën aq shumë shkelje ligjore sa edhe presidenti i Mozambikut nuk do i bënte. Po kur të zihen sytë nga paraja, lavdia dhe babëzia… Bash dhjetë metra larg Kullës së Sahatit (e vetmja trashëgimi kulturore në qendër të Tiranës bashkë me xhaminë e Etem Beut) po ngrihen dy kulla që do të bëjnë që Sahati dhe Xhamia e Etem Beut të mos gjenden as me busull e as me dylbi. Në krah të kullës “Ambasador 3” as 20 metra larg mureve të stadiumit në ndërtim kanë filluar punimet për një kullë të re. Fusha e madhe, aneksi i futbollit të stadiumit “Qemal Stafa”, është kthyer në parking privat dhe në 15% të sipërfaqes u inaugurua para disa ditësh një park lodrash plastike me ca pemë të lodhura. Thuhet që në pjesën parking, (85% e sipërfaqes së aneksit të fushës së futbollit) do të ngrihet një kullë tjetër. Prapa ish-Hotel “Dajtit” aty ku ishte e vetmja fushë tenisi në Tiranë po hapet një alamet grope, prapa Presidencës, në krah të Hotel Tiranës po gërmohet e betonohet…

Mund të vazhdojmë më tej por duhet të theksoj se të gjitha këto që u përmendën janë kryesisht hapësira publike që i dhurohen privatit nga Bashkia me ose pa PPP. Me këto ndërtime përfundimisht kryeqytetit po i merret fryma. Prania e bioksidit të karbonit dhe grimcave të ajrit sipas ISHP-së kalon dhjetëra herë normat e BE-së. Rastet e kancerit në Tiranë nga ajri i ndotur dyfishohen e trefishohen nga viti në vit. Pistat e biçikletave aq të segmentuara vend e pa vend (70% të rrugës biçikletën duhet ta hipësh kalaqafë) që janë ndërtuar janë një dështim tjetër spektakolar. Ato vetëm kanë shtuar kaosin dhe vështirësuar qarkullimin e makinave.

U tha zgjedhësve se do të ndërtohej nga e para bibliotekë model për qytetin, sepse ishte turp që Tirana nuk kishte një të tillë. Për katër vjet ngritja e bibliotekës as është zënë me gojë. Madje nga babëzia apo padituria si rezultat i punimeve nëntokësore në Sheshin Skënderbej, u përmbytën katet e nëndheshme të Bibliotekës Kombëtare gjë që nuk kishte ndodhur për gjashtëdhjetë vjet. Sipas të dhënave, të nëndheshme, sepse të dhëna zyrtare nuk ka, dëmi ishte katastrofik.

U premtua se do ta zhdukej turni e dytë nëpër shkolla. U meremetuan, u lyen me bojë ose u gardhuan disa shkolla. Por shkollë e re në Tiranë për katër vjet është ndërtuar vetëm KOSOVA, në territorin ekzistues, pavarësisht se përurimi i saj u bë me daulle, saze e fyej. Aty mësimi vazhdon me dy turne dhe klasat janë me mbi tridhjet e dyzet nxënës. Sot premtohet se do të hapen 17 (shtatëmbëdhjetë) të tilla në vitet që do të vijnë. Demagogji e pastër duket kjo, po të marrim parasysh, se me ndërtimet që po bëhen në Tiranë dhe lejet që po jepen me shpejtësi, vështirë të mbetet ndonjë copë tokë publike bosh. Nëse është fjala se mund të hapen shkollat në katet e dhjetë, njëzetë apo në tarracat e pallateve, kjo edhe mund të ndodhë. Ka një aksiomë matematike për qeveritarët në çdo vend demokratik që duhet të kihet parasysh: Uzurpimi i hapësirave publike për qëllime private janë shenja e parë e mungesës së civilizimit në një vend demokratik.

U premtua karta e studentit, madje ishte konceptuar jo vetëm nga ana funksionale, por edhe estetike. Dhe sa i lumtur dhe i sigurt ishte kandidati për kryetar kur fliste për KARTËN. Ja ku jemi sot dhe mund të luhet pinpong sa të duash apo të kacaviresh në litarët e cirkut, por karta që u premtua nga Kryetari doli gënjeshtër. Edhe ky premtim si ata më lart ishte demagogji.

Vijon