20 vjet pa Princeshën Diana, mbretëreshën e zemrave të popullit

1472
Diana Skrapari

Diana Frances Spencer lindi më 1 korrik, 1961 në Sandringham (Norfolk) dhe vdiq më 31 gusht 1997 në Paris. Ajo ishte gruaja e Charles, Princi i Uellsit, nga 29 korrik 1981 deri në 28 gusht 1996, data e tyre e divorcit. Nga fejesa e saj me Princin e Uellsit deri në vdekjen e saj në një aksident me makinë në Paris në vitin 1997, Diana ishte një nga gratë më të famshme në botë të fund shekullit të njëzetë. Fatkeqësinë e saj emocionale gjatë viteve 1980 dhe 1990 kanë frymëzuar shumë biografi, fotografi, artikuj gazetash dhe filma televizivë. Ajo ishte gjithashtu një emblemë globale e bamirësisë, ajo ka krijuar shumë shoqata për të mbrojtur kauza të tilla si lufta kundër AIDS-it apo zhdukja e minave tokësore. Diana Frances Spencer ishte vajza e vogël e Edward Spencer (1924 – 1992), Vikont i Althorp, dhe gruas së tij të parë, Frensis Shand Kydd (1936-2004). Vikontesha vinte nga një familje që kishte emigruar në Amerikë. Gjyshja e saj, Frances Work, e lindur në Nju Jork, ishte një pasardhëse e Charles II të Anglisë (pasardhëse e paligjshme), dhe me anë të tij, e Henry IV, Mbreti i Francës,e St Louis dhe Hugues Capet. Kur vdiq gjyshi i saj nga babai, Albert Spencer, në vitin 1975, babai i Dianës u bë Konti i tetë Spencer, dhe ajo ka fituar titullin e Lady Diana Spencer. Një vit më pas, babai i saj konti Spencer u martua me Raine McCorquodale, e divorcuar nga konti i Dartmouth, dhe vajza e madhe e romancieres së famshme të librave rozë Barbara Cartland. Familja e Dianës ishte e njohur për familjen britanike mbretërore për disa breza: gjyshja e nënës së saj, Lady Fermoy, ishte një nga shoqërueset e nderit të Nënës Mbretëreshë dhe Princi i Uellsit kishte në vitet 1970 një lidhje të shkurtër me Sarah Spencer, motrën e madhe të Dianës. Në të vërtetë, çështja e dashurisë së Princit të Uellsit ka qenë gjithmonë subjekt i preferuar i një shtypi të caktuar, i cili i ka dhënë atij shumë lidhje. Në të tridhjetat e tij, duke mos qenë në gjendje të martohej me gruan që ai donte, Camilla Shand, ai shumëfishoi lidhjet kalimtare. Por, mbretëresha i këshilloi që të martohej. Për t’u pranuar nga anëtarët e shtëpisë së tij, duke përfshirë edhe xhaxhain e tij Lord Mountbatten, i cili rregulloi martesën e princit Filip dhe mbretëreshës Elizabeth II, dhe nga këshilltarët e tij, nusja potenciale duhej të ishte fisnike, dhe padyshim beqare protestante- një e divorcuar protestante apo jo protestante duhej përjashtuar, pasi monarku britanik është edhe kreu i Kishës Anglikane (Oborri mbretëror kujton precedentin e dhimbshëm që çoi në abdikimin dhe emigrimin e mbretit Edward VIII në vitin 1936, i cili ishte daja i madh i Princit Charles) dhe me reputacion të shkëlqyeshëm, ose mundësisht pa reputacion fare (për të shmangur thashethemet e një të fejuari të mëparshëm). Diana i plotësoi të gjitha këto kërkesa. Camilla Shand, u bë zonja Parker-Bowles, e cila kishte refuzuar të martohej me të që mos të vuante kufizimet e jetës zyrtare, por ka mbetur shoqe e tij konfidente (Camilla Parker Bowles u martua me Princin Charles më 21 mars 2005 duke u bërë Dukesha e Cornouailles) dhe kjo çoi që familja mbretërore të zgjidhte si një mbretëreshë të ardhshme, Diana Spencer, 19 vjec, kujdestare fëmijësh në kopshtin e fëmijve “Young England” ne Knightsbridge. Buckingham Palace njoftoi fejesën më 24 shkurt 1981. Zoti Mountbatten kishte refuzuar Camilla Parker Bowles, për shkak të moshës së saj (ajo është më e madhe nga Princi Charles 16 muaj), përvojën e jetës së saj dhe mungesën e mjaftueshme të gjakut aristokrat. Dasma u zhvillua në Katedralen Saint-Paul në Londër të mërkurën, 29 korrik para 35 mijë mysafirëve dhe një miliard shikuesve në mbarë botën. Shtypi vuri në dukje se martesa e fundit e trashëgimtarit të fronit me një nënshtetase angleze daton treqind vjet më parë, kur në vitin 1659, James II i Anglisë u martua me Anne Hyde. Ky mbret i Shtëpisë Stuart u rrëzua nga froni nga dhëndri dhe vajza e tij, gjë që lejoi kushërinjtë e largët të Shtëpisë së Hanoverit të merrnin fronin britanik, sepse ata ishin protestantë. Princi i Uellsit është pasardhës i tyre. Menjëherë pas martesës së saj, Diana u bë gruaja e tretë më e rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar, menjëherë pas Nënës Mbretëreshë dhe Mbretëreshës, e njohur për shpirtin e rezistencës angleze ndaj pushtimit të Hitlerit. Princesha e re u pëlqye menjëherë nga britanikët dhe nga e gjithë bota.

“Princat e Uellsit” shpejt ishin dy fëmijë, Uilliam, i lindur më 21 qershor 1982, dhe Henry (me nofkën Harry), i lindur më 15 shtator 1984.

Pas lindjes së djalit të saj të madh William, Princesha e Uellsit vuante nga depresioni, bulimia dhe u përpoq disa herë për të kryer vetëvrasje. Në fillim të viteve 1990, zbulimet në lidhje me dështimin e jetës së martuar të çiftit ishin së pari të fshehura dhe pastaj të dramatizuara nga shtypi ndërkombëtar. Princi dhe Princesha e Uellsit iu drejtuan shtypit përmes miqve të tyre, duke e akuzuar njëri-tjetrin për tradhti bashkëshortore. Charles vazhdoi marrëdhënien me Camilla Parker Bowles, ndërsa Diana, e zhgënjyer, pati marrëdhënie jashtëmartesore, sidomos me James Gilbey (i cili ishte i përfshirë në rastin Squidgygate). Ajo më vonë konfirmoi (në një intervistë me gazetarin britanik Martin Bashir) se kishte një lidhje me instruktorin e saj të hipizmit, James Hewitt. Princi dhe Princesha e Uellsit u ndanë më 9 dhjetor 1992 dhe divorci u bë më 28 gusht 1996. Ajo mori një pagesë prej më shumë se 17 milionë stërlina dhe një pension. Buckingham Palace theksoi se Diana ishte nëna e trashëgimtarëve të dytë dhe të tretë të fronit britanik, dhe mbeti anëtare e familjes mbretërore britanike. Ajo vdiq në një aksident në Pont d’Alma. Makina e saj bashkë me të dashurin e saj Dodi Al-Fayed vinte nga hoteli luksoz Ritz që ndodhet në Place Vendome në Paris. Ata i drejtoheshin apartamentit të Dodi Al-Fayed që ndodhej në 2, Rue Arsene Houssaye 75008 Paris ( Në lagjen nr 8 të Parist pranë Arkut të Triumfit).Në hyrje të tunelit në Pont d’Alma, në orën 0 h 23 ndodhi aksidenti. Dodi Al-Fayed dhe Henri Paul, shoferi, vdiqën në vend; Trevor Rees-Jones u plagos rëndë, por mbijetoi falë airbag-it të tij. Diana u lirua nga rrënojat, ende gjallë, dhe pas ndihmës së parë në vend për të stabilizuar gjendjen e saj, u transportua me ambulancë në spitalin Pitie-Salpetriere, ku ajo arriti menjëherë pas orës 2 të mëngjesit. Gjatë rrugës për në spital, Diana bëri disa kriza kardiake, të cilat detyruan mjekët të ndalonin në rrugë për të rifilluar rrahjet e zemrës. Ambulanca eci ngadalë (40 km / h) dhe ju desh rreth 15 minuta për të shkuar në spital pasi po të ecte më shumë do të kishte rritje të presionit të gjakut të viktimës dhe gjendja e saj do të përkeqësohesh pasi Diana kishte hemorragji të brendshme. Një torakotomi emergjence zbuloi një plagë të rëndësishme në venën pulmonare të majtë. Pavarësisht mbylljes së kësaj plage dhe masazhit të brendshëm dhe të jashtëm kardiak, mjekët e shpallën të vdekur dy orë pas mbërritjes së saj në orën 4:25. Ekspertët amerikanë të emergjencës mjekësore, të mësuar me scoop and run (një metodë urgjence ku viktima merret dhe transportohet menjëherë në qendrën më të afërt mjeksore), kritikuan urgjencën franceze për stay and play (ku ata qëndruan dhe dhanë ndihmën e shpejtë në vend të automjetin e urgjencës duke mos e transportuar atë drejt spitalit), duke pretenduar se vetëm një operacion kirurgjikal urgjent mund ta kishte shpëtuar. Askush nuk mund ta dijë, nëse ajo do të kishte mbijetuar me të vërtetë, pasi transporti i një personi në një gjendje të shokut hemorragjik është i rrezikshëm. Funerali i saj u bë në Westminster Abbey, më 6 shtator ku u mblodhën rreth 3 milion njerëz në Londër dhe u transmetua në televizion në shumë vende. Më shumë se një milion buqeta lulesh u vendosën në shtëpinë e saj në Londër në Kensington Palace. Respekti i përpiktë i protokollit nga familja mbretërore u interpretua nga publiku si një mungesë ndjeshmërie. Refuzimi i Pallatit të Buckinghamit për të ulur flamurin Union Jack në gjysmë shtizë shkaktoi tituj në gazeta: “Ku është mbretëresha jonë? Ku është flamuri ynë? pyeti gazeta Sun. Mbretëresha, e cila ishte kthyer nga Balmoral në Londër, pranoi të bënte një fjalim në televizion.Ajo u shpreh kështu:

“Këtë që po jua them, po jua them si Mbretëreshë dhe gjyshe. Diana ishte një person i veçantë dhe me dhunti. Ajo nuk e humbi kurrë aftësinë e saj për të buzëqeshur dhe dashur dhe ka inspiruar të tjerët me dashamirësinë e saj. Unë e adhuroja dhe e respektoja për energjinë e saj dhe dedikimin ndaj të tjerëve dhe në veçanti për devotshmërinë e saj ndaj dy djemve të saj. Këtë javë në Balmoral, ne jemi përpjekur të ndihmojmë William dhe Harry për humbjen tragjike që i ka bërë të vuajnë bashkë me ne. Të gjithë ne që kemi njohur Dianën nuk mund të harrojmë atë. Miliona të tjerë që nuk e kanë takuar, mendojnë se e kanë njohur atë. Unë mendoj se duhet të nxirren mësime nga jeta dhe vdekja e saj tragjike. Unë ndaj me ju, dëshirën për të adhuruar kujtimin e saj. Kjo është një mundësi që më jepet mua dhe familjes time, në veçanti Princit Charles dhe William dhe Harry, t’ju falenderoj për lulet, mesazhet që dërguat dhe respektin që treguat për një person të mrekulluehëm si Diana. Këto na kanë lehtësuar shumë. Mendimet tona shkojnë edhe për familjen e Dianës dhe të atyre që vdiqën bashkë me të në aksident.” 

Publiku i pranishëm në funeralin hodhi lule në kalimin e procesionit gjatë gjithë udhëtimit të tij. Jashtë Westminster Abbey, turma brohoriste njerëzit e famshëm që gjendeshin brenda: këngëtari Sir Elton John (i cili këndoi ‘Candle in the Wind’-një këngë që ai në fillim ja kishte dedikuar Norma Jean Baker-Marilyn Monroe dhe që ia përshtati Lady Dianës, e cila kishte këtë refren: 

Good bye England’s rose,
May you ever grow in our hearts,
You were the grace that placed itself,
Where lives were torn apart…..
And it seems to me,
You lived your life
Like a candle in the wind,
Never fading with the sunset
When the rain set in…
Your candle’s burned out
Long before,
Your legend never will… 
(Mirupafshim trëndafili i Anglisë,
Le të rritesh gjithmonë në zemrat tona,
Ju ishit hiri që e vendosi veten,
Aty ku jetët shkatërroheshin …
..Dhe mua më duket,
Sikur ju keni jetuar jetën tuaj
Si një qiri në erë,
Që asnjëherë mos të venitet nga muzgu,
Kur fillon të bjeri shi …
Qiriu juaj është djegur kohë më parë,
Legjenda juaj kurrë nuk do të shuhet…)

Të pranishëm ishin edhe Tom Cruise, Nicole Kidman dhe Tom Hanks, regjisori Steven Spielberg, biznesmeni britanik Richard Branson, Mbretëresha Noor e Jordanisë, Hillary Rodham Clinton dhe Bernadette Chirac. Ceremonia fetare u transmetua në televizion live dhe në botë. Altoparlantët ishin vendosur jashtë në mënyrë që turma të dëgjonte zhvillimin e funeralit. Mysafirët duartrokitën fjalët e vëllait të Dianës, Lord Spencer, që sulmoi ashpër shtypin dhe në mënyrë indirekte kritikoi familjen mbretërore për sjelljen e saj vis-à-vis motrës së tij. Flaka e Lirisë në Paris është përdorur shpesh nga vizitorët për t’i bërë homazh Dianës. Ky monument, që përkujton dhuratën e Statujës së Lirisë së dhënë nga Franca Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e vendosur mbi tunelin ku ndodhi aksidenti në afërsi të Place de l’Alma. Diana, Princesha e Uellsit është varrosur në Althorp (shtëpia historike e familjes Spencer) në Northamptonshire. Ajo ishte një shpirt i lirë që shprehej “Unë nuk eci sipas rregullave të një libri…Unë udhëhiqem nga zemra, jo nga koka.” Ajo donte vetëm të ndihmonte të tjerët me veprat e saj të bamirësisë dhe e tregonte këtë duke thënë: “Unë do të doja të isha mbretëreshë në zemrat e njerëzve dhe nuk e shoh veten si mbretëreshë e një vendi.” Mungesa e dashurisë për njëri tjetrin shihej si një nga fatkeqësitë e kohëve modene për atë dhe këtë e shprehte me anë të fjalëve:” Unë mendoj se sëmundja më e madhe nga e cila bota vuan në këtë ditë dhe në këtë kohë është sëmundja e njerëzve që ndihen të padashur. Unë e di që mund të jap dashuri për një minutë, për një gjysëm ore, për një ditë, për një muaj, po unë mund të jap. Unë jam e lumtur që mund ta bëj këtë, dhe unë dua ta bëj këtë.”
Sigal