“ Intelektuali, i varfër ekonomikisht, i ndrydhur shpirtërisht…!”

1016
Evdal NURI 
Kjo është më se e vërtetë! Diku kam lexuar, se më i varfër mbet ai që shkëputet i fundit nga shteti. Intelektuali është i lidhur ngushtë me shtetin. Dhe shteti “i bën zap”, ngase i ka në dorë. Edhe kur kundërshtojnë, iu thotë: “Jeni bishti i kavallit!” Ca kundërshtojnë, të tjerët “struken”. “Struken”, se shteti i ka në dorë. Kur mendimet e tyre i parashtrojnë në media, shteti i përgjigjet: “Jeni medie kazani!”Të vjen keq që mbahet një qëndrim përçmues ndaj pushtetit të katërt, që normalisht krijon apo rrëzon qeveri! 

1-E kush janë këta…? 
Shumica me doktoraturë e tituj shkencorë. Intelektualë që kanë dhënë kontribut për vendin. Jo me blerje diplomash , kurse gjashtë-mujore, me korenspondencë, që politika i bëri t’i dëgjohet emri! Është për të ardhur keq që sot s’vlerësohen e nuk përkrahet intelektuali nga aftësitë shkencore që i ka fituar me dhjetëra vite pune studimore e shkencore! Politikanët mendojnë se fjala e tyre është fjala e fundit e shkencës, kur nga shkenca s’kanë haber. Jo vetëm në shkencë, por dhe në politikë janë të çoroditur. Kohën e kalojnë me takime, mbledhje, sherre e asgjë më tepër! Nga ana tjetër, intelektuali s’ka nxitje, motiv, përkrahje, stimulim. Kjo ka sjellë heshtjen e tyre, mbasi janë anashkaluar nga politika. Me qindra kanë tituj shkencor, fjala vjen në fushën e bujqësisë, arsimit , mjekësisë, historisë apo diku tjetër, por nuk përkrahen . Një intelektual i shquar më tha: “E di që s’na pyet njeri, por megjithatë edhe në këto kushte shkruaj që të ndërgjegjësoj njerëzit “. 

2-Ç’të duhet, o burrë? 
“Punove dekada në arsim. E mbylle me nder. Tani i ke vënë “garamet” kokës. E kush t’i lexon shkrimet ? Ka dhjetëra gazeta e qindra gazetarë. Pastaj interes material s’ke. Rri i qetë këto vite, boll ke punuar!” Këto m’i thotë gruaja sa herë që botoj ndonjë shkrim. Në fakt ka të drejtë, se jo të gjithë kënaqen. Kur shkrimi anon majtas, më kritikojnë të djathtët dhe anasjelltas. Ka nga ata që mbajnë dhe “mëri” , duke më këshilluar që “boll ke shkruar”. “S’ngele ti të japësh mend!” Që do të vij një ditë që s’do shkruaj e kam të qartë, por ia që dhe mua s’më rrihet. Mundohem të shfrytëzoj kohën sa më shumë. Unë s’jam gazetar, por intelektual. Me mundësitë intelektuale që kam mundohem të kontribuoj sado pak për vendin tim. Ka shkrime që ia vlejnë e botohen, por disa edhe s’janë botuar. S’më mbet qejfi, se s’jam gazetar i mirëfilltë. Por ka nga ata që i lexojnë. Është detyra e çdo intelektuali që në përputhje me mundësitë e aftësitë e tij të kontribuojë , pavarësisht e përkrahin apo jo 

Dy nga shumë raste . 1. Një miku im i nderuar me titullin Prof. Dr, në mjekësi , që s’donte t’i përmendja emrin, për shkrimin ku trajtoja problemin 27 –vjeçar të Pronave më shkruan : “E lexova artikullin tënd për pronat. Për këtë artikull vlerësimet do t’i jap me koncepte ekonomike dhe filozofike. Tre ekonomistët më të mëdhenj të botës ( që rastësisht janë të tre hebrenj): Adam Smith, David Rikardo dhe Karl Marx, në veprat e tyre madhore ekonomike dhe filozofike, kanë shkruar, se rendet shoqërore dallohen nga njeri -tjetri nga raportet që ata kanë njerëzit me mjetet e prodhimit dhe me pasuritë e patundshme. Në ato vende ku këto mjete dhe pasuri janë pronë private janë vende kapitaliste, demokratike dhe me ekonomi tregu të lirë. Në ato vende ku këto raporte janë ndryshe, d m th., kur nuk janë pronë e pronarëve të ligjshëm, këto vende nuk janë kapitaliste, nuk janë demokratike dhe kanë pseudo-ekonomi tregu”. 

E ka fjalën për ekonominë tonë. 
2. Studiuesi H. Kota: “Ti shkruan dhe unë po ta njoh mendimin dhe ndërgjegjen intelektuale gjithnjë e më në thellësi. Udha që ke nisur është e drejtë dhe shërben në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, duke shpërndare frymën e të vuajturve, të ndershmërisë, të punës dhe shpërndarjes se pasurisë edhe në përkrahje të shtresave në nevoje, pensionistëve, intelektualëve në pension etj.”

3-Koha e venitur e intelektualëve ! 
Jeta përfshin kohën nga dita që lind, deri ditën e vdekjes. Jetesa është mënyra e organizimit , jashtë kohës së punës. Jetën na i ka caktuar “Zoti” .Tek ne kjo e dyta është pothuajse e barabartë për të gjitha ditët. Shtëpi, kafene, e asgjë tjetër. Atje gjejnë ngushëllim. Me të drejtë Bashkimi kunati po më tregonte: “Shkodra është qyteti i artit e i kulturës në Shqipëri. Ajo ka qenë djepi i kinemasë, teatrit, operës, bandës, fotografisë, futbollin ! Atje kemi gjimnazin, bibliotekën e parë e shumë të para të tjera”. Po tani e pyeta? Me keqardhje më tha gjithçka është venitur. Tani kemi jo pak, por mbi 700 kafene , 42 lodra bixhozi, e vetëm 4 librari dhe këto mikse. Veç “Shtëpisë Muze Marubi”, s’ke çfarë sheh…! Për kafene, bare e restorante dolëm në vend të parë në Botë! Sipas INSTAT, kemi mbi 19.000 kafe ose një kafe për 152 banorë! U befasova kur INSTAT deklaroi se 30% e të rinjve nga mosha 15-29 vjeç s’venë as në shkollë e as në punë ! .Në këto situatë shqiptarët flenë shumë , e punojnë pak duke u renditur në vendet e para për dembelizëm. Nga një anketim një-vjeçar i Institutit të Statistikave rezulton se në 24 orë, shqiptarët i kushtojnë plot 38% të kohës, gjumit ose 9 orë. Dhe nga pjesa tjetër e ditës 20%, rreth 5 orë i kalojnë në kafe e televizor. Sa për punën në gjithë hapësirën kohore vetëm 13% e zë aktiviteti që sjell të ardhura. Ndërkaq, përgjithësisht mund të konsiderohemi si popull dembel. Harxhojmë mesatarisht vetëm 4 orë në ditë për të punuar. Megjithatë specialistët shpjegojnë, se po t’i hysh më thellë analizave, i bie që niveli i papunësisë në Shqipëri të jetë në shifra alarmante dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me dëshirën për të punuar. Sipas ‘Gallup’, 56% e shqiptarëve kanë dëshirë për t’u larguar nga vendi! Pse? S’ka punë! Edhe ata që punojnë kanë pagën më të ulët në Evropë. Kjo është gjendja. Gjithë të tjerat janë lodra fjalësh! Tek ne, po qe i pasur dhe i paditur, s’njeh njeri! Po të jesh i varfër, por i ditur çuditërisht s’të njeh njeri! 
Sigal