Sigal

Meri Lalaj

Tani në verë gjatë gjithë ditës dëgjohen zhurma nga më të çuditshmet: diku po ngrihet një pallat dhe punon vinçi poshtë e lart me materialet, më tutje punon një trapano me zhurmë zhurdhuese. Në rrugë kalon autoambulanca me sirenën e alarmit pa pushim në kupë të qiellit dhe asnjëra nga makinat nuk i hap udhë thjesht për tangërllik. Në anën tjetër të rrugës makina policie, më duket se po përcjellin Presidenten e bukur të Kroacisë dhe ia vlen t’u bien borive me sa të mundin. Të shkosh në kafene muzika në kupë të qiellit këngë koti dhe kondicioneri më qejf të vet e ftoh lokalin deri më 18 gradë. Në Tiranë nuk ka fundjavë apo si i thotë rinia jonë ‘uikend’, jo mor jo, nga e hëna më të dielë muzikë çdo natë dhe më duket se nuk mund ta quaj muzikë kur dëgjoj vetëm: bamb-bamb e bumb-bumb. Sa keq më vjen për brezat e rinj që nuk kanë shijuar muzikë të vërtetë. Unë jam rritur në Pogradec, netëve dëgjonim përveç mërmërimës së Lumit të Madh të Mitrushit edhe këngët e zogjve, ndiqnim xixëllonjat, ajri kundërmonte era mollë dhe në lulishten e Turizmit të Vjetër luante orkestra më e mrekullueshme e Shqipërisë që vinin për ta dëgjuar nga të gjitha anët e vendit. Qenë të famshmit vëllezërit Darova: Ylberi, Metka, Agimi, Mentari, Ilirjani. (Më vonë i dënuan!) Në tryezat përjashta Turizmit duhej të zije vend që pasdite aty buzë liqenit që shushurinte më nge dhe njerëzit kërcenin e kërcenin nën atë muzikë të pashoqe me fjalë të bukura dashurie. Tani në Tiranë ulërijnë tam-tamet, mundohesh të flesh e pamundur ka kaluar mesnata dhe në atë kllapi çoroditëse më duket se ndodhem diku në xhungël përballë një tribuje kanibalësh, ata janë të gjithë cullak kanë vendosur një leckë aty përpara sa të mos u duken hallatet, u bien fort me duar atyre daulleve të vogla dhe me ngulm më pyesin se çfarë kuptimi ka fjala “Plenum” vras mendjen dhe kujtohem se e kam lexuar tek libri i Sadik Bejkos dhe përgjigjem serbes: “Plenum është ajo mbledhja kur shokët e një partie marrin vendim me votë se cilin nga shokët e tyre do ta pjekin në hell!” Vijojnë të angullijnë qentë! Befas bëhem esëll, sepse kanë filluar të flakërijnë fishekzjarret kushedi në cilin cep të globit është bërë ndonjë gol dhe këtu ka arsye për t’u gëzuar ca më shumë. Në netët kur ka dasma breshëria e fishekzjarreve është shurdhuese, me ngjyra mahnitëse ato turren deri tek ballkoni im dhe më duket sikur ka ardhur për vizitë Donald Trump dhe Melanie.

Muzika e lokaleve ende nuk ka pushuar, por poshtë pallatit sapo ka mbërritur makina e plehrave dhe bëhet një lloj zhurme tjetërsoj makina përplas kazanët bashkon plehrat plastike, letrat, mbeturinat që i kemi ndarë për merak dhe punëtorët diskutojnë me zë të lartë: “Të zëntë Vettingu ishallah, moj gaxhie!” “Vettingu i sat ëme!” ia pret gruaja tjetër. Largohen, muzika pushoi dhe i gëzohem gjumit, kur nga altoparlantët e Xhamisë në qendër dëgjohet lutja e mëngjesit në arabisht. Pasi mbaron dhe lutja ndihet një motor që po ecën rrugëve me shpejtësi skëterre, këtë nuk e fajësoj do të ketë rënë në dashuri i shkreti. Dhe gdhihet dita e re.