Xhevdet Zekaj: Edhe një herë për emrin e Stadiumit Kombëtar

157

Edhe një herë për emrin e stadiumit që po përfundon, i ngritur në vendin ku ishte “Qemal Stafa”, ku kombëtarja jonë e futbollit shkroi historinë për vite të tëra, që nga krijimi i saj, me të mirat dhe të këqijat e veta. Dikur kam kërkuar të quhej “Panajot Pano”, por tashmë mendoj se ky emër mund të jetë ideal për stadiumin e Partizanit! Çfarë nuk po lexojmë e dëgjojmë në debatin e fundit, të hapur mes zv.kryeministrit Erion Braçe dhe FSHF-së për emrin që duhet të ketë “shtëpia e kuqezinjve”. Madje, edhe pse emri i stadiumit nuk ka lidhje me historinë botërore, aq më shumë me historinë e Anglisë, Francës, Gjermanisë, Spanjës, Italisë etj. Ne jemi ende si një vend feudal, me politikanë “allahu na ruajtë”, apo “vajmedet”, siç thotë Edi Rama! Kujdes, mos harroni se stadiumi “Olimpico” i Romës mirëmbahet, mbështetet dhe subvencionohet nga shteti. Stadiumi “Stade de France” po ashtu, nga shteti. Dhe e dini sa është kostoja për një vit? Mbi dy milionë dollarë. Po kështu stadiumet ku luajnë kombëtaret. Në shumë vende, mirëmbajtja e tyre subvencionohet nga shteti. Në rastin konkret, shteti shqiptar nuk jep asnjë lekë për ndërtimin e “Arenës Kombëtare”. FSHF, madje i paguan shumë taksa që tani Erion Veliajt. Shteti shqiptar taksoi edhe materialet sportive, që vinin për stadiumin e sportin në përgjithësi. Ky shteti ynë nuk miraton dot një ligj për sportin dhe kërkon që stadiumi të mos ketë një sponsor… FSHF nuk merr asnjë lek për veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare nga shteti, ndërsa në raste suksesesh, si ai i kombëtares kuqezi në “Euro 2016”, qeveritarët hipin të parët në “fron” dhe tundin flamurin e meritave. Nuk jep asnjë para dhe kërkon që stadiumi të mos komercializohet si në krejt botën, t’i shitet emri? Kjo është habi e madhe për kohën që jetojmë, kur kërkohen të ardhura nga çdo mënyrë e burim i mundshëm. Natyrisht, edhe Superliga pa sponsor do të mbetet, sepse për çfarë fitimesh flisni, kur popullsia po shkon drejt minimumeve historike.

-Mos vallë futbolli po i detyron njerëzit të largohen nga ky vend?! Natyrisht që jo, përgjegjësit dihet se kush janë.

-Po si mund të gjejë sponsor Kategoria Superiore, kur shteti nuk rimburson bizneset që investojnë në klubet e futbollit?!

– Si kërkoni të jepni mend për stadiumin duke na sjellë përvojën e klubeve evropiane e më tej, kur sa e sa sponsorë kanë shkrirë pasurinë e tyre në klubet tona të futbollit, por shteti nuk ua njohu njëherë shpenzimet?!

Ne nuk jemi Parisi, Londra, Roma, Berlini, Amsterdami, etj., etj., jemi “Albanistan”, ku asnjë pushtetar nuk ka menduar për sportin. E patë sa e turpshme ishte situata e këtyre ditëve, kur kombëtarja jonë e basketbollit shkoi për t’u stërvitur në Parkun Olimpik, në fushën sportive “Feti Borova” e, ku iu mbyllën dyert. Shteti është edhe aty, qoftë edhe i përfaqësuar nga Bashkia e Tiranës, që e mirëmban. Pra, u dashkan para për mirëmbajtje, i kërkohen të tilla përfaqësueses së vendit vetëm për t’u stërvitur… Stadiumi le të marrë çfarëdo emri të dojë, përkundrejt ofertave më të mira financiare dhe një procesi tejet transparent. Shteti të miratojë ligjin për sportin, aty ka mundësinë ta tregojë veten sa bën për futbollin, por jo vetëm… Stadiumit i duhen të ardhura dhe ato që vijnë nga shitja e emrit nuk janë pak për një futboll si ky yni. Personalisht mendoj se polemikat mbi këtë çështje janë të kota fare. Njerëzit që janë kundër komercializimit të stadiumit nuk kanë të bëjnë me idenë e zhvillimit të ekonomisë së tregut, po ashtu kohën që jetojmë. Qemal Stafa ishte një idealist dhe është hero i vendit tonë, por ndryshimi i emrit të stadiumit nuk do të thotë se u poshtërua ai. Jo, Qemali ka një datë përkujtimore mbi datat e tjera, që është “5 Maji”, dita e dëshmorëve. Dhe puna e emrit të stadiumit më duket furtunë në gojë uji. Për “dashnorët” e ruajtjes së emrit të stadiumit po e mbyll me disa pyetje:

Pse nuk e ndaluat ju Zogun I të “pushtonte” Bulevardin?

Po 4 Shkurtin, përse e rrëzuat?

Këto janë më të rrezikshme për historinë tonë, edhe të Luftës Çlirimtare, që mund të lënë gjurmë të shtrembëruara…