Varfëri, shterpësi, demagogji…

539
Sigal

Izet S. ÇULLI

Ne u ndodhëm, kohë më parë, në ditë të shterpëta, që nuk po lindnin as thashetheme, përplasje, ndonjë përdhunim brenda llojit apo përversitet i zakonshëm seksual, ngjarje të bujshme politike që t’iu turreshin për disa javë e muaj gazetarët, opinionistët, qytetarët dhe politikanët e lartë. Dhe ja erdhi “mrekullia”, çasti “fatlum” kur në skenë si një rrufe në qiell të pastër, u ngjit Babalja. Ishin momente vërtet emocionuese e prekëse për të gjithë ne dhe, sidomos, për mediat e shkruara dhe ato pamore. Natyrisht nuk mund të mungonin të papunët e shumtë që enden rrugëve apo rëndojnë dhe ngrohen përditë karriget e rehatshme të kafeneve të mbira në çdo cep e kthinë rrugice. Dhe iu vërsulën të tërë Babale-“shpëtimtarit”, që na nxori nga ajo shterpësi lajmesh të zhurmshme ku ishim zhytur dhe për të cilat kishim aq shumë nevojë! Disa pijetarë kafesh apo uji të kulluar çezme, jo rrallë grindeshin me punonjësit e bareve që po i ndërronin ca si shpesh kanalet televizive, pa marrë vesh se ku flitej për “heroin” e tyre të dashur. Po Babalja për t’u bërë sa më shumë tërheqës, i kërkuar dhe shpresëdhënës, ato ditë kaloi kufirin shqiptaro-shqiptar drejt Kosovës, sigurisht pa ndonjë vështirësi. Sido që ndodhi, ne e gjetëm edhe atje, ku ishte strukur Babalja ynë me atë baballëkun dhe pamjen e tij prej heboidofreni, siç quhet në shkencën mjekësore… Kohët e fundit ne jemi larguar shumë nga njëri-tjetri, saqë po të takohemi me ndonjë të afërm, do të na duheshin ndoshta pak minuta sa të orientoheshim ta njihnim, por Babalen tashmë ne e njohim të gjithë, madje me dhëmbë e dhëmballë. Njëri prej atyre kafe-pirësve, më sherraku, shprehu një shqetësim të vogël në dukje: “Si nuk e mësuam dot, të shkretën, sa fije floku ka në kokë apo ishte fare kokëdac ose shogan?!” Kjo ndodhi ngase asnjëherë nuk e pamë atë pa kapelën e vet karakteristike. Shumë prej tyre, ç’është e vërteta, u mërzitën paksa me këtë detaj jo pak të rëndësishëm për personin kaq popullor, si Babalja. Një ditë tjetër plasi grindja me disa ithtarë pjesëmarrësish, se me qime, pa qime apo kokërruar, s’ka hiç fare rëndësi. Më mirë të shihnin mendimet e tij dhe jo lëkurën me praninë e flokëve. Gjithsesi atë ditë sherrnaja do të kishte marrë përmasa të mëdha e të pa parashikuara, po fatmirësisht ata më të acaruarit, lanë kafet e pa pira në mes, atë mëngjes të trishtë. Nuk u mor vesh se a do të ktheheshin më atje, të paktën sa të ftoheshin gjakrat… Për një gjë jemi të sigurt se komentet pasionante dhe analizat e pafrytshme, do të vazhdojnë e vazhdojnë për shumë kohë për Babalen. Mirë e tha një grindës i thekur këto ditë-net të koklavitura keqas me të: “Paçim fatin e tij!” Nuk është shaka që në një periudhë kohore aq të shkurtër të uzurposh ekranet, gazetat, mjediset familjare dhe publike, madje të tërheqësh vëmendjen e një shteti të tërë! Jam i mendimit për atë që duhet të na shqetësojë: Për çdo denoncim e informacion keqbërës, organet kompetente të shpejtojnë veprimtarinë e tyre të përditshme për të mirën e punës, si edhe për t’u hequr mundësinë e drobitjes së kotmëkotshme mediave të ndryshme, të cilat merren kaq gjatë me një problem që mund të zgjidhet më shpejt.