Vangjush Saro: Të hedhim poshtë qelbësirën e sistemit

529
Sigal

Ta hedhim’… qelbësirën!’, domethënë sistemin

 

Vangjush Saro

 

Kjo histori është shumë e njohur për shqiptarët. Është e vjetër; tranzicionale. Mjaft të kujtojmë kohën kur ndjekësit e opozitës së atëhershme, që është edhe tani opozitë, i ‘këndonin’ z. Fatos Nano, Kryeministër i asaj kohe, njëherësh edhe Kryetar i Partisë Socialiste, pak a shumë kështu: “Ta hedhim, ta hedhim, ta hedhim qelbësirën!” Me siguri, shumica e ka harruar këtë ‘këngë’. Është thënë jo një herë, që ne harrojmë. Por ja një gjë për t’u kujtuar me doemos: Kohë më pas, ‘qelbësirën’ e thirrën për ndihmë; pikërisht ai apo ata që kishin kompozuar këngën në fjalë. Nuk e vlente ta ‘hidhje’ më…

Pra, çfarë duhej ‘hedhur’? Çfarë duhet ‘hedhur’?

Një kryeministër, një qeveri apo sistemi, të cilin e krijuan këta (pa asnjë përjashtim) ‘këta’ të gjithë? Po e filloj nga një dukuri që nuk ka qenë evidente tek ne, përjashto vitin ‘97: Iu vihen gjoba bizneseve apo personave të caktuar(!) Mendoj se kjo do të thotë që jemi shumë, po shumë prapa… Të etur për dëfrim dhe fitime të shpejta, të rinj që mund të punonin shumë mirë mekanikë apo fermerë, bëjnë profesionin më të ri dhe më të trishtë, atë të vrasësit me pagesë ose të përçuesit të gjobave… Për fat të keq, ka edhe media që bëjnë pikërisht këtë, por në mënyrë të kamufluar. Dhe shteti bën sehir; sepse ai dhe politika, në përgjithësi, janë të zënë orë e çast me kriza, të vjetra dhe të reja, të vërteta apo të sajuara. Shteti e politika, që gjenden kudo, kudo, çuditërisht, nuk gjenden në këtë hall, nuk e shpleksin dot lëmshin e ngatërruar e të pistë, nuk i shpëtojnë dot qytetarët e tyre nga ky makth.

Ajo që duhet të ‘hedhim’ pra, është sistemi

Duan të thonë se politika është e lidhur me krimin, për rrjedhim, nuk mundet të luajë rolin e ‘shpëtimtarit’, për sa kohë është në vend të gabuar e në rol të gabuar. Nuk jam që këtë realitet ta ofrojmë më të errët se ç’është, por këto kohë, për fat të keq, ‘anëtarët’ e Parlamentit, jo pak prej tyre, na kanë dalë pa shkollë, pa kulturë, pa integritet, njëfarësoj miq me krimin. Kujtoni se ç’përbërje kishte Parlamenti i parë pluralist dhe do të kuptoni sa poshtë ka rënë katundi…! Kjo do të thotë se maniakët e parave e të politikës kanë diktuar në rregullat bazë, në mënyrë që të vazhdojnë t’i kenë duart të lira. E si mund t’iu imponohen qytetarëve dhe partive njerëz që janë më pranë burgut sesa çdolloj institucioni tjetër! Pra, mendoj se në ka një gjë për t’u ‘hedhur’, është sistemi…

Në një prej medieve të shumta, një pjesë e të cilave dukshëm janë të zhytura në gabime e gafa, sa edhe në një luks që të habit, dëgjova njëlloj ankese, se… jo të gjithë ata që mbarojnë gjimnazin mund shkojnë në shkollën e lartë. Po kush tha se po? Në cilin vend (të përparuar) të botës ndodh kjo? Askund. Shkolla e lartë, prej kohësh, është bërë një fiksim për qytetarët, një barrë për ekonominë e vendit. Një vend i vogël që prodhon kaq shumë tangërllëk. Dhe politika vjen si prodhuesja më e madhe e këtij ‘produkti’, i cili, mjerisht, vazhdon të na tërheqë prapa e të na bëjë të çuditshëm në sytë e botës. Ai që pretendon të vijë në pushtet premton ‘arsim të lartë për të tërë’… Dhe institucionet nuk janë në gjendje të shpjegojnë që kjo gjë është e pamundur; por edhe e padëshiruar. Ajo që duhet ‘hedhur’, është ky mentalitet gënjeshtrash e demagogjish, përndryshe sistemi…

Ngërçi i një telenovele që s’po ka fund

Ngado të kthesh kokën tek ne, pamja e parë është partia, fjala e parë mbetet politika; jeta e njerëzve, si askund gjetkë, pothuaj është varur në këtë gozhdë të ndryshkur. Ky ngërç është pjesë e një telenovele që s’po ka fund. Politika që herët është shfaqur si një kuçedër; ka pushtuar të gjitha hapësirat, duke lënë shumë pak vend për arsim, edukim, letra, art, etj. Sistemi i ndërtuar që në fillimet e tranzicionit – dhe që nuk po shembet dot ende – e bën njeriun të vogël, të pasigurt, të trembur, por në të njëjtën kohë superaktiv, të karrikuar në maksimum, të pakënaqur dhe bërtitës e gërnjar njëherësh; njëlloj specie tranzitore, gjithashtu. Edhe njëherë, duhet ‘hedhur’ sistemi; që do të thotë se politika duhet zhveshur nga pompoziteti dhe autoriteti i frikshëm; ndërsa njeriu duhet të jetë i lidhur jo me të, por me profesionin, me institucionin, me rregullat dhe ligjet.

Duke ndjekur bizneset e tyre, për hir të partive a klaneve ose familjeve, krijuesit dhe drejtuesit e këtij sistemi – ku, siç thamë, veç politika ndihet dhe veç ajo dikton – kanë lejuar shthurjen në të katër anët e vendit e në çdo orë e ditë të kohës. Ndërtimet gjithfarë dhe shfrytëzimi kriminal i mjedisit e pasurive të vendit, vazhdojnë; me dhe pa lejë. Pa pasur parasysh gjeografinë e bizneseve sipas llojeve, çdokush hap kafene, dyqan, zyrë noterie, barnatore, çdokush bëhet taksist, tregtar, analist, historian, gjuhëtar…

  • S’të zë me dorë asnjeri lopatë apo zdrukth.
  • S’të qaset kush për të ngritur ndonjë fermë.

Është ‘më mirë’ të bëhen avokatë ose të marrin nga një mikrofon në dorë, të përdridhen e të çirren e të bëjnë video, pastaj të shkojnë nëpër dasma e të degdisen edhe nëpër festat e emigrantëve, gjer në Kanada dhe Australi… Punë tallavaje.

  • Iu rroftë talenti e puna këngëtarëve dhe këngëtareve që kanë zë dhe ofrojnë profesionalizëm. Të gjithë janë vërsulur të bëhen shkrimtarë e poetë; dhe u faruan pyjet për letër; dhe rrjetet dingas janë me krijimtari mediokre e grafomane.
  • Iu rroftë mundi krijuesve që dinë ta mbarojnë siç duhet një frazë… Dhe institucionet pranë këtyre disiplinave, nuk e thonë fjalën asnjëherë. Më në fund, duhet ‘hedhur’ sistemi që e krijon këtë tallava, në të gjitha fushat.

Çfarë e bën kaq të pamundur sot një marrëveshje për të kapërcyer krizën që dita-ditës bëhet më e paparashikuar? Dëshirat informale. Liderët informalë (prapa perdes). Të kapurit në gënjeshtra dhe në punë të tjera informale. Patetizmi, që është informaliteti më i dukshëm ndër shqiptarë. (Çka do të thotë:

  • Klithma përpara fjalës,
  • Dhuna përpara dialogut,
  • Gënjeshtra përpara vizatimit të pamjes reale dhe mundësive reale.

Por jemi po aty: Ajo që duhet ‘hedhur’, është sistemi. Natyrisht, bashkë me të, edhe protagonistët e tij, ata që janë në sipërfaqe dhe ata që rrinë fshehur e manipulojnë të tjerët.

Sistemi. Një fjalë goje. Kjo është diçka afatgjatë; kurse afrimi i fundqershorit kërkon thjesht një marrëveshje afatshkurtër. Kush nuk e kupton këtë, nga të dyja palët ishte fjala, duhet të mbajë përgjegjësi. Tani apo kur të vijmë sërish te punët afatgjata.