Vangjush Saro: Kutitë e votimit dhe kullat

543
Sigal

Konflikti politik aktual u mbyll dhe njëherësh u hap sërish… Kemi dhe nuk kemi zgjedhje; shtyhen dhe nuk shtyhen ato. E kemi cekur këtë temë disa herë, duke theksuar që kjo ngarkesë e sajuar dhe e sforcuar rëndon mbi qytetarin dhe ekonominë e vendit. Por me sa duket, për ata që janë, që ishin, që do të jenë në pushtet, këto ‘vogëlsi’ nuk ngrenë peshë. Për ata, ka rëndësi paraja, kullat… Ashtu si arbitrariteti politik e zgjedhor, varfëria dhe pasiguria, tashmë, siç dihet e siç shihet, qytetarëve të Tiranës, të Shqipërisë, iu janë imponuar këto ndërtime pa kriter; posaçërisht kullat e larta e të frikshme (në çdo kuptim). Ata që urdhërojnë ndërtimin e tyre, ata që i lejojnë dhe ata që përfitojnë prej tyre, janë në masë anonimë, të panginjur; atyre iu janë errësuar sytë. Por këtë gjendje padrite – mund të jetë invers, por është njëherësh realitet – ua kanë përcjellë si ‘dhuratë’ të tjerëve, që s’kanë të bëjnë fare me fitime e para të dyshimta.
Nuk besoj se do të shtonte gjë në këtë shkrim përmendja e disa shifrave, të cilat qytetarët i llogarisin dhe i kanë parasysh çdo ditë. Por flagrante është që ka një lidhje mes kullave dhe kutive të votimit. Të parat tallen me të dytat. Do të përpiqem të shpjegoj ç’është ky errësim që na vjen nga kullat. Nuk themi asgjë të re, nëse kujtojmë që askush nuk ua merr dorën qytetarëve për një mendim a skenar planimetrie dhe hapësire; për më keq, nuk pyeten dhe nuk kanë asnjë lloj autoriteti mbi këto tema, as planifikuesit urbanë dhe arkitektët vendas. Ashtu si në libraritë që mbahen si ‘më të mirat’, gëlon vetëm letërsia e huaj, në shqip dhe në gjuhë të huaj – dhe nuk ka asgjë të keqe, nëse nuk do të shkeleshin me këmbë dhe nuk do të fshiheshin rrëzave librat e autorëve shqiptarë – po ashtu ndodh edhe me urbanistikën e kryeqytetit, por jo vetëm të atij; ekspertët vendas shkelen me këmbë dhe rrinë keq e keq nën hije e këtyre kullave.
Errësimi që na vjen nga kullat është i shumëfishtë. Më së pari, ne jemi gjithnjë në ‘errësirë’ dhe të painformuar, se kush i bën, kujt i interesojnë, kush investon me kaq ‘zell’ dhe përse duhen ato… (Duke i bërë gjithnjë më të larta, siç thotë një miku im, kino-regjisor i njohur, ata ndoshta mendojnë se po i fshihen Zotit.) Ndërkaq, nga pikëpamja ekonomike, errësimi bëhet edhe më i rëndë, për shkak se shohim që nuk investohet sa duhet në sektorë publikë, për bujqësinë, për shkencën, për kulturën, për turizmin, për problematikën sociale të vendit. Madje as për ato të shkreta kuti votimi; vetë sistemi zgjedhor është i prapambetur.
Nga ana tjetër, të gjithë e ndjejnë që kullat shtojnë zymtësinë e kryeqytetit dhe i marrin frymën atij; ato e bëjnë ajrin më të rëndë, mundësinë për të parë tutje a përqark, më të vogël; këto janë me të vërtetë rrethana të mjera në të cilat, për fat të keq, pushtetarët shkruajnë slogane ‘përparimi’. Më tej, nuk merret vesh, pse vazhdojnë të errësojnë qiellin e Tiranës, por edhe atë të disa rretheve, këto mostra që më së shumti janë bosh, bosh… Kaq shumë hotele e kaq shumë kate, a thua e tërë bota do të prenotojë gjumin në këto kulla dhe e tërë bota do të kërkojë zyra në to (!)
Errësimi më i madh që na vjen nga kullat, mjerimi i vërtetë që ato dhe të zotët e tyre na ‘dhurojnë’, është lënia mënjanë e në harresë e çdo teme e subjekti tjetër të rëndësishëm, në mos shumë më të rëndësishëm. (Madje, edhe e ndonjë ngjarjeje tejet aktuale dhe jetike, si (mos) shtyrja e zgjedhjeve vendore të kësaj radhe plot zhurmë e kokëfortësi nga palët.) Në Shqipëri, në Tiranë posaçërisht, nuk bëhet fjalë për tjetër gjë përveç politikës, parave, luksit për së jashtmi, të mbështetura këto gjithnjë nga një medie që në pamje të parë duket mjaft e pasur, por që në fakt, është bosh dhe e mjerë; programesh dhe burimesh financiare. Mediat, përgjithësisht, nuk i qasen kësaj teme; e kanë më të lehtë të vjellin vrer a të thurin ditirambe për politikën dhe episodet e saj të errëta, sesa të përballen me këtë realitet gri dhe me fatet e trishta të qytetarëve.
Shumica nga ne nuk jetojmë në ato kulla; përkundrazi, jemi të shtypur prej tyre, prej hijes së tyre, në një trysni mjedisore dhe shpirtërore që rrallëkund mund të jetë kaq flagrante dhe e rëndë. Ato, kullat, janë të tjetërkujt; kutitë e votimit janë tonat, me gjithë simbolikën e tyre. Dhe tani, punët janë ngatërruar, sa nuk merret vesh ku mbaron kulla dhe ku fillon kutia e votimit. Qytetari shqiptar, intelektuali shqiptar, pjesa më e ndershme dhe më naive e popullsisë, që veç ngrenë supet në këtë rrëmet, janë të papërfaqësuar në tërë këtë histori; dhe kjo do të thotë, se vendi ka nevojë për ndryshime në të gjitha fushat, më së pari, në sistemin drejtues e politik. Këto ndryshime u takojnë ekspertëve që ende s’u dëgjohet zëri, por që vendit nuk i mungojnë; ashtu si nuk i mungojnë edhe media të mira, zëra të qartë e të paanë, që duhen dëgjuar dikur, krahas dëshirave – të formuluara në gjithfarë mënyrash, edhe përmes protestave e deklamimeve të vazhdueshme të qytetarëve e intelektualëve – për ta parë pak më ndryshe këtë pamje të lodhshme tranzicionale.
Ato, kullat e tjetërkujt, zor se shemben apo mënjanohen nga jeta e këtij vendi, por sistemi që po i ngre ato pareshtur, duhet shembur e ribërë; duke shpresuar dhe duke synuar sadopak dritë e diell më shumë, sadopak transparencë më shumë. (Edhe kjo situatë, kur janë mundësitë të shtyhen e të bëhen më serioze zgjedhjet, duket se nuk po vlerësohet si duhet.) Pikërisht, lipset të ngremë më lart jo kullat dhe mëritë politike, por sistemin plot defekte të demokracisë sonë infantile, në mënyrë që të mos na duken gjithnjë e më groteske këto dekada të fundit. Se pastaj do të themi, në mos kemi filluar të themi: “Na rrofshin kullat!”