Thoma Papapano ( Çuçi) – ikona e mësuesve gjirokastritë

1877
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Vështirë të gjesh gjirokastrit që mos ta ketë pasur mësues Thoma Papaponon, sepse jeta e tij publike ishte lidhur ngushtë më atë të profesionit,mësimdhënien. Gazetari dhe publiçisisti i njohur Andon Lula sapo ka botuar një libër plot informacion dhe me të dhëna interesante për jetën dhe veprimtarinë atdhetare-publike dhe profesionale te Thoma Papapanos. Rrallë mund të gjesh një lidhje kaq të ngushtë midis jetës personale (familjare dhe asaj publike profesionale) siç e ka zbuluar aq saktë dhe këndshëm, autori, Andon Lula tek libri me titull “Rilindësi gjirokastrit -Thoma Papapano (Çuçi)..

Mësuesin Thoma Papapano e kam pasur mësues dhe më vonë edhe koleg.. I detyrohem atij, si gjithë ish-nxënësit e tij, dashurinë, mjeshtërinë dhe përkushtimin për gjuhën e bukur shqipe. I jam mirënjohës  publikisht për letrën që i shkroi ministrit të Arsimit të asaj kohe Bedri Spahiut, që të më jipej e drejta të jetoja dhe të ndiqja shkollën si konviktor.

Lasgush Poradeci, sa herë që e pyesnin se çfarë është kultura ai përgjigj vetëm me një fjalë: “librat”. Kuptohet se shkrimtari kishte kërkesa të larta dhe tepër të larta për “librat”, sepse ai vetë krijoi vetëm vepra xixëlluese.

PORTRETI

Mësuesi i popullit, gjuhëtari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Thoma Papapano kishte një pamje fizike fisnike, një sjellje fisnike dhe mbi të gjitha një karakter fisnik. Ja sa bukur e jep portret e tij zoti Lula: “…Burrë zotëri, i qetë, i menduar, i kujdesshëm, me autoritet e hije…. Vishej bukur, me kostum dhe borselinë; dimrit me pallto Gub që ia kishte dërguar Fan Noli nga Amerika, ndërsa verës me kostum doku, bezhë, këmishë të bardhë me jakë mbi xhaketë… “ (Andon Lula: “Rilindësi gjirokastriti Thoma Papapano”, 2017, f.7). Dhe në faqen 11, autori, shton një hollësi me interes se “Papapanua qethej ‘karé’ të shtunën e parë të çdo muaji”.

Kur ngjitte tatëpjetën e rrugës nga lagjia Varosh për në gjimnaz, me një ecje ritmike, të gjithë e përshëndetnin me nderim dhe ai ua kthente me ëmbëlsi. Ai dukej sikur kishte diçka diellore në qenien e tij, që ngrohte secilin që kishte të bënte me të. Ai jetoi dhe punoni në regjime dhe sisteme të ndryshme shoqërore dhe politike, por u nderua dhe u vlerësua, duke i besuar poste dhe detyra të rëndësishme arsimore dhe publike.

Atdhetari i shquar Thoma Papapano- intelektual tribun

Papapano nuk ishte mësues, ai ishte kryemësues. Ai hyri në jetën politike. publike dhe arsimore si një figurë e shquar kombëtare. Kjo u duk me pjesëmarrjen e tij në Kongresin e Drejtshkrimit në Manastir (1908) bashkë me Rauf Fico, si përfaqësues te Gjirokstrës. Pra, ai ishte krah për krah me Mit’hat Frashërin, kryetarin e Kongresit, me Gjergj Fishtën, kryetari i alfabetit dhe me mjaft personalitete të kohës; si Luigj Gurakuqi, Nndre Mjeda etj. Kjo i bën nder atij, i bën nder edhe Gjirokastrës, Thoma Papapano përkrahu dhe ndihmoi edhe çetat e para në Jugë të Shqipërisë, e në radhë të parë, çetën e Çerçiz e Bajo Topullit. Ai shkruante në shtypin e kohës me pseudonimin Themos dhe i bënte jehonë veprimtarisë së çetës së Çerçizit dhe pritjes që banorët Gjirokastrës i kishin bërë plot nderim atij dhe Bajo Topullit si luftëtarë të lirisë. (Po aty, f.15)

Thoma Papapano ndiqte shembullin e të atit, i cili kishte shërbyer me atdhedashuri nëpër fshatrat e Gjirokastrës. Ja se ç’na thotë autori , zoti Lula “Marrëdhënie të mira mbante At Papapano me Bajo Topullin. Në zgjedhjet bashkiake të vitit 1925 Bajua u zgjodh kryetar Bashkie. Kënaqësi e Bajos ishte kur çdo javë priste priftin Pano Çuçi, dhespotin ndihmës të dioqezës së Gjirokastrës”.. (Po aty, f.21) Në libër u kushtohet faqe të tëra at Papapanos si klerik dhe figurë publike. At Papapano priti dhe shoqëroi Fan Nolin gjatë vizitës në Gjirokastër, madje e ftoi edhe për darkë. Ai i përshëndeti me një fjalim mbushur me fjalë nderimi dhe atdhetarizmi Vatranët që kishin ardhur në vitin 1920, në luftën e Vlorës “të vendosur të luftonin e të linin kokën, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë së tyre të dashur” (Po aty , f.28 ) Kthimi i Bajos dhe Çerçizit në Gjirokastër, pas vitit 1908 në Gjirokastër i dha hov lëvizjes patriotike. Miqtë e patriotët gjirokastritë, edhe nga krahinat që morën vesh kthimin e vëllezërve Topulli, shfaqën dëshirën për t’u bashkuar dhe krijuar një klub si bazë e veprimtarisë atdhetare, dhe për zbatimin e ideve dhe porosive të Lidhjes së Prizrenit. Klubi , pas fjalimit të Bajo Topullit, u pagëzua me emrin “Drita”. Vendimi i parë, vendimi më i rëndësishëm i klubit “Drita”” ishte çelja e shkollës në gjuhën shqipe që u quajt shkolla “Liria” (1908).

Klubi “Liria” dhe shkolla “Drita u bënë tribunë e përhapjes së gjuhës shqipe dhe e njohurive shkencore dhe historike. “Çdo anëtar duhet të përgatiste nga një konferencë sipas degëve.” (f.41)

Shkolla “Liria” i hapi dyert e saj, në shtator 1908 dhe punoi gjer në mbrëmjen e datës 15 mars 1913, kohë kur Gjirokastra u pushtua nga ushtria greke. Në shkollën e parë shqipe u punua për afro 5 vite me radhë pa asnjë ndërprerje.

Lajmi për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlore nga Ismail Qemal Vlora dhe ngritja e Flamurit Kombëtar, erdhi në Gjirokstër menjëherë. Patriotët e qytetit, organizuan një manifestim të madh dhe 4 dhjetor 1912. Flamuri i Skënderbeut u ngrit mbi kullën e sahatit. Papapanua mbajti një fjalim të zjarrtë para qindra banorëve të qytetit  nxënësve të shkollës “Liria”, që këndonin Himnin e Flamurit Kombëtar. Papapanua ishte tribun atdhetar që u përfshi në të gjitha ngjarjet pas formimit të shtetit shqiptar, ai mbështeti Fan Nolin dhe qeverinë e formuar prej tij.

Thoma Papapano –Senator i Arsimit dhe Gjuhës shqipe

Thoma Papapano u bë senator i arsimit dhe shkollës shqipe. Ai punoi jo thjesht si arsimtar, por edhe si një drejtues i talentuar dhe i përkushtuar në të gjitha detyrat dhe postet e caktuara që nga drejtor shkollash, inspektor, nëpunës në Ministrin e Arsimit. Thoma Papapano, mbi të gjitha, ndriti si mësues i gjuhës shqipe, të cilën e ktheu në art. Orët e tij të mësimit ishin një harmoni e shpjegimit të rregullave dhe kërkesave të normave gjuhësore me metodiken e këndshme. Ai ligjet e gjuhës shqipe i shpjegonte thjesht dhe qartë. Kështu thoshte “ Gjuha shqipe fjalëve që merr nga gjuhët e huaja iu vu qeleshen shqiptare” Ose kishte aftësi të madhe që të sillte shembuj të bukura nga letërsia dhe folklori shqiptar.

Nga gjimnazi “Asim Zeneli” ose me saktë nga nxënësit e Thoma Papapanos dolën shkrimtarë dhe poetë të shquar te Shqipërisë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Agim Shehu, Bekim Harxhi dhe studiues të njohur, sepse ata mësuan bazat e gjuhës shqipe nga Mjeshtri i saj, Senator i gjuhës shqipe. Kam qenë nxënësi i tij dhe për pak vite edhe koleg. Në vitet’ 60 të shekullit të kaluar, kur punoja profesor i gjuhës shqipe ne Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (Republika popullore e Kinës) mora një letër nga Shqipëria, nga Gjirokasrtra, zarfi i saj mbante emrin dhe shkrimin e bukur te mësuesit tim të madh, Thoma Papapanos. Mësuesi im i shquar Thoma Papapano më drejtohej me fjale të ngrohta, emocionuese dhe plot dashuri :”I dashur Agron, e marr me mend se sa të ka marrë malli për Gjirokastrën, por kaq shumë e ka marrë malli edhe Gjirokastrën për gjimnazistin e dalluar dhe kolegun tonë, për Ju. Ne ndjehemi krenarë që pikërisht ju, nxënësi ynë po jep gjuhën shqipe në shtetin më të madh të rruzullit tokësor, në Pekin, kryeqytetin e Republikës Popullore të Kinës. Ky është fat për Ju dhe nder për ne.”

Libri i zotit Andon Lula është shkruar me dashuri dhe sjell një material të pasur biografik dhe faktik. Mirë ka menduar autori që ka sjellë edhe kujtimet, vlerësimet e shumë kolegëve dhe ish-nxënës të Papapanos, njerëz të dijes dhe të kulturës. Libri e pasuron bibliotekën shqiptare dhe lexohet me kënaqësi intelektuale. Përgëzimet më të sinqerta autorit të librit, zotit Andon Lulës!