Telenovelat turke në ekranet tona televizive

543
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico HC

Shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të rruzullit tokësor. Zbulimet arkeologjike, dokumentet historike, dëshmitë e historianëve klasikë, të historianëve të periudhave të ndryshme historike, mbi të gjitha vetë gjuha shqipe, provojnë katërçipërisht për lashtësinë e shqiptarëve.

Shqiptarët një popull autokton dhe i lashtë

Dijetarët e shquar thonë se shqiptarët janë një popull autokton, një popull i moçëm, pasardhës i banorëve më të parë të gadishullit ballkanik, një ndër popujt më të lashtë të Evropës dhe të botës. Ata thonë se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët e dikurshëm. Përfaqësuesi dhe mbrojtësi më i zjarrtë i kësaj teze është albanologu gjerman Georg von Hahn. Pikëpamjet shkencore të Hahnit u përqafuan dhe u zhvilluan më tej nga studiuesit dhe shkrimtarët e shquar arbëreshë, si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Mikel Markiano, Zef Skiroi, Dora D’Istria e disa të tjerë. Ndërsa në Shqipëri mbrojtësi i kësaj teze, domethënë i prejardhjes pellazge të shqiptarëve, që e argumentoi gjerësisht, është Prof. Gjergj Pilika, në librin “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, Tiranë 2005. “Tejpërtej gadishullit ballkanik dhe më gjerë, ndër shtresimet parahelene, mënyra e jetesës, kultura materiale, shoqërore dhe artistike, veprimtaria prodhuese, si dhe onomastika e paraardhësve tanë, shfaqet në fusha pa anë e fund, ku spikat shkoqur lashtësia jonë parailire, pellazge.” (Pellazgët…, Vep. cit. f. 11.)

Shqiptarët e sotëm rrjedhin pa dyshim nga raca e moçme e ilirëve, thotë historiani i njohur rumun, Jorga. Disa emra ilirë filluan të përmenden nga Homeri qysh në shekullin XII para Krishtit. Fiset ilire krijuan një fizionomi të vetën dhe të zhvilluar. Kultura e ilirëve karakterizohet nga lashtësia e traditave dhe nga veçoritë etnike.

 

Shqipëria nën pushtimin e perandorive të ndryshme

Shqipëria jonë ka qenë e pushtuar nga perandori të ndryshme në një hark kohor tepër të gjatë. Në fillim ka qenë nën sundimin e perandorisë romake, pastaj kaloi nën sundimin e perandorisë bizantine, më pas atë sllave dhe në shekullin XV ra nën sundimin 500-vjeçar të Turqisë osmane.

Secili pushtim, secila perandori, solli skllavëri, rrënime shkatërrimtare të gjithçkaje, duke lënë edhe gjurmë të caktuara në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar.

Në vitin 168 para Krishtit, me pushtimin e Shkodrës, ilirët hynë nën pushtimin ushtarak romak, por kurrë nuk u pajtuan me këtë robëri të huaj. Historiani romak Velleius Paterculus tregon se ilirët bënë mbi 200 kryengritje kundër romakëve, që të fitonin pavarësinë.

Perandoria Lindore ose ndryshe Perandoria Bizantine që kishte kryeqytet Kostandinopojën, për nder të Kostandinit të madh, themelues i saj më 330, zgjati rreth 10 shekuj dhe njihet në historinë shqiptare si histori e kryengritjeve të vazhdueshme të shqiptarëve kundër pushtimit bizantin.

Dyndjet e fiseve sllave në Arbëri në shek. VII u shoqëruan me masakra ndaj popullsisë vendase, me zhdukjen e kësaj popullsie dhe vendosjen e sllavëve në vendet e pushtuara. Kjo duket edhe në toponimitë sllave, që ende ruhen në vise të ndryshme të hapësirës shqiptare.

Dëmet dhe pasojat e pushtimit 500-vjeçar turk

Pushtimi gati pesë-shekullor i Shqipërisë nga turqit osmanë ndaloi procesin e zhvillimit evropian të kombit shqiptar. Pushtimi nga Turqia osmane ishte më i gjati, më i keqi dhe ndryshoi disa tipare të etnosit ilir-shqiptar. Kjo robëri e gjatë, ky sundim barbar turko-osman la gjurmë të pazhdukshme në jetën e shqiptarëve, në kulturën e tyre evropiane dhe mbi të gjitha u ndryshoi besimin fetar, i bëri myslimanë.

Në krye të shekullit pesëmbëdhjetë -shkruan historiani i madh Fan S. Noli- Shqipëria ishte pothuajse plotësisht katolike, me nja tetëmbëdhjetë peshkopata të ritit latin. Në këto duhen shtuar dhe disa peshkopata Unite të ritit oriental Ortodoks, të lidhura me Papën. Sa për kapedanët dhe bajraktarët, këta ishin kthyer Katholikë njëri pas tjatrit, sikundër na tregojnë dokumentat e kohës. Thopiat e Krujës përmenden si Katholikë më 1208, Muzhaqët e Myzeqesë më 1318; Zenebishtët e Gjirokastrës, Muzakatë e Çamërisë dhe Shpatët e Nartës më 1354; Balshajt e Shkodrës më 1369, Dukagjinët më 1400, Kastriotët më 1407; Alisferët e Dajës më 1414.Kështu Katholikizma nga njëra anë i jepte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet, edhe nga ana tjatër e lidhte me botën e Krishterë Europiane”. (Fan Stilian Noli, Historia e Skënderbeut, f. 17.)

Turqit osmanë krahas pushtimit ushtarak ndërmorën edhe kthimin e shqiptarëve në fenë islame. Këtë e realizuan me dy mënyra: Me detyrimin ushtarak dhe me detyrimin ekonomik. Këtij agresioni shpirtëror shqiptarët i bënë qëndresë të fortë. Kështu shpjegohet që në viset malore shqiptarët nuk u kthyen në fenë islame.

Kryesore është se gjithnjë shqiptarët kanë vënë lirinë, pavarësinë, shqiptarizmin, para besimit. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” – do të shkruante rilindësi i madh Pashko Vasa.

Gjergj Kastriot Skënderbeu realizoi bashkimin e shqiptarëve në Kuvendin e Lezhës, bashkoi krahinat, bajraqet dhe fiset e ndryshme në një strategji të madhe atdhetare-kombëtare të luftës kundër “kjenit turk”. 25 betejat e zhvilluara kundër turqve dhe përballimi i dy prej sulltanëve më të fuqishëm të Turqisë, sulltan Murati II dhe sulltan Mehmeti II, dëshmuan për vitalitetin e kombit shqiptar.

Telenovelat turke në ekranin e televizionit

Telenovelat turke, me emrat e çuditshëm si “Dashuri pafund”, “Ëndërr”, “Familja e madhe”, “Sulltanesha Kasëm”, “Çukur” e gjer tek “Kryeqyteti Abdylhamit” etj., etj., janë bërë tashmë të zakonshëm në programet e televizioneve private “Vizion Plus” dhe “Klan HD”, të cilat shfaqen 2-3 herë në javë në orë të ndryshme ose edhe gjithë javën.

Teleshikuesit e tyre janë të shumta dhe të moshave të ndryshme. Skenat, veshjet e personazheve dhe mbi të gjitha loja e aktorëve janë mbresëlënëse, por motivet, idetë, filozofia e shumicës së tyre janë “otomane”, në kuptimin e evokimit të një shoqërie mesjetare me kode dhe zakone të ashpra, ku lavdërohet kulti i sulltanëve dhe “heronjve” kreshnikë.

Morali, etika e personazheve është larg asaj të shoqërisë digjitale, ku jetojmë të gjithë dhe veçanërisht brezi i ri. Edhe pse subjektet e këtyre telenovelave janë të larmishme, ato kanë disa tipare të njëjta, siç është qëndrimi dhe vlerësimi ndaj gruas, lirisë së njeriut etj.

Po ndalem më konkretisht tek telenovela “Sulltanesha Kasëm”, ku shfaqen hapur dhe me arrogancë tiparet e shoqërisë osmane, që nga pushtimet dhe masakrat në vendet e pushtuara e gjer tek lavdia e sulltanëve, pasuritë e pamata nga këto pushtime dhe mbi të gjitha figura e një nëne kriminele, vrasëse e fëmijëve të vet dhe e etur për pushtet të pakufizuar.

Shqiptarët e gjithë kohërave nënat i kanë dashur dhe nderuar si hyjni, që nga fëmijëria gjer në fund të jetës. Nënat shqiptare bashkë me qumështin e gjirit edukojnë tek fëmijët virtyte fisnike, si nderi, puna e palodhur, dashuria për lirinë e atdheun etj. Të shumta janë legjendat, këngët folklorike, por edhe poezitë, romanet e shkrimtarëve tanë kushtuar nënës shqiptare. Atëherë, i dashur lexues, shtrohet pyetja se kujt i shërben dhe pse duhet modeli i sulltaneshës Kasëm?

Skenat e haremeve, si privilegj i veçantë dhe i pakufizuar i sulltanëve diktatorë, që vajzat e bukura të viseve të pushtuara nga turqit osmanë të vihen në përdorim të sulltanit epshor, janë të urryera dhe të pakuptimta për shoqëritë moderne demokratike dhe ngjallin neveri për çdo njeri normal, që të drejtën seksuale si një e drejtë natyrore njerëzore e gëzon lirisht.

Pa u ndalur e shkoqitur tërë motivet e subjekteve të këtyre telenovelave turke duhet nënvizuar se në to pasqyrohet e shtrembëruar historia edhe kur flitet për ngjarje ose sulltanë që kanë shkelur tokat arbërore. Kështu, sulltan Murati II vdiq në Fushën e Kosovës më 1389 nga kama e një shqiptari që guxoi e hyri në tendën perandorake. Ndërsa sulltan Mhemeti II, “Fitimtari” edhe pse erdhi me qindra mijë ushtarë dhe ndoqi politikën e tokës së djegur dhe bëri masakra të shumta dhe mbajti të rrethuar për muaj të tërë kështjellën e Krujës, u detyra të largohet i mundur.

Ishte gardhi i shqiptarëve të pamposhtur që penguan këtë sulltan tiran të kapërcente Adriatikun dhe të vendoste flamurin me gjysmë hënë mbi Kishën e Shën Pjetrit në Romë.

Epilog

Në shoqërinë demokratike dhe të ekonomisë së tregut të lirë edhe kompanitë private televizive “Vizion Plus” dhe “Klan HD” gëzojnë të drejtën të transmetojnë filma dhe dokumentarë, që mendojnë se u sjellin fitime bizneseve të tyre. Përgjegjësia kushtetuese e shtetit ligjor është që të ndërhyjë me mekanizmat e vet institucionalë dhe të mbrojë shtetasit e vet nga kjo ndotje kulturore dhe e dëmshme.

Pranimi, shfaqja e telenovelave turke është i rrezikshëm se, rrit influencën turke në shoqërinë shqiptare, që synon t’i bashkohet Evropës së bashkuar.

Shoqëria civile dhe masmediat pa dyshim duhet të thonë fjalën e tyre, duke e bërë objekt të diskutimit publik shfaqen e telenovelave turke në ekranet televizive.

Vula që na vuri pushtimi osman me kthimin e shumicës së shqiptarëve në besimin islam ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për popullin shqiptar, me pozicion gjeografik dhe me prejardhje evropiane, por politikisht ende jashtë Bashkimit Evropian.

Kërkesat e vazhdueshme, me pika dhe nënpika, ndaj Shqipërisë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, ose mohimi i vizave për qarkullimin e lirë të shqiptarëve të Kosovës janë edhe pasojë (por jo vetëm) e qëndrimit të Evropës së Krishterë konservatore ndaj islamit shqiptar.

Seria e pafund e telenovelave turke ngjall edhe një nostalgji të padëshirueshme për shqiptarët, që kanë provuar në historinë e tyre plot luftëra dhe gjëma nga pushtimi turk-osman, prandaj kjo kërkon një përzgjidhje me kritere të larta kulturore dhe edukuese të filmave dhe dokumentarëve që u ofrohen shqiptarëve e, veçanërisht, brezit të ri.