Si mbijeton ideja e errët për ndarjen e Kosovës?

618
Sigal

Mehmet Kraja

 

Përmes deklaratave kontraverse, përmes pohimit dhe mohimit, përmes analizave dhe propagandës mediale dhe manipulimit të opinionit, përmes gënjeshtrave publike dhe makiavelizmit, përmes mbjelljes së frikës dhe të zhgënjimit, përmes patriotizmit të rremë dhe idesë së bashkimit kombëtar; përmes gjepurave për integrime, heqjes së kufijve dhe gënjeshtrës tjetër të radhës; përmes idealizmave mashtruese dhe vaniteteve të ulëta njerëzore, ideja për ndarjen e Kosovës vazhdon rrugën e saj të pandalur, si gjedhja politike më e korruptuar në historinë e mendimit shqiptar. Që afro një vit Kosova ka mbetur dhe sillet në një rreth të mbyllur, që nuk di ta përcaktojë askush se çfarë është në të vërtetë, një si gjendje nokdauni, një Kosovë me mendje të turbullt, që nuk prodhon asnjë mendim të qashtër për veten e saj, që nuk gjen askund qetësi dhe prehje, që nuk ka shpjegim për asgjë, që nuk di as si të shpëtojë nga hija e errët ku është strukur. Në këtë e sipër, derisa Kosova jeton çastet e rënda të mosgjësë, të bjerrjes së mendimit politik dhe të zvjerdhjes së idealit të lirisë dhe të idesë së shtetit. Nuk ka reforma, nuk ka investime, nuk ka liberalizim vizash, nuk ka asnjë lloj negociatash me BE-në, nuk ka veting në drejtësi, ka vetëm Serbi, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ata që duan ta mbajnë në agjendë ndarjen e Kosovës, ta përplasin në fytyrë, bashkë me duhmën e tyre prej vasalësh, edhe idenë se asgjë nuk ecë në Kosovë pa një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, se Kosova është e rrezikuar nga lufta, nga pushtimi serb, se ajo e ka të pamundur të mbijetojë pa importet serbe etj. Në të vërtetë, Kosova as ka pasur dhe as ka ndonjë urgjencë rreth marrëdhënieve më Serbinë: është më e sigurt se kurrë në historinë e saj, ka konsumuar një mbështetje ndërkombëtare të paparë ndonjëherë, ka aleatët më të fuqishëm të planetit etj. Serbia është ajo që ka urgjencat e këtilla dhe naivët e mendimit politik shqiptar, të tërhequr për hunde nga diabolikët dhe profiterët e politik-bërjes, të shtrënguar nga Gjykata Speciale dhe nga joshja mizerabël se Serbia, meqë ka urgjenca të mëdha, mund t’i tërheqë provat dhe dëshmitë, bënë një lidhje shkakore deduktive: në një situatë të këtillë, Serbia mund të bëjë koncesione. Përgjigja është e shkurtër: Aspak! Të gjithë tashmë e dinë se ideja për ndarjen e Kosovës ka lindur në Serbi, por të paktë janë ata që e kuptojnë se si ndodhi që derivatet e kësaj ideje të futen aq thellë edhe në mendimin politik shqiptar, me forcën e pohimit ose të mohimit, kjo pak ka rëndësi. Një akademik ca më i vjetër (R. Qosja) dhe një tjetër cazë më i ri, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (N. Daci), që në krye të herës dolën në mbështetje të kësaj ideje, duke u bërë objekt manipulimi i politikës dhe eksponentëve të saj. Për të dy këta burra, ndonëse as vetë nuk e di aq mirë pse, ndoshta për shkak të “etikës historike”, dua të kem pak mirëkuptim dhe t’i quaj “atdhetarë të gabuar”, ngase më thotë mendja se idealizmi ndonjëherë çon edhe në gjykime politike ose mendimore krejtësisht të pamundura, që nuk i kap as mrekullibërja makiaveliste (bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe bashkimi kombëtar shqiptar me ndihmën e Serbisë!). Po këtu më duhet të them me keqardhje se ideja për ndarjen e Kosovës, e shpikur nga mendimtarët serbë (Çubriloviqi, Qosiqi) dhe e adoptuar nga akademikët tanë, ka një mungesë shumë të madhe: prodhuesit lokalë të ideve zakonisht përvetësojnë dhe marrin për vete edhe çdo efekt pozitiv që mund të dalë prej tyre, ndërkohë që dihet se mendimtarët serbë nuk janë mendimtarë kontemporanë, por mendimtarë nacionalistë serbë dhe vetëm serbë dhe prandaj idetë e tyre serbe nuk mund të derivojnë gjë tjetër, pos Serbi dhe vetëm Serbi, Serbi të madhe ose Serbi të munguar, ngase idetë nacionaliste në natyrën e tyre e kanë synimin e të munguarës, ndonjëherë edhe të pamundshmes dhe se asnjë ide e nacionalistëve serbë nuk ka forcë as filozofike dhe as pragmatike që të dalë mbi këtë kufizim. Por a mjafton vetëm mbështetja sado e zëshme e dy akademikëve tanë, supozojmë idealistë, që një ide serbe të mbijetojë në hapësirën politike shqiptare? Nuk është as e mundshme, as e besueshme. Ka diçka më të errët dhe diçka më të madhe se kaq në fushën e mendimit politik dhe në pragmatizmin politik kosovar, që e bën këtë ide të mbijetojë edhe në rrethanat e një refuzimi pothuajse të njëzëshëm. Duhet ditur që në krye të herës, se klasa politike e Kosovës dhe e Shqipërisë nuk kanë kapacitete që të prodhojë ide politike, jo vetëm për shkak të kufizimeve që kanë në fushën e mendimit, të gjedhes intelektuale, por më shumë për shkak të paaftësisë së tyre pothuajse gjenetike dhe të sprovuar tradicionalisht që interesat kombëtare t’i vendosin mbi interesat personale. Kosova nuk ka asnjë urgjencë për t’i rregulluar marrëdhëniet me Serbinë, përveç Gjykatës Speciale dhe mbijetesës së kësaj klase politike. As Serbia nuk ka ndonjë urgjencë, përveçse Vuçiqi, përmes Kosovës, të mbahet në pushtet, duke gënjyer Brukselin për miqësitë në rritje me Rusinë dhe Kinën. Atëherë, si mbijeton ideja për ndarjen e Kosovës edhe pa mbështetjen e popullit të saj? Të gjithë e dinë se ndarja e Kosovës nuk mund të mbahet e fshehtë, por Rama, Thaçi dhe Vuçiq punojnë shumë, ditë e natë, që kur të vijë koha e ndarjes së Kosovës, të mos mund ta pengojë askush, madje as populli i saj. Në këtë kuadër, vetëm sa për t’ua përkujtuar: Edi Rama është përpjekur vazhdimisht t’i këmbejë rolet: të deklarohet së jashtmi se flet për Kosovën, gjë që nuk mund t’ia ndalojë askush, por në të vërtetë gjithnjë ka folur në emër të saj. Fundja më në fund, kryeministri i Shqipërisë nuk mund ta fshehë se tre takimet e para me Vuçiqin, në Pekin, Beograd dhe Nish janë ndërmjetësuar nga Kina dhe se aty është folur ekskluzivisht për Kosovën. Po a mund të gjendet një shqiptar në botë, i cili e njeh profilin politik të Edi Ramës, që mund të besojë se ai, kur e merr nëpër gojë Kosovën, vetëm “flet për Kosovën”, por “nuk flet në emër të Kosovës”? Nuk ma merr mendja se gjendet një i tillë, që mund t’i falë një besim kaq të madh një politikani kontravers, i cili po në Kosovë, në Pejë, ua shpall Serbinë kosovarëve “partner strategjik”. Ne që i kemi vrojtuar nga afër që 20 vjet këta dy oligarkë të modelit aziatik, kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Kosovës, kurrë nuk kemi dëgjuar prej tyre të thonë qoftë edhe një të vërtetë! Dhe kjo nuk është aspak “çudi e historisë”, është vetëm një përsëritje e saj, si në Shqipëri, si në Kosovë. Po kush, në të vërtetë, e mban në agjendë politike idenë e errët për ndarjen e Kosovës? Përveç klasës politike, është edhe një “eminencë gri”, që mbijeton politikisht në Kosovë, një si model i “Bllokut” në Tiranë, që tashmë është transferuar edhe në Prishtinë dhe është konfiguruar në një ambient social dhe politik krejtësisht të ngjashëm. Është ky klan politiko-medial që fshihet prapa mbështetjes së opsionit për ndarjen e Kosovës dhe ndihmon mbajtjen e kësaj klase politike në pushtet, herë duke i pasqyruar krizat e herë duke i shkaktuar ato, por gjithnjë duke vjellë pëgërat e tyre mbi të gjitha shenjtëritë e këtij vendi. Kosova tashmë ka mbetur në duart e këtyre plëngprishësve, të cilët të gjitha mëkatet e veta i shndërrojnë në përfitim. Në fund, për të gjithë ata që kërkojnë një zgjidhje: Kur të bëhen njëqind mijë në sheshet e Prishtinës, unë do të jem aty, një më shumë se njëqind mijë…