“Shoqëria piramidale”, Artan Fuga: Politikanët nënvlerësim për qytetarët, me këtë model s’mund të shkojmë larg

285

Akademiku Artan Fuga teksa ka prezantuar librin e tij “Shoqëria Piramidale” theksoi se ai përdor gjeometrinë e piramidës për të dhënë metaforën e të gjitha problemeve dhe degradimit të shoqërisë shqiptare. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ Fuga pohon se modeli piramidal është thelbi i modelit social që aktualisht kemi sot në vendin tonë, pasi sipas tij krijon kaos dhe bllokim të iniciativave.

Mes të tjerash Fuga bën një analizë të situatës në vend, duke shtuar se modeli ‘piramidal’ është ngritur që nga viti 2008, kur u bënë ndryshime në Kushtetutë. Akademiku thotë se sistemi i vendimmarrjes është i përqendruar tek pushteti qendror, ndërsa shton se partitë kanë besuar më shumë tek vetja sesa të qytetarët. Duke qëndruar në këtë linjë Fuga deklaron se politikanët kanë nënvlerësim për qytetarët dhe nënizon faktin se “me këtë model nuk mund të shkojmë larg”.

“A rrezikon të prodhojë falimentim ky model? Nuk e di këtë gjë. Nuk dua të bëj parashikim afatgjatë. Por nëse unë s’do të merrja një shembull të veçantë. Do të merrja zhvendosjet e popullsisë, lëvizjet demografike shkojnë drejt 2-3 qyteteve kryesore. Popullsia periferike rurale shkon drejt qendrës dhe krijohet një lloj piramide demografike ku është unaza e para e qytetit, që nxjerr dhe pushtetin. Aty drejtohen lëvizjet demografike. Kjo piramidë e demografisë prodhon shkëputjen e njeriut nga puna. Qytetet krijojnë papunësi, dhe më pas një problematikë sociale. Nga që ka papunësi, pushteti lokal nuk merr taksa aq sa duhet. Ndaj një shoqërie të papunë i shtohen taksa. Të gjitha burimet, mjedisi, malet, lumenjtë, degradohet. Pse? Sepse nuk ka më njerëz. Aq çon kjo në falimentim? Unë mendoj se çon në varfërim”, tha Fuga.