Sefedin Çela: Nga Maratonomaku i hershëm te lajmësi i sotshëm

154

 

NGA SEFEDIN ÇELA

Në kangjellat e Prokurorisë  së Përgjithshme  mikrofona të lidhur me zinxhirë. Simbolikisht e gjetur e  impresionuese:  Gazetarët kërkojnë të jenë të mbrojtur, të paprekshëm prej askujt, të lirë për ushtrimin e profesionit. Kërkesat e tyre me zë ishin “Lajmësi është i paprekshëm”, “Gazetaria është e shenjtë!”. Në pozicionin  e një njeriu realisht tangjent me shoqërinë, mund edhe t’i thuash vetes “kur s’ke pula , mos bëj ishsh!” . Sot duket se askush nuk mund të ta mbyllë gojën, por në çdo kohë e në çdo moshë njeriut, së pari i duhet të zgjidhë një problem me veten, a është aq mjaftueshëm i lirë sa ta thotë atë që mendon? Përveç problemeve që kam me artritin, tensionin arterial e aritminë, them se kam kohë boll të “vetëgërricem”: po, e them me plot gojën, – LAJMËSI ËSHTË I PAPREKSHËM, GAZETARIA ËSHTË E SHENJTË, veç, ta thotë mendja, lajmësi, gazetari vetë, a është i shenjtë? Në vite të gjata të vjetërsisë në punë, vitet në media  bëjnë pensionin tim, pra kjo është miza pz- pz që nuk më lë rehat të mos gërricem.  Ardhur nga shekulli i kaluar, me kokë e këmbë në dy  sisteme, them kam pasur kohë ta bëj purgatorin tim, njëlloj vetingu moral, aq sa për t’i dhënë të drejtë vetes të them atë që mendoj  ashtu si e mendoj, pa ekskluzivitet mbi të. Mbështetur te Herodoti, Plutarku e Lukiani nga të parët, si shumë e shumë historianë më vonë, kanë sjellë në vite  të vërtetën  e Betejës së Maratonës, ku grekët e komanduar nga Miltiadhi u shkuan në ndihmë spartanëve, të vënë në  vështirësi shpartallimi prej persëve. Manovra e Miltiadhit qe shpëtimtare. Një prej ushtarëve të tij, sipas Lukianit me emrin grek Filipidi e sipas të tjerë historianëve  Eukleu, duke ecur pa ndërprerë  për 24 orë, ai mbërriti  i pari e tha para athiniotëve “Fituam!”. Dhe ra përtokë i vdekur. Filipidi, apo Eukleu, apo ardhur deri sot  i përveçëm  si Maratonomaku, mund të thuhet, është lajmësi i parë. Mesazhieri i Parë. Mesazhi i Eukleut a Filipidit ka mbijetuar në mijëvjeçarë e do të përcillet sa të jetë njerëzimi. Në vitin 1921 u përcaktua se kjo distancë që duhet përshkuar pa ndërprerje, është 42,195 km. Maratona sot është garë olimpike për meshkuj e femra, bëhet tradicionalisht edhe në shumë qytete të botës, ku marrin pjesë kush të mundë, edhe  invalidë me karroca me rrota. Edhe në Tiranë ka filluar të organizohen jo pa sukses. Në të gjitha rastet mesazhi është: të përpiqesh, të marrësh pjesë, je fitues, je maratonomak, je lajmës i fitores. Nga Maratonomaku, Lajmëtari i Fitores, deri te shpërndarësit e fake news të ditëve të sotme,  fjala lajmës ka marrë kuptime  semantike të ndryshme.

Sipas fjalorit, lajmës quhet edhe shkesi apo mblesi, ndërmjetësi që të bën me nuse, deri edhe sekseri. Të tillë janë quajtur edhe njoftuesit e festave, dasmave, vdekjeve. Madje edhe tellallët. Tellalli njofton  ardhjen e dy zonjave  në filmin: “Koncert në vitin ’36”. Tellalli bërtet në sheshin e pazarit te filmi “Liri a vdekje”, “O milet, dëgjoni e merrni vesh: do varen në litar Ziguri e Sefedini!” ( I them Vath Koreshit, autorit të skenarit, që e kisha mik “si ma bëre këtë, të tundem si lavjerrës në vapë!”. Ai më thotë “Si trim do të mbahesh mend, jo si kaçak ferrash!”. Mua më dukej  si trim  Ziguri, – Sandër Prosi, me mjekër e flokë të gjata, komit i vërtetë, e jo ai tjetri, që mbante emrin tim.) Kohët e fundit  ka pasur vërtet disa raste të rënda dhune, verbale e fizike, ndaj përfaqësuesve të medias, sidomos atyre të kronikës audiovizive. Demonstrues që sulmojnë kameramanët, që thyejnë kamerat e tyre, që u marrin mikrofonin gazetarëve e ua hedhin përtokë, policë që  pengojnë dhunshëm lëvizjen e tyre në vendngjarje. Por shembullin më të keq e jep politika. Kush ka respekt për lirinë e medias dhe e quan atë të pavarur, larg kontrollit politik të kujtdo, nuk i lejohet  ta etiketojë atë, edhe kur ajo shpërdoron lirinë e vet. Arbitri është mbi palët, është gjykata. Secila palë e prekur,  para ligjit është e barabartë. Kryeministri, si institucion, jo thjesht për etikë, nuk mund ta etiketojë median, kazan. Kryetari i  opozitës, në një komunikim me mediat, nuk mund t’i përjashtojë e diferencojë ato në “tonat e të pushtetit”

Por, sipas meje, problemin më të madh media e ka me veten: Ajo parapëlqen të rreshtohet e vetërreshtohet! Për interesa të pronarëve të mediave apo dhe të gazetarëve të veçantë ato shpesh konformohen, bëhen palë, nuk pëlqejnë të investigojnë për shfaqje të hapura të abuzimit me pushtetin a  të korrupsionit me fondet e asetet publike, por  përdorin si argumente ato që servir njëri krah e tjetri i politikës e fshihen pas tyre. Opinionistët, me të njëjtat parafabrikate qarkullojnë nga një moderator  emisionesh te tjetri, po ata, sipas preferencave të moderatorëve,  me të njëjtat qëndrime, madje pa pasur kohë as të ndërrojnë xhaketat. Askujt nuk i shkon në mend të pyesë, nëse beson kush në ato që thonë, qoftë dhe në familjen e tyre. Nuk ka asnjë sondazh a tregues të matshëm për nivelin e audiencës e të besueshmërisë së tyre.

Si qytetar, si pensionist, kam njëmijë e një pakënaqësi e vërejtje për qeverisjen. Më duket poshtëruese që, në “epokën digjitale”, kur po hyjmë edhe në erën 5G, dy herë në vit duhet të bëj deklaratë gjallese për të vërtetuar a jam unë  që tërheq në bankë pensionin e një jete punë apo një sosi faqezi “më kthen”  nga bota tjetër për të vjedhur shtetin, kur as nuk  varrosesh dot pa  u çregjistruar. Prej vitit 2003 ka përfunduar një shtesë apartamenti në pallatin ndërtuar me kontribut vullnetar ku banoj, nga të gjashtë banorët përfitues  janë shlyer detyrimet e pagesave për infrastrukturë, për karabina e për truallin, kam bërë dhjetëra shkresa, shumëzuar për gjashtë, drejtuar ALUIZNI-t, hipotekës, kam aplikuar po aq herë, me tarifa të kripura, në një kompani çimkë, si seksere,  me emrin ADISA, që nuk të jep kurrë përgjigje,  e  ende nuk jemi pajisur  me Certifikatë pronësie. Kështu ka ndodhur kur ALUIZNI e Hipoteka ishin me dy çati, secila me kokë më vete, po tani që janë në një çati e me  një kokë, mos ndodhtë  të duhen dhe aq  vite të tjerë. Duhet listë e gjatë të rendis kokëçarjet e mia e mëritë e mia, të njerëzve të mi, të fqinjëve të mi e gjithë qytetarëve nga keqqeverisja, po nëse do të kisha fuqi e të dilja në protestë kurrë nuk do të më kishte shkuar në mend që, me maskë në fytyrë, t’i vija flakën zyrave të shtetit, apo fare ashiqare të urinoja te dera e kryeministrisë, për të treguar shkallën e mërisë time, të fqinjëve të mi e të gjithë atyre në hall. Transmetime të gjalla të mërive të tilla i kam ndjekur nga shtëpia në disa TV, duke ndërruar kanalet, me kuriozitetin  e atij që tërë jetën ka bërë shosha e deri në fund të jetës do të shohë si bëhen shoshat. Kam ndjerë dhimbje në shpirt kur të njëjtën ngjarje  gazetarët, të një profesioni, e jepnin  ndryshe, si të mos ishin në të njëjtin vendngjarje,  me hile të njohura zanati, ku dukej hapur rreshtimi pro e kundër, qoftë dhe në intonacionin e zërit e ngazëllimin e lajmësve, kur profesioni e ligji detyron të qenit edhe emocionalisht i  paanshëm. Nuk janë të rastit shfaqje të tilla. Nuk mund të ndodhë ndryshe kur shumica e gazetarëve, kameramanëve e punonjësve të tjerë të medias punojnë në të zezë, pa kontrata të rregullta pune, pa siguracione, d.m.th., pa iu njohur vjetërsi pune, d.m.th., që nuk dinë a do t’u jepet rasti që, dikur, të paktën, të arrijnë si unë të bëjnë deklaratë gjallese për një pension të mundshëm. Ata janë përditë nën presion, nën presionin e shefave të tyre, nën presionin e bosëve të tyre pronarë e punëdhënës e të gjithë këta së bashku, nën presionin e bosëve të politikës, shpesh pa dallim krahësh e ngjyrash, prej të cilëve kanë marrë, marrin e shpresojnë  të marrin nesër, në mos tenderë, minimumi përqindje sekserësh apo reklama favorizuese. Jemi në një shoqëri ku vlerat bëjnë diferencën, por, qofsha i gabuar, se nuk mund të citoj asnjë statistikë, ka emra të përveçëm në këtë komunitet, që jetojnë në vila jo të zakonshme, me disa apartamente, që nuk janë thjesht nga diferenca e vlerave në profesion. Sikur të kishte edhe për këtë komunitet një vetting,  nisur nga sa derdhin  mbi të ardhurat, nuk di sa larg në përqindje do të dilnin nga gjyqtarët e prokurorët që deri tani kanë mbetur në klasë. Kohët e fundit ka pasur ndonjë zë për status të gazetarit, që do të mbronte moscenimin e tyre në punë nga kushdo, qe do të përcaktonte të drejtat e detyrimet e tyre. Nga kush kërkohet ky status, nga Qeveria? Ajo është më pak ose aspak e interesuar, ligjërisht dorëjashtë, përveç, deri diku, transmetuesit publik. Nuk di sa shoqata  të gazetarëve ka sot; dikur, në vitet 2000, kishte katër, nga shtypi i shkruar e media elektronike. Shoqata shemra, që i vinin stërkëmbësha njëra tjetrës. Nuk e kuptoj se si media, që bën pasqyrën e shoqërisë, autopsinë e qeverisjes, një shtyllë e shtetit e demokracisë, pushteti i katërt, nuk ka mundur të bëjë për vete një Kod Etike, një Urdhër të Gazetarit e të Puntorit të Medias, si  ka Urdhër të Mjekëve, të Farmacistëve etj., etj. Mund të marrësh  një diplomë për gazetari, brenda a jashtë vendit, po duhet të kesh dhe një licencë për ushtrimin e profesionit, me kritere si fitohet e si mund dhe ta humbasësh këtë licencë. Do të përcaktoheshin qartësisht të drejtat e detyrimet midis palëve, midis punëdhënësve e punëmarrësve etj. Gazetari do të ndihej me i sigurt, realisht më i lirë. Nuk them se do të bëhej maratonomak, e as të vdiste si Filipidi a Eukleu,  po do të ishte lajmës i vërtetë, i paprekshëm. Në mos shenjt fare, aty afër!