Rama ka hobi dhe kënaqësi të na shohë në sherre me njeri-tjetrin

569
Sigal

Intervista/ Flet ish-deputeti i LSI, Përparim Spahiu: Qeverisja skandaloze e Rilindjes, ka ndikuar dhe ndikon përditë në elektoratin e majtë

 

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit ndodhen mes dilemash për realizimin konkret. Meta i zhdekreton këto zgjedhje, Rama vazhdon fushatën. Të gjitha këto vijnë në kohën kur BE e shtyu kohen për hapjen e negociatave për në vjeshtë. Në këto situata qeveria e majtë mori një goditje që ndikon shumë për vendin dhe popullin e saj. Situata në vend duket shumë e tensionuar,. Fushata duket e zbehtë dhe pa kundërshtarë dhe përballje vizionesh dhe platformash. Këto dhe të tjera mendime janë pjesë e intervistës me z. Shehu…

-Si do ta komentonit zhdekretimin e datës 30 qershor nga Presidenti Meta për zgjedhjet vendore, a ishte i drejtë dhe korrekt me kushtetutën?

Parandalimi përmbledh një tërësi masash që merren për të ndaluar diçka të ndodhë dhe, normalisht, nuk është e lehtë të vlerësohet se sa me vlerë është. Për mua, ky është thelbi i atij vendimi, më shumë se kushtetutshmëria e tij. Ai vendim u mor vetëm një orë para protestës se 7-të të opozitës, por në të njëjtën kohe, që është me e rëndësishmja, zhdekreton datën 30 si datë zgjedhjesh lokale. Çdo formë zgjedhjesh apo tentative për të bërë zgjedhje në datën 30 është e paligjshme dhe, besoj, që çdo gjykatë apo gjykim i mëvonshëm, të tillë do ta vlerësonte. Me këtë them që, edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale do t’i jepte të drejtë vendimit të Presidentit dhe nuk besoj kurrë në mungesën e ekspertizës korrekte ligjore dhe kushtetueshmërisë së vendimit me idenë e “përfitimit” të mungesës së Gjykatës Kushtetuese.

 -Rama edhe pse pa kundërshtarë vazhdon fushatën, madje me shoqërues të shumtë si do ta quaje këtë fushatë? 

Unë nuk e di si dhe nga ka ardhur ajo shprehja që shpesh e dëgjojmë, “Estrada e Ballshit”, por vetëm të tillë do ta përkufizoja fushatën që KM-ja dhe të tijtë po bëjnë. Sa i takon shoqëruesve, them që pjesa më e madhe janë policë si dhe 2,000 “të punësuar” vetëm për të shoqëruar Ramën kudo që shkon. Kurrë nuk do të pranoja të drejtoja një vend, nëse dhe njëherë të vetme do të gjuhesha me vezë e jo më, të mobilizoja forca speciale për t’u mbrojtur nga populli im.

 – Në këto situata a do zhvillohen normalisht zgjedhjet në 30 qershor pa opozitën dhe si do veprojë opozita?

Unë kam shpresë, edhe pse janë pak ditë, që dhe protesta e radhës të mos zhvillohet por palët të ulen dhe të dakortësohen për një proces normal zgjedhjesh. Sa i takon datës 30 e thashë dhe më sipër, ajo datë nuk ekziston më si datë zgjedhjesh dhe nuk ka se si të zhvillohen zgjedhje.

 – Përgjimet e “Bild”, a do ndikojnë në uljen e përkrahësve të PS në përgjithësi dhe a do ulnin numrin e votuesve të PS, nëse do kishim zgjedhje të rregullta?

Më shumë se përgjimet e “Bild” them që qeverisja skandaloze e Rilindjes, sidomos dy vitet e fundit, korrupsioni, marrëdhënia me krimin dhe kriminel ka ndikuar dhe ndikon përditë në elektoratin e majtë. Nuk janë vetëm anëtarë të PD apo LSI që kërkojnë azil dhe emigrojnë përditë, nuk janë vetëm anëtare të PD dhe LSI të papunë dhe zhytur në varfëri ekstreme.

– Në këto situata a është i rrezikuar Rama si kryetar partie dhe a do dalin zëra kundër tij?

Nuk kam asnjë interes se çfarë do behet me Ramën ne PS, por as me PS me apo pa Ramën. interesi i vetëm është që ky vend te ecë përpara dhe, për mua, Rama është e keqja më e madhe madje njeri që duhet studiuar dhe ndaluar që edhe surogat i ngjashëm t’i ndalohet me ligj të merret me politikë.

– Si do t’i komentoje shtyrjen e hapjes së negociatave për në vjeshtë?

Rama është ngelësi më i madh në klasë, sa i takon kësaj çështjeje, penguesi më i madh i integrimit, kundërshtari më i fortë i këtij procesi dhe arsyeja e vetme është se ai kurrë nuk mund të sillej njëlloj siç sillet sot, nëse Shqipërisë di t’i ishin hapur negociatat.

– Në Shkodër dhe Tropojë nisën konfrontimet pushtet vendor- polici, ku e ka bazën konfrontimi?

Baza është ligji dhe ligj është dekreti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve.

 -Mendoni se në këto situata si dhe protestën e ardhës Rama do dorëhiqet si kryeministër duke u bazuar në kërkesën a patolerueshme të opozitës?

Rama është një i mbaruar, ai mund të rrijë dhe 100 vite kryeministër apo dhe të bëhet mbret, pasi i ka dhe mundësitë me parlamentin që ka, por të gjithë e kemi të qartë që është një njeri që ka marrë fund. Ajo që çdo shqiptar duhet të kuptojë është, se ky njeri ka hobi dhe kënaqësi të na shohë në sherre mes njeri-tjetrit. Çdo skenë dhune a përleshjeje mes nesh kënaq egon e tij. Mbase, një psikolog do t’i bënte një përkufizim më të mirë sjelljeve të tij.