Qeverinë e tepsisë së Rilindjes, mos e past’ as hasmi!

601
Sigal

Engjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

(Pjesa e Parë )

Para 25 qershorit 2017, shqiptarët ishin krejt të lirë të përcaktonin qeverisjen që donin dhe që u duhej, për të mos mbetur në këtë “moçal” social-ekonomik, ku i ka zhytur e po i mban qëllimisht politika “sulltanat”, i ndarë në “pashallëqe” me mirëkuptim interesash. Pas hedhjes së votës, përsëri “na mbeti në derë” qeverisja e “Rilindjes”, por me logon “Shqipëria që duam” dhe që pas pazarit të 18 majit, u la të bënte siç deshi me votën popullore. Referuar edhe modelit shterp që na ofroi qeveria e Rilindjes në 4 vitet që ikën, dhe sidomos këto dy vitet e “tepsisë “ vetëm , duhet të kuptojmë e pranojmë më së fundi, se prej 27 vitesh po jetojmë me shpresën “litar”, të stërzgjatur pa fund e pa “koma” (ndalesa), duke rendur nëpër “shkretëtirën” tranzicion, në kërkim dhe ëndërrim të Shqipërisë që duam, pak për veten dhe shumë për brezin e sotëm pas nesh e për të tjerët pas tyre. Presidenti amerikan Franklin Ruzvelt (FranklinRoosevelt  1882-1945), më 06 janar 1941, ka shpallur deklaratën ku thuhet: “Ne shpresojmë të shohim një botë të mbështetur mbi katër liri themelore:

e para – lirinë e fjalës dhe të shprehjes,

e dyta – të drejtën që kushdo mund të nderojë Zotin sipas dëshirës dhe besimit,

e treta – në zhdukjen e varfërisë,

e katërta – në çlirimin nga frika.

Rilindja dhe Rama kërkuan tepsinë të vetëm për të larguar nga prehri ata që i luanin timonin e drejtimit duke deklaruar, se do sillnin; lirinë, besimin, do zhduknin varfërinë dhe do të sillnin barazinë dhe përparimin.

Po pse e quani:

  • Përparim, të ikin gjysma e shqiptarëve nga vendi?!
  • Përparim që më shumë se gjysma e shqiptarëve akoma jetojnë në kushtet minimale të jetesës dhe mbijetesës?!
  • Përparim e quani që korrupsioni dhe krimi po e mbytin shoqërinë shqiptare?!

Për çfarë përparimi e keni fjalën, për klasën politike të “Rilindasve” dhe trafikantëve pas tyre që janë më të pasur se korporatat e SHBA-s dhe lordët e Anglisë, për fëmijët e politikanëve që i kryejnë shkollat në vendet perëndimore dhe që i bëjnë pushimet në vendet më të frekuentuara të botës…?! Dhe, meqenëse jemi në muajin e Ramazanit,

  • Përparim e quani kur ata që prishën kisha, xhami dhe tyrbe sot na shtrojnë “IFTAR”, për t’u treguar besimtarë në sytë e ndërkombëtarëve?!

Shqiptarëve që kanë filluar t’i kthehen riteve të besimit ashtu si mbarë qytetarët e botës. Por besimtarët nuk kanë nevojë për supën elektorale, ata duan parimin e shenjtë të besimeve fetare që është: Bukë, Kripë e Zemër.

01

Ëndrra dhe shpresa boshe, qeverisë që i ikën populli

Me këtë ëndërr boshe, kemi mbajtur frymën gjallë deri sot. Për ata që në vitin ’90 ishin 20-25 vjeçarë, prindërit thoshin: “Jeta jonë iku kot, të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve!”. Tani që ata 20-25-vjeçar, janë bërë vetë prindër, me fëmijë të rritur pa asnjë shpresë ndryshimi për jetën, po përsërisin ëndrrën dhe shpresën boshe të prindërve të tyre, të 27 viteve më parë: “Mbase bëhet mirë për fëmijët!” Por nuk po bëhet mirë dhe ka shenja, se nuk do të bëhet më mirë, paçka sa fjalimet e shtetarëve janë shumë të mira!

Mos shkoftë më tej ky refren zhgënjimi popullor që po përcillet në çdo brez, mbasi jo shumë vonë, nëse nuk gabohemi, ka gjasa të ndodhë që ato urdhëresat “defterë bakalli”, të nxjerra prej policisë me kritere kufizuese udhëtimi jashtë shtetit dhe postblloqet e ushtrisë në kufi, mund të kthejnë mbrapa 1, 2, 10, 15, 30 e 100 persona apo familje, por nuk mund të ndalin dot gjithë shqiptarët e tërbuar për bukën e gojës dhe pasigurinë e të ardhmes së fëmijëve!

Të mos harrojmë që vetëm në 6 vitet e fundit, kësaj qeverie i kanë ikur afro 360 mijë shqiptarë, 60% e të cilëve të rinj në moshë aktive pune, 35% specialistë universitarë, ekspertë e akademikë të çdo fushe, 30% fëmijë të moshës 7-13 vjeç, 35% mjekë e infermierë, 40% profesionistë të mesëm!

02

Shqipëria që duam dhe qeveria që nuk na do…

Shqiptarët kanë ikur e po ikin dhe siç duken “retë”, do të vazhdojnë të ikin, të detyruar prej “stuhisë” së shpërfilljes dhe denigrimit të klanit qeverisës. Përse? As profesorët dhe shkencëtarët e klasit të lartë, nuk kanë gjetur dot një vend pune në institucionet shkencore, as në zyrat e pushtetit familjar e as në shërbimet publike të nivelit të ulët, paçka se janë të shkolluar, të kualifikuar e të aftë! Kanë ikur, mbasi prej qeverisjes, e cila trumbeton se “do shumë Shqipërinë”, nuk është investuar “asnjë qindarkë” për krijim vendesh pune në ekonomi e shërbim. Biznesi i mbijetuar që ka punësuar aq sa mundet, vazhdon të jetë i sulmuar me taksa, presione politike, gjoba shtetërore, bllokim kreditimesh, lejim kërcënimesh, dhune administrative, seri peng-marrjesh, gjobë-vëniesh, grabitjesh e pasigurie prej krimit, që shpesh kanë rezultuar se janë “komando” të individëve dhe klaneve në pushtet e politikë! Deri sot, kemi një Shqipëri që ende vazhdojmë ta duam, sepse e kemi vendin tonë! Por kemi një qeveri, që nuk na do, që na detyron ta braktisim duke na nxitur të mos mendojmë më për të! Pse? Sepse edhe 4 + 2 vitet e “rilindjes”, ashtu si pesë 4-vjeçarët e tranzicionit para tij, ishin vazhdim i thellimit të rënies ekonomike. Ishin rritje e borxheve dhe çmimeve. Ishin model aktiv dhe barabar i shtimit të padrejtësive në çdo shërbim publik. Qeverisja “Rilindja” ofroi dhe zbatoi pushtetin e shpërfilljes, harbutërisë, pabarazisë e ryshfeteve në administratën publike.

  • Ishin 4 + 2 vitet e shtimit dhe rritjes së taksave deri tek uji, ajri e buka!
  • Ishin 4+ 2 vite qeverisjeje, me “rilindje” dhe vërshim të krimeve “popullore”, për shkaqe sociale-ekonomike, kryer nga pjesëtarë familjesh në varfëri ekstreme.
  • Ishin vitet e sundimit dhe veprimit të monopoleve shkatërruese e bllokuese të individëve dhe klaneve qeveritare, kundër biznesit të ndershëm.
  • Katër vitet e dyta që duan edhe afro 2 vite që të mbyllen, ishin “mbretërimi” i koncesioneve në shëndetësi, dogana, tatime, polici, arsim, kulturë, turizëm, ekonomi e kudo, të cilat zhvatën miliona euro taksa të shqiptarëve.
  • Katër vitet e para të “rilindjes”, ishin instalim dhe veprim i një qeverie që nuk do ta dëshironte asnjë popull, mbasi ofroi korrupsion, varfëri e papunësi ekstreme, me pasojë largimet masive nga Shqipëria!

Asnjë popull nuk ikën kot nga vendi i tij! Ndryshe, do të shikonim që do të braktisnin vendin e tyre gjermanët, anglezët që dolën nga BE, austriakët, francezët, amerikanët, italianët, danezët, holandezët, norvegjezët, suedezet, belgët e madje edhe grekët me shtet aq të shkrehur ekonomikisht, sa qeveria e tyre po blen me kredi të BE edhe letrat higjienike për tualetet e zyrave!

Që edhe kjo qeverisje 6-vjeçare , nuk e do këtë popull dhe nuk punoi për interesat e vendit, u dëshmua me ligjet dhe vendimet që ka hartuar,

  • me privilegjet e shumta për klanin e saj, me pagat dhe pensionet e larta për veten,
  • me lidhjet e dyshimta për biznese kriminale deri anti-mjedisore,
  • me pazaret e fshehta mes njeri-tjetrit dhe me të huajt,
  • me investimet klienteliste dhe braktisjen e interesave të vendit!

Provë është lënia e të huajve, për të zhvatur pasuritë nëntokësore “flori”, për të kontrolluar portet, naftën, aeroportet, pyjet, burimet ujore me HEC-e, ushqimet me 97% importe, bankat, universitetet, vlerat kulturore kombëtare e deri… kishat! Të qëndruar në pushtet me 25% të 50% të votave të shqiptarëve, “rilindësit” e Shqipërisë që ata duan, po vazhdojnë të tallen me Shqipërinë që duam ne dhe me ne, si popull! Troç, qeverinë që kemi ne, mos e past’ as hasmi!

03

Ja çfarë qeverie kemi?

– Kemi një qeveri, që nuk shqetësohet kur vdes apo vritet një shqiptar në emigracion, duke i lënë rrugëve e morgeve të botës!

– Kemi një qeveri, që ka frikë të reagojë kur Pasaporta e Republikës, i griset dhe i hidhet në haletë e pikave policore kufitare fqinje!

– Kemi një qeveri, që hesht e nuk alarmon botën, kur fqinjët edhe pas 150 vjetësh po vazhdojnë të na djegin librat shqip, në shkollat e hapura në emigracion!

– Kemi një qeveri, që lejon bandat e bankave të huaja të bllokojnë kreditimin e biznesit shqiptar, të rrjepin kursimet e shqiptarëve me interesa të larta depozitash dhe të çojnë në vendet e tyre, miliardat që fitojnë në vendin tonë!

– Kemi një qeveri, që nuk trishtohet kur dëgjon, se qindra adoleshentë e kryefamiljarë grabisin dhe vjedhin nga varfëria, apo kur dëgjon se brenda familjeve shqiptare vriten për konflikte me bazë papunësinë!

– Kemi një qeveri, që nuk reagon me masa mbështetëse sociale-ekonomike kur dëgjon, se shumë kryefamiljarë në varfëri ekstreme, vetëvriten mbasi nuk paguajnë dot tarifën e energjisë elektrike dhe zgjedhin… varrin para burgut të ofruar prej qeverisë!

– Kemi një qeveri, që nuk pajis dot me karroca invalidët dhe nuk ushqen dot të moshuarit e braktisur!

– Kemi një qeveri, që nuk shuan do zjarret!

– Kemi një qeveri, që importon, shet dhe përdor ilaçe të skaduara në spitale!

– Kemi qeveri, që nuk çon asnjë fëmijë për kurim jashtë shtetit!

– Kemi një qeveri, që për çdo person të papunë jep vetëm 60 lekë të reja ndihmë ekonomike në ditë!

– Kemi një qeveri, që bën ligj për të mbrojtur zaptuesit dhe hajdutët e tokave të pronarëve legjitim!

– Kemi një qeveri, që na sjell mbetjet kancerogjene radioaktive dhe plehrat e botës

-Kemi një qeveri që nuk zhbënë një akt normativ që diskriminon ushtarakët shqiptar

-Kemi një qeveri që harron lapidarët dhe varrezat e dëshmorëve dhe u ngre përmendore tradhtarëve dhe kolaboracionistëve

-Kemi një qeveri që rritë çmimin e ujit por uji nuk pihet dhe nuk është bërë asnjë investim

-Kemi një qeveri që rritet energjinë duke e bërë çmimin 2 herë më të shtrenjtë se Evropa ,ndërkohë që rrogat dhe pensionet janë nga 5 -10 herë më të ulëta

-Kemi një qeveri që rritë taksat lokale, vendos taksa në banesa, taksë për shkolla edhe pse pronarëve të pallateve u janë mbajtur njëherë këto taksa dhe qytetarët i paguajnë taksat për shkollat dhe shëndetësinë

-Kemi një qeveri që mbanë me para Akademi dhe Komitete duke mos i dhënë asnjë kontribut shtetit dhe politikave kombëtare, mjafton që në krye të ketë një ish ministër të kohës së regjimit komunist.

04

Paradoksi me qeverinë e tepsisë së Rilindjes: Aty ku e bardha duket e zezë, e zeza e bardhë dhe qetësinë nga stuhia e ndan vetëm një vijë e hollë

  • Kemi intelektualë që ofrojnë: Të vërtetën; Lirinë, Barazinë dhe Virtytin. Kemi Profesorë që sjellin

Reforma, Dituri, Virtyte, Shkence, Zhvillim dhe Emancipim. Por qeveria e Rilindjes i përçmon këto figura, sepse ka bërë marrëveshje me bandat dhe hajdutët, që kanë si kriter: Para – Pushtet – Famë -Pasuri- Llogari Bankare personale. Që jetojnë në vila të modelit të Surrelit, makina luksoze, me Gra në shtëpi dhe Dashnore jashtë saj, udhëtime përrallore në plazhet e botës, kurse këtu qytetarët nuk kanë ku të vënë çadrën e plazhit, sepse bandat e kanë zaptuar vijën bregdetare me lejen e kryebashkiakëve, duke i kthyer në hotele dhe disa në motele. Fëmijët e tyre i kanë për studime jashtë, por këtu arsimi është me turne, pa kushte dhe me pagesa mbi dorë dhe nën dorë.

  • Kemi një qeveri që indeksi i zbatimit të ligjit i “World Justice Projekt” për 2019-n e konsideroi Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në botë.
  • Kemi një qeveri që i ka borxh bizneseve dhe individëve 1.5 miliard euro .
  • Kemi një qeveri por dy Shqipëri: Nga njëra anë jemi zyrtarisht vendi më i varfër në Evropë, por nga ana tjetër ndërtohen kulla që kushtojnë miliarda euro me para që nuk dihet se nga vijnë
  • Kemi një Shqipëri ku zyrtarisht asnjëherë nuk u pranua që vendi u mbush me hashash, që jo vetëm u përdor për të denatyruar votën, por më pas u investua në droga të forta, aq sa sot shqiptarët zotërojnë tregun evropian të kokainës.
  • Kemi një Shqipëri ku ministra dhe kryebashkiak janë marrë peng nga trafikantët dhe krimi i organizuar.
  • Kemi një Shqipëri që është bërë pre e makinerisë së propagandës së një njeriu të vetëm, për të treguar se vendi është fushë me lule.
  • Kemi një Shqipëri që na rendit ndër 20 vendet më të korruptuara në botë, ku ekonomia është kapur nga oligarkët duke i mbyllur rrugën investitorëve të huaj.
  • Kemi dy Shqipëri ,ku njëra palë proteston kundër varfërisë dhe krimit dhe tjetra I mbyt me gaz helmues.
  • Kemi dy Shqipëri, ku nga njëra anë arrestohen hallexhinj që duan të pinë ujë, që duan drita të lexojnë por nuk kanë lekë. Kemi edhe një Shqipëri ku oligarkët marrin miliarda euro pa tenderë, me fatura të falsifikuara dhe nuk u hynë një gjemb në këmbë.
  • Kemi dy Shqipëri, ku blihen me miliona lekë palma që thahen, dhe më pas zëvendësohen me pisha 5500 euro 1 copë?!
  • Kemi dy Shqipëri, ku oligarkët investojnë miliona euro për të zgjedhur deputetin dhe nga ana tjetër po këta deputetë bëjnë ligje (PPP) për oligarkët…
  • Kemi dy Shqipëri, njëra e begatë për produktet bujqësore dhe ushqimore dhe nga ana tjetër oligarkë që sjellin nga jashtë produkte ushqimore, si mishin me salmonelë, kos dhe qumësht me vaj palme dhe miell e grurë me radioaktivitet dhe sëmundje kanceroze.
  • Kemi dy Shqipëri, shumica në varfëri dhe vuan për bukën e gojës dhe një tjetër ku një grup oligarkësh pasurohen me shpejtësi, jo për shkak të aftësive të tyre por nga fitimet abuzive, për shkak të lidhjeve të forta me pushtetin politik.
  • Kemi dy Shqipëri, njëra me intelektualë të aftë që po ikin dhe arratisen jashtë vendit dhe një tjetër të përfaqësuar nga injorantët që janë bërë deputetë në parlamentin shqiptar dhe të bëjnë të ndihesh i turpëruar kur i dëgjon, sidomos kohët e fundit.
  • Kemi dy Shqipëri, ku nga njëra anë prishën lulishtet, institucionet e kulturës dhe bibliotekat dhe nga ana tjetër një Shqipëri ku mbi to ndërtohen kullat e trafikantëve të drogës dhe pushtetarëve që pastrojnë paratë e krimit.
  • Kemi dy Shqipëri, ku ambasadorët e huaj që janë në Tiranë nuk i kanë parë parcelat me drogë dhe DASH dhe Gjermania kanë dosje pa fund për trafikantët dhe për Shqipërinë si qendër operacionale e trafikut të drogës që lidh Lindjen-Amerikën Latine me përdoruesit në vendet e BE-së.

 05

Çudira “Made in Albania”

  • Ikin zgjedhësit nëpër botë, por rrinë deputetët!
  • Numëruesi futet në burg, por deputeti gëzon mandatin!
  • Kemi parlament, por nuk kemi deputetë (kanë djegur mandatet)!
  • Jemi republikë parlamentare, por opozitën e cakton “Monarku” i pozitës në pushtet!
  • Kemi Akademi Shkencash, por Kryetari zgjidhet sipas kriterit monist!
  • Duam drejtësi, kemi ministri Drejtësie, por kemi shkrirë gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë!
  • U investuan mbi 80 milionë euro për reformën në drejtësi, por paratë nuk dihet kush i mori. (Sipas KSHH, 63% e shqiptarëve nuk besojnë më tek kjo reformë)
  • Jemi evropianë, por Evropa na ka ngritur gardhin prej disa bandave të lidhura me qeveritarët!
  • Kemi kopsht zoologjik, por kafshët i lëmë pa ushqyer dhe na i merr Evropa, e cila përzë shqiptarët dhe pranon “luanët”!
  • Kemi autonomi universitare, por Rektorët i vendosim me banda dhe i shkarkon ministrja!
  • Jemi një komb, por i vëmë barriera dhe taksa njëri tjetrit për të hyrë dhe qarkulluar!
  • Kemi histori, teatër, filma por godinat i rrafshuam për të ndërtuar kulla oligarkët dhe trafikantët e drogës dhe prostitucionit!
  • Jemi i vetmi shtet ku paguajnë dy administrata paralelisht, njërën për militantët dhe tjetra ajo që u hodh në rrugë dhe ka fituar gjyqet!
  • Kemi një lider që përzë mediat që nuk i nënshtrohen dhe gjykatat evropiane na detyrojnë t’u paguajmë 140 milionë euro, vetëm për egon e liderit!
  • Jemi vendi që kemi mbi 1.4 miliardë euro borxhe dhe ku çdo fëmijë që lind ka në kurriz 1800 euro borxh po nga kjo qeveri!
  • Kemi sistem bankar, por ai është më i varfër se sa miliardat e trafikantëve të drogës,të cilët zhvlerësuan euron duke i shkaktuar bizneseve të ndershme 115 milionë euro humbje!
  • Sipas sondazheve të prillit 2019, 62 % e shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria dhe 85% e të rinjve po ashtu.
  • Jemi i vetmi vend në Evropë me 0 rritje popullsie si katër-mujor!